L’Echo de Paris (1916)/Intervista me Esat Pashën para se të nisej për vizitë në frontin e luftës franko-gjermane: “Jam armiku i Austrisë. Mbroj kundër saj, si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare”

Historia

L’Echo de Paris (1916)/Intervista me Esat Pashën para se të nisej për vizitë në frontin e luftës franko-gjermane: “Jam armiku i Austrisë. Mbroj kundër saj, si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare”

Aurenc Bebja Nga Aurenc Bebja Më 30 janar 2020 Në ora: 09:06
Esat Pasha

“L’Echo de Paris” ka botuar, të enjten e 6 prillit 1916, në faqen n4, intervistën me Esat Pashë Toptanin, para se të nisej për të vizituar frontin e luftës franko-gjerman, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat - Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Esat Pasha u nis për në front

Esat Pasha, kreu i qeverisë shqiptare që i rezistoi sulmit austriak në rajonin e Durrësit, dhe që aktualisht ndodhet në Francë, po niset sot në mëngjes për një vizitë në front. Ai shoqërohet nga z. de Fontenay, ministër i Francës në Shqipëri, dhe nga z. Krajewski, delegat i Francës në komisionin e kontrollit për Shqipërinë. Ai na priti dje dhe na tha: 

Image

“Unë jam armiku i Austrisë. Unë mbroj kundër saj, ashtu si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare. Austria vazhdimisht ka kërkuar të aneksojë popujt fqinj, duke mbjellë ndarje midis tyre, me qëllim instrumentimin dhe rekrutimin e trupave të saj në mesin e tyre. Ajo praktikoi këtë system në Bosnje dhe Hercegovinë dhe dëshiron ta praktikojë po ashtu në mesin e shqiptarëve.

E kam vënë re menjëherë pas luftës së parë ballkanike, kur ajo dëshironte të impononte si sovran një gjerman, Princin e Urach-it, të martuar me një arshidukeshë. Agjentët austriakë me kontaktuan me të gjitha mënyrat dhe më kërkuan të mbështesja kandidaturën e tij. E kam luftuar pasi e di se si të luftoj dikë. 

Na imponuan Princ Vidin, një gjerman tjetër që nuk merrte vesh pretendimet e popullit që do të udhëhiqte. Austria e kishte zgjedhur atë si të tillë që të mbretëronte nën emrin e tij.

 — A do ta instalojë ajo sërish në Durrës ?

 — Dyshoj shumë. Ajo nuk ka më nevojë për këtë “kukull”.

 — Kë mori si guvernator ?

 — Një kushëri timin të largët, i cili ishte menaxheri (shërbëtori) im në fshat.

 — Ajo do të preferonte të ishit ju?

 — Nuk më kanë munguar ofertat. 

— Si merret vesh ajo me bullgarët? Sepse edhe ata kanë pretendime në Shqipëri.

 Esat Pasha buzëqesh në mënyrë djallzore: 

— Këto janë pretendime të parealizueshme. Austria i ka lënë bullgarët të vijnë deri në Elbasan dhe Peqin, me shpresën për t’i stërvitur kundër trupave italiane në Vlorë. Por bullgarët nuk do të marshojnë kundra Vlorës.

 — Ata mblodhën në Sofje një kongres të shqiptarëve... 

— Këta shqiptarë nuk kanë as toka, as shtëpi, as dyqan në Shqipëri. Çfarë dëshironi që ata të përfaqësojnë?

 Esat Pasha e tha këtë me një lloj krenarie. Na duket sikur shohim në sytë e tij imazhin e pasurive të mëdha që ai zotëron në diell, atje. Sidoqoftë, insistojmë :

 — Pra, këto ambicie bullgare?... 

— Të paarritshme, po ju them. Më së shumti ka në Sofje një njeri që mendon të marrë Shqipërinë, ashtu si Vilhemi II do të dëshironte të merrte shumë gjëra.

 — Do të shihni, në front, se Vilhelmi II nuk ka gjasa të arrijë qëllimet e tij? 

— Oh! u përgjigj qetësisht Esat Pasha, nuk kisha nevojë të shkoja në front për të dyshuar për të!

Shkrimi i plotë: L’Echo de Paris (1916)/Intervista me Esat Pashën para se të nisej për vizitë në frontin e luftës franko-gjermane: “Jam armiku i Austrisë. Mbroj kundër saj, si ushtarët tuaj kundër Gjermanisë, pavarësinë kombëtare”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat