Si e bllokuam Flotën Ruse të mos kalonte Bosforin për në Adriatikun Verior

Historia

Si e bllokuam Flotën Ruse të mos kalonte Bosforin për në Adriatikun Verior

Hajro Limaj Nga Hajro Limaj Më 25 mars 2019 Në ora: 07:44
Flota ruse derejt Bosforit

Kur bombarduesit amerikanë prej datës 24 Mars po intensifikonin bombardimet ajrore ndaj qendrave, objekteve dhe njësive e reparteve të blinduara serbe në Kosovë,Ministri i Mbrojtjes se Rusisë, më datën 1 prill 1999, urdhëroi anijet e tij luftarake të dislokuara në Sevastpol,ne brigjet e Detit të Zi, të niseshin urgjentisht për në Adriatik, “për shkak të situatës që po zhvillohet në Jugosllavi”. Për realizmin e këtij operacioni ushtarak, autoritetet ruse i dërguan Ankarasë njoftimin zyrtar për kalimin tranzit të anijeve luftarake ruse të Detit të Zi në detin Mesdhe, nëpërmjet dy ngushticave detare të Turqisë: Bosforit dhe Dardaneleve.

Ndaj kësaj kërkese të rrezikshme unë bera takime urgjente me shefin e kabinetit te kryeministrit dhe drejtorin e Zbulimit ne Shtamadhori. Kundërpërgjigja e Kryeministri turk, Exhevit u dha e me nje hereshme. Ai u bëri thirrje autoriteteve kryesore të Moskës, që të tregoheshin më të matur dhe më të kujdesshëm ndaj konfliktit ushtarak, që kishte filluar në Kosovë, si rezultat i politikave militariste dhe gjenocidiste të Milosheviçit. Kalimi i Flotiljes ushtarake Ruse nga Bosfori kishte shqetesuar te gjitha nivelet e larta të NATO-s dhe drejtuesit e UÇK-së, gjë e cila na kishte vendosur në një veprimtari intensive me përfaqësuesit e shtetit turk dhe atashetë ushtarakë të NATO-s, vecanërisht të Amerikës, Britanisë, Italisë , etj. Bile edhe me atshetë ushtarakë të Rusisë, nisur nga kofidencat diploamtike qe kishim krijuar.

Edhe pse kjo kërkesë ishte jashtë dëshirave të Turqisë, kalimi i anijeve luftarake nëpërmjet ngushticave të saj të Bosforit dhe Dardaneleve përcaktohej në Traktatin e Montrealit të vitit 1936. Sipas këtij traktati, shtetet që lagen nga ujërat e Detit të Zi mund të dërgojnë anijet e tyre luftarake nëpërmjet ngushticave, në qoftë se ato informojnë autoritetet turke për qëllimin e kalimit të paktën 8 ditë më parë. Ndërsa për vendet që nuk lagen nga ujërat e Detit të Zi kërkohet një periudhë prej 15 ditësh. Ato ditë anijet luftarake ruse ndodheshin të ankoruara në bazën ushtarake detare të Sevastopolit, afër Gadishullit të Krimesë, ku rusët vazhdonin të mbanin flotën e tyre të Detit të Zi.

Agjencia ruse e lajmeve “Itar Tass”, në ato ditë njoftoi se ekuipazhi i Flotiljes kishte kaluar në alarm me marrjen e detyrës luftarake për në Mesdhe, si dhe kishte filluar furnizimin me karburant të anijeve. Ishin ditët kur ushtarakët e lartë rusë kishin ndërprerë të gjitha kontaktet me NATO-n, në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Jugosllavi, si dhe kishin tërhequr përfaqësuesin ushtarak të atashuar në Shtabin e NATO-s në Bruksel. Me këto përplasje të ashpra politike dhe diplomatike NATO-ja filloi të merrte masa plotësuese, mbasi reagimet ruse për intensifikimin e bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Jugosllavinë, ishin paralajmërim i një konfrontimi të mundshëm në Mesdhe. Megjithatë, NATO-ja përsëri vlerësonte se zhurma ruse ishte më shumë “një lëvizje strategjike për t’i treguar publikut rus dhe atij botëror se Rusia është një aktor, që nuk mund të injorohet gjatë krizës së Kosovës”. Por, duhet nënvizuar se lajmi për kalimin e flotës ruse në detin Adriatik krijoi shqetësime serioze edhe tek drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me datën 2 Prill më mori në telefon nga shtabi i UÇK-se kolonel Dilaver Goxhaj, i cili në emër të shefit të shtabit të UÇK-se Bislim Zyrapi më kërko të përdorja të gjitha rrugët për bllokimin e kalimit të flotës ruse në Adriatik dhe për të shkëmbyer informacionin e nevojshëm për këtë punë.

Në këtë kuadër, për të gjitha kërcënimet ruse, që vinin nga rajoni që unë mbuloja, informoja Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Shqipërisë, të cilat koordinonin me NATO-n dhe UÇK-në. Midis të tjerave, më datën 18.04.1999, u shkruaja se “nga data 19-28 prill 1999, në ujërat e Detit të Zi, do të zhvillohet stërvitja aero-detare me pjesëmarrjen e anijeve të flotës detare ruse, të dislokuara në brigjet e Detit të Zi dhe forcave detare të Ukrainës. Në një komunikatë të komandantit të flotës ruse të Detit të Zi theksohet se stërvitja do të realizohet në një kohë kur në Ballkan po përjetohet një krizë në rritje. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë 30 anije luftarake:kryqëzor dhe destrojerë me armatimet më të avancuara kundër ajrore, avionë të ndryshëm luftarakë dhe 700 trupa të flotës ruse dhe të Ukrainës.

Gjatë stërvitjes do të bëhet qitje me raketa dhe artileri, si dhe do të organizohet operacioni i minimit, operacioni i zbarkimit dhe operacioni i shpëtimit të anijeve. Burimet e flotës ruse kanë njoftuar se, në kuadrin e stërvitjes, anijet do të mund të kalojnë edhe në Detin Mesdhe, por nga burime të besueshme kofidenciale kam mësuar se kjo lëvizje aktualisht nuk do të mund te realizohet”. Për ta ndjekur më nga afër këtë zhvillim të rrezikshëm, unë shkova nga Ankaraja dhe qëndrova disa ditë ne brigjet e Bosforit, në afërsi të ujrave të Detit të Zi që bashkoheshin me ato të Bosforit.Por me gjithë presionet politike, diplomatike dhe ushtarake që ushtronte Rusia ndaj ndërhyrjes ajrore të NATO-s në Jugosllavi, ajo nuk kishte potencialet e nevojshme për një përballje të gjithanshme me SHBA dhe NATO-n. Por, dislokimi i flotës ruse në Adriatik, e shqetësonte shumë NATO-n, mbasi, nëpërmjet zbulimit elektronik, anijet ruse mund të përcaktonin koordinatat e avionëve amerikanë dhe të aleatëve të saj, për t’i goditur më pas me raketa e artileri kundërajrore, të instaluar në bordet e anijeve.

Një përplasje e tillë ushtarake do ta zgjeronte dhe thellonte krizën e Ballkanit dhe, më e rrezikshmja, do ta vinte NATO-n përballë Rusisë, si aleate besnike dhe historike e Jugosllavisë. Ky konflikt do të dilte jashtë hapësirave të Ballkanit Perëndimor dhe do të përhapej në tërë Gadishullin e Ballkanit dhe hapësirat e Mesdheut. Gjeopolitika e Ballkanit nuk ishte ajo e ditëve të sotme. Rumania dhe Bullgaria nuk ishin anëtare të NATO-s, ndaj të cilave influenca ruse, sidomos në Bullgari, ishte akoma shumë e fuqishme. Greqia ishte ndër kundërshtaret kryesore të operacioneve ajrore të NATO-s mbi Jugosllavi. Për këtë arsye, ajo nuk lejoi përdorimin e korridoreve ajrore të saj për flotën ajrore të NATO-s, që do të godiste objektet dhe trupat ushtarake serbe, që nuk tërhiqeshin nga Kosova. Po kështu, Maqedonia ishte shumë e lëkundur dhe atëherë nuk jepte besim për një mbështetje të nevojave, që do t’i lindnin NATO-s, për përdorimin e hapësirave ajrore dhe tokësore të saj kundër Jugosllavisë

Me presionin e hapur për mos dhëniën e lejeve të kalimit flotiljes ruse nga Bosfori dhe luftës së gjitahnëshme diplomatike dhe mediatike në të gjitha kanalet e Turqisë mposhtëm dhe thyem qëllimet luftarake të Rusisë ndaj luftës clirimtare të Kosovës.

Kolonel Hajro Limaj, ish atashe ushtarak në Republikën e Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat