Rexhep Ram Ponari, njeriu që e mbajti lart emrin dinastor të Ponarit të Lekës

Historia

Rexhep Ram Ponari, njeriu që e mbajti lart emrin dinastor të Ponarit të Lekës

Nga: Ramiz Lushaj Më: 1 maj 2019 Në ora: 08:49
Rexhep Ram Ponari

Rexhep Ram Ponari është djali i madh i Ram Sejdi Ponarit, i vllaznisë (degëzimit) Hysenbalaj, i fisit të Ponarit të Lekë Dukagjinit (“Ponari i Lekës”) fisi ma i hershëm ndër fiset e sotme të Tropojës (Malësisë së Gjakovës), sepse kur erdhën fiset e tjera i gjetën aty Ponarët, në vendbanimet e tyre të derisotme.

Ram Sejdi Ponari eci në gjurmët e babës së tij, Sejdi Osman Ponarit, njëri ndër luftëtarët e fisit të Ponarëve e të Krasniqes dhe të Malësisë së Gjakovës në luftëra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe të gjyshit të tij, Osman Hysen Bala i Ponarëve, një ndër pjesmarrësit e fisit të Ponarëve e të Krasniqes dhe të Malësisë së Gjakovës në kryengritje e luftëra kundër otomanëve e sllavëve në Malësi të Gjakovës, Moraçë, Plavë-Guci, etj. Ndaj dhe vet Rama i kësaj tradite atdhetare, si malësor tradicional, ishte një ndër luftëtarët atdhetarë të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare: në kuvende, beteja e luftëra përgjatë vitit 1912, prej nga Malësia e Gjakovës, në rajonet e Gjakovës e të Pejës dhe deri në Shkupin dardan-kryeqëndren e Vilajetit të Kosovës, duke e lanë në shtëpi djalin e vetëm, Rexhepin 3 vjeçar, ndërkohë që, simbas rregullit të përgjithshëm të luftës në Malësitë e Veriut, ai mundej edhe të qëndronte me detyra të caktuara lufte në fshatin e tij.

Rexhep Ram Ponari ka lindur në vjeshtën e vonë të vitit 1908. Ardhja e tij në jetë u prit me pushkë e gëzime familjare, fisnore e farefisnore, pasi degëzimi i tyre kishte shtatë breza që shtohej vetëm me nga një mashkull, qysh prej kohës së Buç Mark Lekës. Ai shihej e u prit dhe si fat i mirë prej të gjithë njerëzve të gjakut e të pragut të tij, pasi shtëpia e tyre e siguroi prapë vazhdimësinë genetike mashkullore dhe pas rreth tre shekujve u shtua dhe me tre djemë të tjerë: Muhameti, Mehmeti e Bajrami dhe me dy çika: Trashja e Ajshja.

Rexhep Ram Ponari u rrit me shembullin e të parëve të vet, të fisit të Ponarëve e të Krasniqes, të Malësisë së Gjakovës; u rrit me Eposin e Kreshnikëve; u rrit me tregimet e të atit për historinë e kulturën kombëtare shqiptare për ngjarje, beteja, kryengritje e luftëra historike kundër otomanëve, serbo-malazezëve, etj. në Malësi të Gjakovës, në Moraçë, Plavë-Guci, Kosovë, etj.; për kuvendet në Malësi të Gjakovës, te Verrat e Llukës e ai i Junikut; për Kryengritjen e Përgjithshme të Vilajetit të Kosovës nga Tropoja në Shkup për Shpalljen e Pavarësisë të 1912-tës; për figura të shquara historike të Kombit Shqiptar, disa sish dhe rrënjas nga Tropoja, si Binak Alia e Mic Sokoli, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram Curri e shumë të tjerë.

2.

Shtëpia e Ram Sejdi Ponarit e djemëve të tij në lagjen e Ponarëve, një vendbanim antik, historik, kulturor e turistik ndërmjet bigimeve të lumenjve Drin e Valbonë dhe Valbonë e Bushtricë, ishte një kullë dykatëshe (me oden e miqëve, etj.), me një ekonomi familjare të mirë, me toka e pemë, një tufë dhenësh me shumë krerë, një bunar (pus) për ujë të pijshëm dhe për nevoja të tjera të gatimit, higjienës e për udhëtarët; etj.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Korçë (1929-‘30) Rexhep Ram Ponari kthehet në shtëpinë e tij në vendbanimim e Ponarëve të Lekës dhe kah viti 1931 detyrohet prej kushteve familjare të marrin e mbajnë zotshpillekun, sepse baba i tij, atdhetari Ram Sejdi Ponari, gjatë pjesëmarrjes në Revolucionin (Kryengritjen) e Qershorit 1924, nën udhëheqjen e Bajram Currit, e kapi keqas një epidemi dhe në mungesë totale të shërbimit mjekësor i humbi te dy sytë, u përkeqësue gjendja e tij shëndetësore.

Rexhep Ram Ponari ishte një administrator i mirë i shtëpisë, i ndante punët e vlerat e saj me drejtësi, i ndigjohej fjala për mend e kuvend, ishte njeri i mendimit e i veprimit, i punës e i begatimit. E mbajti shtëpinë një truall burrnie e sojnie, bese e qëndrese; e ktheu atë në një “qendër të vogël” biznesi familjar e për familjen e tyre të madhe; gjithnjë ndër kohëra ka pritë e përcjellë, sipas traditës malësore e familjare, njerëz të thjeshtë e personalitete të larta; etj.

Në shembullin e mirë e kujdesin e veçantë të Rexhep Ram Ponarit u edukuan jo vetëm shtatë fëmijët e tij: Sadria Fatimja, Isaja e Avnia, Ismeti, Fetija e Vera, por dhe vllaznitë e motrat e tij- me të cilët (për disa rrethana) kishte do diferencë moshe me ta.

Shtëpia e Ram Sejdi Ponarit, edhe në zotshpillekun e miradministruar me zotësi të lartë prej të birit, prej Rexhepit, u ba një nga shtëpijat e njohura në Malësi të Gjakovës e ndër rrethina të atyshme Bregdrinase pukjane e hasjane, e siguroi një ekonomi të mirë për kohën e kohërat; i kishte disa tregues nivelor si kuajt e pendët e qeve të vetat; e rriti tufën me mbi 200 krerë të imta-një numër i listës së rekordeve ndër Malësi; etj.

3.

Ishte viti 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur dhe 31 vjeçari Rexhep Ram Ponari njoftohet zyrtarisht se duhej të ishte pranë zyrave të Nënprefekturës së Tropojës (së Vjetër, Aste), pasi Komanada e Ushtrisë Italiane do të kumtonte një lajm të rëndësishëm për të gjithë popullin e Malësisë së Gjakovës.

Tevona, në kujtime tregimtare për ngjarje të jetës së vet, Rexhep Ram Ponari shprehej: “Sapo mbrrimë në Tropojë, pamë se oborri i Nënprefekturës ishte mbushur plot me njerëz të moshave e krahinave të ndryshme. Të gjithë të heshtur. Aty-këtu ndihej ndonjë bisedë nën zá. Pas pak kohe në atë ballkon të vogël kanë hypur katër vetë: një oficer me dy ushtarë dhe prifti-të cilin e njihja prej kohësh e nga afër. Oficerë e ushtarë të tjerë me armë të hedhura në dorë qëndronin për rreth turmës së popullit të grumbulluar aty. Më dukej sikur ballkoni i asaj ngrehine do të shembej nga momenti në moment, jo nga numri i njerëzve që ishin të hipun mbi të, por nga pesha që e ndjeja kur i shikoja ata ushtarakë të huaj hijerëndë mbi atë ballkon.

Mbi derën që e lidhte me korridorin e asaj ndërtese ende qëndronte Flamuri Ynë–Flamuri i Skënderbeut.

Nuk ka kalue astenji minutë dhe ushtaraku italian, i veshur me ato rrobat e tij shik, i mbushur me grada e nishane (dekorata) e mori fjalën në një gjuhë të pakuptueshme për ne të gjithë.

Pasi e mbaroi atë fjalim dy-tre minutash, ai u spostua pak dhe prifti i tribunës nisi t’i përkthejë në shqip fjalët e oficerit fashist italian: “Nga data 7 prill i kësaj seneje (viti) e përgjithmonë Vendi i Juaj, Vendi i Shqiponjave, do të jetë nën Perandorinë e Mbretit tonë Viktor Emanueli III, nën udhëheqjen e njeriut të paqes e progresit që i solli lavdinë Italisë dhe do ia përçojë gjithë botës, Kryetarit të Partisë Fashiste, Shkelqësisë së Tij, Benito Musolini. Viva Duçe! Pas kësaj dite ky vend do të jetë nën Flamurin me sëpatat e Liktorit”.

Pas një pauze të shkurtë, oficeri italian e ngriti dorën, e hoqi Flamurin Kombëtar Shqiptar, e mbështolli rreth shtizës dhe përmes kambëve të tij, në shenjë poshtërimi, e kaloi në korridor të ndërtesës. Pastaj, në vend të tij, e shpalosi dhe e vuri flamurin fashist italian.

Në këtë moment ndjeva një tronditje të thellë në shpirt, zemra më rrehi fort dhe m’u përloten sytë. U ndjeva keq nga lotët dhe u përpjeka t’i fshehi ato, por si unë kishte edhe dhjetra të tjerë. Të gjithë kishin marrë pamjen e njeriut të vdekur. Fytyra të zverdhura e sy të përlotur shikoje te çdo njeri. Pas kësaj dite vendi kishte ra nën pushtimin fashist. Në fshatra ishin vendosur posta të karabinierëve italianë”.

Prej asaj dite, nga ai tubim popullor dhe rrugës për në shtëpinë e tij te “Ponari i Lekës”, Rexhep Ram Ponari i kullës së mendjeve, pushkës e punës, ishte i betuem se do të luftonte kundër fashistëve italianë deri në çlirimin e Malësisë së Gjakovës e të Kombit Shqiptar. Ai e mbajti premtimin e vendimin e tij dhënë vetes e përballë kohës e kombit të tij shqiptar.

4.

Rexhep Ram Ponari pati kontaktet e para patriotike me militantë antifashistë të Malësisë së Gjakovës, me disa figura të njohura në Shqipëri e Kosovë, si Beqir Ndou, Mal Sadik Malaj, Shpend Dega e të tjerë, të cilët ishin nga fshatra të afërta me Ponarin e Lekës, me të cilët ai kishte njohje vetiake e familjare prej kohësh, sepse këta për shkak të lidhjeve farefisnore e interesave kombëtare e partiake për çlirimin kombëtar shqiptar nga pushtuesit fashistë italianë vinin dhe në trojet e Ponarëve dhe në fshatrat përrreth si: Tpla, Dushaj, Rajë, Degë, Geghysen (Selimaj e Lekurtaj), duke krijuar në këto troje dhe disa ngjarje historike për Tropojën.

Këta e ftuan edhe Rexhep Ram Ponarin, pasi e njihnin për ndjenjat e qëndrimet e tij antifashiste, të merrte pjesë në formacionin e parë antifashist në Malësi të Gjakovës, në krijimin e Çetës së Parë Partizane tek Guri i Lumit në Këlcyrë (Klisyrë) në Grykën e Dragobisë, më 12 maj 1942, që vjen e dyta pas Çetës së Pezës, ndoshta dhe e para në Shqipëri. Komandant i kësaj çete ishte Ram Muja i Gashit dhe komisar Fadil Hoxha i Gjakovës, kurse zv/komandant Haxhi Shaban Demaliaj i Bytyçit e zv/komisar Beqir Ndou i Nikaj-Mërturit, antarë Mal Sadik Malaj e të tjerë nga troje etnike shqiptare të Shqipërisë e të Kosovës.

Ai nuk e kishte të mundur praninë në ditën e inaugurimit të “Çetës së Malësisë”, por ishte një nga mbështetësit e veprimtarët e saj, një ndër miqtë e drejtuesve kryesorë të saj, i cili gjithë jetën e tij (1908-1986) e deshti Malësinë e Gjakovës të bashkuar me Kosovën dhe Kosovën të bashkuar me Shqipërinë.

5.

Rexhep Ram Ponari ishte antar i Këshillit Nacionalçlirimtar për Tpla-Ponar-Dushaj, i cili u krijua në qershor të vitit 1943, nja katër muaj pas KANÇl të Malësisë së Gjakovës (Tropojës).

Në përbamje të këtij këshilli lokal, përveç Rexhepit, ishin dhe bashkëvendasit e tij: Zenel Brahë Doçi (kryetar), Bek Sylejman Ponari, Mus Zenel Haluci, Fasli Bubrrec Buçpapaj.

Kjo ishte hera e parë e zgjedhjes së Rexhep Ram Ponarit në forume e organizma të LANÇl të Tropojës, si përfaqësues i popullit në vendlindjen e tij, si veprimtar aktiv i luftës për liri e pavarësi kombëtare panshqiptare.

6.

Te Ura e Kolgecajve, në breg të Valbonës, më 28 gusht 1943, u mbajt Kuvendi i madh i Malësisë së Gjakovës (Tropojës) i quajtun në histori e popull “Beslidhja e Malësisë së Gjakovës”, ku merrnin pjesë nacionalistë të njohur, bajraktarë e parí, këshilltarë të KANÇl të Malësisë e të krahinave dhe disa fshatrave; klerikë , etj.

Në këtë Kuvend merrte pjesë dhe Rexhep Ram Ponari si përfaqësues i Ponarëve të Lekës, si një ndër përfaqësuesit e Tpla-Ponar-Dushaj, pasi aty ishin dhe Ali Niman Doçi, Veli Niman Doçi, Hoxhë Dushaj, Zeq Hysen Doçi (Zalli), Fasli Ahmet Bashkurti, Maxhun Niman Doçi e Mal Hysen Dushaj.

Tashma, Rexhep Ram Ponari ishte pjesë aktive e LANÇl, një ndër luftëtarët e kuadrot e saj, në organizime e me armë në dorë, në forume të këshillave e në formacione partizane.

7.

Rexhep Ram Ponari u zgjodh edhe antar i Këshillit ANÇl të Krahinës së Krasniqes, në Kuvendin e mbajtur në Kolgecaj më 8 tetor 1943, me rreth 200 delegatë nga Krasniqja (fisi, bajraku, krahina) e nga fiset Ponarë e Dushaj.

Prapë, më 27 nëntor 1943 (e dielë, ora 13.00) KNÇl i Krahinës së Krasniqes, e mbajti një mbledhje për ratifikimin e këtij Këshilli, pasi disa të zgjedhur nuk kishin krye asnjë detyrë, ndokush kishte paraqit dorëheqje për arsye të ndryshme, ku Rexhep Ram Ponari ishte dhe mbeti prapë antar i këtij Këshilli të Krasniqes, pasi ishte një antifashist në bindjet e tij, në veprimet e aksionet e tij kundër fashistëve italianë në Tropojë e në Gjakovë.

Në KNÇl të Krahinës së Krasniqes ishin nga Tplani-Ponarët-Dushajt: Veli Niman Doçi (Tpla), Rexhep Ram Ponari (Ponari i Lekës), Sadri Zeq Doçi-Zalli (Tpla), Xajë Met Buçpapaj (Tpla), Maxhun Doçi (Tpla), Sadri Zeq Dushaj (nga Dushajt).

8.

Konferenca e Bujanit, e njoftun e tillë në histori panshqiptare e ndërkombëtare, u mbajt në kullën e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes, më 31 dhjetor 1943-2 janar 1944, me përfaqësues nga Malësia e Gjakovës, nga Kosova, nga shqiptarët në Malin e Zi, etj., e cila në Rezolutën e saj theksonte se “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banueme me shumicë nga shqiptarët, të cilët si gjithmonë edhe sot duen bashkim me Shqipëninë” dhe “Rruga e vetme që populli shqiptar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipëninë asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë, sepse kjo asht rruga e vetme me fitua lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar do të kenë mundsi me vendosë mbi fatin e tyne me të drejten e vetëvendosjes deri në shkëputje…”.

Në Konferencën e Bujanit, Rexhep Ram Ponari mori pjesë në kujdesin për ruajtjen e sigurtë të punimeve të saj, së bashku me të tjerë të formacioneve partizane të LANÇl të Malësisë së Gjakovës dhe të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit.

9.

Në dimrin e vitit 1944 lajmnohet për një grup partizanësh të Batalionit “Perlat Rexhepi”, të dislokuar në fshatin Degë, se jeta e tyre ishte në rrezik për shkak të dimrit të madh dhe Operacionit Gjerman “PIK” që sulmoi nga disa drejtime Malësinë e Gjakovës për të goditë baza e formacione të LANÇl. Pati dhe një përpjekje në Qafën e Gashit, ku mbeti i vrarë Fahri Ramadani-Hero i Popullit dhe pesë partizanë të tjerë, si dhe ishte plagosë rëndë Pjetër Kosta, komisari i këtij batalioni.

Pjetër Kosta ndodhej prej katër ditësh në një stan në malin e Fluturës, në gjendje të randë të shëndetit e fizikut, me pa mundësina largimi prej andej. Në këto kushte, Rexhep Ram Ponari, djalë trim, i besës, antifashist i betuar, përballë një rreziku të madh të ofensivës së madhe gjermane, merr masa dhe të tre partizanët Pjetër Kosta, Muhamet Taipi dhe Isa Golemi, edhe përmes borës e acarit dimëror alpin, i vendosë në shtëpinë e tij në lagjen e Ponarit të Lekës. Pas tre apo katër ditësh forcat gjermane e marrin vesh se në shtëpinë e tij është strehuar komisari partizan dhe nisen për kontroll e ndëshkim ushtarak lufte. Të ndodhur përballë këtij rreziku me jetë e djegie të shtëpisë e pasunisë, vllau i Rexhepit, me fizik trupor të fuqishëm e një nga djemtë trima të Malësisë, Mehmet Ram Ponari, e tërhjek përgjatë një prroni, ndërsa nana e tij për të humbur gjurmët mbi borë ia lëshon mbrapa tufën e dhenëve. Gjermanët ia mbrrinë te shtëpia e tyne, i kërkojnë “ilegalët partizanë”, komisarin e plagosur, iu bëjnë presione, i kërcenojnë dhe me pushkatime.

Në këto vështirësime të gjendjes me rrezikshmëri të lartë në çdo çast e për secilin prej tyne, për të mbajt lart besën e nderen e tij, të brezave të tij, të Ponarëve, të Malësisë së Gjakovës, e strehoi komisarin Pjetër Kosta te kumbara i tij, Zenel Ahmet Dushaj. Gjermanët vihen prapë në dijeni dhe e kontrollojnë kullën e tij, por e shoqja e tij, Kadë Beqirja, një grua e pashme e shumë fisnike nga Gjonbalajt e Vuthajve, për ta shpëtuar e kryen një nga aktet ma të veçanta në mbrojtje e shpëtimit të jetës së njeriut. E banë me fjalë miradije me burrin e saj, Zenelin, dhe Kada u shtri në shtrat si lehonë, e futi partizanin e plagosur nën jorgan sikur ta kishte “fëmijë të lindur” duke e mbuluar me trupin e saj. E kështu ia mbajtën besën Rexhep Ram Ponarit.

Kështu, partizani Pjetër Kosta lëvizi nga një bazë në tjetrën në kushte sigurie edhe me jetë të tyre e me përkujdesje shëndetësore ndaj tij edhe nga shtëpia e Rexhep Ram Poanrit derisa shërohet e i bashkangjitet Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi”, formacioneve partizane të LANÇl.

10.

Në pranverë të vitit 1944, i orientuar nga Beqir Ndou, Shtabi i Përgjithshëm i Luftës ANÇL të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, me urdhër të të plotfuqishmit të saj, Fadil Hoxhës të Gjakovës, teknika e Partisë Komuniste të Kosovës, e Luftës Partizane në Malësi të Gjakovës e në Kosovë me rrethina, të strehohet për një kohë të caktuar në shtëpinë e Rexhep Ram Ponarit, i cili ishte tejet i përkushtuar ndaj Kosovës dardane sikur ndaj vendlindjes së tij, Ponarit të Lekës.

Shtëpia e Rexhep Ram Ponarit ishte një nga bazat e LANÇ në Malësi të Gjakovës e Rrafshit të Dukagjinit, tek e cila gjetën strehë bujarie e mirëkujdesjeje partizanë të plagosur; u strehua teknika partizane e Kosovës (dokumentacione, mjete të shumëfishimit të trakteve, thirrjeve, rezolutave si ato të Konferencës së Bujanit, etj.); ndau bukën e magjes së vet e ushqime të guzhinës së vet me partizanët e luftës në shtëpi, në baza e frontin e luftës, etj.

11.

Në verën e vitit 1944 Komanda e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, i përzgjodhi nga rradhët e partizanëve të Batalionit “Territorial” dy djemë të rinj e të zotët, luftëtarë antifashistë të përbetuar, Rexhep Ram Ponarin e Selim Brahë Doçin për të kryer një aksion shumë të rrezikshëm në minosjen e një ure në Gjakovë, e cila ishte pikë strategjike e kalimit të makinerisë gjermane të luftës, të kamionave që transportonin krom nga minierat e zonës e përdoreshin përpunimi e fitimet e tij për prodhim armatimi ushtarak. Me ta ishte dhe një luftëtar nga Kosova, të cilit nuk po ia dijmë emrin saktësisht.

Mbas kryerjes se një kursi tre ditor nga një oficer anglez i xhenjos pranë Komandës partizane të Shtabit të Ushtrisë të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit (i thirrun atëherit KOSMET-i) i marrin udhëzimet dhe detyrën e vendosjes së dinamitit për hedhjen në erë të urës që ndodhej në Zonën Operative të Gjakovës.

Edhe pse ura ruhej fort në 24 orë ditë-natë nga ushtarë gjermanë ata e marrin misionin e guximshëm dhe natën në fshehtësi të plotë, duke gjetur momentin e duhur, Rexhep Ram Ponari e vendosi dinamitin poshtë urës, ia bani ndezjen fitilit dhe e merr shtegun për t’u larguar andej duke treguar trimëri të rrallë, krye sakrificë të madhe, dëshmue aftësi në aksionin e ngarkuar.

Era e fitilit të ndezur e vuri në lëvizje një nga rojet e urës, i cili filloi të shtinte me sharrsin e tij në drejtimin prej nga dëgjohej zhurma, por dhe duke e mbrojtur veten e tij. Nga ana tjetër, shoku i tij Selim Brahë Doçi, që e kishte detyrën e mbulimit me zjarr të aksionit bashkë me luftëtarin nga Kosova, filloi të shtinte në drejtim të rojeve gjermane, por nuk vonoi shumë dhe krisma e dinamitit të vendosur në këmbën e urës mbushi me një zhurmë drithëruese malet dhe fushën për rreth.

Aksioni ishte kryer me sukses.

12.

Rexhep Ram Ponari ishte një ndër pjesmarrësit në Mbledhjen (Kuvendin) e Valbonës, më 10 korrik 1944. Ishte një ndër përfaqësuesit e Ponarit të Lekës e të Krasniqes, pasi ishte i zgjedhur dhe në Këshillin NÇl të Krasniqes, kishte aktivitet antifashist të dëshmuar në kuvende e aksione luftarake, etj.

Përfaqësuesit e Krasniqes, vrritarët e bjeshktarë, disa sish rrugëtuan nga Shtylla e Grisë, në Qafë të Briezës e në Valbonë, pasi ishte koha e Operacionit Gjerman të Verës 1944, ku pati humbje të mëdha në njerëz e pasuni në fisin e Bytyçit, etj.

Në Kuvend të mbajtur në zonën e lirë, pa pushtues, të Valbonës alpine, nga Tplani me rrethina morën pjesë Ali Niman Doçi, Rexhep Ram Ponari, Zeq Hyseni, Rexhep Zeq Zalli, Hoxhë Dusha, Bute Dauti, Kadri Hamza, Selim Zenuni, Mehmet Zeqa, Malë Hyseni, Selim Brahë Doçi, Sadri Zeq Dushaj, Brahim Beka, Faslli Bubrreci, Ram Qerimi e të tjerë.

Rexhep Ram Ponari ishte ndër mbështetësit e shumtë të bajraktarit të Krasniqes, të Sali Man Mulosmanit, të Luftës NÇl, të cilët pas kthimit nga Kuvendi i Valbonës u inkuadruan në formacione luftarake partizane të kohës.

13.

Më 6 nëntor 1944 krijohet në Astë të Tropojës Brigada e XXV-S, një nga formacionet e LNÇL të Shqipërisë, e cila kreu detyra të ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇl të Shqipërisë edhe në Kosovë si dhe deri në Sanxhakun Shqiptar të mbetur tashma nën Serbi e Malin e Zi.

Kjo brigadë e Tropojës, me komandant Veli Niman Doçin e komisar Nuri Arapin, në përbërje të së cilës ishte dhe një batalion me partizanë nga Hasi si dhe me të tjerë luftëtarë të Kosovës përgjatë marshimit të saj luftarak disa mujor, arriti të ketë një mijë partizanë e partizane.

Në rradhët e kësaj Brigade u rreshtua dhe Rexhep Ram Ponari, së bashku me të dy vllaznit e tij, me Mehmet Ram Ponarin dhe me Adem Ram Ponarin, të cilët ishin të inkuadruar në Batalionin “Rinia”, të krijuar në fshatin Tpla të Krasniqes më 27 nëntor 1943.

Kur Brigada XXV-S mori detyrën e saj për të shkuar e luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak kundër nazistëve gjermanë, Rexhep Ram Ponarit i caktohet detyra e zëvendëskomandantit të Kompanisë të Mbrojtjes Territoriale, e cila kryente detyra të Ruajtjes së Rendit Publik, të Sigurisë e Qetësisë në Zonat e Çliruara, për neutralizimin e asgjësimin e bashkëpunëtorëve të fashizmit e të nazizmit, që ndërmerrnin sulme e aksione të ndryshme.

Gjatë kohës së LNÇl ka pasë miqësi të mirë me të riun Veli Deva i Gjakovës, një i ri antifashist, i shkolluar edhe në Shqipëri, një nga drejtuesit e LNÇl në Rrafshin e Dukagjinit e Kosovë, e tevona dhe në detyra të ndryshme të larta në Kosovë, derisa pas Demonstratave të Vitit 1981 shkarkohet si kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës e arrestohet nga Beogradi për qëndrime e veprime të tij. Rexhep Ram Ponari, nepërmjet mikut të tij Deva, pati njohje e miqësi edhe Fadil Hoxhën, një nga figurat kryesore të Luftës në Kosovë e në Malësinë e Gjakovës. Kjo miqësi ishte për mirë e me të mira, pasi në një rast i shpëtoi jetën një partizani të Brigadës XXV-S, që kishte ikur nga rradhët luftarake të saj, të cilin e strehoi në shtëpinë e tij dhe pastaj shkoi deri në Prizren e në bisedë me Fadil Hoxhën ia fali jetën, iu rikthye LNÇL, e jetoi jetën e tij.

Pas çlirimit të Shqipërisë Rexhep Ram Ponari ishte ende në krye të kësaj kompanie, kur mori detyra për arrestimin e dy elementëve antikomunistë, dy ndër figurat e njohura në Malësi të Gjakovës. Njëri ishte në Gri e tjetri në Dushaj. Në të dy rastet, Rexhep Ram Ponari, me një ndjenjë humanizmi e mirësie që e karakterizonte atë, mendoi e guxoi t’iu linte shteg të lirë për t’u arratisur dy miqve të tij, M. Bajrami dhe P. Mehmeti. Ai ishte njeri i besës e shoqëror, edhe trim, se trimat falin, se miqtë të ndihmojnë në raste jete e mbijetese.

Rexhep Ram Ponari për meritat e tij në LNÇl është dekoruar nga Kuvendi i Shqipërisë me Medaljen e Çlirimit dhe me Medaljen e Kujtimit.

14.

Rexhep Ram Ponari ishte i njohur kudo për cilësitë e tij të veçanta, si njeri me inteligjencë të lartë natyrore e jetësore, njeri i matur në çdo rast e situatë, fjalë ambël, kuvendtar dije e urtie në kuvendime e oda malësore me burra të vaktit e në biseda të lira udhe e pune me këdo, me të gjithë. Dëgjonte me kujdes të tjerët e dëgjohej me vëmendje prej të tjerëve. Kudo e kurdoherë shfaqej me një buzëqeshje të ambël në fytyrë, me atë cigaren e duhanit të dredhun nga duhani i tij që e kishte të një cilësie të veçantë, të grirë me kujdes dhe e mbante të vendosun në kutinë e bakfanit.

Rexhep Ram Ponari, siç e thamë dhe kryehere, ishte një zot shtëpie i zoti, model shembëllimi, një organizator i mirë i punëve të familjes së tij të madhe dhe me shembullin e kontributet e tij u edukuan jo vetëm fëmijët e tij, por dhe vëllezërit e motrat e tij. Ai e bani shtëpinë e tij një nga ma të pasurat në vlera të traditës shqiptare, me ekonomi të mirë në të gjitha kohërat, me mikpritje e bujari; me interesa të larta për shkollime universitare e kulturë kombëtare, me dashuri të madhe për Shqipërinë e Kombin Shqiptar.

Rexhep Ram Ponari në vitet e pas Luftës NÇl. ka marrë pjesë në aksionet vullnetare të rinisë për rindërtimin e vendit dhe në punët e ndryshme në bujqësi.

Rexhep Ram Ponari, pas kolektivizimit, punoi për një kohë të shkurtër në kooperativë bujqësore, pastaj në punë të shtetit, derisa del në pension kur punonte në ndërtimin e veprës së madhe hidroenergjetike të Fierzës, në Fierzën e dritës.

Për meritat e tij është dekoruar nga Kuvendi i Shqipërisë me Medalje Pune dhe me Urdhër Pune të Klasit të Tretë.

Rexhep Ram Ponari ndrroi jetë më 5 të shkurtit 1986, pas një sëmundje të randë, duke u përcjellë me nderime të larta nga familja e tij e madhe, nga miqtë e tij të shumtë, nga bashkvendasit e bashkëluftëtarët e tij, nga udhëheqja e kohës së atëhershme në rrethin e Tropojës, pasi ishte e iu mbeti kohërave njeri i mirë i luftës e paqes, i dijes e punës, i besës e bujarisë, i sakrificave e mirësive, i jetës së pastër e shembullit prijëtar dhe iu la pasardhës të mirë të breznive të tij përgjatë kohërave të sotme panshqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat