Burg dhe skamje, si u dënua familja Tabaku nga Enver Hoxha - Bota Sot
Burg dhe skamje, si u dënua familja Tabaku nga Enver Hoxha

Historia

Burg dhe skamje, si u dënua familja Tabaku nga Enver Hoxha

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 18:53
Gjyqi

Ndërsa luante me fëmijët e tjerë të lagjes përpara sheshit të Bashkisë në Durrës, Drita Tabaku dëgjon në altoparlant të buçasë emri i të atit. Mes të tjerëve jepej urdhri për t’u pushkatuar edhe tregtari Ramazan Tabaku. Ajo nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte; lotët i rridhnin vetiu, më shumë prej atmosferës së nderë në qytet se prej ngjarjes. Pastaj, me të kaluar pragun e shtëpisë, prej vajit që dëgjohej deri jashtë nisi të kuptonte.

Drita ishte vetëm 9 vjeçe; më i vogli nga 7 fëmijët ishte 3, ndërsa më i madhi 15. Aty për aty, vendimi i parë u zbut. Meqenëse ishte vëlla dëshmori, urdhri për ta pushkatuar ra dhe hyri në fuqi i dyti, që e dënonte me 25 vite burg, prej të cilave Ramazani bëri 16. Kjo është një nga familjet që mund të mos ketë të krahasuar me të tjerat, sado të kenë vuajtur.

Nuk dimë rast tjetër që të jenë burgosur të gjithë pjesëtarët e saj, me motra, nënë e vëllezër. Për vite të tëra, Ramazani e ka ndarë burgun bashkë me tre djemtë e tij, të cilët më pas u arratisën për ta lënë pjesën tjetër të familjes në vuajtje të pakthyeshme deri në vitin ’90, kur të gjithë ikën pa u menduar dy herë. Edhe në qoftë se vëllezërit do të qëndronin, historia mund të kishte qenë njësoj, prandaj edhe zgjodhën të “zhduken” për t’u rishfaqur menjëherë kur erdhi koha e për të ndihmuar edhe duke kompensuar kohën kur nuk ishin të pranishëm.

Sot Drita jeton në Bordeaux të Francës; u bënë 25 vite. Çdo verë vjen në Tiranë ku qëndron 1 muaj dhe takohet me të vëllain, Cen Tabakun, që fluturon nga Amerika për në shtëpi. Vitet e fundit do të qëndrojë këtu, të shëtisë nëpër zonat e bukura të vendit të tij që nuk arriti t’i shohë kurrë. Në këtë 1 muaj që janë bashkë qëndrojnë gjithë ditën me njëri-tjetrin, si për të zëvendësuar ato 30 vitet që kishin harruar zërin e fytyrën. Organizojnë mbrëmje vallëzimi, janë vazhdimisht nëpër dreka e darka me njerëz, shijojnë njëri-tjetrin, siç nuk mundën kurrë!

Babai juaj, Ramazan Tabaku, ishte njeri financiarisht i rëndësishëm përpara dhe pak pas Çlirimit.Çfarë ndodhi më pas që u dënua?
Është shkruar për konflikte të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën… Origjina e hershme e familjes sonë është nga Tirana, por ne kemi banuar shumë kohë në Durrës, pasi kemi qenë familje tregtarësh. Në vitin 1939, kur u bë pushtimi italian i Shqipërisë, babai im, Ramazani, përkrahu forcat që akoma nuk ishin komuniste, por ishin forcat antifashiste çlirimtare. Babai ka qenë një nga themeluesit e çetës së Pezës dhe i kishte miq të ngushtë krerët drejtues të saj, pasi Myslym Peza kishte qethur flokët e vëllait tim, e kishim kumbarë. Kajo Karafili, gjatë kohës që ishte me çetën e Pezës, u strehua disa kohë te shtëpia jonë se u plagos nga duart. Babai në atë kohë e ka ngritur Pezën nga fuqia ekonomike e financiare, sepse ishte idealist dhe patriot që e donte shumë Shqipërinë. Kur erdhi çlirimi, babai kishte fuqi dhe mjaft kredibilitet në udhëheqjen e vendit të asaj kohe, kjo deri ne vitin 1946.

Çfarë ndodhi në këtë vit?
U bë reforma agrare dhe babai u dëshpërua shumë se pak para saj ne na morën pasuritë, apo më saktë na i shtetëzuan. Kemi shumë pasuri në rrethin e Durrësit, në një fshat që quhet Shkallnur dhe reforma na i mori të gjitha. Në janar të vitit 1946, në një mbrëmje që bënë në hotel “Dajti”, babai bëri debat me Enver Hoxhën. Gjatë asaj bisede, Enveri i thotë: “Ramazan, tani do të kemi shume punë, se e formuam Republikën Popullore të Shqipërisë…”. Ndërsa babai i përgjigjet: “Enver, atë punë mbaje për vete…, se unë nuk kam për të punuar më…!”. Enveri i thotë: “Ti duhet të besh diçka, se je vëlla dëshmori…”.(Në fakt, në familjen e babait tonë kishim një dëshmor, Abdulla Tabakun). Mbas kësaj bisede me Enverin, babai ankohet te Myslym Peza, duke i thënë se i është shtetëzuar toka dhe pasuria, por Myslymi nuk i jep asnjë shpresë se mund ta ndihmonte.

Pra, në njëfarë mënyre, babai juaj nuk u pajtua me politikat e regjimit komunist të sapoardhur në fuqi asokohe?
Jo vetëm që nuk u pajtua, por më keq, u zhgënjye shumë.Babai e njihte mirë sistemin kapitalist perëndimor, pasi kishte bërë tregti me Italinë.Por mes popullit e udhëheqjes, asokohe ishte ndezur një zjarr dashurie, që babai nuk e konceptonte dhe nuk e mbështeste dot.Në vitin 1947, pasi e kishin bërë deputet për t’i shpërblyer meritat, babain e arrestojnë me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve, i cili kryesohej nga Shefqet Beja. Pas një periudhe të gjatë hetuesie tepër të vështirë, doli në gjyq me Grupin e Deputetëve dhe fillimisht e dënuan me pushkatim, por më pas ia falën jetën meqë ishte vëlla dëshmori dhe e dënuan me 25 vjet burg.

A erdhën të gjitha këto si pasojë e debateve me Enverin? Çfarë dëgjuat të diskutohej më vonë?
Nuk mund të arrestohej asnjë deputet dhe një anëtar i kabinetit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha pa miratimin e tij, kështu që patjetër.

Mësuam që i shpëtoi pushkatimit, si vijoi më pas historia?
U dënua së pari me 101 vite burg, më pas me 25 dhe deri në fund bëri vetëm 16 vite; u lirua më 1962, kur Î regjimi komunist i Enver Hoxhës sapo ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe Tirana ishte në një gjendje depresioni politik, pasi nuk po dinte se nga të orientohej. Në këtë situatë u bënë falje dhe u liruan shumë të burgosur politikë.

Nga historia di që e gjithë familja, përveç jush dhe dy motrave, të gjithë të tjerët e kanë provuar burgun, përfshi këtu edhe nënën tuaj…
Po, në një periudhë kohe babai qëlloi të ishte në burg me të tre djemtë.Arsyeja e këtyre të fundit ishte për tentativë arratisjeje.Vëllai i madh për kohë të tëra ka punuar me babain në të njëjtin kamp pune, në ndërtimin e fushës së aviacionit. Nga ana tjetër, ndërsa babai ishte në burg, na arrestuan edhe nënën tonë, Sabrijen, të cilën e mbajtën nëntë muaj në hetuesi, duke e torturuar që të tregonte se ku e kishim floririn e familjes sonë. Pas nëntë muajsh tortura, nëna nuk rezistoi dot më dhe i tregoi vendin ku ishte fshehur floriri i familjes dhe pasi erdhën dhe na e morën, vetëm atëherë na e liruan nënën nga burgu. Desha të shtoj se kur arrestuan nënën, na kanë arrestuar edhe ne të gjithë fëmijët e tyre; ne katër motrat dhe tre vëllezërit (Vera, Nevrezi, Dhurata, Drita, Hyseni, Engjëlli, Ylli) dhe na kanë mbajtur për shumë kohë të izoluar në hetuesi dhe burg. Motra, Nevrezi, ka bërë katër vjet burg dhe Dhurata dy vjet. Më vonë, mua më dënuan për 4 vite në internim në Savër të Lushnjës e më pas të gjithë pjesëtarët e mbetur jashtë të familjes, i çuan në Baldushk, përveç meje. Ndërkaq isha martuar dhe ngela tek im shoq në Tiranë.

Si ishte jeta e tyre atje?
Për disa vite, pasi doli nga burgu, jetuam në një bodrum të gjithë bashkë.Vite më vonë, pasi ishte arratisur im vëlla nga Shqipëria, i hoqën nga Tirana dhe i internuan.Jetonin në kufijtë e mbijetesës. Arrinin deri aty sa të ushqeheshin me bukën e thatë që u çoja unë nga Tirana dhe me pak kripë e rigon, asgjë tjetër. përveçse e kisha parë të vuante gjatë, e kisha vizituar nëpër burgje, ajo ishte gjëja më e rëndë që po përjetoja, të shihja familjarët të vuanin për bukë dhe të mos kisha mundësi për ta ndihmuar. Ne ishim gjithashtu të varfër, çfarë mund t’u çoja unë. Ata të dy ishin të vjetër, nuk mund të punonin. Sajoheshin disi vetëm dy motrat që ishin divorcuar për shkak të ngjarjeve, por ato të ardhura nuk mjaftonin. Babai jetoi aty deri sa vdiq në 1982, pasi lëngoi vite të tëra. Varrimi i tij ka qenë një tjetër ngjarje tragjike dhe një moment tepër i dhimbshëm për këdo që mund ta dëgjojë, e jo më për familjen tonë. Pa e tepruar mund t’ju them se varrimi i tij ishte dhe ndoshta edhe më e rëndë se vetë vdekja.

Çfarë ndodhi?
Kur vdiq, në shtëpi ndodhej vetëm nëna, Sabrija dhe dy motrat, Nevrezi dhe Dhurata, pasi dy vëllezërit ishin të arratisur, ndërsa vëllai tjetër, Ylli, ishte në burg. Nëna ishte e sëmurë rëndë dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte dot, ndërsa dy motrat e dobëta nga shëndeti nuk kishin fuqi që ta varrosnin babain. Pasi hapën një gropë kërkuan se mos gjenin ndonjë dërrasë, por nuk kishin asgjë. Më pas, me shumë mundime, e kanë tërhequr babain zvarrë për këmbësh, derisa e kanë çuar te gropa në cep të oborrit, që do të ishte dhe varri i tij. Kishin kërkuar edhe ndihmë, por edhe një fshatar që ishte gjendur rastësisht jashtë nuk erdhi, sepse ne ishim familje e deklasuar dhe ai në mos e ka ditur, e ka nënkuptuar, pasi nuk ishte normale që një të vdekur e përcillnin për në varr vetëm dy vajzat e tij, dhe aq më pak në cep të oborrit të shtëpisë. Duhet të kuptoni dhe ta vini ngjarjen në kontekstin e kohës që ka ndodhur dhe kjo gjë asokohe si të thuash ishte e pranueshme për atë që i binte fatkeqësia. Regjimi komunist kishte detyruar që shqiptari-shqiptarin dhe vëllai-vëllain ta shihte me sy të keq.Po të kishe biografinë e keqe, njerëzit të largoheshin sikur të kishe murtajën.Kështu ka ndodhur dhe me familjen tonë.

Me nënën çfarë ndodhi?
Edhe ajo pati të njëjtën histori, u varros në të njëjtën mënyrë afër babait.

Me vëllezërit e larguar kishit më komunikim?A kishit marrë lajm prej tyre në kishin mbërritur gjallë atje ku ishin nisur?
Sigurisht që ne nuk kishim asnjë mundësi komunikimi, por ime motër, që ishte arratisur e ishte martuar në Kosovë, e kishte më të thjeshtë të komunikonte.Kishte shkuar mesazhi tek ajo dhe përmes saj merrnim lajm herë pas here që ishin mirë.

Po ju pas sa vitesh folët me vëllain, Cenin?
Në telefon duhet të kemi komunikuar pak përpara ’90, pastaj u takuam në ’93.Që atëherë kam shkuar shpesh në Amerikë.Në Shqipëri vij një herë në vit, qëndroj 1 muaj.Me gjithë ato që kemi hequr, prapë këtu e kemi mendjen.Si unë si fëmijët e mi kemi nevojë të vijmë.Tani jetojmë në Bordeaux, në Francë.U larguam menjëherë në ’91 bashkë me fëmijët. Fotoja e babait tonë, Ramazan Tabakut, në gjyq, ndodhet edhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë te “Pavijoni i Gjenocidit Komunist”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...