Mehdi Frashëri në 1921: Nuk kemi konflikte ndërfetare, por zënka partiake

Historia

Mehdi Frashëri në 1921: Nuk kemi konflikte ndërfetare, por zënka partiake

Më: 29 mars 2019 Në ora: 15:05
Mehdi Frashëri

Kështu, roli i tij në të ashtuquajturin “Protokolli i Korfuzit” në vitin 1914, do vijojë të mbetet një hipotekë me ngarkesa negative për të, edhe pse ai vite më vonë në kujtimet që do të botonte, do të jepte shpjegime në dukje shteruese për të kuptuar pozicionin e tij në këtë “tentativë”, e cila, nëse do vihej në jetë dhe nuk do refuzohej nga ekzekutivi shqiptar i kohës, për pak do të bënte që Shqipëria të humbiste jo vetëm karakterin unitarist të shtetit.

Më pas, historiografia zyrtare e pasluftës do ta akuzonte atë se ishte bartësi kryesor i Regjencës, e si pasojë kreu i regjimit kolaboracionist në vitet 1943-1944, duke ia mohuar shumë kontribute me kahje pozitive, që e lidhnin atë pandashmërisht me rrjedhat dhe përpjekjet shtetformuese shqiptare, si ajo në vitet 1920-1939, ku spikat sidomos fjalimi i tij në Radio “Tirana”, mbrëmjen e pushtimit italian të Shqipërisë.

Por veç tyre, postet e shumta e të larta shtetërore që ai mbajti dhe kryesimi i të gjitha iniciativave që kishin të bënin me reformimin shtetëror sidomos në fushën e jurisprudencës, administratës publike dhe atë ekonomike, qoftë në angazhimin e tij në ekzekutiv apo në sferën legjislative, sikurse dhe orientimi i tij tërësisht perëndimor e përqafimi i ideve më liberale të kohës, e bëjnë atë padyshim një rekordmen të pakonkurrueshëm për kohën.

Në këtë kontekst, vjen edhe një intervistë e panjohur e tij në shtypin austriak në vitin 1921, me titull: Shqipëria e pavarur! – Bisedë me ministrin shqiptar të Punëve Botore, Mehdi Bej Frashëri (shih burimin origj: “Das Unabhängige Albanien- Eine Unterredung mit dem albanischen Minister Mehdi Beg Frasheri”, Reichspost, 19 tetor 1921, fq. 1), kohë në të cilën Shqipëria po vuante akoma probleme madhore të brendshme e të jashtme, siç ishin pretendimet e fqinjëve për kufijtë, edhe pse njohja ndërkombëtare e saj tashmë ishte bërë realitet qysh më 17 dhjetor 1920 kur vendi i vogël ballkanik u pranua anëtar me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve, duke marrë 35 vota pro, 7 abstenime dhe asnjë votë kundër.

Ky hap do t’i sillte asaj sigurisht përforcim të sovranitetit shtetëror, por s’do ta bënte dot imune ndaj provokimeve të fqinjëve, të cilët ushqenin çdolloj pakënaqësie e iniciative, që do të çonte në copëzimin e destabilizimin e Shqipërisë. Kështu ndodhi edhe me parinë fisnike të Mirditës, të cilët edhe pse mund të gjenin plot arsye për të justifikuar veprimin e tyre, ndërmorën një hap për të cilin ata vetë më vonë do të pendoheshin e që do ta njolloste jo pak një krahinë e rajon me kontribute të spikatura në mëvetësimin dhe shtetformimin shqiptar.

Nga ana tjetër, këmbëngulja e shtetit të saporiformatuar shqiptar nën frymën e ideve shumë revolucionare e atdhetare të Kongresit të Lushnjës shënonte në këtë kohë një nga përpjekjet më pozitive e më konsensuale të shqiptarëve për të gëzuar më në fund të gjitha atributet e një shteti të vërtetë, i cili duket se tashmë i kishte marrë seriozisht ato që shkruante më parë në letër, duke tentuar t’i verë në jetë e shfrytëzuar çdo mundësi për të ushtruar sovranitetin shtetëror e ruajtur kësisoj edhe unitetin kombëtar.

Në intervistën për të përditshmen vjeneze të 19 tetorit 1921, të cilën e hasa rastësisht duke studiuar tiparet e shtypit të huaj në raportimet e tij në lidhje me Shqipërinë në periudhën 1920-1939, pohimet e Mehdi Bej Frashërit, tashmë në postin e ministrit të Punëve Botore, gjenden në faqe të parë. Nga hyrja shoqëruese që bën intervistuesi (që na shfaqet nën inicialet E.K.) mësojmë se biseda e zhvilluar në frëngjisht, ka qenë relativisht e shkurtër dhe është zhvilluar në Tiranë, në prag të nisjes së Mehdi Beut në Vjenë, drejt së cilës ai po shkonte për të rekrutuar inxhinierë e specialistë austriakë për t’u inkuadruar menjëherë në planet për ndërtimin e modernizimin e infrastrukturës shqiptare.

Po ashtu, një pohim tejet interesant është edhe ai, të cilin edhe pse mund ta kemi hasur e mund ta kemi ditur si fakt, e përforcon më shumë idenë se shteti shqiptar i kohës, edhe pse i dalë nga një luftë rraskapitëse, në kufijtë e mbijetesës e duke trashëguar një shkallë varfërie e prapambetje emblematike, kishte një bilanc pozitiv në buxhet dhe çka është më e rëndësishmja: nuk trashëgonte borxhe kundrejt shteteve apo organizmave të huaja, çka në përballje me realitetet e sotme, ku niveli i borxhit të akumuluar ndër dekada nga qeveritë shqiptare kap nivele të frikshme, e bën këtë pohim edhe më domethënës. Ndërsa flet për mosekzistencë reale të problemit të së ashtuquajturës “Republika e Mirditës” dhe shfrytëzim të tij nga Serbia, ai nxjerr në pah edhe përpjekjet për marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa në fund pyetjes këmbëngulëse të gazetarit vjenez, se a do të mund t’i rezistonte dot Shqipëria një sulmi serioz nga ana e Serbisë, ai i përgjigjet: “Ne kemi një divizion të mirorganizuar dhe efektiv ushtarak.

Nëse ai nuk do të mjaftonte, atëherë i gjithë populli do të dilte në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë”. Të gjitha këto e bëjnë atë intervistë të dhënë, thuajse 100 vjet më parë, të tingëllojë aktuale edhe sot, duke parë zhvillimet dhe sfidat që na shoqërojnë. Më poshtë, intervista e plotë e Mehdi Bej Frashërit për gazetën vjeneze “Reichspost”, 19 tetor 1921. * * * Shqipëria e pavarur! – Bisedë me ministrin shqiptar të Punëve Botore, Mehdi Bej Frashëri Vjenë më 18 tetor 1921 Ministri shqiptar i Punëve Publike, Mehdi Bej Frashëri, do të mbërrijë shumë shpejt në Vjenë për të gjetur inxhinierë për shtrimin e rrugëve, ndërtimeve dhe elektroteknikës, të cilët do të kishin dëshirë të merrnin përsipër të kryenin punë në Shqipëri. Njëri prej redaktorëve tanë pati sot rastin të bënte një bisedë me ministrin rreth situatës në një vend, në të cilin për shumë vite ndodheshin edhe trupat austriake dhe me të cilin ne tashmë qysh prej fundit të Luftës Botërore, nuk kemi më lidhje direkte.

Shkëlqesia e tij Frashëri, një burrë në të pesëdhjetat, e priti përfaqësuesin e gazetës “Reichspost” me një mirësjellje, e cila duket se është pjesë e karakterit të çdo shqiptari të arsimuar dhe i dha atij, në gjuhën frënge, deklaratat e mëposhtme: Rreth Shqipërisë sot në vendet e huaja kanë përhapur pikëpamje nga më të çuditshmet. Europa merr lajme rreth Shqipërisë jo nga burime të mirëfillta. Sidomos raportimet serbe tregojnë gjëra të cilat as që ekzistojnë. Unë mund ta kuptoj se ngjarjet në një shtet fqinj, me të cilin perceptohet se ti ke marrëdhënie armiqësore, mund të të duken të ekzagjeruara, por është e pakonceptueshme se si atë që është e bardhë ta bësh të zezë dhe të zezën ta bësh të bardhë.

Shteti ynë sot është njëri nga më të sistemuarit e më të rregulltit në Europë. Ne nuk kemi konflikte ndërfetare, kemi pak zënka ndërpartiake dhe zotërojmë edhe financa të qëndrueshme. Katolikët dhe muhamedanët jetojnë në mirëkuptim me njëri-tjetrin, një marrëdhënie fatlume, që na çon në atë që qeveria sot të përbëhet nga katër ministra katolikë dhe katër muhamedanë, megjithëse muhamedanët përbëjnë shumicën e popullsisë. Është shumë domethënës fakti se Qarku i Dibrës, i cili përbëhet nga një popullsi tërësisht myslimane, ka dërguar në Parlament dy deputetë të krishterë. Deputetët në fjalë, të cilët si pasojë e ligjit të përgjithshëm zgjedhor u dërguan në Parlament, ndahen në dy parti: atë Popullore dhe atë Përparimtare, e veç tyre, ka dhe disa deputetë të pavarur.

Ne kemi një buxhet tërësisht të stabilizuar, në të cilin shpenzimet që zënë një vlerë prej 20 milionë frangash ari, balancohen me të ardhurat e për më shumë, Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë borxh shtetëror. Përpjekja jonë tashmë synon që nëpërmjet një kujdesi më të madh ndaj arsimit, shtypit, nëpërmjet Parlamentit dhe qeverisë, të vendosim një zhvillim të qetë në aspektin e zhvillimeve të brendshme dhe të synojmë në rritjen kulturore e ekonomike të popullit tonë. Më shumë ne nuk kërkojmë. Prirë nga ky synim i ndershëm, ne kemi dërguar ndërkaq tre herë përfaqësues drejt Beogradit për t’i ofruar shtetit jugosllav marrëdhënie miqësore. Ne, madje, jemi deklaruar që të njihen kufijtë e vitit 1913, megjithëse këta kufij, të cilët lënë nën zotërimin e serbëve 1 milion shqiptarë, paraqesin një padrejtësi të madhe kundrejt popullit dhe vendit tonë. Pikërisht, kujdesi ndaj këtyre bashkatdhetarëve na bën që të lëvizim e të kërkojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Serbinë, në mënyrë që të arrijmë që këta të pafatë, të paktën të trajtohen si njerëz. Serbia ka zgjedhur të thotë ndaj nesh sigurisht fjalë të bukura, por fatkeqësisht veprat e saj janë të tjera.

Duket sikur shkolla e vjetër ruse e pansllavizimit të ketë gjetur tashmë në Beograd vijimin e saj. Një rrymë e caktuar politike rrjedh prej saj e që duket se po kërkon përhapjen e dhunshme të ndikimit të vet. Serbia po kërkon me çdo kosto Shqipërinë me brigjet e saj adriatike dhe e ndjek këtë synim me një këmbëngulje të fortë. Përsa kohë që italianët ishin në Vlorë, serbët e shfrytëzuan këtë avantazh të rivalëve të tyre si justifikim për të kërkuar për vete Shkodrën dhe luginën e Drinit.

Qëkurse italianët u tërhoqën nga qyteti i Vlorës, serbët tashmë pretendojnë se ne po furnizohemi me armë nga italianët, që t’i përdorim ato kundër Serbisë. Është e drejtë që ne të posedojmë armë italiane, por këto armë italianët nuk na i kanë dhënë me vullnetin e vet, porse ata u desh t’i braktisnin ato papritur e t’i linin depove në male ndërsa largoheshin gjithë nxitim nga Vlora. Por ne kemi edhe armë austriake, madje edhe franceze, të cilat janë siguruar prej pushtimeve të mëparshme. Për të penguar konsolidimin e shtetit tonë, Beogradi po përpiqet të na nxjerrë telashe në aspektin e brendshëm. Kështu, para pak kohësh, bota iu gëzua lajmit për themelimin e një të ashtuquajture “Republika e Mirditës”, një republikë imagjinare, e cila me shumë gjasa është ngritur në Serbi, e që për ekzistencën e së cilës te mirditorët, katolikët shqiptarë, nuk dihet asgjë.

Në Beograd po shitet sikur në një masë të veçantë, mbrojtja e katolikëve shqiptarë t’i jetë hequr tashmë vendit tonë, një lloj proteksionizmi, të cilin katolikët tanë nuk e duan, por të cilin me siguri që do të mund ta pretendonin katolikët shqiptarë në Jugosllavi. Fatkeqësisht, këtë dashuri që duhet ta tregonin në Beograd kundrejt tyre, ata e kanë harruar, duke goditur katolikët shqiptarë në Kosovë, duke i diskriminuar ata përballë ortodoksëve, madje duke ua vjedhur edhe besimin e tyre katolik. Mirditorët katolikë refuzojnë si pasojë si serbët, ashtu dhe Republikën e tyre të nëmur dhe në Lidhjen e Kombeve dërguan një telegram, në të cilin theksohet se nuk i njohin themeluesit e kësaj “Republike të Mirditës”.

Përsa i përket pyetjes: A do të mund t’i rezistonte dot Shqipëria një sulmi serioz nga ana e Serbisë, i cili po përgatitet aktualisht si pasojë e masave ushtarake kundër Shqipërisë, ministri iu përgjigj: “Ne kemi një divizion të mirorganizuar dhe efektiv ushtarak. Nëse ai nuk do të mjaftonte, atëherë i gjithë populli do të dilte në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat