Çfarë ka ndodhur më 5 tetor?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 5 tetor?

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 06:25
Dalai Lama, fiton Çmimin Nobel për Paqe

5 Tetor 2011 – Vdes themeluesi i “Apple”, Steve Jobs

Steve Jobs, bashkëthemeluesi vizionar i “Apple Inc”, që revolucionarizoi industritë kompjuterike, muzikore dhe të komunikimeve mobile me pajisje si Macintosh, iPod, iPhone dhe iPad, vdiq në moshën 56 vjeçare pas komplikacioneve të shkaktuara nga kanceri në pankreas. I lindur më 24 shkurt 1955 në San Francisko të Kalifornisë, nga çifti i studentëve Joanne Schieble dhe Abdulfattah Jandali, ky një emigrant sirian, Jobs i jepet për adoptim

Paul Jobs, një punonjës në Silicon Valley dhe gruas së tij Clara.

Pas diplomimit në shkollën e mesme në Cupertino të Kalifornisë në vitin 1972, Jobs ndoqi shkollën Reed College në Portland, Oregon, vetëm për një semester, ndërsë më pas udhëtoi për në Indi dhe studioi Budizmin. Në vitin 1976, ai dhe shoku i tij inxhinier kompjuterik Stephen Wozniak, themeluan “Apple Computer” në garazhin e prindërve të Jobs-it në Los Altos të Kalifornisë.

Në vitin 1977, Jobs dhe Wozniak prodhuan Apple II, kompjuterin e parë personal që u bë tejet popullor. Në vitin 1980, Apple filloi të shitet masivisht tek blerësit e zakonshëm, dhe Jobs u bë një multimilioner. Katër vjet më vonë, Apple promovoi Macintosh, një nga kompjuterat e parë personalë, që i lejonte njerëzit të lundronin duke klikuar një ‘mouse’ në vend se të shtypnin komanda në tastierë.

Në vitin 1985, Jobs u largua nga kompania pas një debati të ashpër me bordin e drejtorëve të “Apple”. Po atë vit, ai krijoi NeXT, një biznes që zhvillonte kompjutera me performancë të lartë.

Në vitin 1997 rrikthehet në drejtimin e “Apple’, dhe nën udhëheqjen e tij kompania gati e falimentuar, u shndërrua në një nga korporatat më të pasura të planetit.

Një përsonazh karizmatik, maniak i perfeksionizmit, Jobs thuhej se zotëronte aftësinë për të gjetur me intuitë atë që klientët dëshironin para se ta dinin vetë. Kështu “Apple: prezantoi një seri pajisjesh novatore dixhitale, duke përfshirë iPod-in portativ për të dëgjuar muzikë në 2001, iPhone në 2007 dhe kompjuterin tablet në vitin 2010, që u bënë pjesë e jetës së përditshme moderne.

5 Tetor 1986 – Shpërthen skandali Iran-Contra

Eugene Hasenfus, kapet nga trupat e regjimit Sandinist në Nikaragua, pasi avioni me të cilin po udhëtonte rrëzohet. Gjatë marrjes në pyetje, Hasenfus pranoi se po dërgonte furnizime ushtarake në Nikaragua për t’u përdororur nga Contras, një forcë anti-Sandiniste që ishte krijuar dhe financuar nga Shtetet e Bashkuara. Ai pohoi se operacioni drejtohej nga Agjencia Qëndrore amerikane e Inteligjencës (CIA).

Kjo dëshmi shkaktoi një tërmet politik në Shtetet e Bashkuara. Kongresi pretendoi se ky aktivitet i fshehtë, kishte shkelur hapur Amendamentin Boland të vitit 1984, që ndalonte në mënyrë specifike CIA-n apo çdo agjenci tjetër të SHBA-së të mbështeste Contras. Skandali tronditi administratën e presidentit Ronald Reagan, dhe besimin e publikut tek qeveria amerikane; 11 anëtarë të administratës u dënuan për një sërë akuzash lidhur me skandalin. Hasenfus u gjykua dhe u dënua me 30 vjet burg nga një gjykatë e Nikaraguas, por u lirua vetëm pak javë më vonë.

5 Tetor 1989 – Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, fiton Çmimin Nobel për Paqe

Dalai Lama, udhëheqësi fetar dhe politik i Tibetit, merr Çmimin Nobel për Paqe në shenjë mirënjohje ndaj fushatës paqësore për t’i dhënë fund dominimit kinez të Tibetit. Për vite me rradhë Dalai Lama udhëtoi nëpër botë, duke tërhequr me sukses vëmendjen ndërkombëtare ndaj represionit së vazhdueshëm kinez mbi popullit tibetian dhe fesë së tij.

Tibeti vazhdoi të vuante nga trazirat periodike gjatë viteve 1990, dhe Kina u kritikua nga qeveritë perëndimore për shtypjen e lirive politike dhe fetare atje. Që atëherë, Pekini ka bërë përpjekje për të moderuar qëndrimin e tij ndaj ndaj rajonit, por Tibeti ende sot nuk mundet të vetëqeverisë.

5 Tetor 2000 – Serbi, rrëzohet nga pushteti Sllobodan Milosheviç

Përkrahësit e opozitës, sulmojnë parlamentin jugosllav në Beograd, duke shpallur Vojisllav Koshtunicën si presidentin e ri të federatës. Demontrata erdhi pas refuzimi të Millosheviçit për të njohur fitoren e zgjedhjeve nga opozita në raundin e parë. Pas këtij akti, Milosheviçi dha dorëheqjen, ndërsa pak ditë më vonë arrestohet dhe ekstradohet në Hagë, ku do të gjykohet për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

5 Tetor 1954 – Jugosllavia dhe Italia i japin fund mosmarrëveshjeve së tyre të ashpra 9 vjeçare mbi territorin e lirë të Triestes, dhe bien dakord ta ndajnë atë mes tyre. Italia mori kontrollin e portit të Triestës, ndërsa Jugosllavia mbajti zonën që kishte pushtuar në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

5 Tetor 1986 – Gazeta britanike “The Sunday Times”, tregon historinë e ish-teknikut bërthamor izraelit, Mordechai Vanunu, që zbuloi në një intervistë sekretet e arsenalit bërthamor të vendit të tij, që përfshinte mbi 100 mbushje bërthamore. Pak më vonë Vanunu u rrëmbye në Romë nga agjentët izraelitë të Mosadit dhe u dërgua në Izrael, ku u dënua me 18 vjet burg për tradhëti kombëtare dhe spiunazh.

5 Tetor 1948 – Një tërmet me magnitudë 7.3 goditi qytetin e Ashgabatit dhe fshatrat përreth në Turkmenistan, duke rrafshuar të gjitha ndërtesat, dhe shkaktuar vdekjen e më shumë se 100.000 njerëzve.

5 Tetor 1994 – Dyzet e tetë anëtarë të Urdhërit të Traditës Diellore, një sekt në Zvicër, kryen vetëvrasje kolektive, për të shpëtuar nga  hipokrizitë dhe represionet e kësaj bote.

5 Tetor 1762 – Flota britanike bombardon dhe më pas pushton kryeqytetin e Filipineve, Manilën, që deri atëherë ishte koloni e spanjollëve.

5 Tetor 1915 – Gjermania i kërkon ndjesë Shteteve të Bashkuara, dhe premton dëmshpërblim për familjarët e 128 amerikanëve të vdekur gjatë fundosjes së anijes britanike “Lusitania”, nga nëndetëset gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore.

5 Tetor 1938 – Gjermania zhvlerëson pasaportat e hebrenjve.

5 Tetor 1966 – Një mosfunksionim i sistemit të ftohjes së sodiumit, shkakton një shkrirje të pjesshme të bërthamës në reaktorin nuklear “Enrico Fermi” pranë Detroitit në SHBA. Fatmirësisht, rrezatimi ishte i kufizuar.

5 Tetor 1968 – Policia sulmoi demonstruesit e të drejtave civile në Derry të Irlandës së Veriut, ngjarje që konsiderohet si fillimi i “Trazirave” mes protestantëve dhe katolikëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat