Plagosja dhe vdekja e dëshmorit të kombit Ferid Curri në betejën e 14 prillit të vitit 1999- beteja më e madhe brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”

Historia

Plagosja dhe vdekja e dëshmorit të kombit Ferid Curri në betejën e 14 prillit të vitit 1999- beteja më e madhe brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”

Nga: Hysen Sogojeva Më: 13 prill 2020 Në ora: 19:11
Arkiv

13 prilli i vitit 1999 -ditë e martë

Mengjes pranveror me rrezedielli të zymta, edhe sot isha shumë i mërzitur pasi që mora një lajm se familjen time, Bashkëshorten, djalin Kushtrimin si dhe vëllain Islamin nga Dardania, Prishtine i kishin nisur për në Maqedoni, por me të mbërri te vendi i quajtur Fusha e Pajtimit në udhëkryqin për Tetovë dhe Shtërpcë, serbët ua kishin ndryshuar drejtimin për Shtërpcë, Prizren dhe Morinë.

Këto informata i morëm nga Enver Gërguri, ushtari i togut të Bardhit të Madh, dikush nga familja e tij e kishin informuar pasi ishin dëgjuar me telefon.

Gjatë tërë natës NATO bombardoj në pikat serbe. Meqë disa shtëpi ishin ende pa u djegur, rreth orës 09;10 të mëngjesit shkuam te Ganiu dhe u takuam me Ahmeti Krasniqin, i cili ishte pergjegjës i logjistikës për komunën e Fushë Kosovës, e në forma të ndryshme e ndihmonte edhe togun e komandant Dinit edhe atë të Bardhit të Madh me veshmbathje dhe pajisje tjera, të cilat për ne ishin më se të domosdoshme. Në takim ishin edhe Zijadinin Bajqinca, ushtar i togut të Bardhit të Madh edhe Sabit Thaqi, nga logjstika e komunës së Fushë Kosovës. Roja na lajmëroi se edhe shtëpia e Sani Berishës është djegur e tëra, e cila deri vonë nga lagjja e Berishëve kishte shpëtuar pa u djegur, për shkak të pozicionit që e kishte kundrej neve nga forcat serbe.

Te shtëpia e Sadikut Sogojeves, ne lagjen e Sogojevëve ku ishin Istikamat dhe bunkeri në ora 16.00 ishim në roje me Aliun, ushtar i togut te IV-të të Brigadës 114” Fehmi LLadrovci ”, togut të Dinit edhe pak më vonë forcat komanduese të serbëve u grumbulluan tek pika e Gurit edhe Pika e dytë që ishin të njohura për ne si pika më të rrezikshme të forcave serbe, dhe të gjithë ishin koncetruar drejt anës tonë edhe bënin plane për një ofanzivë të mundshme ku qëndruan deri në orët e mbrëmjes në këto pika.

Neve që ishim në roje n’a u bashkuan edhe Mirsadi, Petriti, Afrimi etj, ushtar të togut tonë, ku në shkurret që i kishim përpara në istikame filluam ti qelim vrimat që ti shohim më mire në rast sulmi. Aty me mjete pune si: me sopata e kmesa (lloj sopata me një teh më të gjatë), u hapën disa vrima, sepse ishim të sigurt se të nesërmen do të kemi ofanzivë në bazë të lëvizjeve të serbëve që bënin. Edhepse bënin plane për të nesërmen rreth orës 18.20 min e deri 19:40 pati gjuajtje të pandërprere nga serbët në drejtim të pozicioneve tona.

Komandant Dini me 5 ushtarët Feridin, Shabanin, Xekrrin, Fikriun ishin në Godanc, Gllanasellë, Dobrashevc, ku policia rreth orës 12.30 i kishte vrarë dy civilë dhe një ushtar nga Karaqica. Në këtë mbrëmje erdhën tek ne në togun tonë nga Çikatova, një epror me tre ushtarë.

14.prilli i vitit 1999- ditë e mërkurë

Në mëngjesin e 14 prillit në ora 6; 10 min, erdhi roja dhe na lajmëroi, se jemi të rrethuar. Në rojë kanë qenë: Mirsadi edhe Xhevati.

Shumica e ushtarëve të togut të katërt ndodhën fjetë në shtëpinë e Bajram Sogojeves, ku ne shpesh duhet t’i ndërronim vendet, për shkak mos me ardhë te ndonjë befasi e papritur nga serbët.

U ngritëm dhe shumë shpejtë dolëm në rrugët e lagjes edhe u përgatitem që t’i marrrim pozicionet tona.

Pra, e mërkura e 14 prillit filloi më ndryshe, forcat serbe ishin përforcuar si kurrë më parë, ishin shenjat e një beteje të përgjakshme, jo sikur sulmet e ditëpërditshme të forcave serbe drejt pozicioneve tona. Afërsia që kishim me Mihjen Sipërfaqësore të Bardhit i bënte pozicionet tona cak i sulmeve të njëpasnjëshme nga forcat serbo - sllave, tentativat e tyre ishin të pa ndërprera për të thyer dhe futur në kontroll pozicionet tona.

Pas informatës se jemi rrethuar filluam me dalë jashtë në rrugë, me të dalë në rrugët e lagjes u ndesha me Feridin dhe mu drejtua edhe me tha: A daj, sot paskem dasëm edhe pakemi me u nxeh shumë.

Edhe unë ia ktheva: po valla dajës, siç po shihet sot vërtet paskemi me u nxeh.

Ndarja e detyrave nga komandant Dini dhe marrja e pozicioneve

Me të kuptuar për gjendjen, patëm ndarjen e detyrave nga komandanti Abedin Sogojeva – DINI, e cila ndarje e këtyre detyrave rezultoi me sukses, pasi që rezistenca është në të gjitha anët, tek lagjja e Rronolleve në afërsi të Gospojës, skuadrat e udhëhequra nga Ali Berisha, zv.komandant dhe Xhelil Berisha, dhjetar në përbërje të ushtarëve si: Shabani, Musa, Bujari, Lirimi, Vullneti, Avdyli, Bedriu, Fehmiu, Baci Zeqë, Ganiu, etj, bashkë me togun e Bardhit i zunë pozicionet që të rezistojnë dhe mos të zmbrapsën nga armiku për asnjë çmim.

Derisa përgatiten ushtria serbe për të sulmuar nga ana e Gospojës, gjegjësisht fshatrave Vasilevë, Dobrashec.

Për rreth shtëpive ne lagjen e Sogojeveëve, ku dhe është shtabi i UÇK-së, është një numër i luftëtarëve si; Fidaiu, Aliu, Afrimi, Mirsadi, Adnani, Xhevati, Milaimi, Hyseni, Veliu, Petriti dhe tashmë dëshmori i kombit Ferid Curri, të udhëhequr nga komandant Dini. Komandanti na caktoi detyrat edhe vendet, se ku do të rrezistojmë ne ndaj këtyre farcave me tërë atë arsenal të tmerrshëm që e kanë, pra duke filluar prej istikameve në Bregi edhe bunkeri te Shtëpia e Sadikut drejtë shtëpisë se Lahut, shtëpisë së Hamzës, shtëpisë e Elmiut, edhe poshtë deri në hyrje tek shtëpia e Shahinit ishim të vendosur, kurse komandanti lëvizte prej një pike në tjetrën përgjatë tërë rrugës kryesore.

Vija ajrore e serbëve është diku 400 metër. Ne pozicione në zabele ku i kemi poashtu istikamet jemi të pozicuonuar, ne ushtaret në krye me Arsim Sogojevën (dhjetar), Ragipi, Bedrija, Fikrija, Avdyli (tani Kryetar i OVL-së UÇK-së të Fushë Kosovës).

Në pozicionet e serbëve (te Guri edhe pika e dytë në Kërrshin e Halitoviqe janë grumbulluar me qindra e mijëra ushtarë dhe policë serbë, të cilët ende pa u ndritë filluan t’i pergatitin minahedhset dhe armët altirelike më të rëndat për një ofanzivë.

Pasi i morrëm detyrat edhe i zumë pozicinet tona, e pamë se prej kërrshit të Halitoviqe përgjatë lagjës së Berishëve, telave të kombinatit – mihjes siperfaqësore të Bardhit të madh e deri në kala ne jemi të rrethuar, dmth nuk kemi asnjë dajle prej këtij rrethi të hekurt. Pozicionin të cilin më caktuan mua edhe Veliun- janë shtëpia e Hamzës në lagjen e cila e ka vetëm pllakën e jo edhe kulmin.

Është herët kur bashkë me Veliun u pozicionuam, por për qudi edhe pse nuk ishte edhe aq ftohtë, Veliu nuk ndihet mire me shëndet, pasi ka dhimbje të tmerrshme koke e të ftohura. E pyeta; Pse po dridhesh? Mos ta nien, çysh e ka shkrue Zoti, ma kthen; Jo bre, s’po frigohem hiç, por se di si ethet me kanë kap diçka.

Ashtu të dy qëndruam, të palëkundur nga betimi i dhënë, në ballë të luftës një jetë kemi, të cilën do të ia falim këtij dheu,vetëm e vetëm që brezat t’a jetojnë lirshëm jetën t’a shohin diellin e LIRISË, t’a shijojnë paqen, të cilën ne edhe nga këtu po e ëndërrojmë.

Ofanziva ka filluar fiks në ora 07.07 min. Kur serbo - sllavët filluan granatimet me minahedhës, topa pa dridhje, topa kundërajror, e armë tjera të kalibrave të ndryshëm sa të krijojnë përshtypjen se janë rafalë automatiku me intensitetin e gjuajtjeve. Së pari fillaun t’a granatojnë lagjen e Muzhakëve dhe më pastaj filluan në Lagjen e Sogojevëve. Aq shumë granata gjuajtën sa që nuk e dijmë edhe ku jane duke rënë lartë apo poshtë. Njëra prej gjuajtjeve, në fillim të tyre ra mbi pllakën e shtëpisë së Hamzës, pra në shëpinë ku ishim të vendosur, unë dhe Veliu.

Granata e cila goditi pllakën, nën të cilën ishim ne, e copat e saja ranë mbi kokat tona, nga të cilat mora plagë në kokë, dha gjaku që me lante fytyren e trupin, s’po më ndalet, pas shumë përpjekëjeve të Veliut, për të më dhënë ndihmën e parë, me mundesitë që kemi, gjaku mu ndal, dhe dhembja filloj të më pushoj, nuk u zbrapsëm, luftimet vazhdojnë me përforcime nga ardhja e komandant Dinit, më pa dhe më thotë se të paska kaluar, duke me dhënë kurajo, trimat nëntë herë bien dhe dhjetë herë ngriten! Kthim prapa s’ka! edhe në këtë gjendje që je, e përcjelli policët dhe ushtarët serb tek varret e Berishëve që mos t’i lejojmë serbët me kalue urën e lumit drejt nesh.

Kështu i gjakosur, bashkë me shokët panderprerë gjaujm në drejtim të urës, kurse Veliu ishte në katin e dytë ku gjuan në drejtim të Halitoviqe në pikën e dytë ku janë serbët.

Pas sulmit me artileri të rëndë, drejt pozicioneve tona mësyhen këmbësoria, që doli tentativë e kotë, pasi që luftëtarët - ushtarët e UÇK-së nën udhëheqje të komandant Dinit janë të pa trembur dhe të vendosur që me vdekë, por pozicionet mos me i lëshu...! Forcat serbo - sllave kanë mësy pozicionet tona nga të gjitha anët, jemi të rrethuar, por assesi të mposhtur, ashtu siç kishte qenë ankth për Serbinë, tani më veç po konfirmohej se këto istikame nuk do lëshohen për asnjë çmim.

Gjate luftimeve një serb pa u rue fare leviz pip në këmbë, naltë e poshtë kah shtëpia e Rexhep Berishës, përgjatë një rruge këmbësore vinte deri te rruga e trenit. Meqenëse une kisha pushkë automatike (dhjetëshe) dhe është më e mirë për gjuajtje në distanca më të gjata se sa automatiku, filloj të gjuaj, por ndërkohë gjuan edhe Veliu, por edhe komandanti që na nuk e dijmë se ndodhet mes nesh.

Po e shohim se pas pak polici ra në tokë edhe unë po i themë Veliut: qëta e kurtalisa, kur pa pritë dëgjoj një zë, komandanti që ishte vendos në këndin tjetër të shtëpisë ku ndodhemi ne, dhe më tha: po, mos me pas gjuajt edhe unë, ai s’ish ra kurrë (komandanti ka qenë shumë i saktë në gjuajtje), duke qeshur ia ktheva; po aiii, ani de pasi gjuajtëm që të tre, lërmani bile këtë dhe të gjithë qeshëm, ha, ha, ha. Po, po ta pranoj më tha, por vetëm me një kusht që ata dy policët në shtëpinë e Cekëve mos m’i lësho me dal këndej ure.

Kjo tregon se, nuk kemi frikë nga kjo ofanzivë e tmerrëshme, sepse të gjithë jemi të përgatitur për këto luftime.

Ne, meqenëse jemi rrethuar në të gjitha anët, as ne më nuk ruhemi fare sa dikur, jemi në gjendje edhe ballë për ballë me ju dal.

Diku rreth orës 09;45, serbët filluojnë të kalojnë lumin Drenica tek veni Pusi i Bakisë kështu quhet nga ajo anë, por edhe nga ana e urës së Xhemajloviqe. Derisa nisen me hy serbët në arat e rrafshit ku janë nën kontrollin tonë, kontrollin e UÇK-se, ku me një luftë të hapur me gjuajtje të pandërprera nga ana jonë detyrohen të largohen, shumë prej tyre të plagosur, i tërheqin dhe i bartin me Pizgauera të ushtrisë, të cilët Pizguaera ishin mbështjellur me shirita gome të fortë për mos me i vërejt dhe mos me u shkaktuar dëme.

Sipas informatave që na kanë ardhë, aty ka pas shumë të plagosur edhe të vdekur nga ana e armikut.

Granatimet nuk ndalojnë, tentativat për futje me këmbësori nuk rreshtin nga gjitha anët, Petriti, Xhevati dhe Adnani me urdhër të komandant Dinit detyrohen që të ndërrojm pozicion, pasi që forcat serbe fillojnë që nga lagja e Mjekiçëve të iu ofrohen pozicioneve tona, ku me PKT-në e famshme (armë e kalibrit të rëndë) i zbrapsëm, në këtë pozicion bashkohet me ta edhe Dr. Ridvani. Granatimet nuk ndaluan rreth nesh, para dhe pas nesh, nuk mbeti asnjë pëllëmbë toke pa u granatuar.

Nuk e di saktë, kohën por paradite erdhi Fidaim Berisha-Fidi afër pozicionit ku isha unë edhe Veliu, edhe më thirri, ku je? Për momentin isha në katin e dytë, më tha zbrit, por mos u frigo, se jam plagos edhe jam i larë me gjak, lidhma kokën nëse ke fasha. Kur dola e pash pothuajse i tëri në gjak, dikush prej ushtarëve ia kish dhënë ndihmën edhe unë e plotësova aty ku kishte rrjedhjë të gjakut, por edhe pa ju ndal mirë gjaku iku prapë në pozicionin e tij.

LIRIA ka plagët e saja, prandaj është e SHTRENJTË, E as nuk falet, as nuk shitet!

Nga ana e kërrshit të Halitoviqe pandërprerë gjuajnë me minahedhësa sa që nuk mundem as me i numëruar. Me gjuajtje të pandërpera në pozicionet ku ishin të vendosur Feridi, Alia Mirsadi Fidi edhe herëpasehere edhe komandanti, sepse ky lëvizte nëpër të gjitha pozicionet. Një prej minahedhësve ishte fatal forcat tona, ku u plagos rëndë ushtari jonë Ferid Curri, i cili ishte me pushko- mitroleze 100 në dorë.

Nga granatimet e fuqishme plagosen Feridi dhe Fidi, krejt në anën tjetër ku ishin të vendosur plagoset edhe Petriti - vëllai i Feridit. Shpresa për shërimin është e pranishme ndër ne, pasi që plagët nuk duken që mund të jenë vdekjeprurëse, pra mund të mjekohen, veç njërit nga të plagosurit që ka marrë, jo një plagë, por më shumë se 40 plagë, nuk kishte mbetur vend ku nuk kishte plagë, predha i kishte amputuar dhe gishtin tregues, Feridi...! Feridi nuk brengosej për plagët e tij, por brengosej se si do të luftoj dhe gjuaj forcat serbo - sllave.

Edhe pas plagosjes së disa luftëtarëve dhe tërheqjes së tyre për t’iu dhënë ndihmë, luftimet nuk ndalen, tashmë jo veç që luftohej kundër armikut por luftohej dhe në shpëtim të jetëve të ushtarëve, gjithë këta të plagosur ishin në dorë të Dr. Ridvanit.

Dr. Ridvan Krasniqi do përshkruante kështu situatën e krijuar: ç’ishte kjo pyeta vetveten? Vetëm sa kisha mjekuar Petritin, e tash para vetës kam plagët e vëllait të tij Feridit! Vija e frontit shtrihej gjithandej, vallë sa do të jetë bilanci i ditës së sotme? Feridi kishte shumë plagë në trup, thuajse në çdo pjesë të trupit, deri të amputimi i gishtërinjve të dorës së djathtë.

Atdheu don LIRI, liria don GJAK, atdhe, lirinë e gjakut tonë e ke HAK!

Në pozicione më poshtë, në ora 11.15 min, morrëm lajmin se është plagosë Feridi. Feridi ishte plagosur aq shumë, sa që kishte marrë 40 plagë nga minahedhësi dhe armatimet tjera të serbëve, ishte lënduar rëndë në shpinë dhe gishti tregues i kishte mbetë në pjesën e istikamës.

Pas plagosjes, Milushi e Mirsadi me kolicë e bartin deri në mal (tek Hargallë).

Në mesditë një ushtar e jep një lajm, se forcat serbe kanë hy ne lagjen e Rronollëve edhe ne duhet të tërhiqeshim, por del në pah vendosmëria e komandantit, dhe ne nuk u tërhiqem, pastaj kjo doli që ka ishte një dezinformatë.

Ofanziva zgjati tër ditën, pandërprerë për asnjë çast.

Të gjithë ushtarët janë në vijën e frontit edhe për asnjë millimetër nuk u zbrapsën.

Gjatë tërë ditës togu i Bardhit të Madh dhe të togut tonë si Ali Berisha, Xhelil Berisha, Shabani, Musa, Bujari, Lirimi, Vullneti, Avdyli, Bedriu, Fehmiu, Baci Zeqë, Ganiu, etj, bashkë me togun e Bardhit rezistojnë dhe nuk zmbrapsen nga armiku që kishte filluar sulmin nga pjesë e Gospojes, gjegjësisht fshatrave Vasilevë, Dobrashec, pra kishin dal për të luftuar ballë për ballë me serbët në distnaca shumë të vogëla, deri në një metër, pra fyt me fyt. Në këtë betejë, sipas informatave të atëherëshme ishin plagosur Fatmir Kodra, Idriz Bani, Mici, Gani Pecani etj.

Pas dite, ora shënon 13: 30, bie intensiteti i granatimeve dhe tentativave të disa herërave për të na shpartalluar, edhepse, dhe nga ne me pasoja të mëdha në njerëz. Pas orës 15;00, forcat serrbe filluan të tërhiqen, ne mbanim pozicionet tona, duke vëzhguar çdo lëvizje të armikut deri në mbrëmje. Epilogu i krijuar gjatë gjithë ditës se luftimeve të ashpra kishte krijuar një situatë të veçantë, njërën anë civil të plagosur, në anën tjetër ushtarët e plagosur, Feridi shumë rëndë, po ashtu Petriti dhe ai rëndë i plagosur.

Nata është e gjatë, është natë ndryhe nga netët tjera, na ka kapluar qetësia, jemi të nemitur, jemi pa gojë. Edhepse është ndalur ofanziva e serbëve, ne prap jemi gjithnjë duke vëzhguar nga snajsperistët dhe dalngadalë fillojmë të dalim nga pozicionet tona.

Bashkë me kamndant Dinin edhe Aliun nisemi për në istkamën tek Hargalla për të dal në malet e Hargallës siç e quajnë banorët e kësaj ane. Erdhëm tek istikama në Hargallë jemi renditë Aliu, Kamandanti dhe unë, në bisedë e sipër, po më thotë kamonadanti , kurgja Feridi nuk është plagosë, sa është plagos Petriti (Haxhia), që ishte vëllai i tij edhe më tha kujdes se Aliu nuk e di. Pra gjatë ofanzivës ishte plagos edhe Petriti që ka qenë në pozicionet mbi Hargallë bashkë me Xhevatin, Fehmin, Adnanin dhe Doktorrin Ridvanin ku të gjithë ishin plagosë dikush më rëndë e dikush më lehtë.

Dolëm nga istikama dhe hyjmë në male, komandanti më thotë, une dhe Aliu po shkojmë prej Mjekiqëve andej kah lugu i Zenelit, e ti shko tek Petriti në vend se me më thënë te Feridi, pra nga mërzija, stresi etj, iu kishte ngatrruar emri.

Me t’iu ofruar e pashë të shtrirë në një batanije edhe po e thirri, ah Haxhi bre, a je lënduar shumë? Ma priti, o s’jam Haxhia o dajë, por Feridi.

Me të ishte ushtarja e tugut tonë, Miradije Berisha e cila, si mjeke infermiere i ofronte ndihmë. Për një moment znj, Miradije më tha; Hajde ndihmom ta ndreqim se është keq i shtrirë dhe mbaja këmbën, Derisa po ia mbaja këmbën pashë tokën e mbuluar në gjak që kishte rrjedhur nga trupi tij, u ndjeva i thyer, u ndjeva shumë keq, gjendja është shumë serioze.

Feridi megjithë plagët e marra, kurrë nuk u ankua, kurrë ofa nuk bëri, përkundër ankohej që nuk mund të jetë bashkë me shokët në front.

Erdhën ushtarë tjerë, pas një kohe e dërguan tek një vend që ne e quajmë ,,veni i keq’’ që mos të rrezikohet prapë prej serbëve. Tërë natën e ka kaluar me Xhevën Haxherën Aliun, Fitoren edhe disa ushtarë tjerë. Në anën tjetër Dr. Ridvani vazhdonte betejën për shërimin e plagëve të Feridit, ishte një betejë e vështirë, rrethana të jashtëzakonshme, kishin bërë natën në pyll, ishte një natë e gjatë...!

Rrefimi i Doktor Ridvanit që kishte qëndruar tërë natën me Feridin.

Ishte ky:

,,Kurrë në jetën time nuk kam hasur në një njeri të tillë, me aq karakter të fortë, qëndrim stoik ndaj plagëve. Kishte gjithë ato plagë në trup, përmbahej me fuqi të jashtëzakonshme, nuk rënkonte, përkundrazi u thoshte shokëve se ai do bënte më mirë dhe do kthehej në vijën e frontit. Një ndjenjë e përzier më kishte mbërthyer në kohën sa qëndroja pranë Feridit. Isha edhe mjek pranë pacientit, por edhe shoku pranë shokut. Madhështia konsistonte në faktin se si profesionist u gjeta aty ku duhej dhe në mesin e gjithë atyre njerëzve të mrekullueshëm..! ‘’

Gjate kësaj ofanzive kishte edhe civilë afer dhe janë plagosur dy vajzat e Naser Berishës

Kjo ishte ndër ofanzivat më të mëdha që janë zhvilluar diku, sa për informatë deshmitarët nga fshatrat për rreth si Hade, Shipitullë që ende nuk i kishin laguar kur e kanë parë gjithë këtë arsenal të Serbisë që është zbrazur mbi pozicionet tona kanë menduar se asnjë gjallë nuk kemi shpëtuar, sa qe edhe kur janë takuar me disa familjet tona në Shqiperi, Maqedoni etj, ishin të informuar se të gjithë kanë vdekur.

Si të shumë të tjerë edhe Esat Curri ishte vendosur në Shqiperi. Njerëzit sa kanë qenë aty afër në ditën e kësaj beteje të 14 prillit kurqysh nuk e kishin të kjartë që ka shpëtuar gjallë edhe me të marrë këtë informatë dikush e kishte informuar Esatin ( Baban e Feridit dhe Petritit) se i kanë vrarë të dy djemtë, dhe të nesërmen ai hapi të pame për të dy djemtë.

15 prilli i vitit 1999

U ngritëm herët në ora 05.15 në mënyrë që mos të befasohemi nga ndonjë sulm eventual i serbëve. Të gjithë e kishim mendjen se si është me shëndet Feridi, a do t’iu përballoj plagëve të marra gjatë luftimeve?!

Informatat na vinin se pas plagosjes kishte një problem më të madh se dhimbjet e mëdha që ia kishte shkaktuar granata. Problemi ishte se një copë e granatës ia kishte bërë të paaftë për funksionim shuplakën e dorës se djathtë dhe Feridi brengosej se nuk do të mund të luftonte më. Ajo ishte dhimbja më e madhe për të se gjithë ai hekur që i kishte depërtuar në trup.

Pra dita e 15 prillit filloi me një vigjilencë të shtuar, u bë evakuimi i pak familjeve - civilëve që ishin aty, ushtarët morën detyrat dhe gjithçka ishte në gatishmëri. Në anën tjetër Dr. Ridvani vazhdonte betejën për shërimin e plagëve të Feridit, ishte një betejë e vështirë, rrethana të jashtëzakonshme, kishin bërë natën në pyll, ishte një natë e gjatë.

Komandant Dini, Avdyli, Adnani dhe Lirimi kishim shkuar në majën e Gospojes, një pikë e lartë strategjike ku krijohej mundësia që shumë më lehtë të komunikohej me radiolidhje. Komandanti komunikonte me radiolidhje, njoftonte Shtabin e Zonës dhe Shtabe tjera për epilogun e luftimeve, me mburrje fliste për ushtarët e tij, fliste për suksesin, për qëndrimin heroik të ushtarëve të tij, fliste për të plagosurit, në veçanti për Feridin që ishte plagosur rëndë, kërkoi dhe ndihmë në mjek dhe pajisje mjekësore

Komandanti gjatë tër ditës merrte urata nga gjithë anët duke uruar me thënien ,,Ju lumshin pushkët o trima’’, ne rrinim të heshtur, vështronim në heshtje dhe mendonim se a do mundet të ia hedhë Feridi gjithë atyre plagëve...?!

Bashke me Aliun dolëm në roje tek Istikamet, mu aty ku ishte plagosur Feridi, vëzhgonim terenin edhe pamë gishtin e Feridit edhe një pjesë të dorës së tij. Rreth orës 10;45 erdhi edhe Mirsadi, Skenderi edhe Fehmiu që treguan se Feridi është shumë rëndë me shëndet nga plagët. Edhe pse ishte dicka më qetë, degjohen vetëm bombardimet e NATO-s për rreth Prishtinës, Goleshit etj, edhe forcat e Serbisë poashtu sulmonin nga ku dëgjonim granatimet diku më thellë në fshatrat e Drenicës.

Aliu shkoi menjëherë dhe mbeta vetëm me Mirsadin për të vëzhguar terenin. Gjatë vezhgimit, Mirsadi në bisedë e sipër që kishim më tha: Prof, të kisha me dëgjue se u shërua Feridi, nuk kisha dashtë asgjë më shumë, dhe iu mbushën sytë me lotë. Dikur mbeta vetë, Mirsadi tha nuk mundem me ndejtë, po shkoj edhe unë tek Feridi.

Ora ishte 11.40 e ditës kur na erdhi një lajm se në ora 11.15 të datës 15.04.1999 ( ditë e enjte), lajmi i vështirë, lajmi i kobshëm se ushtari ynë Ferid Curri ka vdekur nga plagët e rënda që i kishte marr në front.

Nga të gjithë ata që ishin pranë tij, treguan se: kurrë nuk u ankua nga dhimbjet e plagëve, kurrë of, nuk bëri, edhe gjithnjë duke thënë se të kisha mujt edhe pak me luftue me serbët e jua bafsha Nanën…..

Ishte vdekje shumë e rendë, bile vdekja e ushtarit ishte shumë shume e rëndë. Të gjithë në fëtyra u dallohemi se ishim vërtetë të pikëlluar.

Momenti më i vështirë për mua ishte takimi me Petritin.vëllai i Feridit, i cili poashtu ishte shumë i lënduar. Ai kishte ardh nga vendi i plagosjes në male dhe ishte vendosur në Dhomën e Shtabit në shtepinë e komandantit. Për momentin ishte vet, sepse të gjithë ushtarët po përgatiteshim për t’i dhënë lamutimirën e fundit, shokut tonë të shtrenjtë, shokut tonë të luftës, heroit të lirisë, Feridit tonë.

Takimi me Petritin ishte shumë prekës, sepse kur i shpreha ngushëllime qëndruam gjatë të përqafuar, nga lotët nuk mund të flisnim asnjëri, por megjithatë në fund shqipëtova fjalët ngushëllime për hubjen e vëllait, një ushtar i cili ra me pushkë në dorë në këtë betejë, e cila ishte beteja më e madhe në krejt Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”.

Fiks në ora16.53 filluam të gërmojmë varrin ku do të prehej përjetësisht shoku ynë i dashur Feridi, i pari e filloi Aliu. Rreth orës 18.15, duke vëzhguar një snajsperist serb gjaujti në drejtim tonin sa që krejt që ishim aty e degjuam fishkëllimen e plumbit që ishte mu në drejtim të varrit që ishim grumbulluar. Meqenëse u errësu, ne kishim nevojë për drita, mu për shkak të dritave snajsperistët u munduan të na pengonin në varrimin e Feridit.

Pak pas ores 20.00 u varros luftëtari i UÇK-së dhe dëshmori Ferid Curri.

Në rrethana lufte, në kushte shumë të vështira, në një atmosferë shumë të rëndë emocionale, në orët e mbrëmjes i japim lamtumiren e fundit shokut tonë Ferid Curri.

Feridi mori rrugën e të zgjedhurve, ne shokëve, familjes, të afërmëve, na la krenarinë, njëherësh dhimbjen e madhe në shpirt...!

Ra për të mos vdekur kurrë! Lavdi trimit.

Dua ta ceki se edhe komandanti menjeherë pas perfundimit të luftës ishte shumë i sëmuar nga mushkëritë, pak para vdekjes pat lanë amanet që ta varrosim mu në varrin e Feridit, pasi që Feridi u zhvarros pas lufte, në varrezat e Deshmorëve në Prishtinë, gjë që edhe amaneti i shkoi në vend është i varrosur në varrin e dëshmorit Ferd Curri.

Hysen Sogojeva, pjesëtarë i UÇK-së, tani veteran luftëtar i UÇK-së!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat