Historia tronditëse: Si më spiunoi kunata dhe shokët dhe më mohoi gruaja dhe fëmijët - Bota Sot
Historia tronditëse: Si më spiunoi kunata dhe shokët dhe më mohoi gruaja dhe fëmijët

Historia

Historia tronditëse: Si më spiunoi kunata dhe shokët dhe më mohoi gruaja dhe fëmijët

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

Dedë Preçi sapo i ka mbushur 69 vjeç, edhe pse sot ndjen se ka jetuar më shumë se aq.

Vitet e diktaturës malësori prej Puke i shumëfishon në përllogaritje,  pasi  siç thotë ditët plot dhimbje nuk mund të numërohen si të zakonshme.

Burgjet e tmerrshme të komunizmit duket se nuk e kanë liruar ende nga kujtimet e trishta.

Akoma i kujtohen agjentët e sigurimit që e ndiqnin pas, çanga e Spaçit dhe torturat mizore kur zvarriste vagonët e rënda të kromit si skllav.

Edhe pse i lodhur nga jeta, sot përpiqet të gërmojë në memorien e tij për të sjellë ato vite të errëta që i mohuan fëmijërinë, i burgosën rininë dhe e përndoqën deri në pleqëri.

Ai e ka të vështirë të gjejë një ditë të bardhë brenda tyre, pasi  ndjen se ka lindur i përndjekur dhe si i tillë po i ikën kësaj bote.

 

Që  kur ishte 4 muajsh, babai i tij idetyruar nga presioni i pushtetit popullor, çan izolimin dhe arratiset në Suedi.

 

I ardhur nga një familje që kishte dëshmorë të rënë për çlirimin e atdheut, nuk ishte bindëse për autoritetet e sistemit. Fati i tij merr një rrjedhë tjetër pasi ai do të internohej bashkë me familjen në qytetin eLushnjës.

“Pas arratisjes së tim eti bashkë me nënën na internojnë në Savër të Lushnjës ku ndenjëm për disa vite në kushte tejet të vështira. Më vinte të ulërija teksa e shihja se si rropatej ime më për të na rritur.

Detyrohesha të punoja edhe unë me aq forcë sa kisha për të siguruar kafshatën.

Ramiz Alia në kokën e luftës ishte i strehuar në shtëpinë e babait tim për muaj me radhë. Por prapë prangave nuk i shpëtova”, sqaron 69-vjeçari.

Në vitet e para të adoleshencës Deda shfaqi një talent që i befasonte të gjithë. Madje edhe vetë autoritetet e asaj kohe habiteshin nga atë çka shihnin tek ky i ri.

“Unë kisha një ëndërr që u zgjua shumë shpejt: Doja të bëhesha futbollist. Për ta përmbushur këtë pasion të madh shpesh herë e fshija që im atë ishte i arratisur. Nëse do ta përmendja gjithmonë edhe ata pak shokë që më afronin pa diskutim që do më largoheshin.

Në atë periudhë, një miku im më fton në Shkodër për të qenë pjesë e një ekipi të vogël. Shumë orë stërvitje, pasi njeriu kur sheh se një objektiv i madh do të përmbushet, nuk e ndjen lodhjen.

Po  ecja  mirë por e mira i pati ditët e numëruara. Madje fillova edhe të punoj si elektricist për të siguruar të ardhura,”shpjegon i moshuari.

Në rrëfim e sipër ish- i përndjekuri ndalet në momentin kur jeta e tij bëri kthesën më të fortë.

“Isha djalë i ri dhe sapo kisha krijuar familje. Nuk dola kurrë kundra sistemit, por çfarë nuk u shpif dhe çfarë nuk u sajua ndaj meje për shkak të babait të arratisur.  Pjesën më të madhe të autorëve i njoh dhe ia kam thënë në sy atë që mendoj. Spiunët dhe dëshmitarët që më vendosën prangat fillojnë nga ish-kunata ime dhe tek  ish-shokët. Shprehjen “I yti ta punon sot” unë mbase e kam ndjerë më shumë mbi supe,” shprehet Dedë Preçi.

Pas rrëzimit të sistemit, i moshuari flet për takimin e parë me të atin.

“Me ardhjen e demokracisë unë shkoj në Suedi për të takuar babain pas 43 vjetësh. Ai sapo mësoi që unë po shkoja për ta shikuar, pësoi një infrakt në zemër. Për herë të parë dhe të fundit e kam takuar në momente agonie. Ai hapi njërin sy për të më vështruar, u mbush thellë me frymë dhe menjëherë ndërroi jetë,” thotë ish i përndjekuri.

Më tej ai rrëfen edhe për personat që i kanë dhënë dënimin.

“E njoh edhe gjykatësin, edhe prokurorin, të cilët sot ngrenë supet edhe justifikohen se ashtu ishte sistemi. Ironia qëndron në faktin se vijojnë të ushtrojnë punën paturpësisht edhe sot.

Nuk më dënuan thjesht nëntë vjet, pasi unë e konsideroj si burgim të përjetshëm. Ata më privua nga e drejta njerëzore për të pasur një familje dhe sot fatkeqësisht nuk kam askënd pranë. Dua ta shoh dosjen time pasi përmes saj do të njoh një copëz të jetës sime që kurrë nuk e kam jetuar,” rrëfen dhimbjen Dedë Preçi, i cili pas burgosjes pësoi një shpërbërje të familjes që ju nënshtrua një kalvari të gjatë përndjekje, internimi dhe burgimi.

69 vjeçari tregon se si e mohuan familjarët e tij dhe e lanë t’i drejtohet dyerve të azilit.

“I lashë të vegjël fëmijët kur u burgosa dhe i gjeta të rritur kur u lirova.  Gruaja ime nuk do ta kapërdinte thjeshtë këtë. Sot fëmijët e mi nuk duanë të njohin atin që i ka falur shpirtin. Vajza sot është bashkëshortja e ish-deputetit Armando Prenga, por babai për të ka ngelur një ish- i burgosur që nuk do ta afrojë pasi edhe sot i njollos biografinë. Kujtoj që i kam telefonuar njëherë Armando Prengës për t’i treguar se kush jam, por ai ma mbylli telefonin sa hap e mbyll sytë. Nuk dua mëshirë por sidoqoftë, i burgosur apo i lirë unë ngelem babai i tyre.  I braktisur nga gruaja, nga djali edhe nga vajza mora vendimin për t’ju drejtuar azilit.

Mbase atje do të gjej ngrohtësinë që më mungon pasi sot jetoj në një dhomë me kushte të mjerueshme, që ma kanë lëshuar për sevap. Azili më ka dhënë njëherë përgjigje negative, por unë do tentoj përsëri. Ku të shkoj?” tregon dhimbjen ish- i përndjekuri, që sot realiteti i vështirë ku po jeton i përngjan një burgu të ri.

Teksa e dëgjon rrëfimin e tij, të krijohet përshtypja se çdo të thotë të lindësh i dënuar për mos jetuar kurrë.

Përjetimet e vështira  i përngjajnë një filmi të frikshëm të cilin është vështirë t’a besosh se ka ngjarë vërtet.

Shpresa që  hapja e dosjeve do të reflektojë mbi të ardhmen, e ka bërë malësorin më optimist për ditët që po vijnë.

“E tregova historinë time jo se kisha dëshirë të qarkulloj nëpër media, por për të hedhur dritë mbi të vërtetat e diktaturës. Përpara këtyre fjalëve duhet t’i hapë veshët politika, media dhe të rinjtë kryesisht,”përfundon 69 vjeçari.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat