​Zbulohet lumi antik që kishte rrjedhë për 100 mijë vjet në Mars

Historia

​Zbulohet lumi antik që kishte rrjedhë për 100 mijë vjet në Mars

Më: 6 maj 2020 Në ora: 17:16
Ilustrim

Duke përdorur pamjet e sipërfaqes së Marsit, shkencëtarët kanë përcaktuar më herët se kishte shumë ujë të rrjedhshëm në planet shumë kohë më parë. Por tani ata kanë gjetur provat e para të një lumi që ka rrjedhur në Planetin e Kuq për më shumë se 100.000 vjet.

Gjeologu Francesco Salese dhe kolegët e tij në Universitetin e Utrecht në Holandë kanë zbuluar një shkëmb të lartë në skajin veriperëndimor të basenit Hellas Impact, i cili duket se është gdhendur me kalimin e kohës nga një rrjedhë e një lumi antik, shkruan New Scientist.

Në mënyrë të veçantë, ndërsa rrjedhin lumenjtë, ata depozitojnë sedimente që grumbullohen në shtresa. Shkëmbi i vëzhguar nga shkencëtarët në Mars është i gjatë rreth 200 metra dhe i gjerë 1.5 kilometra. Shkëmbinjtë e vlerësuar sedimentarë janë rreth 3.7 miliardë vjeç. Që ky lloj shkëmbi të formohet në Tokë, do të duhej të gdhendet nga një lum që rrjedh për të paktën 100.000 vjet.

Salese dhe ekipi i tij e gjetën këtë shkëmb duke përdorur të dhëna satelitore nga kamera HiRISE e cila ndodhet në fluturaken Reconnaissance Orbiter të agjencisë amerikane të hapësirës NASA, transmeton KosovaPress.

"Një depozitë me trashësi 200 metra kërkon rrjedhë të vazhdueshme të sasive të konsiderueshme të ujit të rrjedhshëm. Kjo do të thotë që ky lumë duhet të ketë rrjedhur gjatë gjithë vitit, duke sugjeruar që Marsi dikur kishte një cikël reshjesh të ngjashme me ato në Tokë," tha Salese.

Baseni Hellas, në hemisferën jugore të Marsit, dikur kishte liqene të mëdhenj dhe një rrjet lumenjsh dhe deltash.

"Zonat gjeologjike si këto janë thelbësore në kërkimin e provave të jetës antike në Mars," theksoi Salese, duke shtuar se roveri i NASA, Perseverance në korrik ose gusht, do të eksplorojë depozita të ngjashme shkëmbi në një zonë tjetër të Planetit të Kuq .

Studimi është botuar në revistën ‘Nature Communications’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat