Dokumentet top sekret të britanikëve: Të dhënat mbi “vrasjen e Mehmet Shehut”

Historia

Dokumentet top sekret të britanikëve: Të dhënat mbi “vrasjen e Mehmet Shehut”

Më: 8 mars 2020 Në ora: 10:08
Dokumentet TOP SEKRET të britanikëve: Të dhënat mbi “vrasjen e Mehmet Shehut”

Nga Ylli Polovina – Kadri Hazbiu bashkë me Feçor Shehun, Mihallaq Ziçishtin dhe Llambi Peçinin u vranë, nëpër bokërrimat e fundmalit të Dajtit, Lugina e Linzës, atëkohë periferi e thellë e Tiranës, me nga një plumb revolveri pas koke në mesnatën e 9 shtatorit 1983, ndërsa po niste e nesërmja, të cilës nuk ia panë dot as natën, as dritën e diellit. Po atë ditë të nëntë në përfundim, bashkë me vendimin e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, që i dënonte me vdekje, secilin prej tyre e ngarkonte edhe me detyrimin që t’i kthenin shtetit një dëmshpërblim në vlerën 1.219.764 lekë, çfarë ishte një shifër shumë e madhe. Nuk rezultonte të kishin vjedhur, por qe një formë poshtërimi.
Kur ata të katërt i vranë në mesnatë në vendin e fshehtë që zgjodhën për të mos lënë asnjë gjurmë të dukshme të varreve (groposjeve), ndodhi një e papritur. Skuadra e pushkatarëve, e cila do t’i ekzekutonte, erdhi nëpër terr hipur në karrocerinë e një kamioni ushtarak, por kur u bënë gati të zbrisnin, i ndaluan. Një urdhër i lartë ua ngarkonte vrasjen dy zëvendësministrave të Brendshëm fillimisht të ardhur aty për të qenë thjesht dëshmitarë. Këta likuidimin fizik do ta kryenin me armën personale, pistoletë, çfarë edhe ndodhi.

Kështu të dy ish-ministrat e Brendshëm u vranë prej dy zëvendësve të tyre, dy të dënuarit e tjerë nga të pranishëm të tjerë. Emrat e këtyre janë bërë publike nëpërmjet botimit të procesverbalit Nr. 461 të aktit të pushkatimit. Po ashtu është i njohur edhe ky fakt shumë cinik: vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor për mospranimin e lutjes së të treve për falje jete ua komunikuan para gropës së hapur.
Ja edhe një hollësi tjetër, mjaft makabre: në orën pesë të mëngjesit të 10 shtatorit 1983 ra telefoni në banesën e zv.ministrit të tretë të Brendshëm, H. Sh., i cili dëgjoi në receptor zërin e njërit prej kolegëve të tij. Ky i tha, nëse ishte e mundur, me gjithë orën e hershme, të vinte në klubin e Ministrisë për të pirë një kafe me ta. Shkoi menjëherë, jo pa ankth, nën hamendje të shumta. I gjeti të dy zëvëndësministrat në një skaj të klubit, pothuaj kruspullosur, bërë dyllë të verdhë. Ata i rrëfyen çfarë tmerri u pati ngjarë. Zëvendësministri që kish vrarë Kadri Hazbiun me një të shtënë revolveri prapa kokës, duke i gjetur fjalët me mjaft vështirësi, i tregoi, pothuaj përçart, si plumbi pati hapur në pasqafën e ish-ministrit një gropë të madhe, pothuaj një zgavër.

SUKSESE ME FASULE E VRASJE
Sekretariati i KQ të PPSH ka çështje dy “suksese”: prodhimin e fasules dhe përfundimin me katër pushkatime të gjyqit kundër bashkëpunëtorëve “agjentë” të Mehmet Shehu.
“Të katër kërkuan t’u falej jeta” do të thoshte Ramiz Alia dy ditë më pas, në një mbledhje të Sekretariatit të PPSH. Pastaj do të vijonte: “Kadriu në lutjen e tij thoshte: “Kërkoj falje nga i larti Presidium”. Presidiumi natyrisht ua refuzoi faljen, kurse organet përkatëse zbatuan vendimin e gjykatës. Gjyqi tregoi edhe njëherë sa armiq të egër kanë qenë. Po më në fund ua morën të keqen Partisë dhe shokut Enver. Vonë-vonë por prapë shkuan atje ku e kishin vendin”. Ka gëzim të dukshëm e të egër në këtë deklarim për këto vrasje, posaçërisht për Kadri Hazbiun.
Në 12 shtator 1983, ndërsa Ramiz Alia po kryesonte takimin ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, një mbledhje kjo, e cila herë pas here quhej “shkëmbim mendimesh”, çfarë u tha atje mbetet këndi më i mirë për të “lexuar” tërë intrigën e ndodhur që prej çastit kur në vjeshtë 1981, ajo nisi me historinë e fejesës së të birit të Mehmet Shehut.
Takimi ditor i paradites së 12 shtatorit 1983 kishte për shqyrtim katër tema. E para qe: “Për grumbullimin, manipulimin, tregtimin dhe përdorimin me nikoqirllëk të prodhimeve bujqësore; për furnizimin e popullit dhe sidomos fshatit me bulmet, vezë e mish”. E dyta: “Për përgatitjen e diskutimeve për në plenumin e 7-të të Komitetit Qendror të PPSH lidhur me gjendjen e ndërtimeve veçanërisht në rrethet Elbasan dhe Durrës”. E treta: “Për nevojën e gjetjes së burimeve të tjera për eksport në kushtet e krijuara nga pakësimi i energjisë elektrike, krom, kripa e bardhë, etj”.
Çështja e katërt qe: “Për përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve e puçistëve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., si edhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë për to”.

Image

Në këtë takim, lënda e shkruar e të cilit do të ruhej në arkivin e KQ të PPSH nën siglën “Tepër sekret”, përveç Ramiz Alisë do të qenë edhe sekretarët Lenka Çuko e Vangjel Çërava. Prej Durrësit do të ish Muho Asllani dhe Elbasanit Pali Miska, që të dy sekretarë të parë të degëve lokalë të partisë.
Në çështjen e parë takimit ditor Pali Miska shqiptoi fjalët: “Kooperativistët, bile edhe qytetarët në Elbasan, kujdesen që tani për të vënë “zahire” për dimër. Ata për shembull me fikun dhe me kumbullën bëjnë marmalatë ose reçel, thajnë ndonjë spec e ndonjë domate. Qytetarët në masë i blejnë këto prodhime, sepse kanë leverdi.
Për ullirin njerëzit na e kanë thënë hapur që t’ua shesim pa e kripur se do ta përpunojnë vetë, sipas dëshirës”.

Pastaj e mori fjalën Vangjel Çërava, duke thënë: “Ndërmarrjet ia heqin ullirit hidhëtinë duke përdorur sodën….”
Më pas u fol për prodhimin e fasules, e cila ende nuk kishte filluar të shitej në dyqanet e shtetit, por kjo, siguruan dy sekretarët lokalë, “do të ndodhë në nëntor”. Për këto lajme Ramiz Alia shprehu gëzim dhe qe Muho Asllani, i cili e vijoi “shkëmbimin e mendimeve” duke i kapërcyer krejt çështjet e rreshtuara në rendin e ditës dhe duke u hedhur menjëherë në temën e katërt. Ai shqiptoi: “Si shoku Pali ashtu edhe unë lëvizim shumë dhe nga do që shkojmë vërejmë se gjendja është e shëndoshë. Veçanërisht tani kur po gjykohen e dënohen armiqtë komplotistë”.
Këtë çast menjëherë e mori fjalën Alia, duke provuar se ai takim mëngjesi thjesht për demagogji i kish vënë në fillim çështjet që lidheshin me furnizimin e popullit, sepse në fakt të gjithë të porsambledhurit qenë shumë të dëshiruar për temën e fundit. Reagimi i Ramiz Alisë ishte saktësisht ky: “Njerëzit e morën vesh që po zhvillohet gjyqi kundër bandës së komplotistëve, puçistëve dhe terroristëve të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu me pjesëtarë Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Fiqret Shehun, etj”.
Në vijim, ndërsa dialogon veç e veç me pjesëmarrësit, ai shpjegoi se “me porosi të shokut Enver” qe menduar të dërgohej “në Parti dhe popull një komunikatë e Gjykatës së Lartë të RPSSH”. Më pas theksoi se të dy gjyqet, ai me dyer të mbyllura (me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin etj) si edhe ai me dyer të hapura (Fiqret Shehun, Llambi Ziçishtin, Nesti Nasen etj), “u zhvilluan mirë dhe me interes. Ajo që kishte rëndësi gjatë gjykimit veçanërisht, ishte se komplotistët dhe terroristët u mbërthyen me shumë fakte, me shumë dokumente. S’kishin nga t’ia mbanin, sidomos Kadriu dhe Feçor Shehu që përpiqeshin t’i bënin bisht fajësisë së tyre, që donin ta fshihnin veprimtarinë e tyre, të pengonin drejtësinë për të arritur në konkluzion të saktë. Mirëpo faktet i vunë me shpatulla në mur. Ja, për shembull, doli problemi i dokumenteve top-sekrete të Sigurimit të Shtetit që këta armiq ia kanë dërguar sigurimit sovjetik…”
Të bën përshtypje një veçanti: Kadri Hazbiun dhe tre të tjerët në këtë mbledhje të 12 shtatorit 1983 Ramiz Alia i cilëson si agjentë të Jugosllavisë dhe të Moskës dhe në asnjë rast gjatë ndërhyrjeve të tij të shumta nuk mëshon edhe në krahun tjetër: temën e kompromentimit të tyre me anglo-amerikanët.

Image

Mirëpo “tabloja sinoptike” e Enver Hoxhës në shtratin e saj ka përparësi në etiketimin e Mehmet Shehut dhe grupit të tij tek agjentura britanike dhe amerikane, vetëm në vijim tek jugosllavët dhe sovjetikët. Alia duket shumë këmbëngulës në këtë kurs të tij edhe pse Fiqrete Shehu në shpjegimet e saj në gjyq e akuzon të shoqin për veprimtari spiunazhi në favor më së pari të anglo-amerikanëve.

Në atë “shkëmbim mendimesh” të 12 shtatorit Ramiz Alia në mënyrë të përsëritur thotë: “Të tërë këta armiq, siç del edhe nga gjyqi, që në kohën e Koçi Xoxes kanë qenë njerëz të jugosllavëve, njerëz të agjenturës sovjetike, të lidhur me njëri-tjetrin, që Mehmet Shehu i kishte grumbulluar rreth vetes që të punonin në mënyrë sistematike kundër Partisë, kundër shokut Enver…”
Më tej, kur bie fjala për “bandën e Xhevdet Mustafës: “…vetë Kadriu i ka lajmëruar jugosllavët të shpejtonin dërgimin e bandës se po i mbështillej laku”. Në vazhdim: “Në fakt deri sa jugosllavët i dhanë detyrë Mehmet Shehut të bënte atentat kundër Enver Hoxhës, ata e eliminuan atë. Ai ishte fundi i tij. Vritesh apo nuk vritesh terroristi Mehmet Shehu, atje ku mendonte të bënte atentatin, Partia dhe populli atë do ta varnin në litar”.

DOKUMENTET SEKRETE
Kur tre vite më pas, në fundtetor 1986, në prag të zgjedhjes kongresuale për herë të parë të tij si numri një i Partisë së Punës të Shqipërisë, Alia e njohu Komitetin Qendror të ri me një “dokument” të gjetur në arkivin e ambasadës amerikane në Argjentinë, Buones Ajres, i cili qe tërësisht dhe vetëm i CIA-s amerikane. Në të bëhej fjalë për profilin e plotë të rekrutimit dhe të përdorimit të Mehmet Shehut, misionit të tij spiunor. Nuk ka atje as sovjetikë dhe as jugosllavë.
Duket kthjelltazi që në këto emërtime luajnë rol jo të vërtetat historike, por koniukturat politike të brendshme e ndërkombëtare të momentit, thjesht prej ku del edhe lënda për propagandë.
Këtë paqëndrueshmëri në akuzë, këtë lojë, mund ta provosh në rast se shfleton një libër me dokumente, i cili titullohet “1981. Demonstratat e Kosovës në Arkivin Kombëtar të Londrës”. Botimi i kryer në 2017 nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka për autorë një nga drejtuesit e tij shkencorë Prof. Asocc. Dr. Sabit Syla si edhe shefin e një departamenti të Institutit të Historisë në Tiranë, Prof. Dr. Hamit Kaba.
Në fund të pesëqind faqeve të këtij libri, në atë me numër 478, fillon një paketë dokumentare me temë “Vdekja e kryeministrit”.
Akuzohen që i kanë pasur spiunë, por në Londër, në Beograd, në Paris dhe Romë ngrenë supet.
Ndërsa nëpër orët e para të natës në gdhirje të 18 dhjetorit 1981 Mehmet Shehu u nda nga jeta, me shënimin “Për përdorim të kufizuar”, Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe (Foreign Office) i dërgoi në 21 dhjetor ambasadës së saj në Beograd telegramin nr. 181, i cili thoshte saktësisht: “Në mungesë të misionit tonë në Tiranë, do të ishim mirënjohës për çdo detaj që mund të arrini të nxirrni për rrethanat e vetëvrasjes së pretenduar të Shehut”. Ky tekst iu nis edhe përfaqësive diplomatike britanike në Vjenë, Paris dhe Ankara. Me përcaktimin e statusit “për t’u ruajtur” iu dërgua po ashtu edhe ambasadave në Uashington, Moskë dhe pranë NATO-s.
Duke qenë se për Enver Hoxhën, por në mbështetje të tij në dy libra kujtimesh edhe sipas së shoqes, vatrat kryesore të përdorimit si agjent të ish-kryeministrit konsideroheshin Londra dhe Beogradi, tashmë pas hapjes së arkivave është rast i shkëlqyer për të kuptuar nëse kjo ishte apo jo e vërtetë.
Sipas librit dokumentar të sipërcituar të Syla-Kaba, në përgjigje të telegramit 181, fillon edhe kthimi i përgjigjeve për Foreign Office. E para reagoi ambasada britanike në Athinë. Kjo ndodhi që të nesërmen e kërkesës, pra në 22 dhjetor. Teksti i plotë ishte ky: “Muzarakis, Kreu i Drejtorisë së MPJ (Ministrisë së Punëve të Jashtme-shënimi ynë), i përshkruan rrethanat e vdekjes së Shehut si “shumë të çuditshme”. Sipas Ambasadës greke në Tiranë, ai u varros me nxitim. Qeveria shqiptare i ka thënë grekëve se në vdekjen e tij nuk do të ketë ndonjë ceremoni zyrtare dhe nuk do të ketë mesazhe ngushëllimi. Ambasada greke ka raportuar gjithashtu zëra të papërmbajtur se Hoxha është plagosur, por nuk ka prova për ta mbështetur këtë”.
Reagimi i dytë për direktivën e dhënë nga FO erdhi prej ambasadës britanike në Francë. Telegrami është i 22 dhjetorit 1981. Me statusin e informacionit kjo lëndë e shkruar që nga Parisi i është dërguar edhe ambasadave kolege në Beograd, Athinë, Romë, Vjenë, Ankara, Uashington, Moskë si në selinë e NATO-s. Thotë teksti: “Departamenti i Evropës Lindore në QUAI (Ministria e Jashtme Franceze-shënimi ynë) shprehet se nuk ka informacion që mund të kundërshtojë versionin zyrtar sipas të cilit Shehu ka kryer vetëvrasje në gjendje depresioni nervor. Departamenti nuk është në dijeni të ndonjë informacioni që sugjeron se ai kishte probleme politike, dhe as nuk beson se ai ishte në një gjendje shëndetësore veçanërisht të keqe fizike, megjithëse, njësoj si disa nga kolegët e tij, Shehu kishte shkuar herë pas here për trajtim mjekësor në Francë”.
Kaq përmban radiogrami tepër sekret dhe patjetër një pyetje është e pashmangshme: me gjithë strukturat e specializuara të Francës, të prira brenda territorit të vet për zbulim shumë efikas, po të qe e vërtetë kjo, si nuk kanë mundur të mësojnë gjë? Telegrami i ardhur në FO dëshmon se fondi i tyre i informacionit për Mehmet Shehun është fare pak. E rikujtojmë lexuesin se sipas “tablosë sinoptike” të Enver Hoxhës, Shehu qe takuar në një nga vizitat e tij shëndetësore në Paris me agjenturën jugosllave (misionin e spiunazhit të Dushan Mugoshës), si edhe Fiqrete po në kryeqytetin francez pati marrë në dorëzim njëherë tjetër ampulën e helmit me të cilin do të vrisnin, gjatë një gostie familjare kurth, Enver Hoxhën.
Përgjigja e tretë e telegramit ekskluziv nr. 181 të Foreign Office të 21 dhjetorit, brenda 22 dhjetorit mbërriti edhe nga Beogradi. Këtë çast doemos pritet një informacion më i plotë. Jugosllavia përherë është mburrur se e ka pasur “në pëllëmbë të dorës” gjendjen në Tiranë. Ndërkohë Enver Hoxha tek “Tabloja sinoptike” dhe libri “Titistët”, posaçërisht edhe Ramiz Alia në takimin ditor të Sekretariatit në 12 shtator 1983, akuzon se Beogradi është faktori i parë i ndikimit në atë që ndodhi me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, si edhe të tjerët e konsideruar bashkëpunëtorë të tyre. Atëherë të njohim përmbajtjen e telegramit të Ambasadës Britanike në kryeqytetin jugosllav. Teksti i plotë:
“1. Obradoviq, Zëvendës/Sekretari përgjegjës në SFPJ (Parlamentit Federal-shënimi ynë) në një bisedë me mua dhe ambasadorët e tjerë më 19 dhjetor hedhin dyshime mbi vetëvrasjen e raportuar të Shehut. Ai sugjeroi se Shehu mund të jetë “hequr qafe” për shkak të dallimeve me Hoxhën, ndoshta mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë.
2. Shtypi i sotëm ka një raport të “Tanjug-ut” (Agjencisë Jugosllave të Lajmeve-shënimi ynë), nën titullin “Dyshime për vetëvrasje”, ku pasqyrohen dyshimet e shtypit perëndimor (AFP dhe gazeta franceze “La Liberté”) për vërtetësinë e vetëvrasjes së Shehut. “Tanjug” raporton se Radio-Tirana nuk dha asnjë lajm për vetëvrasjen e Shehut deri plot 12 orë pas “Vetëvrasjes”, gjithashtu raporton se nuk u dha asnjë detaj mbi atë që ndodhi, nuk pati asnjë ndërprerje të programit normal në Radio dhe se, sipas burimeve Perëndimore, në Tiranë nuk u mbajt asnjë ceremoni, nuk u ngrit flamuri gjysmë shtizë dhe as nuk u hapën librat e ngushëllimit. E gjithë kjo situatë do të dukej jo e zakonshme pas vdekjes së një personaliteti të lartë shtetëror.
3. “Tanjug” raporton më tej se Shehu u shfaq për herë të fundit në publik më 16 dhjetor, kur priti një delegacion nga Rumania për çështje ekonomike. Megjithëse i pranishëm në Kongresin e 8-të të Partisë në fillim të nëntorit, u vu re se ai nuk e ndoqi festimin e Ditës Kombëtare më 28 Nëntor.
4. Korrespodenti lokal i ‘Reuters’ ka dëgjuar nga Ambasadori shqiptar se Ramiz Alia do të jetë numri 2 në Byronë Politike dhe Adil Çarçani do të bëhet Kryeministër”.
Ndërkaq Ambasada Britanike në Romë ia ktheu përgjigjen ‘Foreign Office’ në 23 dhjetor. Telegrami i tyre me nr. 322 i komunikonte Londrës: “1…2. Vinci Giacchi, Kreu i Departamentit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) më tha dje se italianët nuk kanë informacion të saktë mbi vdekjen e Shehut. Ambasadori i tyre, Gentile, ka vetëm tre muaj që qëndron në Tiranë dhe ende nuk ka kontakte mjaft të mira për të mësuar thelbin e ngjarjes.
3. Vinci Giacchi tha se gjithashtu MPJ nuk ishte e prirë që të besonte versionin zyrtar të vdekjes së Shehut si vetëvrasje. Në Kongresin e Partisë në Nëntor ai nuk kishte dhënë shenja sëmundjeje të rëndë apo të depresionit nervor. Ai mund të ketë pritur të ketë shumë vite të tjera në jetën aktive politike. Për më tepër qëndrimi i qeverisë shqiptare pas vdekjes së tij dukej shumë i çuditshëm. Shehut nuk i ishin bërë të gjitha nderimet e duhura që i takonin si kryeministër.
4. Hamendësimi më i fortë i Vinci Giacchit ishte se midis Hoxhës dhe Shehut ishte krijuar diferencimi politik mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë ose mbi shkallën e hapjes ndaj Perëndimit që duhej të mbante Shqipëria; ai gjithashtu hamendësonte se Hoxha kishte vendosur ta zëvendësonte atë me dikë tjetër më të bindur. Një tjetër motiv i mundshëm ishte xhelozia për Shehun, i cili po fitonte popullaritet. Vinci Giacchi tha se Italia nuk priste ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat e Shqipërisë pas vdekjes së Shehut. Vendin e tij do ta zinte ndoshta zëvendësi…” Në fund dërguesi i telegramit nga ambasada britanike në Romë, R. Culshaw, i lutej Ministrisë së Jashtme në Londër që tekstin t’ua dërgonte të gjitha përfaqësive diplomatike kolege që kishin marrë nga FO radiogramin e 21 dhjetorit 1981.
Në 23 dhjetor i niste Londrës sërish një radiogram ambasada britanike në Beograd. Në të, mes të tjerash, thuhej: “1. Ambasadori amerikan më dha sot informacionin shtesë në vijim, duke sugjeruar gjithashtu se vdekja e Shehut nuk ishte vetëvrasje, por rezultat i një mosmarrëveshjeje të panjohur politikash me Hoxhën. 2. Melovski, Zëvendës/Sekretar në MPJ, duke folur personalisht, tha se dyshonte që Shehu të ketë kryer vetëvrasje pas një krize nervore, por arsyetoi se mbase ai ka kundërshtuar izolacionizmin fanatik të Hoxhës dhe në vend të kësaj, ka debatuar për marrëdhënie më normale me botën e jashtme. Melovski, duke u kujtuar se e kishte takuar Shehun dhe Hoxhën tridhjetë vjet më parë, e krahasoi të parin si një person racional që ishte i mësuar të merrej me botën reale, ndërsa të dytin si një person që ishte i paparashikueshëm dhe që “jetonte në ndonjë planet tjetër”.
Ndërkaq një telegram tjetër, ai i ardhur në Londër që nga ambasada britanike në Vjenë, vinte në dukje se “Ambasada Amerikane këtu ka dëgjuar raporte nga Roma ku sugjerohet se vetëvrasja e Shehut është organizuar me qëllim që “të hiqej qafe”. Radiogrami i ambasadës britanike në Moskë për ‘Foreign Office’, dërguar në 24 dhjetor 1981, vinte në dukje se gazeta kryesore e BRSS, “Pravda”, pati njoftuar vetëm variantin zyrtar të Tiranës, duke mos bërë asnjë koment. Telegrami me përgjigjen e ambasadës në Ankara, datuar më 28 dhjetor, mes të tjerash theksonte se në Ministrinë e Jashtme Turke mendonin që “Shehu ishte detyruar të vriste veten ose ishte vrarë, pasi kishte humbur luftën për pushtet me ata që aspironin të pasonin Hoxhën”.

BUZEQESHJE PAS PUSHKATIMEVE
Të gjitha seancat e gjyqit të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe të të tjerëve u regjistruan me zë në disa kopje, si edhe u filmuan për t’u arkivuar në fondin supersekret dhe pastaj dërguar një bobinë Enver Hoxhës. Siç dihet ky, kur ia sollën dhe Nexhmija u bë gati ta vinte në pajisje për ta parë, ai e porositi ta ndërpriste këtë punë dhe filmimin t’ia kthente menjëherë ministrit të Brendshëm Hekuran Isai, i cili ua kishte vënë në dispozicion. Edhe pse nuk është e bërë e ditur kur saktësisht ka ndodhur kjo, ka mjaft gjasë që të jetë e datuar pa kapërcyer 12 shtatorin.
Ndryshe ndodhi në takimin e drejtuar nga Ramiz Alia.
Që në mos të filmuar, të regjistruar vetëm me zë, e kishin ndjekur të gjithë pjesëmarrësit dhe diskutuesit mbledhjes “shkëmbim mendimi” të paradites së 12 shtatorit 1983, e kupton prej hollësive të gjyqit që ata rrëfejnë pa pushim. Ata po ashtu me siguri e dinë që kishte më shumë se dyzetë e tetë orë që trupat e Kadri Hazbiut dhe e tre të tjerëve ndodheshin, pa asnjë arkivol dhe të flakur mbi njëri-tjetrin, në nëndhe.
Në rrethana të një atmosfere politike me urrejtje ndaj “armiqve” dhe “tradhtarëve” të atdheut, atyre u shkon natyrshëm tërë ai fjalor dogmatik që zbrazin, tallja brutale me të ndëshkuarit pa jetë, por duken shumë çnjerëzore gulçet e të qeshurit mes tyre. Gjatë mbledhjes me temën e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe të të tjerëve, ata nuk zgërdhihen vetëm një herë, por plot katër. Kjo është e shkruar, në kllapa, në çdo rast, prej personit që ka zbardhur në letër takimin e regjistruar me zë. Katër të qeshurat, apo gajasjet, i gjeni në proçesverbal.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat