E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore

Historia

E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 21:55
Ismail Kadare dhe Enver Hoxha

Prej një distance kohore disa dekadash duket se Ismail Kadare ishte shkrimtari më i privilegjuar i regjimit komunist: udhëtime jashtë shtetit, botime, romane me protagonist Enver Hoxhën, tektuk del edhe ndonjë fotografi e tij me diktatorin, në shtëpinë e këtij të fundit.

Mirëpo, dukja nuk është gjithçka. Dokumentet e botuara gjatë viteve të fundit kanë treguar se e vërteta qëndron ndryshe. Shkrimtari jo vetëm që ishte i ndjekur, i survejuar, i vënë me “shpatulla për muri” nga “kolektivi”, – fundja si çdo shqiptar,- por edhe në rrezik serioz për jetën. Fati i tij varej në fije të perit.

Këtë na e dëshmon në vetë të parë një nga njerëzit më të pushtetshëm për dhjetë vjet me radhë gjatë diktaturës komuniste. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Qemal Lame, i cili sjell për publikun librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë.

“Përndjekja e Ismail Kadaresë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”. Krahas fakteve që tashmë janë bërë publike, sipas të cilave Ismail Kadare rrezikonte të dënohej në grupin e “komplotistëve”, me në krye Mehmet Shehun, Lame me përgjegjësi profesionale dëshmon se për Kadarenë kanë ekzistuar jo vetëm dosje, por urdhra konkretë arrestimi.

“Ka rëndësi të dokumentohet me objektivitet e vërteta për urdhra konkretë për arrestimin e shkrimtarit. Janë dy raste konkrete kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë. Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit. Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme”, shkruan ai në librin e tij “Dritëhijet e kohës”.

Sipas tij, kjo ishte një çështje aq me rëndësi, saqë me të po merreshin krerët më të lartë të shtetit. Nuk bëhej fjalë thjesht për krerë të Sigurimit të Shtetit apo Ministrisë së Brendshme, madje nuk mjafton as Ramiz Alia e Hekuran Isai. Ishte vetë Enver Hoxha i interesuar për këtë çështje.

Qemal Lame, ndër të tjera boton edhe pjesë të ditarit të tij, mbajtur gjatë viteve që drejtonte institucionin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë. Për herë të parë zbardhen biseda telefonike dhe takime me Enver Hoxhën, që urdhëronte: Të arrestohet!

ISMAIL KADARE KA QENË NË PËRPUNIM AKTIV DHE KA PASUR DOSJE AGJENTURORE 2A NË NGARKIM TË TIJ

Në veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit janë realizuar veprimet e dokumentuara, ku evidentohet edhe Ismail Kadare në dosjet “Shtrigat” dhe “Krokodili”. Ashtu sikurse edhe çështje të tjera, dalin të dhëna të fiksuara për shkrimtarin në problemet e centralizuara, p.sh. “Bloza”, “Katrani”, “Aventurierët” etj.

Mbi këtë bazë, në atë kohë u hap dosje ndjekjeje edhe për Ismail Kadarenë. Dokumentet arkivore vërtetojnë se këto dosje operative janë asgjësuar në vitin 1979.

Këto fakte janë publikuar pjesërisht nga studiuesit dhe personat që kanë guxuar të flasin në periudhën pas ndryshimeve demokratike, në vitin 1990 dhe në vazhdim në ditët e sotme. Ndjekja operative është një veprimtari e fshehtë agjenturore e specializuar, që ndihet nga opinioni publik dhe nga personat që janë objekt i saj.

Por mbetet në hapësirat e abstraksionit, të miteve e të legjendave, për shkak të procedurave të komplikuara e të pamundura për t’u njohur nga njerëzit e thjeshtë.

Për të krijuar një ide për gjithë opinionin publik, ka rëndësi njohja e përgjithshme e disa parimeve dhe kritereve procedurale të kësaj veprimtarie të fshehtë, të organizmave dhe objekteve të saj.

I. URDHRI PËR ARRESTIMIN E ISMAIL KADARE

Grupi operativ dhe hetimor i krijuar nga Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia, nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, kanë vepruar me intensitet për falsifikimin e dokumenteve dhe manipulimin e provave, hartimin e procesverbaleve të personave të pyetur me përmbajtje të parapërgatitur dhe të imponuar për t’u dhënë zyrtarisht vlerë ligjore dhe realizimin e arrestimit si tradhtar e komplotist të shkrimtarit Ismail Kadare.

Urdhri për arrestimin dhe dënimin e Ismail Kadaresë është konkret dhe i vërtetë. Urdhri për arrestimin është deklaruar dhe publikuar për herë të parë në vitin 2014, në librin dhe në artikujt e botuar në media për ndryshimet demokratike në vitet 1990-1992.

Urdhri për arrestimin mbetet akoma i mundshëm për t’u dokumentuar më gjerë edhe nga persona të tjerë kompetentë zyrtarë, që kanë realizuar veprime agjenturore dhe hetime. Do ishte në dobi të së vërtetës dhe do të ishte një lehtësim i ndërgjegjes për fajësinë në të kaluarën, nëse zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, punëtorët operativë dhe hetuesit e grupeve të komploteve të dënuara do të reflektonin dhe do të dëshmonin me kurajë, përgjegjësi profesionale e qytetare, të vërtetën për proceset e manipuluara, ndjekjen dhe dënimin e personave të pafajshëm.

Ismail Kadare është një nga personalitetet e njohura intelektuale të kohës së socializmit me sistemin politik të shtetit të diktaturës së proletariatit, i cili u vu në listën e zezë të armiqve dhe tradhtarëve komplotistë.

Me dyshimin për akuzën e veprimtarisë armiqësore me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, ai u parashikua që të rreshtohej edhe si një nga personat tipikë në përbërjen e grupit komplotist të strukturuar të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu.

Nën akuzën e bashkëpunëtorit komplotist kundër Enver Hoxhës, Ismaili do të dënohej dhe do të bëhej shembull për të frikësuar popullin, sidomos shkrimtarët e përgjithësisht intelektualët, cilindo që do të guxonte të mendonte dhe shprehej ndryshe nga politika dhe ideologjia zyrtare e imponuar nga udhëheqësi.

Akuza për veprimtari armiqësore dhe veprimet e kryera agjenturore e hetimore ndaj Ismail Kadaresë për t’u marrë në përgjegjësi penale, arrestuar e dënuar si komplotist, ka qenë reale, e dokumentuar, e urdhëruar dhe e vënë në lëvizje me procedurë të rregullt ligjore nga personat kompetentë me funksione shtetërore për t’u zbatuar realisht.

Ndjekja agjenturore nga Sigurimi i Shtetit dhe veprimet procedurale të kryera nga Hetuesia vërtetohen edhe nga dokumentet arkivore. Ndjekja e hapur dhe e fshehtë agjenturore e Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit dokumentohet gjerësisht.

Opinioni publik është njohur edhe konkretisht me përndjekjen e bërë nga Sigurimi i Shtetit dhe nga Hetuesia, me të dhënat e pasqyruara në dokumentet origjinale të publikuara në disa botime monografike shkencore, artikuj në median e shkruar, emisione audio-vizive, në dokumentet e publikuara nga WikiLeaks, në rrjetet sociale “Facebook”, “Twitter” etj.

Këto prova dhe fakte janë të dokumentuara në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së etj., si dhe pjesërisht të publikuara në median e shkruar dhe audio-vizive.

Dokumentet e shumta zyrtare dhe publikimet mediatike me dokumente origjinale, botime shkencore, studime e analiza dëshmojnë për vlerësimin më me seriozitet të ndjekjes reale agjenturore dhe ligjore, si dhe në tërësi të figurës së Ismail Kadaresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat