Masakra e Skifterajt me 15.4.1999 - Bota Sot
Masakra e Skifterajt me 15.4.1999

Historia

Masakra e Skifterajt me 15.4.1999

Nga: Shefik Sadiku Më: 14 prill 2019 Në ora: 20:45
Skifterajt

Kaluan 20 vjet nga masakra e vitit 1999 në Skifteraj. Masakra e atëbotshme në Skifteraj ishte në vazhdën e masakrave të shumta që shkaktoi regjimi i Serbisë së Millosheviqit në gjithë Kosovën. Si edhe masakrat tjera, edhe kjo ishte e tmerrshme dhe brutale. Qëllimi dihej, përzënja e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Serbia ,si edhe shumë herë të tjera, qëllim kishte deshqiptarizimin e Kosovës. 

Lufta e armatosur e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar ishte kurorëzim gati shekullor i idealit pêr liri. Regjimi serb si, gjithmonë, kur rriteshin kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta dhe liri, ai ashpêrsonte dhunën brutale ndaj shqiptarëve. Dhuna dhe terrori serb deri në përmasa të gjenocidit u shpërfaq kësaj here më shumë se gjithë herave tjera. Kjo edhe për arsyen se shqiptarët për herë të parë arritën të organizojnë ushtrinë e tyre që kësaj here kishte shtrirje gjithvendore dhe aspirata shqiptare për liri për herë të parë mori mbështetjen politike të faktorit ndërkombëtar deri në intervenimin ushtarak përmes NATO-s kundêr caqeve të ushtrisë serbe,e cila me dhunën e saj kundër shqiptarëve të pambrojtur dhe duarthatë ushtronte gjenocid të pa parë. Serbia e dinte se kësaj here ishte mundësia e saj e fudit për ta dëbuar nga Kosova elementin shqiptar dhe për t'i përmbushur platformat dhe projektet shekullore të saj për këtë qëllim. Prandaj nuk është e çuditshme pse kësaj here me të gjitha mjetet bënte të pamundshem dhe më antinjerëzoren vetëm e vetëm ta mbyllte një herë e përgjithmonë shekullin XX pa shqiptarë në Kosovë. 

Këtë synim kishte , por jo vetëm kësaj here, elita politike, intelektuale dhe Kisha Ortodokse Serbe. Në realizimin e këtyre synimeve shekullurore serbe, ndodhi edhe masakra më 15 prill 1999 në Skiteraj. Atë ditë të kobshme dhe tejet agresive dhe brutale, forcat e kombinuara serbe:policë, ushtarë e paramilitarë, befasisht sulmuan fshatin pa ndonjë provokim nga ana e qytetarëve. Sulmi barbar rezultoi me 6 të vrarë, dy nga ta edhe të djegur, 18 të plagosur me arme zjarri, dhjetra të tortuar fizikisht, dhjetra të tjerë të marrë peng për t'i pasur si mburojë nga ndonjë sulm imagjinar i tyre. Disa shtëpi të djegura dhe gjithë banorët dhe të strehuarit si refugjatë këtu të përzënë nga fshati. Nuk ishte kjo e vetmja. Vinë pas kësaj plaqkitjet e pasurisë së luajtshme, e gjitha kjo në funksion të pamundësimit të kthimit të banorëve dhe për pasojë realizimin e aspiratës shekullore serbe. 

Eksodi masiv i shqiptarëve i ngjante golgotës biblike. Serbia po jetësonte planin shtetëror të saj. Më shumë se një milion shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga Kosova, të tjerët pritnin fatin e të parëve duke i larguar nga shtëpitë e tyre deri në momentin më të mundshëm pë t'u dhënë edhe atyre udhët e refugjatit jashtë Kosovës. Kjo katrahurë serbe kundër shqiptarëve rrjedhte edhe gjatë bombardimeve të NATO-s nga ajri dhe luftës heroike të UÇK-së nga toka. Serbia me çdo kusht donte zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. 
 

Shqiptarët atyre ditëve, muajve e viteve, më shumë se kurrë ishin para dilemës hamletiane:jetë ose vdekje. Edhe përkundër përpjekjeve dhe qëndresës heroike dhe kurrë të nënshtruar të këtij populli, shumë pak e gati aspak është bërë pas luftës për t'i dërguar kriminelët para drejtësisë. Përjashto pak emra që dolën në banken e akuzës në Gjyqin e Hagës, shumica e kryesve të krimeve mbetën pa e marrë dënimin e merituar edhe 20 vjet pas krimit. Asnjë kriminel i masakrës së 15 prillit 1999 në Skifteraj as nuk u dënua,as nuk u hetua. Fajin më të madh për mosndëshkimin e këtij krimi, jo më pak se strukturat ndërkombëtare përgjegjëse për drejtësi, e bartim edhe ne të shpëtuarit nga ajo masakër. Moskëmbëngulsia jonë për drejtësi dhe moskërkesat tona për t'i quar deri në fund akuzat pêr të huajt dhe gatishmëria jonë për akuza shumë banale ndërnjerëzore,është defekt patologjik yni që po mundëson jetën normale për kriminelët që nuk lanë gjë të keqe pa provuar mbi popullin tonë. Jo vetëm kësaj here gjenocidi i Shtetit serb mbi shqiptarët nuk mori verdiktin meritor.

Masakra më 15 prill 1999 në Skiteraj  si dhe gjithandej Kosovës kundër elementit shqiptar dëshmoi katërcipërisht se të gjitha regjimet e Serbisë në të gjitha kohërat kishin synim realizimin e platformës  së Kishës serbe dhe memorandumeve të elitës shtetëre dhe intelektuale për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Nga ana tjetër viti 1999 i shqiptarëve i tregoi botês dhe Serbisë se shqiptarët të rreshtuar në formacionin ushtarak UÇK do t'i jepnin fund robërisë një shekullore nën regjimin serb dhe dhunës së tij më antinjerëzore që ka njohur historia. 

Njëzet vjet nga liria Kosova vazhdon të përballet me vêshtirësi dhe defekte të pamerituara në rrugën e saj të shtetndêrtimit. Këto pengesa nuk justifikohen nga prania e strukturave udhëheqëse të ndêrkombëtarëve,siç, shpesh,tentojnë ta paraqesin disa eksponentë tanë politikë. Rrjedhojat e mosunitetit të faktorit politik gjatë luftës çlirimtare, vazhduan të japin efektin e tyre destruktiv pas çlirimit.

Sot, kur Kosova shënon 20 vjetorin e çlirimit nga Serbia, çdo shqiptar i rritur që i ka parë dhe përjetuar tmerret e Serbisë duhet t'i thrret ndëegjegjjes së vet se pavarësisht pozitës që kam dhe kam pasur,pavarësisht, pasurisë, prestigjit,statusit do të punoj,veproj dhe mendoj për të mirën e atdheut tim. 

Ne qytetarët e Kosovës, jo deklarativisht,por sinqerisht dhe shpirtërisht të zotohemi para Zotit, para të rënëve për liri,para flamurit dhe para ndërgjegjjes se fati i atdheut tonë do të jetë fati ynë.

Përjetësi të rënëve.

Syqeltësi dhe përgjegjesi të gjallëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...