Kishat e krahinës Nikaj-Mërturi gjurmë të historisë së hershme

Historia

Kishat e krahinës Nikaj-Mërturi gjurmë të historisë së hershme

Nga: Gjon Neçaj Më: 25 qershor 2020 Në ora: 08:45
Ilustrim

Në krahinën e Nikaj Mërturit gjatë periudhave të ndryshme historike janë gjetur dhe ruajtur objekte me vlera historike si dhe kulla ngujimi disa vjeçare. Një ndër objektet me rëndësi historike është edhe kisha e fshatit Curraj Epër.

Kisha në Curraj Epër u ndërtua më 1897. Në gurin e skalitur gjen vitin e ndërtimit dhe mbishkrimin në italisht të shkruar nga françeskanët. Aktiviteti i saj gjen pasqyrim në burimet e shkruara kishtare, e disa prej burimeve kryesore janë relacioni i Patër Pjetër Gjinit në vitin 1916, dokumenti i hartuar nga Patër Bernardin Llupi, ku janë përshkruar tokat e kishës dhe një skicë e tyre, ku përmenden kufitarët dhe detaje të tjera.

Në vitin 1920 në kishën e Currajve të Epër shërbente Patër Nikollë Kola. Në dokumentet vijuese përmenden edhe shumë famulltarë të tjerë, gjë që provohet nga një korrespondencë e gjerë e dërguar nga ana e Zyrës Famulltare Curraj të asaj kohe. Gjatë sistemit komunist kjo kishë u përdor si objekt për zyra të sektorit, e më vonë magazinë.

Ndonëse u tjetërsua disa herë, banorët e Currajve të Epër e ruajtën me fanatizëm dhe nuk u dëmtuan muret dhe konstrukti i saj, duke ruajtur edhe gurin me mbishkrimin jetësor të saj.

Por kjo kishë ndonëse i rezistoj stuhisë së vitit 1967,vitet e demokracisë ishte e pamundur të qëndronte në këmbë. Banorët e kësaj zone të thellë,e njohur si vendlindja e eposit të kreshnikëve, të Mujit dhe Halilit,e kanë braktisur atë.

Këtu edhe sot ruhen rrënojat e disa kishave, varreza ose toponime që lidhen me banorët paraardhës të Nikajve. Ndër më të njohurit janë kisha e Vargut dhe varrezat pranë saj, siç thuhet në dokumenta “qyteze e seli ipeshkvnore e Pultit”. Kisha e Luzajës në Curraj të Poshtëm, edhe kjo ” ish- seli ipeshkvnore”, varrezat në lagjen Susaj të fshatit Lekbibaj, rrënojat dhe varrezat e vjetra në Paplekaj, kisha dhe varrezat e Shiokut në Gjonpepaj, varrezat e Mavriqëve në Kalbs e Marin këndej e andej lumit të Currajve, etj.

Banorët e Nikajve janë të bindur se këto varreza nuk u përkasin brezave paraardhës të fisit të tyre, por një popullsie tjetër që s’kishte lidhje gjaku me ta.
Në Rajë deri në vitet 1960- 1970 janë ruajtur rrënojat e 7 kishave. Njëra prej tyre,ajo e Ançitit, rreth 500 metër në lindje të kalasë së Lekës,që i përkiste shek.XIV – XV,ka patur një këmbonare 5.2 metra të lartë që është ruajtur deri në vitin 1980.Në bjeshkët e Salcës, afër Karronit, njihet toponimi “kisha e Shnaprendes”, ku janë gjetur fragmente muresh, punuar me gurë të gdhendur e llaç gëlqerje, që i përkisnin shek. XV – XVI.

Deri në vitin 1964 janë ruajtur në Brisë muret anësore të kishës së Shenkollit, një ndërtim ky paraturk dhe mjaft i veçantë i ndërtuar me gurë rrasor. Ka patur një derë me qemer të harkuar mbi të cilin dalloheshin vijëzime dhe nje kryq.Kjo shërbente si kapelë e varrezave të fshatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat