Disa nga figurat emblematike të çështjes kombëtare

Historia

Disa nga figurat emblematike të çështjes kombëtare

Nga: Sami Arifi Më: 19 qershor 2019 Në ora: 23:18
Sami Arifi

Në pamudësi për t’i përmendur të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare, janë përmend vetëm disa nga figurat emblematike të kombit shqiptar.

Ramiz Ahmet Cernica (1903-1979) u lind në fshatin Cernicë, ai hyri në historinë kombëtare me pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Prizreni (1945), ku me jo-në e tij të madhe, të prerë e të guximshme demaskoi planet djallëzore aneksioniste të kulçedrës serbe. Gjatë periudhave të ndryshme, si përfaqësues i popullit shqiptar, në mbrojtje të tij mori obigime të ndryshme, ai ishte kryetar i komunës së Parteshit (1934-1944) dhe përkrahës i LNÇ-së. Mbas luftës, Ramizi u emërua kryetar i Komitetit Demokratik Shqiptar në Gjilan, ai mori pjesë dhe diskutoi në kuvendin e Prizrenit në korrik të vitit 1945, ku kundërshtoi aneksimin e Kosovës nga Serbia, pastaj ai, për shkak të këtij qëndrimi, u dënua me 20 vite burg. I ati i Ramiz Cërrnicës, Halim Ahmati, i njohur në Anamoravë me emrin Mulla Halimi, u bë i njohur si luftëtar patriot bashkë me nipin e vet-Shyqeri Ahmetin, me pjesëmarrjen e tij në luftën e Drenogllavës e të Kaçanikut që u zhvillua në fillim të këtij shekulli, më 1910, nën udhheqjen e strategut legjendar, Idriz Seferit. Në këtë luftë ai u plagos, u zu rob dhe pastaj u dënua me tetë vjet burg nga pushteti turk. Në trevën e Anamoravës filluan masakrat e tmerrshme pas ripushtimit të Kosovës nga forcat partizano-çetnike dhe pas “ çlirimit” të Gjilanit më 16 nëntor 1944, masakrime këto, duke djegur fshatra, duke torturuar popullatën e pafajshme, duke burgosur e likuiduar në mënyrë misterioze njerëzit më të ndershëm e më autoritativë. Aradhat partizane mbillnin frikë dhe pasiguri te popullata shqiptare, prandaj duke parë të gjitha këto pasiguri, Ramiz Cernica nuk ndejti indiferent ndaj këtyre ngjarjeve, prandaj edhe ky reagim i tij ia prishte planet partizano-çetnikëve, pastaj pas pak kohe e burgosin, duke e dërguar fshehtas në Lagjen e Varoshit, e të cilin rastësisht e me mjeshtri e zbulloi i biri i tij, Raif Halimi, që ishte komesar batalioni i aradhës vullnetare të rinisë, ku me ndihmën e autoritetit të Rifat Berishës lirohet Ramizi, por, ai përcillet në çdo hap dhe në çdo aksion.

Më 22 dhjetor 1944, vullnetarët e patriotit të Mulla Idrizit Gjilanit, nën udhëheqjen e tij, i sulmun forcar serbo-partizano-çetnike në Gjilan, dhe pas tërheqjes së tyre (të forcave të Idriz Gjilanit), përballë forcave shumëfish më të mëdha të armikut, nga serbo-çetnikët filluan masakrat në qytet e në rrethinë duke i likuiduar rreth 8000 shqiptarë, ku përfshiheshin në këtë masakër të pakursyer edhe gra, pleq e fëmijë, ndërsa Ramiz Cernica në këtë tollovi dhe rrëmujë, që t’i ikte likuidimit, u strehua te miku i vet, Osman Devaja, ku iu desht të qëndronte rreth tre muaj.

Në mëngjesin e kësaj dite, para sulmit të Gjlanit nga forcat e patriotit Mulla Idriz Gjilanit me vullnetarët e tij, djali i Mulla Xhemës, Dervish Arifi, atëherë në moshën 14 vjeçare, së bashku me kusheririn e tij prej gjaku nga Ramjani, Fehmi Zenun Zejnullahun, e vizitojnë në burgun e Gjilanit Mulla Xhemën, ai i porosit që ta informonin Ramiz Cernicën, meqë kishin bashkëvepruar për çështje kombëtare, se Mulla Xhema ishte në burgun e Gjilanit, prandaj Dervishi dhe Fehmiu pas vizitës, po me atë rrugëtim shkojnë në Cernicë, por Ramiz Cernica nuk ishte në shtëpi, ishte në ilegalitet, siç u cek edhe më parë, prandaj ata porosinë e Mulla Xhemës i lanë djalit të Ramizit, Raifit, por që pastaj serbo-çetniko-komunëstët shfrytzuan rastin në këtë rrëmujë, dhe më 22 dhjetor të vitit 1944, në kodrën “Popoviq”, përtej vendit “Doboje”, në afërsi të restoranit “Bojana, sot”, ku së bashku me Xhemajlin (Mulla Xhemën), për veprimtari kundër serbo-çetniko-komunistëve pushkatuan edhe Aqif Tetovë Gjilanin. Mulla Xhema ishte kryetar i Gjyqit të Paqit që nga themelimi i këtij Këshilli për Moravën e Epërme në organizimin e vullnetarëve shqiptarë për përgatitje në mënyrë profesionale të kuadrove për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës për Anamoravë, në luftë kundër forcave serbo-çetniko-komuniste, njëherit ishte edhe imam i xhamisë në Sllatinë, pastaj ishte edhe kryetar i komunës së Sllatinës pas Adem Zenel Imerit dhe Adem Gutës. Ramiz Cernica ishte bërë njeri ndër fytyrat më autoritative të jetës politiko-shoqërore të rrethit të Gjilanit, prandaj edhe si të tillë e kishin caktuar që të merrte pjesë në Kuvendin e Prizrenit që u mbajt në korrik të vitit 1945. Përveç Ramiz Cernicës, nga rrethi i Gjlanit në këtë kuvend morën pjesë: Adem Stançiqi, Mehmet Krileva dhe Sinan Hasani. Diskutimi i Ramiz Cernicës ishte i hapur dhe i prerë, kundërshtimi i tij ndaj planit aneksues të Serbisë hegjemoniste, ishte me këto fjalë: “Në bazë të sjelljeve tuaja të egra e barbare, vrasjeve e masakrimeve që po bëni ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, Jugosllavia e re për popullin shqiptar nuk ka asnjë ndryshim nga Jugosllavia e vjetër, ju ende nuk e keni bërë vetëm edhe një punë, dëbimin e këtij populli për në Turqi për të bërë në këtë mënyrë pastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare, unë nuk po shoh kurrë një dallim, nga se kjo luftë shqiptarëve nuk u solli liri, por një robëri të re edhe më të keqe. Ne jemi shqiptarë, kemi një gjuhë e një gjak me shqiptarët e Shqipërisë, kemi nevojë të madhe për arsim e shkollim në gjuhën tonë amtare, por nuk kemi as kuadro e as tekste në gjuhën shqipe, prandaj këtë nevojë e këtë ndihmë mund t’na ofroi vetëm Shqipëria nënë, e jo Serbia njerkë. Ku keni parë ju në historinë e njerëzimit që fëmija t’ia kthej shpinën nënës e ta përqafoi njerkën?! Pyetjet ishin të shumta, të cilat pyetje e kishin përgjigjen nga Dushan Mugosha në mënyrë akuzuese e kërcënuese, si ;“Kjo është gjuha e armikut, e ballistëve, e shqiptaromdhenjëve -thoshte Mugosha, e të jera”. Por e vërteta ishte se kjo ishte gjuha e popullit shqiptar e cila po i rrëmbehej, pra, gjëja më e shtrenjët liria dhe vetë jeta. Përkundër trusnisë, ai në emër të tij dhe të popullit që e përfaqësonte kërkoi që trojet shqiptare të pushtuara me dhunë nga Serbia, t’i bashkoheshin shtetit amë, Shqipërisë. Kjo s’është as e palogjikshme e as e papranueshme për ne shqiptarët”. Meqë nuk pritej një diskutim i tillë aq i guximshëm nga Ramiz Cernica, në sallë u krijua rrëmujë, duke shpallur një pauzë të shkurtër, derisa Ramiz Cernicën e tërheqin anash Fadil Hioxha dhe Xhavit Nimani duke e këshilluar se s’mund ta mbrojnë nga kërcënimet dhe sulmet partizano-çetnike. Pas disa diskutimeve, Ali Shukriu ishte ai i cili i propozoi Ramizit që duhet ndërprerë fjalën, sepse sipas Aliut, ky na qenka tradhtar i popullit dhe si detyrë të rëndë duhet ngarkuar Ramizin që ta zënë Hasan (Aliun) Remnikun, i cili aso kohe gjendej kaçak në mal. Për këtë, Fadil Hoxha ia tërheq vërejtjen dhe e qorton ashpër Ali Shukriun. Ramiz Cernica lëshon mbledhjen dhe niset në drejtim të Pejës, duke i ikur drejtimit të Suharekës e Grykës së Carralevës, nga se mund t’i vinin pritë e ta likuidon, por pasi u kthyer në shtëpi filluan ndjekjet kundër tij, si pasoj e atij diskutimi të zjarrtë në Kuvendin e Prizrenit, por që pastaj pas pak ditësh gjyqi civil e dënoi me 20 vite burg të rëndë. Kërkesa e prokurorit Gernolub Popoviq ishte që Ramiz Cernica duhet të dënohet me pushkatim, sepse sipas tij, po të mbetej gjallë Ramizi, është tepër i rrezikshëm për këtë pushtet. Gjykimi kishte vazhduar katër ditë 11, 12, 13 dhe me 14-in dhjetor të vitit 1946. Pas këtij dënimi filluan ndjekjet ndaj familjes së tij, duke u dënuar me 71 vite burg farefisi i tij, të cilin burg të rëndë e vuanin ata (familjarët e Ramizit) me 61 vite nëpër kazamatet jugosllave; (Raif Halimi me 20 vjet burg, Kadri Halimi 10 vjet burg, Shemsedin Hoxha 4 vite burg, Imer Halimi 2 vjet burg, dhe Arben Hoxha 5 vjet burg), kurse Nazmi Hoxha, djali i kusheririt të tij me 15 vite burg dhe Njazi Hoxha me 5 vite burg.

Djali i Ramiz Cernicës, Raif Halimi Cernica, u kap dhe u sollë para Gjyqit Ushtarak të Shtabit Operativ, gjykimi i Raifit u bë më 25 prill 1945, ku kryetar i trupit gjykues ishte Fadil Hoxha, derisa, në këtë gjykim, pesë vetë u dënuan me vdekje në mesin e të pestëve ishte edhe Raifi, katër i pushkatuan menjëher thotë Raifi, kurse unë, thotë ai, shpëtova, se si mu fal jeta-thotë Raifi- këtë më së miri e di Fadil Hoxha.

Rifat Berisha (1910-1949), para lufte kishte shërbyer si oficer i Ushtrisë Shqiptare, pastaj ai u përfshij në Lëvizjen Antifashiste, që nga dita kur Italia sulmoi Shqipërinë më 7 prill 1939, ndërsa më 1942 u emërua nënprefekt në Gjilan, më vonë më 1944 ishte delegat i Drenicës në Konferencën e Bujanit, i cili në këtë Konferencë ishte zgjedhur nënkryetar i KKNÇ-së për Kosëvë e Rrafshin e Dugagjinit. Rifati mbas luftës pati detyra të ndryshme si kryetar i Frontit të Përbashkët Naçionalçlirimtar, kryetar i Komitetit Nacional Shqiptar si dhe deputet në Kuvendin

e Kosovës dhe në atë të Jugosllavisë. Rifat Berisha, i zhgënjyer ndaj politikës jugosllave, bëhet që të rreshtohet hapur kundër pushtuesve më 1947. Ai u vra më 17 maj 1949, në Gajrak të Malishevës mbas një lufte të përgjakshme me milicët dhe ushtarët jugosllavë, së bashku me dy vëllezërit, Mustafën dhe Islamin dhe nipin e tij Ibrahimin.

Nuredin Halim Gjinovci, që në popull njihej si Mulla Nuredin Gjinovci (1895-1937), u gjend në detyrat ndërmjet dy luftërave Botërore; kryetar komune në Therandë dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare, ndërsa më 1943 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Qarkut të Lidhjes së Shqiptarëve (1943-1944), pastaj ai pas vitit 1944 ishte veprimtar i LNDSH-së të Therandës. Nuredini u arrestua më 1947, dhe u dënua me shtat vite burg, por që e mbytën mizorisht në burgun e Nishit, 6 muaj para afatit të lirimit.

Musli Ali Sojeva ishte me tradita kombëtare të trashëguara brez pas brezi, priti shumë burra nga të gjitha viset e Kosovës, njeri me shumë autoritet në popull, ai ishte kryetar komune në Talinovc të Muhaxherëve më 1938, pastaj gjatë viteve 1941-1944 nënpunës në Gjyqin e Paqit në Ferizaj. Musliu, si veprimtar i LNÇ-së, në gusht të vitit 1944 u internua nga gjermanët në kampin e përqëndrimit në Vjenë, ndërsa më 1945 u rikthye në Kosovë, por që mbas vitit 1944 ndihmoi grupet e armatosura të qëndresës shqiptare të Rizah Gogës me shokë. Ai bashkë me Gjergj Gjergjin, Ramë Rexhepin e të tjerë u akuzua si kundërshtar i kolektivizimit, prandaj atij i konfiskuan 36 ha tokë me gjithë bagtinë. Musliu gjatë mbledhjes së aksionit të armëve në dimrin e viteve 1955-1956 u keqtrajtua pa masë.

Rizah Haxhialia Goga rridhte nga familja ndër më të vjetrat në këto anë, Goga, që njëherit njihet familja e tij edhe si themeluese e Ferizajt, ai u lind rreth vitit 1887 dhe u vra më 22 dhjetor të vitit 1944 në Fushë të Madhe (ndërmjet fshatrave Mirash dhe Rahovicë), bashkë me Sadik Tushën nga rrethi i Kaçanikut. Ai, në kohën e ish-Jugosllavië, për një kohë ishte kaçak, ndërsa në prill të vitit 1941 likujdoi komandantin e njësive ushtarake jugosllave, i cili provokonte aeroplanët gjerman që bombardonin medresenë (sot shkolla fillore “Gjon Sereqi”), ku ishin shumë rezervistë shqiptarë, disa nga të cilët u vranë. Ai kishte vrarë edhe Rajko Bakiqin gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili në shkritorën e vet kishte djegur një punëtor shqiptar, por veprimi i tillë nuk kishte bërë bujë, sepse Rajko njihej si antikomunist dhe ishte shpallur përfitues lufte. Rizah Goga doli në mal bashkë me pesë meshkujt e familjes që nga dita e parë e luftës. Vëllau i Rizahut, Fejza, u vra në dhjetor të vitit 1944 në masakrën e Ferizajt, pastaj në vitin 1946 katër pjestarët e tij kishin përfituar nga anmistia, Ejupi, Muharremi, Ilmiu dhe Ahmeti, ndërsa Faiku dhe Rizahu vazhduan të qëndrinin në mal. Faiku, që kishte vrarë Trajko Gërkoviçin në vitin 1947, u detyrua të dorëzohej dhe u dënua me pushkatim, ai u pushkatua menjëherë, meqë nuk iu dha e drejta për apelimin e vendimit dhe kufoma e tij u zhduk pa gjurmë. Keqtrajtimet për familjen Gogaj s’kishin të ndalur, gjatë të ashtquajturit “aksion i mbledhjes së armëve”, Ejupi, Muharremi dhe Ahmeti u keqtrajtuan mizorisht.

Sylejman Hasani, i njohur në popull si Sylë Smira, u lind në fshatin Ivajë të Kaçanikut, ai pasi kreu medresenë në Shkup, në të cilën shkollë kishte shok klase vëllaun e Ferat Dragës, Sylejmani në vitin 1922 u emërua imam në fshatin Smirë, komuna e Vitisë, ku punoi deri kah mesi i vitit 1936, pastaj atë e transferuan në Gjilan, por që mejtepi ku shërbente ai, nga autoritetet serbe u akuzua, Sylejmani, se ishte kuadro që rrezikonte zbatimin e Reformës Agrare dhe kolonizimin: Sylejman Hasani, si hoxhë arsimdashës dhe atdhetar i vërtetë, nxënësit e vet i pajisi me njohuri kombëtare dhe fetare. Ai në fund të vitit 1944 u arrestua me akuzën se në Smirë kishte nxitur urrejtjen kundër serbëve e organizatave të pushtetit dhe se kishte pasur dorë edhe në vrasjen e vojvodës çetnik Tomica Gojkoviqit, atë e egzekutuan në formën më barbare duke e djegur në furrë të bukës.

Ibrahim Metë Thaçi u lind në fshatin Potërk, ai më 1916 kundërshtoi pushtetin bullgar, prandaj atij i dogjën shtëpinë. Ibrahimi në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore u shqua si veprimtar i “Xhemjetit”, i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe mbante lidhje me konsullatën e Shqipërisë në Shkup, prej nga merrte libra dhe i shpërndante nëpër grykën e Llapushnikut e më gjerë, ai bashkpunoi me dy hoxhallarë, me Rexhep Krasniqin dhe Musli Krasniqin e Tërpezës. Ibrahimi strehoi udhëheqës dhe veprimtarë të luftës së LNÇ-së, si Rifat Berishën, Fadil Hoxhën e të tjerë. Ishte pjesëtar i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, në prill të vitit 1945 shkoi në Beograd për vizitë te kryetari i Jugosllavisë J. B. Tito. Mbas vrasjes së Rifat Berishës në vitin 1949, Ibrahim Meta dhe vëllezërit e tij ishin në shënjestër të pushtetit jugosllav, ata nëpër kohë u keqtrajtuan, u bastisen dhe u arrestuan vazhdimisht, pastaj Ibrahimi me familje kaloi në Prishtinë, ku edhe vdiq në vitin 1955, por që pushteti serb edhe në vitin 1998 Ibrahimit i vrau katër djemtë e vëllezërve. Vazhdon pjesa e dytë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat