Një politikan, historian dhe filozof ndryshe - Bota Sot
Një politikan, historian dhe filozof ndryshe

Historia

Një politikan, historian dhe filozof ndryshe

Nga: Girni Simoni Më: 5 prill 2020 Në ora: 13:54
Benedetto Croce

Lindi në afërsi të Akuilas (Aquila) në Itali më 1866. Bir i një familje shumë konservatore dhe të pasur, e cila vendos t’i jap shkollim në një kolegj fetar. Në 1883, në ishullin e Iskias, në orën 21 e 30, një ngjarje e rëndë i ndryshon krejtësisht rrjedhën e jetës. Një tërmet që zgjat 90 sekonda është shkak i vdekjes së 2300 personave, ndër to dhe prindërve dhe motrës së Kroçes (Benedetto Croce) 17-vjeçar. Mbijeton megjithëse i mbuluar për shumë orë nga muret dhe rrënojat.

Pas ngjarjes, i afërmi i tij, senatori Silvio Spaventa (vëlla i filozofit Bertrando Spaventa), e merr në kujdestari në Romë. Tërmeti do ishte për të edhe një tërmet i brendshëm. Djaloshi që po merrte formimin e priftit, humb çdo lloj besimi në Zot dhe ka gjasa të ketë rënë në një depresion të thellë. Në fillim të rinisë autori përshkruan ato vite ndër të tjera me këtë frazë: “Kishte netë kur pasi mbështesja faqen në jastëk, dëshiroja dhe ëndërroja të mos zgjohesha më”. Mbijeton nga formimi fetar, një aspekt etik, me atë që vetëm nëpërmjet punës mjekohen plagët e jetës, dhe zhvillon një vetëpërmbajtje me të cilën krenohet. Në një kryeqytet të gjallë, Kroçja i trazuar mbyllet në bibliotekë (në fund të jetës biblioteka e tij private do jetë më e pasura në Itali dhe i detyrohemi Kroçes si historian rizbulimin e teksteve të shumë autorëve, sidomos napoletan).

Filozofi marksist Antonio Lobriola, bëhet ylli i tij polar. Leksionet që merr nga Lobriola mbi etikën e Herbartit (Johann Friedrich Herbart, filozof dhe pedagogjist gjerman), zëvendësojnë honin shpirtëror, saqë çdo mbrëmje reciton principet si ndonjë uratë apo sure. Ndërkohë, lë studimet e nisura në drejtësi në Napoli. Është udhëtar i palodhshëm dhe viziton shumë shtete evropiane, jeton me qera në shtëpinë e filozofit Viko (Gianbattista Vico), me siguri një nga etërit e filozofisë së tij.

Karakteri ekscentrik e shtyn drejt një vlerësimi dhe njëkohësisht kundërshtimi me të gjithë autorët dhe format e mendimit që përqafon. Marxsit (por jo marksistëve), i çmon sistemin dhe intuitën, por kritikon si të parealizueshëm nga ana ekonomike sistemin socialist dhe madje kritikon si të tejkaluar fermentet e tij në historinë e fillim të shekullit XX. Hegelin e çmon për sistematizimin dhe legjitimitetin universal që i dha filozofisë, por e kritikon mbi konceptin e dialektikës si sintezë e dy të kundërtave; ka në filozofi koncepte të cilët as nuk janë të kundërta e as nuk sintetizohen. Me filozofin tjetër idealist italian Gjentile (Giovanni Gentile), nis një bashkëpunim (nëpërmjet revistës “la Critica”, krejtësisht e financuar nga Kroçja në fillimet e veta) dhe me një polemikë që do të vazhdojë sidomos pasi Gjentilja do bëhet filozofi zyrtar i fashizmit.

Kroçe do jetë aktiv në jetën politike parlamentare (senator) pikërisht kur fashizmi po afirmohet dhe publikon “deklaratën e intelektualëve antifashist” ku bëjnë pjesë intelektualë nga të gjithë pozicionet politike (kujtojmë këtu ndër të tjerë poetin nobelist Eugenio Montale), kjo në polemikë me mikun e tij të vjetër Gjentile. Regjimi toleron dhe nuk censuron kritikat e tij të hapura, për shkak të statusit dhe prestigjit të tij, por dhe afërsisë me monarkinë. Kroçja gjithashtu ndjehet brishtë si ndikim i regjimit fashist për dy arsye: 1. natyrën elitare, pra të largët nga dinamizmi propagandistik që i shërben regjimit për të ndërtuar një konsensus popullor; 2. vëzhgimin filozofik thelbësisht optimist që e shikon fashizmin si “sëmundje morale të Italisë”, që vetvetiu do të largohet dhe ndaj të cilës do krijohen antitrupa.

Kjo nuk korrespondon me ndikimin i tij intelektual në po të njëjtën periudhë, saqë dhe themeluesi me origjinë arbëreshe i partisë komuniste italiane, Gramshi (Antonio Gramsci), e quan “Papa laik”. Kundërshton gjithashtu të ashtuquajturat “Ligje racore”, kundër hebrenjve. Gjithashtu Kroçe hyn në polemikë me Kishën, me ndërhyrjet e saj në politikën italiane, dhe e kritikon doktrinën e saj. Institucionet fetare kundërshtojnë vëzhgimin e tij historik, dhe ndalojnë për besimtarët leximin e librave të tij. Nga ana tjetër, Kroçe ishte i ngjashëm me katolicizmin italian për nga kritika e pozitivizmit dhe shkruan një ndër traktatet e tij më të famshme:: “Nuk mund të mos quhemi të krishterë”, ku nënvizon se krishterimi është krijuesi i “revolucionit më të madh në histori, i cili solli në qendër të jetës shpirtin dhe ndërgjegjen morale”.

Megjithëse gjithmonë antifashist, por do të refuzojë traktatin e paqes pas luftës si pak dinjitoz nga ana e atdheut humbës. Do të votojë për monarkinë dhe në mënyrë koherente refuzon emërimin si president i përkohshëm.

Jeta e tij intelektuale mbyllet me themelimin e Institutit Italian për Studimet Historike, për të ndihmuar të rinjtë të thellojnë studimet e tyre historike në raportin substancial me shkencat filozofike të logjikës, drejtësisë, ekonomisë, politikës, artit, dhe religjionit. palodhur vazhdon studimet edhe pasi shëndeti i dëmtohet nga një iktus, vdes në moshën 86-vjeçare në kolltukun e bibliotekës së tij.

Vepra e Kroçes është e vëllimshme dhe prek tematika të ndryshme, por shfaqet dhe vlerësohet si tej mase origjinal mendimi i tij mbi estetikën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat