Si e shpëtuan llapjanët Azem Bejtën?

Historia

Si e shpëtuan llapjanët Azem Bejtën?

Blerim Latifi Nga Blerim Latifi Më 25 korrik 2020 Në ora: 12:12
Llapjanët që shpëtuan Azem Bejtën

Thuhet shpesh se historiografia nuk e prodhon vetëm kujtesën, por edhe harresën e një populli. Sepse ajo detyrimisht është selektive: duke synuar të ruaj kujtesën për diçka, paralelisht ndodhë të lë në harresë diçka tjetër; duke vlerësuar dikënd, harron dikënd tjetër ; ekzagjerimi i peshës së një ngjarje shpesh prodhon injorimin e një ngjarje tjetër. E njëjta gjë ndodhë edhe në këngët epike, të cilat tek popujt pa histori të shkruar, ka luajtur njëfarë funksioni të ruajtjës së memories historike. Këtu do të flas për një shembull që ilustron funksionin harrues të historiografisë dhe eposit.

Me 25 korrik të vitit 1924, dhjetë ditë pasi ishte plagosur rëndë në Betejën e Galicës të 15 korrikut, në malet e Klinës vdes Azem Bejta. Shokët e tij ia kishin dalë ta nxjerrin të gjallë nga fushëbeteja dhe më pastaj e kishin bartur me dhjetëra kilometra derisa ai kishte dhënë frymën e fundit. E tërë kjo kishte ndodhur derisa mijëra trupa ushtarësh e xhandarësh serbë, që kishin rrethuar Qyqavicën dhe gjithë Drenicën, ishin vënë në ndjekje të tyre. Dhe ata nuk ishin më shumë se tridhjetë vetë. Në pasditën e 15 korrikut e gjithë çeta e Azem Bejtës ishte e shpartalluar. Shumica e tyre ishin vrarë gjatë luftimeve. Vetë Azemi kishte marrë plagë të rënda, të cilat e kishin bërë të palevizshëm.

Ata që kishin shpëtuar ishin të gjithë të plagosur. Nën këto rrethana ishte e qartë se ata nuk do të mund të dilnin dot nga zona e rrethimit, e cila përfshinte githë Qyqavicën. Ishte çështje ditësh kur ushtria serbe do të futej në brendi të saj dhe t'i gjente. Kishte aq shumë njësi ushtarake serbe rreth e rrotull, saqë dukej e pamundur që dikush nga jashtë të futej për t'u dhënë ndihmë të plagosurve në krye me Azem Bejtën. Por, ishin disa që morrën përsipër këtë mision pothuajse vetëvrasës. Ata ishin vëllezërit Bajqinovci nga Popova e Llapit. Me të marrë lajmin e katastrofës që kishte ndodhur në Galicë, ata bashkuan çetën e tyre të vogël dhe nga malet e Llapit u nisën për në Drenicë. Në malet e Shalës e gjetën Mehmet Konjuhin, bashkëluftëtar i tyre, dhe bashkë me të iu drejtuan zonës së rrethuar nga ushtria serbe. Punktet ushtarake ishin gjithkund. Qyqavica ishte vënë në një darë të hekurt rrethimi. "Sa ka dushk në mal, aq kishte ushtarë! "- thotë një tregim popullor i atyre që i përjetuan ato ditë.

Vëllezërit Bajqinovci dhe Mehmet Konjuhi sulmojnë njërin nga punktet ushtarake, asgjësojnë rojën dhe kështu hapin rrugën e depërtimit në Qyqavicë. Duke i njohur shtigjet e saj ata shpejt i gjejnë Azemin dhe të të plagosurit e tjerë. Në ndërkohë ushtria serbe fillon operacionin e pastrimit të terrenit në Qyqavicë.

Vëllezërit Bajqinovci marrin përsipër detyrën për të nxjerrë gjithë grupin nga zona e rrethimit. Pas tre ditë udhëtimi midis pritave të vëna gjithandej nga ushtria, xhandarët dhe popullata serbe e mobilizuar, çeta arrin të dalë nga zona e rrethimit. I fundit që u përshendet me trupin e vdekur të prijësit legjendar të kaçakëve, të cilin po e lëshonin në shpellë, ishte Hamit Bajqinovci. Dhe kënga heshti për ta! Bashkë me historiografinë! Dhe kurrë askujt si vajti mendja t'i dekorojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat