Blendi Fevziu rrëfen heroin e tij: Kush ishte Iljaz Toptani, aventurieri që u martua 6 herë. Përplasja me Zogun e lidhja me yllin e kinemasë

Historia

Blendi Fevziu rrëfen heroin e tij: Kush ishte Iljaz Toptani, aventurieri që u martua 6 herë. Përplasja me Zogun e lidhja me yllin e kinemasë

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 22:35
Foto ilustrim

Iljaz Toptani ishte pa dyshim aventurieri më i madh shqiptar i kohës së vet. Shkonte e vinte jashtë shtetit, atje ku e çonte udha: në Paris, në Johanesburg, në Nju Jork, në Argjentinë, në Spanjë. Iljaz Toptani, vëllai i stërgjyshe Nonës, kishte “zemër të dobët” karshi femrave dhe ishte një njeri që kishte lindur për të shijuar jetën. Në librin e tij “Tirana e Nonës”, botim i UET Press, Blendi Fevziu tregon për burrin më “misterioz” të familjes Toptani, i cili jetoi si deshi dhe vdiq si konti Don Hoze Maria Toptani, që ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare.

Image

 

BLENDI FEVZIU

ILJAZ TOPTANI, HEROI I FËMIJËRISË ..Ai nuk vinte kurrë me valixhe. Nuk e kishin parë asnjëherë si të gjithë udhëtarët e tjerë. E vetmja gjë që mbante ishte një çantë e vogël, ku vendoste veglat e rrojës dhe furçën e dhëmbëve. Shfaqej te porta po aq papritur, pa telegram, pa njoftim. Shtynte derën e jashtme, ngjiste shkallët dhe bërtiste që poshtë:

Image
ILJAZ TOPTANI, NË FUND TË VITEVE ‘20, NË AFRIKËN E JUGUT

– Nigjar, të erdhi Iljazi! Nona nuk e kuptonte pse fliste në vetën e tretë, por e dinte që ai e përsëriste thirrjen edhe disa herë.

– Nigjar, të erdhi vëllai! Ishin të vetmet fjalë që lëshonte, pavarësisht se kur pati ikur dhe sa vite kishte pa u kthyer në Shqipëri. Ikte po kaq çuditshëm. Një mëngjes, ngrihej më herët dhe me çantën e vogël të veglave të rrojës dhe furçën e dhëmbëve, thoshte vetëm një frazë:

– Nigjar, po iki!

Askush nuk guxonte ta pyeste ku po shkonte, kur do të kthehej dhe a do të kthehej më. Druaj nëse edhe ai e dinte tamam këtë. Ishte udhëtari tipik, një aventurier par excellence. Nisej pa e ditur as vetë për ku, por me bindjen absolute se bota ishte e tij. Dhe siç e kuptova më pas, ishte vërtet një qytetar i botës. Iljazi ishte personazhi më i veçantë në familje dhe i vetmi që nuk mungonte kurrë në biseda. Me një përzierje ndjenjash, ku bashkohej mëria për sjelljen dhe shpërfilljen e tij, me mallin që provonte e motra, apo i nipi, daja. Ky i fundit, që veç Refik Beut nuk pranonte askënd, dukej hapur që e simpatizonte Iljazin, megjithëse vetë nuk kishte asnjë fije prej aventurieri. Nona e përmendte rrallë, ndërsa teta Meti mahnitej pas tij. Bibia, sa herë që e pyesja, qeshte me të madhe dhe nuk harronte të thoshte:

– Ditëziu, ai bënte jetë! Ai dhe Ihsani qenë dy aventurierët më të mëdhenj të Tiranës. Pastaj shtonte:

– Nuk i zuri komunizmi këtu, se kushedi ç’aventura do të kishin bërë! Ihsan Toptani ishte djali i dajës i Bibisë, i biri i Abdi Toptanit. Ishte larguar herët për studime në Londër dhe kur u kthye në Shqipëri, në prag të luftës, u përzje në lëvizjen e rezistencës. Në shtëpinë e tij u bë takimi i parë mes partizanëve dhe ballistëve, që u finalizua në Mukje. Ai ishte ndërmjetësi. Ndihmoi sa mundi misionin britanik në 

Shqipëri. Në 1944-n, kur komunistët morën pushtetin, pavarësisht marrëdhënieve të mira me ta, u largua. U vendos në Londër, ku u bë gazetar i BBC-së dhe themelues i seksionit shqip. Për shumë vite shëtiste bashkë më Iljazin nëpër Europë me një rulot dhe takonin miqtë e vjetër. Në 1994-n u kthye në Shqipëri, ku u takua sërish me Bibinë pas plot 50 vitesh. Vdiq në vitin 2001 në Londër, pasi më dha një intervistë fantastike për revistën “Klan”. Amaneti i vetëm që la ishte që trupin t’ia digjnin dhe hirin t’ia shpërndanin në Malin e Dajtit. T’ia hidhnin prej aty drejt Tiranës, kur të ishte duke lindur dielli. Ia plotësuan amanetin. Nuk e di sa aventurier ishte Ihsani, por pa dyshim që me Iljaz Toptanin nuk kishte fare të krahasuar. Iljazi ishte djali i Refik bej Toptanit dhe vëllai i dytë i Nonës. Kishte lindur në vitin 1907 në Tiranë dhe ashtu si Ganimeti e Ibrahimi, s’e njohu kurrë nënën e tij, Adivijen. Mungesa e nënës dhe fjalët se shkaku i largimit të saj ishte i ati, e futën herët në një lloj mërie me të. Siç tregonte Nona, Iljazi nuk e duronte dot të atin, por as ky të birin. Marrëdhënia ishte aq e ftohtë, sa Refik Beu vendosi ta niste në Francë ende fëmijë për të vijuar studimet. Ai ishte 11 vjeç, kur hipi në anije dhe u nis drejt Parisit të sapodalë nga Lufta e Parë Botërore. Nuk dihet fare se çfarë bëri atje dhe me se u mor. Në shtëpi vinin pak ose aspak lajme prej tij, derisa një ditë, 19-vjeçar, u shfaq në Tiranë i shoqëruar nga një franceze, një vit më e vogël, e cila, siç thoshte, ishte gruaja e tij e ardhshme. Francezja qe hebreje dhe mbeti e befasuar nga mungesa e zhvillimit në Shqipëri. Akoma më shumë nga mëria e të vjehrrit të ardhshëm, që nuk e mendonte dot djalin të martuar me një të huaj, së cilës nuk ia njihte familjen askush. Duke parë indiferencën e të atit, ai trokiti vetë në derën e Presidentit të kohës, Ahmet Zogut, që ishte 31 vjeç dhe i kërkoi punë. As Zogu nuk e mori seriozisht. Duhet të ketë qenë kjo koha, kur mërinë ndaj të atit, Iljazi e shndërroi në mëri ndaj vendit të tij.

90 vite më pas, kur u ula në kafe me vajzën e tij, që askush nuk e dinte që ekzistonte, më rrëfeu se për aq pak kohë sa ndenji me të atin, ai i dha vetëm një porosi:

-Mos shko kurrë në Shqipëri, as mos e mendo atë. Madje, mos e kthe as kokën edhe po i kalove pranë!

Por Iljazi nuk dukej se e kishte varur shpresën as te Zogu e as tek i ati. Një ditë i hyri Refik Beut në dhomë dhe iu drejtua në atë mënyrë që nuk i ishte drejtuar askush. I kërkoi pjesën e tij të pasurisë, sepse tani ishte i rritur dhe do të bënte çfarë të donte me të. Grindja me të atin duhet të ketë qenë e ashpër, sepse, siç rrëfente Nona, 

shtëpia e madhe me 20 dhoma gjëmoi nga britmat e të dyve. Gratë u tulatën në korridor, ndërsa francezja, që kishte ardhur me të nga Parisi, mbeti si statujë në mes të sallës, duke mërmëritur me zë të ulët:

– Mon Dieu, mon Dieu!

Iljazi doli nga dhoma me zërin e ngjirur, pa marrë dot pjesën e tij të pasurisë, që i ati i tha se do ta kishte vetëm kur të vdiste ai, por me një premtim. Refik Beu do t’i jepte shpenzimet e udhëtimit për të ikur nga Shqipëria dhe një sasi parash për të jetuar 5-6 muaj diku në Europë. Madje, i sugjeroi të kthehej pas në Francë ose në Vjenë. Si t’ia bënte për inat, djali i tha se do të nisej për Johanesburg, një qytet që i ati me siguri s’e kishte dëgjuar kurrë dhe që më pas, kur e gjeti në atlas, u tmerrua që ishte në Afrikë, madje në skajin më jugor të saj. Iljazi u nis vërtet. Pas disa muajsh qëndrimi në Shqipëri, me disa para në xhep dhe me francezen në krah, mori anijen për në Bari duke mallkuar vendin ku kishte lindur dhe babanë, me të cilin nuk kuptohej dot. Siç ndodhi edhe herën e parë, lidhjet me Iljazin humbën derisa dy vjet më pas, në shtëpinë e Nonës mbërriti një zarf me pullë postare dhe vulë të çuditshme, që mbante adresën Cape Toun, South Africa. Brenda saj ishin disa foto të Iljazit, i veshur si kalorës, majë një kali të bukur dhe një letër, ku fare shkurt njoftonte se jetonte në Afrikë, kishte gjetur atje shpirtin e tij binjak dhe se nuk kthehej më në Shqipëri. Imagjinoni se si mund të jetë dukur fjala Afrikë në Shqipërinë e vitit 1928. Kur Refik Beu e mori vesh, u ngrys edhe më shumë.

Teksa po shkruaja librin dhe nisa të kujtoj bisedat e Nonës për Iljazin apo edhe të dajë Aliut për të, pata bindjen se thellëthellë, më shumë sesa mëri, Refik Beu kishte xhelozi për djalin e tij. Ai qe një aventurier i madh në rininë e tij. Kishte bredhur mes Kaukazit e Stambollit, mes Arabisë dhe Parisit, por nuk kishte guxuar kurrë të shkonte kaq larg. I biri kishte kaluar Tropikun dhe e bëri këtë pa pyetur për paratë dhe fuqinë e tij. Në kontrast me heshtjen e gjatë të mëparshme, një muaj më vonë erdhi një letër e dytë. Në të Iljazi njoftonte fejesën me një vajzë afrikano-jugore me origjinë holandeze, që quhej Gulda. Madje, i ftonte edhe formalisht në ceremoni. Asnjë fjalë për francezen që çoi në Tiranë, emrin e së cilës, kur pyesja më pas, nuk e kujtonte askush. Vetëm sytë e trembur, që, siç thoshte Nona, zmadhoheshin edhe 

më shumë, ndërsa hynte në thellësi të punëve të shqiptarëve. Nuk dihej se çfarë ndodhi mes të dyve, por kjo nuk do të ishte lidhja e vetme e prishur e Iljaz Toptanit. Ai do të martohej se paku edhe nja gjashtë herë të tjera. Këtë ma rrëfente në konfidencë vajza e tij, kur e takova në Paris, në mars 2018, dhe kur pa habinë time, shtoi qetë:

– Unë jam martuar për vete shtatë herë, një herë më shumë sesa babai. Ajo më rrëfeu detaje që as Nona, as dajë Aliu, as teta Meti e pa dyshim as Bibia, nuk i dinin. Dhe nuk kishin si t’i dinin. Gulda ishte vajza e vetme e një familjeje që posedonte një minierë diamantesh në Pretoria dhe aksione të rëndësishme në kompaninë “De Beers”. Ajo ishte bionde, e bukur dhe shumë e dashuruar me Iljazin, me të cilin ishin njohur ndërsa ndiqnin një kurs kalërimi në Johanesburg. Kalërimi ishte bërë pasioni më i madh i Iljazit. Shpejt, ai i kaloi instruktorët dhe fitoi disa gara në nivel kombëtar. Fama prej kampioni e mahniti vajzën dhe pas pak muajsh frekuentimi, shpalli fejesën në një festë, që siç rrëfente Izabela, vajza e tij, qe thjesht madhështore. Këtu Nona dhe teta Meti hynin sërish në lojë. Pak muaj më pas, në adresën e tyre, mbërriti një letër gjermanisht, me anë të së cilës Gulda i njoftonte me shumë afeksion se ishte fejuar me vëllanë e tyre, se kishin ndërmend të martoheshin shpejt dhe i ftonte në dasmë në Pretoria. Gulda, që nuk e njohën dhe nuk e panë kurrë, u bë nusja e preferuar në familje. Shumë më vonë, teta Meti i shkroi një letër në adresën e vjetër, duke i kërkuar disa penicilina, për të cilat kishte nevojë dhe që me siguri kushtonin shumë. Gulda ia nisi menjëherë, bashkë me një përgjigje, që e ruanim deri vonë në shtëpi. E njoftonte se ishte e lumtur që po e ndihmonte me diçka, që mund të shpëtonte një jetë, por se ajo dhe Iljazi ishin ndarë prej kohësh. Lajmi i ra mbi kokë Nonës dhe teta Metit. Iljazi u nda vërtet me Guldën pak vite më pas. Datat precize janë të vështira, por historinë e ndërtova duke bashkuar në pazëll rrëfimet e vajzës së tij franceze, Izabelës, me ato që kisha dëgjuar nga Nona dhe teta Meti. Pas dasmës në Johanesburg dhe një jete të lumtur, Iljazi dhe Gulda vendosën të largoheshin nga Afrika. Jo në Holandë, as në Francë, ku Iljazi kishte studiuar, por në Nju Jork. Nuk dihet se kush e nxiti këtë iniciativë, por ata u ngjitën në një anije, me të cilën lundruan deri në Antverp. Prej aty, pas disa muajsh udhëtimi nëpër Europë, nga Southemptoni, po me anije, u nisën për Nju Jork. Iljazi nuk rrëfeu për jetën e tij në Nju Jork. As për ndarjen me Guldën dhe as për martesën e dytë që pati atje. Madje, as për të tretën. Që nga ikja e parë, në 1928-n e deri më 1937-n, ai u kthye edhe dy herë të tjera në Shqipëri. Nuk shkeli më në shtëpinë e të atit, por vetëm te Nona. Flinte në po atë dhomë ku flija unë në fëmijëri dhe zakonisht e kalonte kohën duke luajtur me dajë Aliun. I merrte revistat me ilustrime italisht dhe i lexonte duke 

qeshur me zë të lartë. Qenë të vetmit libra që lexonte. Dilte rrallë, ishte arrogant me të tjerët dhe për shumicën e njerëzve që takonte, thoshte se ishin injorantë. Në kthimin e parë, në 1935-n, mori dajë Aliun për dore dhe e çoi në “Shkollën e Kuqe” për të nisur klasën e parë. Flinte gjatë dhe përtonte të bënte ndonjë punë. Në këtë kohë i doli nami si aventurier dhe disa herë e thirrën në Pallatin Mbretëror të kalëronte me princeshat. Zogun e urrente edhe më shumë pas një incidenti të dytë që pati me të, për të cilin do të shkruaj më vonë. Qëndronte në Tiranë disa muaj, pastaj zhdukej sërish, derisa një letër me pullë të çuditshme njoftonte se në cilin cep të botës ndodhej. Pas vdekjes së të atit shiti tokat, çdo gjë që kishte, madje edhe biçikletën që përdorte në Tiranë.

– Nuk dua të lë asnjë gjë në këtë vend, – i tha së motrës.

Nju Jorku nuk iu doli për mbarë Iljaz dhe Gulda Toptanit. Vite më vonë, teta Meti kishte takuar në Paris një amerikane, e cila duke mësuar mbiemrin e saj, e pyeti për Iljazin. E pati njohur në Nju Jork dhe, siç thoshte ajo, familja e gruas së tij, kishte diamantet më të famshme e më të bukura në qytet dhe të dy bashkë ishin bërë të njohur në rrethet e pasura të qytetit. Aty ku Iljazi nisi historinë e dashurisë me pinjollen e një familjeje të pasur kanadeze, që prodhonte makineri bujqësore, Massey. Gulda e mësoi lidhjen e tyre dhe pas një sherri të shpejtë u ndanë. Iljazi ishte martuar me kanadezen e re, për të cilën as Nona dhe as teta Meti nuk morën vesh gjë. Madje, as emrin e saj të saktë. Izabela, vajza e tij, më premtoi se do të bënte çfarë të ishte e mundur që të gjente diçka për të, por çdo kërkim rezultoi i pafrytshëm. Nuk di të them përse Iljazi nuk foli kurrë për të. As në kthimin e tij të parë në Shqipëri dhe as në atë tjetrin, të dytin. Duke mos folur për martesën, nuk foli as për ndarjen. Herën e parë u kthye pas thyerjes mes tij dhe kanadezes, ose në kushedi çfarë rrethanash, sepse malli ishte gjëja më e pamundur për të. Herën e dytë u kthye pas vdekjes së të atit, për të shitur tokat dhe pasuritë që i mbetën trashëgim. Pak kohë pasi gjendej në Tiranë i mbërriti një letër. Nuk vinte as nga Franca, as nga Afrika e Jugut dhe as nga Nju Jorku, por nga Meksiko, kryeqyteti i Meksikës. Dajë Aliu kujtonte se si ia tregonte me mburrje dhe tri ditë më pas, në mëngjes, kur u ngrit, e gjeti të veshur dhe të krehur:

– Po shkoj atje, – i tha, – më presin! Dhe ngriti letrën për t’u dukur më mirë pulla, ku qe shkruar “Mexico”. 

Iku vërtet po atë ditë. Herën e fundit ishte vonuar plot nëntë vjet nëpër botë, por herën e dytë vetëm dy. Më 1937-n u rikthye pas vdekjes së të atit për të shitur pasurinë e tij. Me vete kishte sjellë edhe një kostum fantastik kauboji për dajë Aliun dhe një kartolinë, ku kishte dalë vetë, mbi një kalë, me mbishkrimin Iljaz Toptani, trajner i ekipit olimpik të hipizmit të Meksikës. Këtë herë dukej më entuziast për Amerikën e Jugut. Dajës i tregoi se kishte jetuar në Meksiko City, më pas në Montevideo Uruguai, ku rastësisht, në hotelin më të mirë të qytetit, qe takuar me një shqiptar nga familja Alizoti, i cili kishte ardhur aty nga Stambolli. Pati vizituar Buenos Airesin, Santiagon dhe Panamanë, ku po ashtu gjeti një komunitet shqiptar, jo aq të madh sa ai i Argjentinës, por shumë solid.

Vite më vonë, kur isha në Buenos Aires, u mundova shumë të gjej një gjurmë të tij, por pleqtë me origjinë shqiptare nuk jetonin më, ndërsa të rinjtë nuk e kishin dëgjuar. Ndërkohë, në internet mund të qëmtosh aty-këtu informacione, që më shumë sesa me Iljazin, lidhen me martesën e tij të katërt dhe më të famshmen. Gjatë vizitës së tij, Mbreti Zog, që kishte mësuar për kthimin e tij, dërgoi një adjutant ta ftonte në Pallat. Iljazi ndenji shumë shkurt dhe kur qe kthyer ishte tejet i nervozuar. Siç tregonte Nona, gjatë kohës që rrinte në Meksikë si trajner hipizmi, kishte dhënë disa intervista, ku thoshte se ishte kushëri i Mbretit Zog, pra, rridhte nga një familje mbretërore. Zogut ia dërguan këtë intervistë dhe ai, tejet i nxehur, i dha një ultimatum:

– Mos guxo ta përsërisësh më kurrë këtë gjë, se do të gjesh belanë! Iljazi u largua gjithë mëri. Ishte takuar sërish me Zogun në Kanë të Francës, mbase 20 e ca vite më pas, në një vizitë kortezie, ku, siç shprehej e bija, asnjëri nga të dy nuk e përmendi atë bisedë. Asokohe, Zogu nuk ishte më mbret, ndërsa Iljazi mbante titullin Kont, që, sipas së bijës, ia dha Papa, edhe pse as ajo vetë nuk dinte të thoshte se për çfarë arsyeje. Me titullin Kont gjendet në të gjithë artikujt rreth tij, që dalin në internet. Madje, edhe në disa libra që ka botuar për hipizmin. Po këtë emër, Kont Toptani, mban edhe shala e kalit e krijuar prej tij, që tashmë është një patentë e njohur ndërkombëtare dhe që mund ta gjesh me një kërkim të thjeshtë në “Google”.

Image
Bashkëshortja e pestë franceze e Iljazit bashkë me vajzën e tyre, Izabela, në vitet ‘70

I mërzitur nga biseda me mbretin, po aq sa nga shuma jo e madhe që mblodhi nga shitja e pasurisë që i takonte nga i ati, Iljazi u ngrit një ditë më herët dhe njoftoi se do të ikte. Nuk e dinte as vetë se ku. Kësaj here kishte me vete një sasi të konsiderueshme parash dhe për herë të parë nuk hipi në vapor, por mori avionin e linjës Tiranë – Romë. Me sa tha, do të ndalonte ca kohë në Paris, prej nga do të nisej për në Nju Jork, Buenos Aires apo Kenia, ku thoshte se kishte shumë mundësi për biznes. Mori çantën e vogël të veglave të rrojës, i la dajë Aliut shishen e tij të kolonjës, dhe i tha Nonës po atë frazë.

Image
Aktorja argjentinase, Tilda Thamar, një nga gratë e Iljaz Toptanit

– Nigjar, po të ikën vëllai!

– Ishalla nuk vonon shumë, – i tha Nona. Daja ishte i bindur që do kthehej shpejt. Herën e fundit kishte ndenjur vetëm dy vjet jashtë.

– Kur të kthehesh, do t’i kem mësuar të gjitha kryeqytetet e botës, – i tha, duke tundur atlasin që zakonisht përdorte ai. Në dorën tjetër mbante shishen e kolonjës që i bëri dhuratë dhe që daja e përdori deri në fillim të viteve ’90, duke e mbushur me parfum me një kujdes të veçantë. Iljazi ngriti dorën lart për herë të fundit nga pajtoni që po e çonte në aeroport, në Laprakë. Nuk u kthye më kurrë. Dhe me përjashtim të Lisit, asnjë prej atë afërmve s’e pa më në jetë. Madje, u deshën disa vite derisa mësuan ku ishte dhe çfarë po ndodhte me të. Iljazi nuk dërgoi asnjë letër për së paku 8 vjet. Në vitin 1941, një shqiptar që vinte nga Argjentina, njoftoi familjen se herën e fundit e kishte parë në Buenos Aires, përpara se të nisej prej andej, në 1939-n. Ky ishte informacioni i vetëm në vitet e ngarkuara të luftës, derisa në 1947-n postieri trokiti në derën e Nonës me një letër prej tij. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Iljazi njoftonte se jetonte në Argjentinë, se ishte martuar me një artiste të famshme jo vetëm atje, por edhe në botë, të quajtur Tilda Thamar, 14 vjet më e re sesa ai. Kishte vënë një lloj pasurie pas investimit të parave të sjella nga Shqipëria. Në fund e pyeste se kush ishte gjallë dhe kush kishte vdekur në Shqipëri, si edhe çfarë kishte ngjarë gjatë luftës. Ishte hera e parë që bëhej kurioz për atë që ndodhte në Shqipëri. Pak javë më vonë mbërriti një letër e dytë, ku çuditërisht tallej me komunizmin dhe që i trembi të gjithë në familje. Në fund të letrës ishin edhe dy fraza frëngjisht nga gruaja e tij e re, e katërta, artistja, sipas tij, e famshme, Tilda Thamar. Tilda Thamar ishte vërtet një artiste e njohur në botë…. Shumë herë e mendoja martesën e saj me Iljazin si një trill shqiptarësh. Si një nga ato historitë që ne, dhe vendet e vogla në përgjithësi, i bëjmë të mëdha ose nga hiçi ose nga një detaj fare pa rëndësi. Por në biografinë e saj më të detajuar, martesa me kontin Iljaz Toptani përmendet e plotë. Madje, në disa gjuhë. Nuk arrita ta mësoj dhe askush nuk di ta thotë ku ishin njohur, si? Përse gruaja më e bukur e Argjentinës dhe një nga bukuritë e ekranit botëror zgjodhi të martohej me një burrë 14 vjet më të madh? Me një burrë që vinte nga një shtet që s’e njihte kush dhe që nuk kishte asnjë pasuri mbresëlënëse. Në biografinë e saj shkruhet se martesa ishte e shkurtër. Me gjasë ata erdhën bashkë në Francë, të përzënë nga Evita Peron. Por Franca ishte një botë tjetër, që e joshi Tilda Thamarin më shumë sesa burri që njohu në Buenos Aires dhe që i kishte kaluar të dyzetat ose Europa e ndolli Iljaz Toptanin në një tjetër aventurë, që nuk ia dinte askush dhe që unë e mora vesh, plot 70 vjet më pas. Në fund të viteve ’40, i ulur vetëm në restorantin e hotel “Royal”, në Evian, në kufirin mes Francës dhe Zvicrës, dalloi një grup njerëzish që hynë me zhurmë. Ishin të pasionuar pas makinave të epokës, që po bënin ato ditë një tur përmes Europës. Midis tyre një vajzë e re, bionde, shumë e ngjashme me Tilda Thamar dhe Guldenin, gruan e tij të dytë. Vështrimet e tyre u ndeshën dhe pak minuta më vonë, ai e ftoi në vallëzim. Të nesërmen, vajza e re nga Parisi, pinjolle e një familjeje të pasur dhe thuajse 20 vjet më e re se ai, nuk e vijoi turin më tej. Ajo qëndroi në Evian me Iljazin për 5 muaj. Deri ditën që ai e sqaroi se ishte ende i martuar me Tilda Thamar dhe me sa duket, ajo nuk ia fali. Iku në Paris. Pak kohë më vonë, i sapodivorcuar nga gruaja e katërt, Iljaz Toptani mbërriti në Paris, ku vajza e bukur që kishte njohur, ishte lidhur tashmë me një tjetër. Por jo vetëm kaq, ajo ishte bërë mamaja e një vajze, fryt i pasionit disamujor me Iljazin në Evian. Ishte fëmija i parë dhe i vetëm i tij në jetë. Nuk dihet se si reagoi ndaj gjendjes së re, por gruaja e bukur refuzoi ta braktiste të fejuarin e ri. Atëherë ata dolën të dy përpara noterit dhe ai i njohu vajzës atësinë. I dha mbiemrin Toptani dhe i transferoi titullin Kont. Askush nuk dinte gjë për vajzën e tij në Shqipëri. As Nona, as teta Meti, as njerëz që e kishin takuar nëpër botë. Siç e kam cekur dhe në fillim të librit, në tetor të vitit 2016, në dasmën e Princ Lekës në Pallatin Mbretëror në Tiranë, Skënder Zogu, nipi i mbretit, më tregoi se kishte takuar një konteshë Toptani, e cila e kishte pyetur për familjarët e saj. Duke bërë lidhjen me mua, më tha se ajo ishte diku rrotull dhe bëja mirë ta takoja e ta sqaroja. Nuk e takova dot. Por, ai më tha se vinte nga familja e Refik Toptanit dhe më dha numrin e saj. Kur fola me të dhe ajo më rrëfeu se ishte vajza e Iljazit, nuk po e besoja dot. Mendoja se kishte një ngatërresë, megjithëse ajo ngulmonte në faktin që Refik Toptani ishte gjyshi i saj. I binte që Nona të ishte halla e saj. E lamë të takoheshim në Paris. E pashë vërtet atje, dy vjet më pas. Pa e ditur që ajo do të sillte një ndryshim të madh dhe do të më shtynte për ta shkruar këtë libër. Quhej Kontesha Izabel Toptani, rreth të shtatëdhjetave. Banonte në qendër të Parisit, në “Avenue Kleber”.  

Kur e takova, siç e kam thënë edhe në fillim, pata një ngërç që s’do ta harroj kurrë. I ngjante aq shumë Nonës sa m’u duk sikur ajo ishte rikthyer në këtë botë për të më bërë një surprizë. Nuk flisja dot. Ca ditë më pas, kur i çova foton e fundit të Nonës, Izabela, u befasua më shumë sesa unë…

– Më la një amanet, – më tregoi ajo.

– Mos u kthe në Shqipëri! Më fliste keq për të atin dhe i vetmi person që më përmendi ishte Nigjari. Nuk donte të më tregonte as për motrat dhe as vëllezërit e tjerë. Ikte me muaj e nganjëherë me vite. Shkonte në Bashkimin Sovjetik, më pas në Indi. Pastaj kthehej sërish në Europë, për t’u takuar me pak miq që kishte nga Shqipëria.

– Unë besoj se ai ka qenë agjent i Shërbimit Britanik, – më tha Izabela me sytë që i ndrinin, – bashkë me Ihsan Toptanin. Ata udhëtonin të dy nëpër Europë. Në këto udhëtime, ai njohu gruan e gjashtë dhe të fundit zyrtare të jetës dhe e para moshatare me të. Një konteshë spanjolle, që jetonte në kështjellën e saj në Aviles të Spanjës. U martuan dhe diku në mes të viteve ’50, u vendos atje. Në Spanjë ndodhi çudia. Iljazi qëndroi aty pa lëvizur për 20 vjet. Derisa vdiq në 1976-n.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat