Gjon Kanale, kompozitori i Himnit të Lidhjes së Prizrenit

Historia

Gjon Kanale, kompozitori i Himnit të Lidhjes së Prizrenit

Nga: Gazmend Shpuza Më: 7 qershor 2020 Në ora: 14:58
Foto Ilustrim

Giovani Canale (Gjon Kanale) është një emër që ka mbetur fare pak, për të mos thënë aspak i njohur jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por dhe të arbëreshëve të Italisë, madje dhe në Shkodër ku ai jetoi dhe veproi jo vetëm si klerik, por dhe si artist atdhetar i madh i botës shqiptare. Ai është kompozitori i parë i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, autori i himnit të Shqiptarisë, “Bashhkimi i Shqipnis”. Me tekst të Pashko Vasë Shkodranit, ekzekutuar nga Banda qytetëse e Shkodrës e përbërë nga të rinj zejtarë dhe tregtarë të Pazarit të Shkodrës. Qytetarët e quajtën “Kanga e Miletit” (Kënga Kombëtare) dhe ajo u bë Marshi i Lidhjes së Prizrenit. Me vargjet “Çonju shqiptarë prej gjumit çonju e në një besë shtëngonju” luftëtarët e Lidhjes Shqiptare niseshin në luftë për mbrojtjen e trojeve amtare.

Para 5-6 vjetësh pata shkruar posaçërisht për këtë temë. Megjithatë, ende pak kush e din në se ka ekzistuar një hymn i Lidhjes së Prizrenit, cili është ai, kush janë autorët e tij dhe ca më pak njihet historia e ekzekutimit të tij me pengime e cungime të njëpasnjëshme gjatë këtyre afro 140 viteve që nga koha e krijimit të tij. Lihet në harresë deri dhe emri i autorit të tekstit, i paharrueshmi mirditas Pashko Vasë Shkodrani. Dhe ka mbetur thuajse i panjohur kompozitori dhe dirigjenti i orkestrës Mjeshtri i madh napolitan që i dha jetë Hymnit të Lidhjes, kompozitori arbëresh At Gjovani (Gjon) Kanale, De Rada i Pentagrameve të para të madhërishme të Rilindjes sonë Kombëtare.

Hymni lindi pikërisht në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881 dhe jo rastësisht në qytetin e Shkodrës. Megjithëse as katër vjet, ato përfaqësojnë, pa e tepruar, një periudhë epokale të historisë sonë kombëtare në rrafsh ideor, politik, organizativ përbashkues në mbrojtje të tërësisë së trojeve amtare dhe të luftës për sigurimin e Shqipërisë autonome. Në ato vite u krijua dhe veproi Lidhja e Prizrenit, Shoqata e Stambollit, qe botoi dhe shpërndau Alfabetaren historike të saj. Nuk është fare e rastit që pikërisht në këto vite në qytetin më të madh të trevave shqiptare, në Shkodër, nisi veprimtarinë e saj banda e pare qytetëse në këto vise. Nismën për ngritjen e saj e morën të rinjtë zejtarë dhe tregtarë të Pazarit të madh të Shkodrës, rinia që mblodhën paratë për sigurimin e veglave muzikore.

Burime të para 130 e sa viteve japin dëshmi të sakta dhe tejet interesante lidhur me lindjen e Hymnit të parë Kombëtar të shqiptarëve, pak të njohur deri më sot jo vetëm në rrethet letrare e artistike, por dhe në mjediset tona muzikore. U bë i njohur nga gazetare italianë dhe austriakë, kur ai u ekzekutua në Shkodër përkrah forcave vullnetare të Lidhjes të gatshme për të marshuar në mbrojtje të viseve veriperëndimore shqiptare. Sapo u njoh teksti ai u kompozua dhe qe vënë në qarkullim i ekzekutuar nga banda e rinise Shkodrane dhe e kënduar nga luftëtarët që po niseshin në front për mbrojtjen e trojeve amtare.
Këto të dhëna i pat kumtuar prof. dr. Mikel Prenushi, në prag të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në vitin 1978. Shkrimi i tij nuk pati aso kohe jehonën që meritonte. Gjithsesi botimi dhe njohja me të aso kohe ndikoi për përfshirjen e Hymnit të Lidhjes së Prizrenit në repertorin e Bandës muzikore të Ushtrisë Popullore, e cila e ekzekutoi atë, më 10 qershor 1978, midis marsheve atdhetare e partizane në sheshin që mban emrin e Heroit Kombëtar, para monumentit, të tij, me rastin e mitingut madhështor të 100-vjetorit të Lidhjes. Pjesëmarrës në miting pashë profesorët Luan Omari dhe Mark Kakarriqin që po e këndonin me fjalët e poemës “O moj Shqypni.” Pyetjes qe u ba në mes nesh se kush mund ta ketë kompozuar, professor Luani u përgjigj aty për aty: Me siguri ndonjë prift.

Arbëreshi At Tomaseo Markoci (Marcozzi) i mirënjohuri aso kohe në Shkodër Patër Toma, me ndihmat e mbledhura në Pazar, porositi dhe solli nga Italia instrumentet muzikore për bandë dhe pajtoi për ngritjen e orkestrës frymore mjeshtrin napolitan Gjon Kanale (Giovanni Canale), edhe ky arbëresh. Banda e qytetit të Shkodrës u ngrit, u zhvillua, dhe u mbajt në këmbë ne sajë të atdhedashurisë të zejtarëve artdashës të qytetit me tradita kulturore të veriut shqiptar.

Koncertin e parë në publik banda e Shkodrës e dha, sipas ndonjë të thëne, me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1878. 31 instrumentistët e saj janë muzikantët e parë shqiptarë që kanë interpretuar mbështetur mbi bazën e sistemit modern të notave muzikore. Atyne at Gjoni ua pat mësuar pentagramin modern të notave. Banda jepte, që në fillimet e veprimtarisë së saj, koncerte në “Milet bahçe” (Lulishten popullore”). Populli e quante atë “Daulla”.

Korrespondenti i gazetës austriake “Wiener Algemeinen Zeitung”, i ndodhur në Shkodër, më 1880 dëshmon: “Z. Canale… kishte fituar merita të mëdha me anën e krijimit të një bande muzikore qytetse. Brenda një kohe të shkurtr, nga shqiptarë të pamësuar, që nuk kishin asnjë ide per muzikën, përgatiti muzikantë të shkëlqyer. Unë u mahnita nga puna e bandës muzikore që luante me një saktësi të rrallë. Patjetër u preka në mënyrë të veçantë kur në rastin e së kremtes të Korpit të Krishtit në katedrale, dëgjova arie operash në vend të këngëve kishtare… Në fund ajo dha me sukses ‘Marshin e Lidhjes’ kompozuar nga vete zoti Canale. Me duhet të rrëfej se bukuria e tij qe krejtesisht e papritur”.

Korrespondenti vjenez, njohës i kualifikuar i muzikës evropiane, na dokumenton aso kohe veprimtarinë artistike, jo vetëm fetare por dhe laike dhe, mbi të gjitha, atdhetare, të bandës qytetëse të Shkodrës dhe të krijuesit dhe drejtuesi të saj at Gjon Kanales. I njohur nga afër me këtë eveniment kulturor jo të zakonshëm gazetari austriak vlerësonte lart jo vetëm ekzekutuesit, por dhe autorin e marshit: “Jam i bindur se ky marsh po të botohej, shpejt do të qarkullonte në Evropë, siç ngjet shpesh me ndonjë pjesë të bukur që të kënaq veshin.” Hymni i kompozuar nga Patër Gjon Kanale vlerësohej në një nivel të pëlqyeshëm në përqasje me ato që ekzekutoheshin aso kohe në Evropë.

Më pas, repertori i orkestrës frymore do të përfshinte, veç muzikës kishtare dhe pjesë të vogla: marshe, këngë atdhetare, përpunime këngësh popullore në formën e potpurive etj. Ajo u pasurua, gjithashtu, dhe me pjesë të zgjedhura nga repertori operistik. Orkestra frymore bëhet gjithnjë e më shumë pjesëmarrëse aktive në jetën shoqërore dhe politike atdhetarte të kohës.

Teksti i Marshit të Lidhjes, siç dokumentohet, u bë i njohur në Shkodër në vitet e Lidhjes së Prizrenit përmes fletëve volante të shtypura në Stamboll. Në to qe riprodhuar poema kushtrim e Pashko Vasës “O moj Shqypni”. Finalja e saj u bë shpejt e dashur për luftëtarët dhe popullin tonë. Sipas një dokumenti të atyre ditëve, dëshmohet, se “Kanga i jep shpirt popullit”. Jemi në një kohë kur qëndresa e shqiptarëve, siç deklaronin arbëreshët, “po mahnit Evropën” . Siç shprehej një dokument vendas i vitit 1880, lëvizjes politiko-kulturore shqiptare të viteve të Lidhjes, u jepte “gajret (kurajo) vegjelia”, njerëzit e thjeshtë, që po luftonin me heroizëm në mbrojtje të trojeve amtare.”

Marshi Kombëtar i shqiptarëve ne fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit XIX u hartua nga luftëtari i revolucionit për çlirimin e Italisë nga zgjedha austro-hungare, nga Pashko Vasë Shkodrani, tani ideologu i madh i Rilindjes dhe organizatori i Lidhjes së Prizrenit. U kompozua nga mjeshtri napolitan Xhovani Kanale, një prodhim i nivelit evropian ky jo vetëm në aspektin e gjuhës muzikore, por dhe nga përmbajtja kombëtare e demokratike. Pikërisht për këtë arsye ai nuk u ekzekutua dhe as nuk u këndua haptazi pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. Por dhe pas Shpalljes së Pavarësisë ekzekutimi i tij nuk qe aq fatlum.

Prof. Injac Zamputi na dëshmon për arsyet e këtij qëndrimi refraktar, të mbajtur, sikurse ndaj veprave të tjera të rilindasit tonë të madh, edhe ndaj Hymnit të Lidhjes nga frika se mos mbillej “fara e keqe e antiklerikalizmit dhe e antidespotizmit” në popull. “Ne jemi dëshmitarë, shkruan ish-nxënësi i dalluar i kolegjit Saverian të Shkodrës e më pas profesori i këtij istitucioni arsimor, se e kemi kënduar përherë me mall e zjarr këngën e Pashko Vasës, dhe e këndonim fund e majë, por askurrë nuk na i kishin thënë ato fjalë që flasin për ‘kisha e xhamija’ për ‘priftërinj e hoxhallarë’, për ‘fenë e shqiptarit që është shqiptaria’. Këto elemente i kemi ndeshur shumë më vonë, në moshën e pjekurisë, në literaturë”. Pra, në kohën e rinisë së tij Hymni këndohej i cenzuruar, pa vargjet lapidare

Vlera e Pashko Vasës të madh nuk u zbeh, siç mëtohet, në kohën kur pretendohet se u teprua me recitimin e vargjeve “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria!” edhe nga vetë krerët e partisë shtet. Vlerat e tij të vërteta u zbehën, jopak, vetëm atëhere kur himni i tij u ricensurua dhe sidomos kur nuk u dëgjua fare. Edhe tani nëpër disa ekrane po i dëgjojmë rishtazi të recituar po nga aktorët e mirënjohur jo të censuruar por të redaktuar deri në përçudnim të vargjeve. “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria” , duke i modernizuar siç e reciton Mirush Kabashi: “Mos shikoni shoqata e partina”. Apo duke i nxjerr jashtë kontekstit historik si në variantin që reciton Reshat Arbana: “ E mos braktisni jo kisha e xhamia/Veç e para fe e shqiptarit është shqiptaria!”

Ky qëndrim ndaj Himnit të Lidhjes po mbahet sot, jo rastësisht, kur veprat e tij madhore atdhetare, shkencore dhe letrare prijetare lihen në harresë. Për këtë po ndikon për keq jo më pak se dikur interpretimi fundamentalist nga të gjitha krahët i vargjeve të tij lapidare: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria!” Kisha e xhamia në trajtimin artistik të Pashkos katolik nuk stigmatizoheshin si institucione fetare në vetvete, por si organizma në të cilat në trojet tona qenë grumbulluar në shumicë klerikë të huaj apo dhe vendas, të cilët duke mos u kufizuar me shërbesat fetare, qenë rreshtuar në shërbim të politikave antishqiptare. Priftërinjtë dhe hoxhallarët e sotëm në trevat shqiptare nuk kanë pse të identifikohen me shumicën e klerikëve që kanë shërbyer në to gjatës Rilindjes dhe më herët.

Gazetarit libanez Mubarak, i cili pat ndihmuar, siç dëshmon diplomati i atëhershëm Dalan Buxheli në Egjipt, ambasadën tonë për atdhesimin e eshtrave të Pashko Vasës nga Libani në Shkodër, i pat bërë shumë përshtypje sesi ndodhte që eshtrat e ish valiut të Libanit nga një varr madhështor me kryq të preheshin tashmë në një varr pa kryq. Ai është edhe pa yll të kuq edhe pse prehet pranë dëshmoreve të LANÇ-it. Sot atij varri i përshtatet plotësisht shqiponja dykrenore në sfond të kuq e jo te ndonjë qelesheje apo plisi të bardhë.

U zgjatëm sa më sipër për të nënvizuar, se afetarizmi rilindas dhe antiklerikalizmi humanist evropian i Pashko Vasës nuk ishte siç pretendohet mbrapsht në ditët tona, madje më shumë se dje, ateist. Para pak kohe, në vitin e Skënderbeut dhe në vitin e 140-të të Lidhjes së Prizrenit shqiptarët, pa dallim besimi, mund ta kishin kënduar bashkarisht një zëri të pacenuar pa pasur frikë se hyjnë në mëkat apo bijnë në gjynah, Hymnin e Lidhjes “Bashkimi i Shqipnis”:

Në njiqind kolle jini shpërdám!
Ca thon’, kam fé, ca thon kem din,
Njêni asht Turk, e tjetri Llatin;

Do quhen Grek, e Shqeh disa tjerë,
Por jeni vllazën t’gjith, morè t’mjerë!
Priftnit e Hoxhët ju kan’ hutue,
Për me ju ndamun, me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej, ju rrin ndë votër,
Me ju turpnue me grue, me motër;
E, për ca pare, qi do t’fitoni,
Besën e t’parvet t’gjith e harroni,
E bâhni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën, as gjakun t’uej!

Kjani ju, shpata, kjani dyfeqe,
Se u zû Shqypnija, si zog ndër leqe!
Të kjajn trimnija bashkë me né,
Se rá Shqypnija me faqe n’dhé!
E s’i ka mbetun as buk’, as mish,
As zjarm në votër, as drit’, as pish’;
As gjak në faqe, as ndér ndër shok’,
Por âsht rrëzuemun e âsht bâmun trok!

Mblidhuni ju, vashëza, mblidhuni ju grá,
Me ata sy t’bukur, qi dijni me kjá;
Eni, t’vajtojm’ Shqypnín e mjerë,
Qi ka mbet’ shtuer, pa erz, pa nderë;
Ka mbetë e vej’, si grue pa burr’,
Ka mbet’ si nan’, qi s’pat djelm kurr.

Kujt i bân zemra m’e lân’ me dekë
Ket far’ trimneshet, qi sot âsht mekë?
Ket nan’ të dashtun, a do t’a lâm,
Qi njeri i huej t’a shkel’ me kâm’?

Nuk, nuk! Ket marre kurrkush s’e do;
Ket faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’humbet kështu Shqypnija,
Me pushk’ në dorë le t’vdes’ trimnija!

Çonju, Shqyptar’, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën, n’nji bes’ shtërngonju!
E mos shikoni kisha e xhamija:
Feja e Shqyptarit âsht Shqyptarija!

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli o vapë, o rrezë,
Asht toka jon’, t’Par’t na e kan lânë,
Kush mos t’na prek’, se desim t’tânë:
T’desim si burrat, qi diqën motit,
E mos t’marrohna përpara Zotit!

Për autorin e tekstit të hymnit Shqiptaria ishte Kombi i myslimanëve, i ortodoksëve dhe i katolikëve shqiptarë, të konsideruar nga politikat teokratike ballkanike, prapa të cilave qëndronin institucione fetare evropiane, turq, helenë dhe latinë. Nga popujt neolatinë, katolikë, asnjë nuk vetëthirret sot e kësaj dite “latin”. Të tillë ata quheshin, me sa dimë, në kuadër të sistemit osman të “mileteve”. Grekët vetëthirreshin rumë e të krishterë. Epirotëve asnjëherë nuk u shkoi mendja ta quanin veten, aq më pak vorioepirotë; nuk bëhej fjalë që ta ulnin veten aq poshtë sa ta vinin në një shkallë me fqinjët e tyre që i konsideronin dhe i quanin barbarë.

Edhe turqit deri në fillim të shekullit XX, duke apeluar në besimin e tyre vetëquheshin islamë, së bashku me arabët e të tjerë, duke mohuar kombësinë e tyre. Përballë këtyre realiteteve myslimanët tanë, në masë, e quanin veten shqiptarë. Pati dhe prej tyre, kur ballkanasit dhe edhe evropianët i quanin turq, të mbërthyer në grackën e propagandave teokratike, u vetëquajtën turq, gjithëherë në kuptimin thjesht fetar. Aso kohe vetë turqit nuk vetëquheshin etnikisht ashtu siç u takonte, por vetëm myslimanë.

Gjithsesi, myslimanët shqiptarë nuk e ngatërruan asnjëherë veten me turqit në rrafsh etnik. Për ta nuk qe i panjohur fakti që intelektualë osmanë të kombësisë turke, deri në fillim të shekullit XX, emërtimin e tyre etnik turk e përdornin me përbuzje për të shënjuar fshatarët e Anadollit.

Vargjet e Pashko Vasës “Feja e shqiptarit asht shqiptaria…” ishin përgjithësim i një realiteti gjeofetar të ngulitur prej shekujsh në truallin shqiptar. Ato ishin rrjedhim jo vetëm i tolerancës dhe harmonisë fetare por, në radhë të parë, i bashkëjetesës ndërfetare të kalitur në shekuj, midis shqiptarëve. Kjo bashkëjetesë përfshinte fshatin, katundin, bajrakun, malin, fisin, krahinën, mbarë kombin. Ajo përfshinte deri dhe familjen ku, deri vonë, njeri vëlla ishte hoxhë dhe tjetri studionte per prift. Bashkëjetesa mbijetoi që në kohë të hershme dhe në krevatin bashkëshortor. Mjafton të sjellim vetëm një shembull të fillimit të shek. XX: e ëma e nënkryetarit të ardhshëm të qeverisë së parë kombëtare shqiptare Dom Nikollë Kaçorrit ishte myslimane.

Emrat e mbiemrat arabë tek mjaft të krishterë, madje dhe udhëheqës të shquar të Lëvizjes kombëtare antiosmane burra e gra, si Mehmet Shpendi e Tringë Smajlja dhe qindra të tjerë, pavarësisht arsyeve ekonomike që diktuan marrjen dhe mbajtjen e tyre, çka vlen të theksohet, pa dhunë, janë dëshmi e bashkëjetesës shekullore në mesin e shqiptarëve.

Mbi këtë realitet unikal në botë të njohur thellë dhe të kuptuar drejt nga P. Vasa ngrihen madhështore vargjet e hymnit “Bashkimi i Shqipnisë”: “Fe e Shqyptarit asht Shqyptaria!” Në këtë kontekst ato janë kënduar dhe këndohen dhe sidomos recitohen, përgjithësisht, nga mbarë shqiptarët, pa dallim fetar dhe pa fare kompleksi.

Kanga “O moj Shqipni!” nuk gjeti vend viteve të fundit, me sa i kam ndjekur unë, as në emisionet, përgjithësisht përfaqësuese, “100 vjet muzikë” të Pandi Laços. Ajo u interpretua vetëm nga orkekstra simfonike e TOB-it e pa shoqëruar nga kori apo nga ndonjë solist. Autorësia iu vesh gabimisht , apo me dashje Palokë Kurtit, nxënësi i denjë i mjeshtrit arbëresh Gjon Kanale, të cilit Mësuesi i madh i mësoi pentagramin.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë nuk u kujtua kush nga organizatorët e jubileut për autorët e Hymnit të parë kombëtar të mbarë shqiptarëve, për ideologun e madh të Rilindjes Pashko Vasën dhe për kompozitorin e tij napolitan Gjon (Xhovani) Kanale. Me sa duket, shtetarët tanë nuk i dalin dot për zot edhe sot e kësaj dite, Hymnit “Bashkimi i Shqipnis” . Ata frikësohen, si dikur se mos cenohej internacionalizmi proletar, ndërsa sot se mos po u binë ndesh kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Euroatllantike.

Nga ana tjetër, vlen që përballë ndonjë keqkuptimi pa dashje dhe ca më shumë me dashje, të sqarohet, se vargjet “Qysh prej Tivarit deri në Prevezë / Gjithkund lëshon dielli vapë e reze”janë pasqyrim autentik i realitetit demografik të trojeve shqiptare të paktën deri në kohën kur lindi dhe u ekzekutua Hymni në vitet ’70 të shek. XIX. Autori erudit Pashko Vasa, nuk përfshinte brenda tyre troje të huaj si ato që nga venedikasit u patën quajtur jo pa të drejtë Albania Veneta, deri në Kotorr, edhe pse vetë kjo Shqipëri venedikase dhe hinterlandi i saj banohej nga popullsi neoilire/arbërore, e cila sllavizohej sistematikisht në zbatim të Zakonikut të car Dushanit.

Pashko Vasës, gjithashtu, nuk i shkonte ndër mend kurrsesi që të përfshinte në trojet shqiptare as atë territor që asnjë grek sot e kësaj dite nuk pranon ta quaj “Arvania greke” ashtu siç e patën quajtur venedikasit e Mesjetës, Shqipërinë e tyre. Pas vendimeve të mbrapshta të Kongresit të Berlinit politika, diplomacia dhe opinioni publik evropian, jo pa vend, do të bënin fjalë edhe për një “Shqipëri” malazeze.

Planet shoviniste greke në drejtim të tokave shqiptare në Epir nuk u realizuan në atë kohë. Ndërsa për fatin e Epirit shqiptar, të quajtur jo pa qëllim, i Veriut, dhe të Vilajetit të Kosovës, e ashtuquajtura “Stara Serbija” do të bëhet fjalë pas 30 e sa vjetësh si rezultat i vendimeve të Konferencës së Londrës, me të cilat trojet shqiptare do të përgjysmohen.

Autori i himnit “Bashkimi i Shqipnis” e kishte bërë të qartë që në muajin mars të vitit 1878 në Parashtresën dërguar ambasadorit britanik A. Layard se deri ku shtriheshin “Vilajetet e bashkuara” apo “Vilajeti i Shqipërisë”, të përfshira që në kërkesat e para të Lidhjes më qershor 1878, duke pasur parasysh vetëm trevat në të cilat shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë. Koncepti territorial i Lidhjes Shqiptare ishte rezultat i një pune shkencore të admirueshme jo vetëm për atë kohë, e parashtruar dhe argumentuar pas pak në traktatin e tij historiko-politik “E vërteta mbi Shqiperinë dhe shqiptarët” dhe në një radhë dokumentesh. Në to Pashko Vasa argumentoi aspiratat kombëtare të bashkatdhetarëve të vet dhe rrugën që duhej të ndiqnin ata për sendërtimin e synimit final të tyre. Jo vetëm kaq.

Programi i Lidhjes i shpallur më 15 qershor 1878 në Kuvendin Themelues të saj u rikonfirmua në Kuvendin e Parë të Dibrës, më 1 nëntor 1878, edhe nga përfaqësuesit e vilajetit të Janinës me Abdyl Frashërin në krye. Në të u kërkua krijimi i vilajetit autonom të Shqipërisë i përbërë vetëm nga 12 sanxhaqe me popullsi mbizotëruese shqiptare duke përjashtuar prej tij sanxhaqet e tjerë të vilajetit të Kosovës, të Janinës dhe të Manastirit, në të cilat ata nuk përbënin shumicën. Në këto tubime historike vendimtare të Lidhjes Shqiptare themeluesi i saj Pashkoja autori i Hymnit të Lidjhjes luajti rol përcaktues.

Pashko Vasa si frymëzues dhe bashkautor i dokumentit programor të Lidhjes së Prizrenit, të quajtur, jo pa të drejtë, Kushtetuta e Lidhjes, dha kontributin e tij madhor në ato momente historike. Vasa si njeri ndër përfaqësuesit më të parë dhe më të shquarit të atdhetarizmit shqiptar, intelektual i rrallë i shquar me kulturë perëndimore dhe lindore u vu në ballë të lëvizjes mbarëpopullore për çlirim dhe bashkim kombëtar, qysh në ditët e para të themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe pse të formuluara në mënyrë tepër konçize pikëpamjet ideologjike dhe politike të P. Vasës mbeten programi bazë i Lëvizjes Kombëtare shqiptare deri në fund të shek. XIX. Stafetën e autorit të Hymnit të Lidhjes e rroku dhe e çoi më përpara bashkëluftëtari tij Shemsedin Sami Frashëri me veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, çështë dhe çdo të bëhetë?”

Në Shkodër dhe më gjerë luftërat e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit janë quajtur në popull Lufta e Miletit (Lufta Kombëtare) ndërsa Hymni i Lidhjes, Kanga e Miletit (Hymni Kombëtar).

Përdorimi i fjalës milet në këtë kontekst shumëkujt i vjen i pakuptueshëm dhe, madje, dhe i çuditshëm. Ndërsa për ata që duan të tregohen më evropianë se evropianët përdorimi i turqizmave nga shqiptarët, jo vetëm myslimanë, përfaqësoka, pavarësisht kontekstit historik e, madje, etnik, thjesht dhe vetëm prapambetjen otomane. Midis tyre ka dhe fundamentalistë të tillë të cilët edhe besimin islam të shumicës së shqiptarëve e konsiderojnë edhe atë mbeturinë osmane. Në ekranet tona ndonjëri shkon dhe më larg dhe i konsideron këto mbetiurina mbetje toksike në mesin tonë. Sa për dijeni të shumicës së lexuesve jo vetëm të atyre, që i paragjykojnë me të padrejtë bashkatdhetarët myslimanë dhe të gjithë trashëgiminë osmane, duhet të përkujtojmë, se në serbishten e sotshme, sipas orientalistëve perëndimore, ka më shumë turqizma se sa në shqipe.

Termin milet shqiptarët e kanë përdorë, të paktën që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, pak a shumë ashtu siç do ta shpjegojë fjalën ‘nation’ Sami Frashëri afro çerek shekulli më vonë në fjalorin e tij frëngjisht-turqisht. Në këngët popullore kushtuar luftërave për mbrojtjen e trojeve amtare dhe sigurimin e autonomisë së Shqipërisë luftëtarët e Lidhjes e përdorën termin milet për kombin në kuptimin modern, jo si bashkësi njerëzore e mbështetur në unitetin e besimit. Përfytyrimi i tyre edhe pse jo fort konsekuent ishte plotësisht evropian në përputhje me realitetin tonë ndërfetar të trashëguar historikisht, të një kombi apo mileti të ngritur mbi dallimet fetare. Rast unikal në botë.

Luftëtarët popullorë pasi mposhtën misionin e Mehmet Ali pashë Maxharrit në Gjakovë dhe mbrojtën heroikisht dhe me shumë sakrifica Plavën dhe Gucinë në kundërshtim me porosinë e sulltanit, kur po niseshin në mbrojtje të Hotit dhe të Grudës shpallnin me vendosmëri të patundur vetëdijen e tyre: “Pa gjak malet mos me i lshue/jena nis’ me u ba milet.” Në këto vargje pasqyrohet qartë se vetëdija popullore po ngrihej në nivel kombëtar të paimagjinueshëm. Më tej këngëtari popullor kur pa qartë se Perandoria Osmane po mobilizohej t’ua impononte shqiptarëve vendimet e Kongresit të Berlinit, bënte thirrje: “Ju devleti ju ka lëshue /Bini mrapa me milet”, kuptohet me miletin plurifetar shqiptar. Këngëtari popullor mirditas porosiste shqiptarët të mos e mbanin shpresën në miletet fetare të sulltanit, por të mbanin besën shqiptare ndërmjet vedit: “Mbanie besën ndërshej veti. S’ka ç’u ban kurrfarë mileti.” Se përndryshe “Po s’e mbajtët besën bashkë”, /Do tu dalin bitha jashtë”!

Nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit Lufta e Miletit edhe pse nuk e mbrojti dot Ulqinin shqiptar përballë një koalicioni ndërkombëtar dhe përballë forcave të komanduara nga Dervish pasha nuk arriti të sigurojë jetësimin e programit të saj autonmist përmes krijimit të Vilajetit të Shqipërisë provoi bindshëm, se “Sot Shqypnija asht ba Milet”! Këngëtari popullor shpallte që kombi shqiptar ishte një realitet, ekzistencën e të cilit populli shqiptar e dëshmoi në betejat e zhvilluara nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit përballë një koalicioni forcash antishqiptare në shkallë kontinentale. Evropës imperialiste dhe Ballkanit shovinist (epitetet e përdorura më sipër i përkasin terminologjisë së kohës) dhe Perandorisë Osmane të plakur (të sëmurin e Bosforit nuk e lejonin të jepte shpirt kontradiktat midis forcave të atilla imperialiste) iu deshën afro tre vjet për t’u imponuar shqiptarëve zbatimin e vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit në kurriz të trojeve shqiptare.

Fjalën milet në kuptimin modern që i dhanë shqiptarët që në kohën e Lidhjes së Prizrenit turqit vetë, përmes të cilëve ne e morëm, filluan t’a përdorin pas revolucionit xhonturk. Pas fitores së revolucionit Kemalist termi i miletit komb u zyrtarizua.

Hymni i Lidhjes “Bashkimi i Shqipnisë” mbetet në fakt Hymni i Shqiptarisë një hymn i kompozuar nga padre Gjon Kanale, arbëresh i lindur dhe i formuar në atmosferën e revolucionit çlirimtar italian nga i cili lindi Italia e bashkuar. Si tekst ka shërbyer finalja e poezisë kushtrim “O moj Shqypni” shkruar ato ditë nga Pashko Vasa, pjesëmarrës aktiv i revolucionit italian, ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai Hymn përshkohet tejendanë nga fryma evropiane aktuale dhe sot e kësaj dite. Hymnin e Shqiptarisë emigrantët tanë e kanë ekzekutuar, sipas prof. Dhimiter S. Shuteriqit, edhe nën tingujt e muzikës së kompozitorit rus Rimskij Korsakov. Kompozitori i mirënjohur Fehim Ibrahimi “Kangën e Miletit” e ka ekzekutuar në Teatrin Migjeni me forcat artistike të qytetit të Shkodrës. Dhe siç më ka pohuar muzikanti i njohur Xhavid Ujkani që ka ndihmuar së bashku me të tjerë për vënien e tij në skenë, ai qe një marsh evropian.

Arbëreshi Tomaseo Markoci (Marcozzi), i njohur si Patër Toma dhe mjeshtri napolitan po arbëresh Gjon Kanale (Giovanni Canale), për mendimin tim janë themeluesit e Bandës së parë qytetse në trevat shqiptare. E theksoi qytetse sepse orlestra frymore ka pasë që më parë pranë reparteve të ushtrisë osmane. Pa diskutim pranë komandave të 2-3 korparmatave që operonin në vilajetet e quajtura me plot të drejt shqiptare për shkak të popullsisë mbizotëruese, me siguri ka pasur orlestra të plotësuara me instrumentistë të përgatitur dhe të drejtuara nga dirigjentë të kualifikuar. Për të sqaruar përmasat e një formacioni të tillë orkestral mund të mjaftohemi me kërkime në Fototekën e mirënjohur të Marubit në Shkodër dhe në Fototekën e vëllezërve Manaqi të Manstirit ku duhet të ketë foto të bandës të divizioneve të dislokuar në vilajetin e Shkodrës dhe të Manastirit. Repertori i këtyre bandave përfshinte për mendimin tone dhe marshet Mahmudije dhe Mexhidije të kompozuar nga autori Donizzeti. Të mos na vijë çudi. Për afro 30 vjet u ekzekutua prej tyre dhe marshi i Abdylhamidit II “Padishahëm çok yasha” (Të rrojë padishahu ynë)

Sulltan Mahmuti II më 1828 pat sjellë pranë Pallatit sulltanor Xhuzepen, vëllain e kompozitorit të famshëm francez Gaetano Donizetti, i cili themeloi “Bandën sulltanore” (Muzika-yi Hümayun) . Nxënësve të tij u mësoi sistemin perëndimor të shkrimit të notave muzikore. Me emrin e tij lidhet përhapja e instrumentit të klarinetës në Stamboll dhe më gjerë. Kompozoi marshin Mahmudije për nder të sulltan Mahmudit, i cili i dha titullin pasha. Pas ardhjes në fron të Abdylmexhidit Donizzet pastaj kompozoi marshin Mexhidije. Ka një diskutim lidhur me autorësinë e marshit Mahmudije, se mund të jetë kompozim i Gaetanos së madh. Pavarësisht nga kjo, ndikimi i muzikës evropiane vinte në Shkodër jo përmes Stambolli, por në radhë të parë përmes Italisë.

Shpreh bindjen, se arbëreshët pater Tom Markoçi dhe at Gjon Kanale si themelues të Bandës së parë qytetse shqiptare meritojnë të dekorohen nga shteti shqiptar jo vetëm për veprimtarinë e tyre pioniere kulturore artistike, por, në radhë të parë, dhe për veprimtarinë e tyre atdhetare mirëfilli shqiptare. Ndërsa Pashko Vasë Shkodrani dhe at Gjon Napolitani si autorë të Hymnit të parë Kombëtar të Shqiptarëve, me këtë rast duhet të rivlerësohen në mënyrë të veçantë. Busti i rilindasit të madh i mungon prej kohësh kryeqytetit të Shqipërisë jo vetëm për Hymnin “Bashkimi i Shqipnisë” , por dhe për veprën e tij madhore “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe kontributin në themelimin, organizimin dhe orientimin e Lidhjes Shqiptare që në Kuvendin Themelues të Prizrenit dhe Kuvendin Përbashkues të Dibrës. Ndonjë shkolle muzike në vendin tonë meriton t’i jepet emri i mjeshtrit Gjon Kanale. “Donizzeti” ynë dhe busti i tij e ka vendin të paktën në Shkodër dhe në Muzeun Historik Kombëtar.

Ky shkrim shpresojmë të shërbejë si kujtesë për të sjellë në vëmendjen e autoriteteve më të larta shtetërore dhe të organizmave artistike të shqiptarëve për shlyerjen e borxhit që mbarë shqiptarët kanë ndaj autorëve të Hymnit të parë Kombëtar të tyre dhe sidomos për rijetësimin e tij.

Dhe një Kujtesë për organet shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin e Tuz, si dhe për organizmat kulturore në mbarë botën shqiptare që kanë për detyrë ta popullarizojnë Hymnin e tyre Historik të Lidhjes së Prizrenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat