Fjala e parë e Ramiz Alisë pas rënies së murit të Berlinit: Nuk ndryshojmë, të shtojmë propagandën e forcojmë partinë - Bota Sot
Fjala e parë e Ramiz Alisë pas rënies së murit të Berlinit: Nuk ndryshojmë, të shtojmë propagandën e forcojmë partinë

Historia

Fjala e parë e Ramiz Alisë pas rënies së murit të Berlinit: Nuk ndryshojmë, të shtojmë propagandën e forcojmë partinë

Nga: Kastriot Dervishi Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 06:17
Muri i Berlinit 1961-1989 – Fëmijët pranë Murit

Partia e Punës i ndiqte me shqetësim zhvillimet në Lindjen e Europës, aty ku faktori Regan e më pas Bush kishin nisur rrëzimin e regjimeve komuniste, dikur satelite të Moskës.

Pavarësisht zhvillimeve, komunistët e Shqipërisë mendonin se do ta shpëtonin regjimin e tyre të terrorit duke e mbajtur shpresën te indoktrinimi i thellë politik e propagandistik ku kishin katandisur popullin shqiptar, të cilin e kithin kthyer në një qenie pa asnjë lloj dinjiteti, të uritur, rreckosur dhe deformuar krejtësisht.

Për ngjarjet në Berlin, fjalimi i parë i Ramiz Alisë është ai i datës 25 nëntor 1989 me sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Hekuran Isai, Lenka Çuko dhe Foto Çamin.

Image
Ramiz Alia

Fjalimin e nisi me atë që ai e quante “luftë kundër revizionizmit”. Bie në sy fakti se Alia kërkon t’i përballojë ndryshimet me rritje të propagandës.

Image
Faksimile e mbledhjes 25 nëntor 1989

Mbledhje sekretarëve të KQ, 25 nëntor 1989 (ekstrakt)

Ramiz Alia: Lufta ideologjike kundër revizionizmit ka zënë kurdoherë një vend të rëndësishëm në propagandën tonë, por sot, kur kanë ndodhur ndryshime të dukshme në situatën ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Lindjes Europiane, ajo duhet të bëhet më e mprehtë. Ngjarjet në Europën Lindore flasin qartë për degjenerimin e plotë politik, ideologjik, ekonomik e moral të revizionizmit në këto vende. Këtë degjenerim, borgjezia ndërkombëtare dhe reaksioni, të cilët kanë qëllim të diskreditojnë socializmin e ideologjinë e tij, të largojnë nga revolucioni proletariatin dhe të përjetësojnë rendin kapitalist, e paraqitën si dështim të socializmit dhe e trumbetojnë nëpërmjet mjeteve të informacionit. Në këto kushte propaganda jonë duhet të intensifikohet, duke iu kundërvënë me vendosmëri e me argumente të forta borgjezisë, të konfirmojmë që në këto vende nuk dështoi socializmi, por revizionizmi, të shpjegojnë që sa ka shtypje e shfrytëzim, do të ketë revolucion e komunizëm. Detyra jonë është të shikojmë pozitën tonë ndaj demokracisë, ndaj mendimit të masave, ruajtjes së interesave të shoqërisë, të grupi e të individit, respektimit të të drejtave të tij, nëse kemi këtu ndonjë gjë për të përmirësuar apo jo; të forcojmë përditë demokracinë tonë socialiste, rolin e masave dhe të individit; të zhvillojmë përditë luftën kundër burokratizmit. Në qoftë se nuk do të veprojmë kështu, bëjmë gabim të madh, sepse kufizojmë forcën e partisë në një grup njerëzish. Kurse forca e partisë është dhe duhet të jetë te populli, te masat punonjëse….Ne nuk kopjojmë nga të tjerët dhe për këtë u futë, më luftë me të gjithë revizionistët që u larguan nga rruga socialiste, që braktisën marksizëm-leninizmin. Ndryshimet që kemi bërë I kanë haopur rrugë zhvillimit ekonomik, politik, ideologjik e social të vendi, kanë qenë të dobishëm për popullin e socializmin.

Hekuran Isai: Partia nuk ka lënë të akumulohen problemet më shqetësuese.

Ramiz Alia: Problemet që kanë lindur, partia u ka dhënë në kohë zgjedhje racionale, duke çuar përpara ndërtimin e socializmit në vend, dhe në plenumin e 8-të të KQ të Partisë (25-26 shtator 1989-shënim) ne theksuam se vendi ynë do të vazhdojë të ecë i patundur në rrugën socialiste, do të zbatojë me besnikëri marksizëm-leninizmin, mësimet e partisë e të shokut Enver.

Lenka Çuko: Të tjerët janë të bindur që Shqipëria socialiste nuk ndryshon, nuk largohet nga rruga socialiste.

Ramiz Alia: Po, se e shikojnë që situata në vendin tonë është ndryshe nga situata në vendet e Lindjes dhe të marrim masa për të forcuar partinë, rolin e saj udhëheqës, për të forcuar pushtetin popullor e demokracinë socialiste, duke thelluar luftën kundër burokratizimit, për të rritur efektivitetin e ekonomisë…Prandaj, Foto, është detyrë e domosdoshme të zbërthehen tezat më themelore të luftës që ka bërë partia jonë kundër revizionizmit me institucionet më të rëndësishme të shtypit e të propagandës. Propaganda jonë duhet t’u përgjigjet me shkathtësi dhe zgjuarsi fushatës së tërbuar që ka ndërmarrë borgjezia dhe reaksioni ndërkombëtar kundër socializmit. Ne duhet të jemi në pozita sulmuese për të mbrojtur pozitat tona, për të propaganduar vijën tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat