Masakra komuniste në Buzmadh – lumë ngjarje që shpallon vëllavrasjen

Historia

Masakra komuniste në Buzmadh – lumë ngjarje që shpallon vëllavrasjen

Nga: Eugen Shehu Më: 24 shtator 2019 Në ora: 15:54
Eugen Shehu

Në ditët e para të vjeshtës së vitit 1944,ndihej së thelli euforia e forcave nacionalçlirimtare.Kjo eufori kish të bënte me shumë arsye por në radhë të parë,ajo kushtëzohej prej tërheqjes së trupave gjermane nga Ballkani si rrjedhojë e ndërrimit të taktikave dhe strategjisë së RAIHUT TË TRETË. Europa ish përzier e tëra në këtë luftë dhe dukej në horizont një fitore e bollshevikëve të Stalinit anipse,çdo ditë mijëra prej tyre linin jetën në fushëbeteja,larg atdheut të tyre.Ndërkaq klika  komuniste e Tiranës,ngase jugun e Shqipërisë e ka terrorizuar me organizimin  e këshillave nacionalçlirimtare vendore,mendon të ndërrmarë një inkursion në drejtimin e viseve Veriore,në Shkodër,Dibër e Kukës.Nga ana propagandistike,këtë lëvizje strategjike,krerët komunist shqiptarë dhe jugosllav e justifikuan me luftën kundër reparteve të fundit të ushtrisë gjermane që patën mbetur në Veri.E vërteta ka qenë krejr ndryshe.Të ndihmuar edhe prej shërbimeve të fshehta angleze (vet misionarët anglez e kanë vërtetuar këtë) , komunistët shqiptarë dhe serb të Titanës, e patën ditur se forcat gjermane ishin në tërheqje e sipër ndaj mundet që edhe të mos konfrontoheshin fare me ta.Po qëllimi ishte krejt ndryshe.Duke hedhur disa bomba e duke zbarkuar disa pushkë kundër gjermanëve,në ikje e sipër,nacionalçlirimtarët donin të rrëmbenin aureolën e artë të fituesit,kuptuar ndryshe,atë të mbajtësit të pushtetit të nesërm.Ana tjetër e medaljes,inkursioni i nacionalçlirimtarëve në Veriun e Shqipërisë,kish të bënte me luftën e hapur ndaj „tradhëtarëve dhe bashkëpuntorëve të armikut“ shprehje e cila, e kuptuar drejt,do të ishte luftë deri në vdekje ndaj nacionalistëve shqiptar.Të dërguarit e Titos në Shqipëri,Mugosha e Popoviçi, që në fillim të karierës së tyre patën qenë shkaktarët kryesorë të vëllavrasjes.Në bazë të një plani të mirfilltë,të ideuar dhe drejtuar në Beograd,ata u përpoqën të zhvillojnë armiqsitë midis komunistëve dhe nacionalistëve shqiptarë duke arritur kulmin e kësaj vepre,,me  të ashtuquajturën tradhëtinë e Mukjes.Veçanërisht pas kësaj ngjarjeje,ku ata përfundimisht i vunë shqiptarët kundër njëri-tjetrit,pasuan një sërë vrasjesh të nacionalistëve të shquar shqiptarë.Figura të tilla si Adem Boletini,Idhomen Kosturi, Sahedin Draga,Baba Zulfo Turani,Besnik Cano, Hadi Kasimati, etj, etj,ka qenë e mbetën ende sot,viktima të bashkëpunimit makabër të klikave të Hoxhës në Tiranë , me Titon në Beograd.Ishin pikërisht këto vrasje që do të shënonin më pas,luftën e hapur midis vëllezërve të një gjaku,përndryshe luftën civile në Shqipëri në vitet 1943-1945.

Pa u ndalur në planet e klikës së Tiranës në Shkodër e Lumë,unë mendoj se dërgimi i Brigadës së V-të Sulmuese nacinalçlirimtare,në radhë të parë kish të bënte me thyerjen e mitit të Muharrem Bajraktarit, e për më tej,me shkatërimin e plotë fizik të forcave nacionaliste kuksiane.Brigada e V sulmuese,kishte në krye të saj një bollshevik të pashkollë e të etur për gjak siç ishte Shqfqet Peçi nga fshatrat e largëta të Gjirokastrës.Ai i pat dhënë besën Enver Hoxhës dhe ka ecur mbi trupat e vrarë të bashkëkombasve të vet,duke kujtuar gjithmonë se humbte jetë njerëzish të pafajshëm, për të fituar nam si internacionalist i shkëlqyer proletar.E vërteta është se nacionalçlirimtarët e udhëhequr nga Shefqet Peçi,bënë disa tentativa për të bindur nacionalistin trimin Muharrem Bajraktarin që të bashkëpunonte me ta.Por në këtë bashkëpunim ata nuk e shihnin Bajraktarrin si të barabartë, përkundrazi kërkonin që forcat nacionaliste të Lumës-Kukësit të vëheshin nën urdhërat dhe diktatin e PKSH-ës.Nuk ra në këtë grackë Muharrem Bajraktari i cili kërkoi që tek e mbramja,kundër pushtuesit të luftohej veç e veç e në fund ishte populli ai që do të vendoste për pushtetin e tij. Pikërisht kjo logjikë e ftohtë nuk shkoi për shtati nacionalçlirimtarëve  të cilët urdhëruan luftën vëllavrasëse.Qëndrimin  e gabuar ndaj Muharrem Bajraktarit,do ta pohonin vetë më gojën e tyre,udhëheqësit e klikës komuniste.Kështu në plenumin e Beratit,pos të tjerave, për Muharrem Bajraktarin do të thuhej ; “çështja e Muharrem Bajraktarit është tipike.Këtë njeri që nuk paraqitej hapur kundër frontit nacionalçlirimtar dhe që kishte shumë shpresa të bashkohej me ne,jo vetëm e trajtuam nga lart dhe në kundërshtim me vijën tonë politike por e goditën edhe mbrapa krahëve kur ai na jepte dorën si mik”.(Drejtoria e përgjithshme e Arkivave-Tiranë.”Politika antikombëtare e E.Hoxhës !”.Plenumi i dytë i K.Q. të PKSH-ës, Berat , faqe 177 ).

Sipas traditës Lumjane,partizanët e brigadës së V-të sulmuese u pritën mjaft mirë si nga populli edhe nga formacionet nacionaliste.Kjo për shkak se tashmë,pushtuesi do të virej midis dy zjarreve dhe largimi i tij do të ishte më i shpejtë.Nacionalçlirimtarët me këtë rast thirrën Muharrem Bajraktarin për të biseduar dhe kur e panë se ai nuk po nënshtrohej,në mënyrë tinzare ( veti tipike komuniste) i ngritën kurthin në shtabin e tyre.Por ishte trimëri e Bajraktarit dhe e tre luftëtarëve  nacionalist që e shoqëronin,me ç’rast arritën të dalin prej këtij kurthi komunist.Më pas,në ditët që erdhën partizanët kërkuan në Lusën që ditën e Bajramit,djemt e këtij fshati të mbushnin radhët e nacionalçlirimtarëve.Nacionalisti i njohur nga fshati Lusën,Ramadan Çejku,i bëri me dije komunistët bollshevik,se djemtë do të dilnin partizan vetëm dy ditë pas festës së Bajramit e cila ishte festuar në Lusnjë ç’prej shekujsh.Por  taman atëherë kur populli po shkonte në xhami për të falur Bajramin,nga nacionalçlirimtarët (alias bollshevikët serbo-ortodoks) u hap zjarri kundër popullsisë së pambrojur gjoja se nuk ishte zbatuar urdhëri i komunistëve.U zhvilluan më tej disa orë luftimesh ku mbetën të vrarë dhjetra nacionalsitë e partizanë,vëllezër të një gjaku e gjuhe. Pas kësaj  të dërmuar fizikisht e moralisht,partizanët me në krye Shevqet Peçin,pas Lumës i drejtohen fshatit Buzëmadhe.Anipse këtu kish ardhur lajmi për luftën vëllavrasëse në Lusën,përsëri banorët e kësaj zone i pritën komunistët sipas traditave të lashta të bujarisë shqiptare.Madje 3-4 partizan të plagosur në luftën pa kuptim më vëllezërit e tyre,u strehuan në shtëpitë e Buzmadhit dhe mbrenda një jave me kujdesin atëror mundën të mbyllnin plagët.Por pikërisht atëherë kur u mblodhën forcat,kur u shëruan plotësisht të plagosurit dhe kur u furnizuan me ushqime prej fshatit,Shevqet Peçi piketoi masakrën mbi këta fshatarë të ndershëm e patriotë.

Në muzgun e datës 25 shtator 1944,me urdhër të Shevqet Peçit,brigada u grumbullua në stanet e lagjes Lalaj,kinse do të vazhdonin të nesërmen rrugën për në Kosovë. Nga tri-katër shtëpi të kësaj lagjeje,u bënë thirje partizanëve që të bujnë në shtëpitë e tyre,por urdhëri ishte që partizanët të mos shkelnin në shtëpitë e kësaj lagjeje.Megjithatë,prej shtëpive,u therrën disa bagëti dhe sipas traditës,mishi iu çua partizanëve,aty në stane,tek rrinin.Për më tej,me urdhër të Shevqet Peçit, kur fshatarët  të vini aty me bukë e mish,të mos hapej muhabeti i asaj se ç’ngjau në fshatin Lusën. Ndërsa të nesërmen, më 26 shtator,para se të largoheshin,dy tri kuadro të brigadës së V-të sulmuese,kërkuan që krejt familjarët e Buzmadhit t’i bashkangjiteshin kolonës partizane me ç’rast do të shkjonin në vendin e quajtur Kroi i Bardhë,ku do të lidhej besa për të luftuar vetëm kundër armikut,Të gëzuar se ma në fund do të shuhej vëllavrasja,pothuaj të gjithë kryefamiljarët e Buzmadhit muarën pushkët dhe nisën marshimin së bashku me nacionalçlirimtarët.Kanë kaluar jo më shumë se dy orë rrugë dhe kolona është gjendur në vendin e quajtur Kroi i Bardhë,me kullotat alpine dhe vetëm një cop qielli në krye.Por tashmë bisedat e gëzuara midis partizanëve dhe fshatarëve kanë rreshtur sepse aty nuk kanë parë asnjë banor tjetër të ardhur për “kuvend”,vetëm se disa kuadro të armatosura të Brigadës së V-të,partizane,me fytyra të nxira.Fshatarët vetëm athëherë e kanë kuptuar se diçka nuk shkonte por ka qenë tepër vonë.Pasi fshatarët janë veçuar prej partizanëve,ata janë çarmatosur brenda pak minutave.Më tej,nga krerët e brigadës partizane,iu është kërkuar fshatrëve se kush prej tyre ka vrarë partizanin Hysen Cino,i cili me gjasë,ka qenë kushëriri i kriminelit Shefqet Peçi.Burrat që folën aty thanë se nuk dinin asgjë për këtë partizan,përkundrazi edhe ata tri-katër partizan të palgosur që erdhën,u shoqëruan nën kujdesin e tyre.Por krerët komunist,këmbëngulnin duke kërkuar të gjendej fajtori.E vërteta është se këtë situatë e ka kuptuar i pari,nacionalisti Dan Lala.Duke qenë i plagosur tri herë në luftën me Serbët,mik shtëpie me Miftar Spahinë dhe Muharrem Bajraktarin,ai diçka kish mësuar për dinakëritë ortodokse-bollshevike.Ai ka marrë fjalën duke sqaruar situatën me gjakftëhtësi dhe kur ka kuptuar qëllimin e mbrapshtë të komunistëve,me ton burrëror ka deklaruar për bashkëfshatarët e tij që ,”Të mos i merrni në qafë,ata s’kanë kurrnji faji dhe në doni,une bahem kurban i  këtyre burrave”.(P.Palushi “Masakra Komuniste e Buzmadhit “ faqe 16 ). Por edhe kjo thirrje e fundme e këtij burri nuk ka zgjidhur asgjë,ngase krimineli Shevqet Peçi e pat planifikuar me kohë masakrën.Dy-tri partizanë që patën marrë urdhër prej tij,dualën befas përballë fshatarëve të pambrojtur dhe hodhën zjarr të fuqishëm mbi turmën.Brenda 4-5 minutave,dora vrastare e komnaduar prej bollshevikut kriminel Shevqet Peçit,i shtriu në tokjë këta burra e trima nacionalistë:

Dan Rexhep Lala

Mehdi Rexhep Lala

Ramiz Salai Lala

Arif Tahir Lala

Nuhi Musë Lala

Tahir Ali Lala

Sulë Et-Hem Lala

Ymer Et-hem Lala

Zenun Habib Lala

Muharrem Habib Lala

Cen Mexhit Lala

Rakip Ramadan Lala

Qazim Selim Lala

Sulejman Hasan Vellku

Riza Halim Hoda

Zylbehar Nuri Bresa

Jenin Hakik Bresa

Qamil Shivar Tola

Isak Islam Bresa

Arif Ramadan Malo

Mbi këta 21 martirë,ra më pas nata e thellë.Pa asnjë faj pa asnjë arsye,vetëm e vetëm pse u pushkatuan mizorisht prej Shefqet Peçit,ata u cilësuan armiq të pushtetit popullorë.Ngase shumica prej tyre patën qenë kryefamiljarë,fëmijët u përbuzën duke kaluar nëpër kalvarin e rëndë të komunizmit-stalinist shqiptar.(Një pjesë e familjarëvë të këtyre martirëve,arritën të aratisen në vitet 1950-51,në Kosovë e Maqedoni,ende sot jetojnë në Gostivar, dhe në fsh.Drobesh të Vitisë-Prizëren e Kosovë, ndërsa një pjesë në Belgjikë,Skandinavi e Amerikë , E. Sh).Ata dhjetra fëmijë të pafajshëm ( si edhe baballarët etyre) u lanë pa shkollë,pa punë,u dënuan duke mos i futur as në kooperativat bujqsore,nuk patën të drejtë as të votonin.Termi “kriminelë”,i shoqëroi për pesë decenie me radhë këta fhsatrë,engjëj,të cilët u cilësuan kështu,sepse prindërit e tyre u hapën dyert dhe zemrat partizanëve,për të marrë si shpagë,vdekjen.Historiografia komuniste shqiptare,askurrë nuk u kujtua për këtë masakër si shprehje reale e luftës vëllavrasëse që kryen komunistët në vitet 1943-1945. Për më tej kjo historiografi,mundi në mijëra faqe të ngrerë në këmbë,mitin e rremë të gjeneralit të “shquar” Shevqet Peçi,si luftëtar i shquar antifashist por që nuk dihet ende sot,nëse ka vrarë ndonjë fashist,ndërsa dihet se ka pushkatuar dhjetar bashkëkombas të tij. Në librin “Mrekulli e Natyrës – Kështjellë e historisë” janë shprehur tashmë me dhimbje shumë prej ish partizanëve të Brigadës së V-të Sulmuese.Prej këtyre unë do të veçoja ;

Nënoçe Osmani ; “ Të vret Perëndia t’i harrosh mikpritjet kuksiane.Si tashti e kujtoj drekën lumjane të Bajramit.Këtë ditë duhet të përurohej Brigada e 24 partizane.Pse ishte caktuar ajo ditë,vonë e kuptova gabimin e vendimit të Brigadës së V-të të rrethit.Kjo preku ndjenjat fetare e shërbeu si preteks në ndjenjat partizane-nacionaliste.Dhe brigada e 24,nuk u formua ate ditë.Përkarhës së Bajraktarit pati edhe nga Buzmadhi,të cilët vala i përfshiu në dyluftime.Patëm humbje të mëdha por edhe kuksian të vrarë.Të nesërmen shkuam në Kroin e Bardhë.Atje asistoi vetë komandanti i Brigadës.Ai pyeti se kush ju urdhëhoqi që na qëlluat ? Po... pasi larguam shumicën pjesa e mbetur u pushkatuan.Që nga ajo ditë,ndonëse, partizanë të thjeshtë,lindi ideja e mosndëshkimeve.Sepse më vinte rëndë nga ata njerëz që u njohëm e hëngrëm me ta.Aktin me Buzmadhin,nuk e pritën  mirë shumë partizanë”.

Mezin Aliaj ; “Kur niseshim për Lumë na folën me sharje për bajaraktarin,por na kujtuan të silleshim korekt me popullin.sapo vajtëm na pritën me bujari e besë.Shefqeti u takua me Muharremin që ky të dorëzonte repartet,por Bajraktari i pat thënë “Hajdeni e merrni në dorëzim frontin,se unë po largohem !” Shefqeti e kritikoi Bajraktarin publikisht (Kolesian).Kjo s’honepsej në mentalitetin kuksian.Gjendja u bë më e nderë deri sa plasi konflikti.Askush nga partizanët nuk e donte,as e priste.Shefqeti ishte i zoti e me autoritet,por aty e humbi nga karakteri gjaknxehtë e i nxituar.Se u godit edhe një fshat si Buzmadhi.Nëse dikush ishte me faj,le të dënohej me gjyq të rregullt.Një katund të tërë s’mund ta nxirrje para gjyqit.Buzëmadhi ra viktimë- tip e vëllavrasjes”.

Derro Derraj ; “Kur  u futëm në zonën e lumës,kaluam prej Kalasë së Dodës në Buzmadh,në ndihmë për krijimin e Këshillit Nacional Clirimtar.Qëndruam në 3-4 shtëpi,duke na ndihmuar me zemër.Në Buzmadh gratë na shërbenin.Ato u miqësuan me dy vajzat tona e silleshin si motra,çka shtëpie.Të nesërmen e natës së tretë,veç mëngjezit,na dhanë ushqime për një ditë.U përqafuam me mirënjohje e ata na uruan udhë të mabrë.Ishte pritje-përcjellja më dashamirëse,më e paharuara në jetën time.Djalëria nga Labëria gjeti në Kukës patriotizëm të lartë,pavarësisht nga keqsjellja e ndonjë të mashtruari.Sa për ato pushkatime,s’di ç’të them,se me dridhet misht.Ishte një turp,të paktën për ne që ishim çlirimtarë,por veçanërisht për ata partizanë që u pritën e u mbrojtën nga Buzmadhi”.

Halim Ramohito ; “ Pësuam dëme,por udhëheqja e brigadës s’e analizoi thellë për të shmagur provokimin.Ajo s’u përmbajt nga momenti i dhimbjeve dhe në vend që ta shunate sherrin e ndezi më tej pa pyetur edhe për ndërhyrjet e shokëve të terrenit.Kështu iu turën Buzëmadhit.Gjoja për mbledhje,i çuan meshkujt drejt një praktike tepër të dënueshme.Pushkatuan fhstarë të thjeshtë,patriotë,madje edhe përkrahës të Luftës Anti Fashiste.Kush urdhëroi e cili asistoi në Buzëmdh,s’ka rëndësi,qoftë Shevqeti apo Titua se,që të dy,përfshi edhe Manushin,mbanin përgjegjsi për situatën në një zonë të ndjeshme.Ja ku çon mosekuilibri e rrëmbimi.Marrëdhëniet e mira në Kukës dikujt i interesonin të prisheshin përpara se të kalonin në Kosovë.Atje duhej punuar krej ndryshe.Ta linin menjanë fodëllukun.Malësori kishte krenarinë e tij specifike.Duke na pritur moralisht dhe tërheqja e hitlerianëve nga garnizoni i Kukësit ishte në ditë,përse duhej të vrisnin Muharem bajraktarin afro një kompani etj.Mbi interesat e kombit të mos vëmë as monarkinë,as komunizmin e as pseudodemokracinë.Ne duhet,të distancohemi nga disa krime të padëshiruara të Luftës nacionalçlirimtare dhe gjatë socializmit,veçse me ngrohtësi,me prova e fakte,me argumente historike shkencore”.

Maliq Sadushi : “Duke lëvizur në u vra H.Cino dhe hymë në fshat me shkëmbime zjarresh.Sidoqoftë familjet na strehuan e na ndihmuan nga zakoni mikpritës.Sjelljen ose nuk e kuptuam,ose e morëm për dobësi.Sa keq mendonim ! Aty nga 20-21 shtatori plasi përpjekja ushtarake e paimagjinueshme.Viktima e dëmtime,por Buzëmadhi e mori prapa kokës.Luftë ? Po ! çdo gjë ngjet kur ndizen gjakrat e humbet logjika.Po kundër kujt qëllonin nacionalistët e partizanët ? Në Kolosian ishte marrë vendim dhe nga tërë fshati u mblodhën rreth 70 ,prej të cilëve 22 u vranë.Pse duheshin vrarë ? Kush urdhëroi ? Kujt i shërbente ? Pse u piketua Buzmadhi ? Nuk përjashtoi ngacmimet dhe faktorin vendas.Po udhëheqja ti sheshonte dhe të pasqyronte përgjegjësi të lartë.Ja pse disa pyetje ende qëndrojnë pezull.Gjakderdhja mbetet e dënueshme.Buzmadhi na njollosi sa edhe pas 50 vjetësh,nuk po fshihet.Këtu të shpie mosmarrëveshjet ,mendjemadhësia e nxitimi,të përziera me euforinë.Nderoj historinë e lavdishme të Kukësit.Atje gjetëm ngrohtësinë shqiptaro-prindërore “.

Naile Ferra ; “Si femër partizane e Brigadës së V-të partizane,ruaj posaçërisht anët morale të bujarisë e mikpritjes së Lumës,lidhjet e ngushta me kuksianët.Gjithë luftëtarët e brigadës u pritën njësoj,por si vajza të reja që ishim (17-19 vjeç) ne e ndjemë më afër afshin e ngrohtë të familjes lumjane.Asnjë kukësian s’na la përjashta edhe pse ndonjërit si pëlqente komunizmi.Lufta antifashiste nacionalçlirimtare e gjetëm të ngritur,por edhe e ndihmuam.Forca e zakonit s’donte bisedime me mysafirët.Për ne partizanet bënë përjashtime.U miqësuam,sa bisedonim çiltas me çikat e gratë.Ato u bënë shoqe me ne dhe ne mikesha të rralla me to.Ishin ato femra, si përshembull, të Buzmadhit,që nxirnin ngy sandyqet veshjet e tyre të dyta ( sa aq kishin edhe ata ) e na jepnin që të ndërroheshim.Ndonëse të varfëra,shpirtërisht ishin shumë të pasura.Groshët,bulmeti i ëmbël, turshitë dhe buka e shijshme e misrit na sillnin ndërmend nënat tona.Rrethanat sollën përpjekjet me armë.Pse duhet e kujt i shërbente ? Vështirë ta shpjegoj edhe sot.Po edhe s’dua t’i tregoj plagët.Vrasja e meshkujve të Buzmadhit,ne femrave partizane,për nga natyra,na preku më shumë se na vinte rëndë t’u dilnim përpara atyre familjeve që na dhanë bukë.

Ymer Domi ; “ Le të shkruhet ç’fardo,por e them me bindje se Muharrem bajraktari po të donte e shpartallonte Brigadën Partizane të Lumës.Po si nacionalist e bir i krahinës,s’e bëri.Planet e tij vështronin larg.Synonte të dilte para popullit një politikan opozitar i papërlyer në krahasim me figurat e tjera në Veri.Ai çmoi dhe i dha luftësantifashiste,por i mbahej devizës që krahina të mos dëmtohej nga avanturizmi ushtarak.Kur i thash se nuk bënë mirë që refuzon bashkëpunimin tonë ,ai foli me qetësi ; “Ju nuk dini me ba politik.Imbahem pikpamjes se nuk lidhem me nacionalçlirimtarët sepse jan nën nfluencën e komunistëve sllavë dhe rusë.Sot luftohet për çlirim e jo për komunizëm.Të bëhesh ortak me komunistët don të thotë të mos i lesh vend politikës nacionale,vijës së aksionit për çështjen kombëtare.Regjimi pas lufte le ta vendosë populli me zgjedhje të lira “.

Buzmadhi njihej si fshat fetar me doke të rrepta,me tradita lufte,i vuajtur,ç’ishte ai për Brigadën e V-të partizane ‘ mos vallë një fshat i huaj !?.Si Lumjan ndjeva keqardhje,e ndërmjet 5-6 katundeve u bë kokë turku.Buzëmadhi u vu mes korrenteve që e dogjën me koka njerëzish “.

Tashmë që pendesa e këtyre partizanëve të thjeshtë,është tejet e dukshme dhe publike,gati të revolton qëndrimi kriminal i atyre që ishin dhe mbetën ende,fajtorë kryesorë të kësaj masakre.Shefqet Peçi,jo vetëm nuk kërkoi falje e pendesë për masakrën në Buzmadh,por edhe mbushi gjoksin me dekorata.Natyrisht dihet që ato dekorata janë dekorata krimi e turpi që ia fali Enveri,Tito,Stalini apo Koxi Xoxe.Pra është pak të thuash se ato janë dekorata krimi e turpi.Për më tej,shqiptarët shohin se si kriminelët jo vetëm nuk pendohen dhe heshtin,por ngrenë edhe zërin e tyre makabër,duke dashur të mbjellin sa më shumë errësirë mbi rrethanat në të cilat dikur patën kryer këto krime.Kështu,në vitin, 1994,kur një grup intelektualësh në Titanë,kanë kërkuar prej organeve kompetente të drejtësisë,që të gjykohej për krimet e tij,Shefqet Peçi,shoku i armëve të tij,një tjetër kriminel i quajtur Ramiz Alia,në mënyrë publike i del në mbrojtje bollshevikut internacionalist Peçi.Tekstualisht ai shprehej ;”Shefqet Peçi është vënë në shënjestër nga ballistët,sepse me urdhër të tij paskan qenë pushkatuar gjatë luftës në Kukës,disa bashkëpuntorë të Muharrem Bajrakatarit.Le të supozohet se ka ndodhur kështu,por mos vallë tërë lufta heroike e Shefqet Peçit kundër fashizmit duhen të hidhen posht për një episod të pasqaruar”.(Ramiz Alia , gazeta “Dita Informacion “ më 22 shtator 1994 , faqe 5 ).

Le të përpiqemi të spjegojmë disi,cinizmin e Ramiz Alisë i cili në mënyrë paradoksale ka qenë dikur edhe President i Shqipërisë diktatoriale.Së pari,ai i quan ballistë krejt ata intelektualë të Tiranës,të cilët as shanë,as fyen askend,por kërkuan vetëm që ngjarja e Buzmadhit të hetohej  dhe fajtorët të merrnin dënimin,konform ligjeve përkatës.Për kriminelin Alia,çdo njeri i cili kundër nacionalçlirimtarëve mesiguri është ballist  dhe me këta të fundit,ai nuk është pajtuar askurrë sepse ka qenë i pajtuar që në fillim të karierës së tij,tek Tito dhe Rankoviqi.

“Të supozojmë se ka ndodhur kështu “ – thotë krimineli Ali.Pra,ky njeri i kulisave,ky bashkëpuntor dinak i Enver Hoxhës,ky judë që u ngrit në karierë mbi gjakun e shokëve të vet,duke thënë “të supozojmë” në fakt kërkon të mohojë masakrën komuniste të Buzmadhit.Ai e di shum mirë ç’far ka ndodhur atje në shtatorin e vitit 1944,ngase brigada e V-të sulmuese ka qenë e inkuadruar në Divizionin e Parë Sulmues,ku ky bastard ka patur detyrën e Komisarit të Divizionit.Edhe nëse nuk  e ka mësuar asaj kohe,(sepse ishte në kosovë dhe vriste e priste shqiptarëte  kosovës me urdhër e diktat të  Titos,për ta nënshtruar Kosovën Jugosllavisë titiste e serbisë) ai ka qenë në Plenumin e Beratit ku klika komuniste e ka analizuar Buzmadhin.Tek e mbramja,kur Alia mbeti diktatori i fundit i Shqipërisë komuniste,kur ka firmosur deklaratën për të drejtat e njeriut,ai vetë i pari është dashur ti dënojë krimet e komunistëve shqiptarë si gjatë luftës edhe më tej në vitet e diktaturës.

  Demokracia shqiptare është vërtet e brishtë dhe kërkon kohë të dimensionojë vlerat e saj.Por nëse kërkon të ecë përpara,të rrok krejt aspektet e jetës shqiptare,kjo demokraci doemos duhet të dënojë krimin pamvarsisht se kur ka ndodhur ai.Ende sot në fshatin Buzmadh të Kukësit janë 21 vare të njerëzve të pafajshëm.Nëse të afërmit e tyre u kanë bërë ndonjë varr të thjeshtë dhe kan mbjell ndonjë lule,demokracia shqiptare në mënyrë tarnsparente dhe krejt ligjore duhet të rivlersojë ate gjak të pafajshëm,të derdhur,ngase një krim i fshehur, rënkon në shekuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat