Çfarë ka ndodhur më 1 tetor?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 1 tetor?

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 06:15
Ilustrim

1 Tetor 1949 – Themelohet Republika Popullore e Kinës

Mao Ce Duni, arriti në mënyrë të pashpjegueshme një orë para kohe para portës së kuqe, në hyrje të pallatit 500-vjeçar të perandorëve të Kinës. Ai kishte zgjedhur një simbol të fuqisë së lashtë, për të shpallur Kinën e re. Jashtë, në Sheshin Tiananmen, 300.000 mijë njerëz ishin mbledhur për të parë njeriun që pas 2 dekada luftimesh, arriti të mposhtë forcat nacionaliste të gjeneralit Chiang Kai-Shek, të mbështetura nga SHBA-ja.

“Është themeluar qeveria qëndrore e Republikës Popullore të Kinës!”– deklaroi Mao, ndërsa turma filloi të brohoriste emrin e tij. Mao shpalli krijimin e një “diktature demokratike të popullit”. Njerëzit u përcaktuan si një koalicion i përbërë nga 4 klasa sociale:punëtorët, fshatarët, borgjezia e vogël dhe kapitalistët kombëtarë.

Të katër klasat do të udhëhiqeshin nga Partia Komuniste e Kinës, si pararoja e klasës punëtore. Në atë kohë, PKK pretendonte se kishte 4.5 milionë anëtarë, nga të cilat ata me origjinë fshatare llogariteshin në gati 90 përqind. Shteti i madh komunist fqinj, Bashkimi Sovjetik, e njohu Republikën Popullore që të nesërmen, më 2 tetor.

Në shkurtin e vitit 1950, pas disa muaj bisedimesh të vështira, Kina dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan Traktatin e Miqësisë, Aleancës dhe Ndihmës së Ndërsjelltë, e vlefshme deri në vitin 1980. Pakti synonte gjithashtu të kundërshtonte Japoninë, ose ndonjë fuqi tjetër pushtet që të bashkohej me Japoninë për qëllime agresioni.

1 tetor 1943 – Qyteti i Napolit në Itali, çlirohet nga pushtimi gjerman nga ana e forcave aleate

Më 1 tetor, në orën 9:30 të mëngjesit tanket e para të ushtrisë aleate hynë në qytet, ndërsa në fund të asaj dite, komanda gjermane në Itali, sipas vetë Marshallit Albert Kesselring, e konsideronte tërheqjen të përfunduar me sukses. Pasojat e luftimeve të tmerrshme 4-ditore për marrjen e Napolit nuk janë shumë të qarta sa i përket shifrave. Sipas disa historianëve, në 76 orë në luftime, u vranë 170 mbështetës dhe 150 qytetarë të paarmatosur, ndërsa sipas burimeve të tjera pati gjithësej 562 të vrarë nga të dyja paët.

Çlirimi i Napolit, siguroi një pengesë natyrore, duke garantuar gjithë Pllajën e Kampanjës dhe fushat ajrore jetike për të shmangur kundërsulmet e nazistëve. Ndërkohë Ushtria e Tetë Britanike, kishte përparuar në një linjë nga Larino në Campobasso. E gjithë Italia jugore, ndodhej tashmë në duart e aleatëve, dhe mund të niste marshimi drejt veriut.

1 Tetor 1946 – Nurenberg, 12 ish-zyrtarë nazistë dënohen me vdekje për krime lufte

Dymbëdhjetë nazistë të rangut të lartë, dënohen me vdekje nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Nurenberg, duke përfshirë Joachim von Ribbentrop, ministrin nazist të Punëve të Jashtme; Hermann Goering, themeluesi i Gestapos dhe shef i Forcave Ajrore Gjermane dhe Wilhelm Frick, ministër i Brendshëm. Ndërkohë shtatë të tjerë, mes të cilëve Rudolf Hess, ish-zëvendësi i Adolf Hitlerit, u dënuan nga 10 vjet në burgim të përjetshëm. Tre të tjerë u liruan.

1 Tetor 1910 – Godina e gazetës amerikane “Los Angeles Times”, bëhet objekt i një sulmi me dinamit, që shkaktoi vdekjen e 21 personave. Pas këtij akti, mendohej se qëndronin drejtuesit e sindikatave, për shkak të luftës së vazhdueshme mes botuesit të gazetës dhe sindikatave lokale.

1 Tetor 1937 – Kongresi Amerikan miratoi Aktin e Taksimit të Marijuanës. Ky ligj çoi gradualisht në kriminalizimin e kultivimit, trafikimit apo përdorimit të kanabisit. Ai përcaktonte se kjo bimë nuk mund të shitej pa licencë, ndërsa këto të fundit nuk u dhanë asnjëherë.

1 Tetor 1936 – Gjenerali spanjoll Francisco Franco, emërohet kreu i qeverisë nacionaliste rebele në Spanjë.

1 Tetor 1814- Çel punimet Kongresi i Vjenës, që do të rishohë hartën politike të Evropës, pas disfatës së ushtrisë së perandorit francez Napoleon Bonapart.

1 Tetor 1918 – Forcat arabe dhe britanike, të komanduara nga Lorenci i Arabisë mposhtin forcat osmane, dhe vënë nën kontroll Damaskun.

1 Tetor 331 P.E.S– Aleksandri i Madh, shkatërron ushtrinë persiane të mbretit Darius III në Gaugamela.

1 Tetor 1827 – Ushtria ruse, e drejtuar nga gjenerali Ivan Pashkeviç sulmoi Jerevanin, duke i dhënë fund një dominimit 1000-vjeçar mysliman të Armenisë.

1 Tetor 1957 – “Në zot ne besojmë!”, vendoset në kartmonedhën amerikane të dollarit, si një akt për të dalluar SHBA-në nga Bashkimi Sovjetik, që zyrtarisht ishte një shtet ateist. Kjo moto, është shfaqur në kohë të ndryshme që nga viti 1864.

1 Tetor 1974 – Pesë ndihmës të ish-presidentit amerikan Richard Nixon, Kenneth Parkinson, Robert Mardian, H. Haldeman, John Ehrlichman dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, John Mitchell, dalin në gjyq për komplot me qëllim pengimin e hetimeve mbi skandalin Watergate.

1 Tetor 1979- Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i rrikthejnë Panamasë sovranitetin mbi Kanalin e Panamasë.

1 Tetor 1991– Ushtria jugosllave, fillon rrethimin e qytetit të Dubrovnikut në Luftën Kroate për Pavarësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat