Lushnja përgjatë viteve 1914-1915

Historia

Lushnja përgjatë viteve 1914-1915

Nga: Dr. Niko Ferro Më: 15 shtator 2020 Në ora: 18:10
Dr. Niko Ferro

Shënimet nisin kështu:  Më 17 maj Shijaku dhe Tirana u rrethuan nga rebelët, një ditë më vonë ata rrethuan Durrësin. Dyshimi kryesorë për organizimin e rebelimit ra mbi Esad Pashë Toptanin për shkak të thashethemeve që u përhapën dhe për shkak të kaluarës së tij me intriga, prandaj më 19 maj ai arrestohet. Po atë ditë rebelët me një sulm të befasishëm morën Shijakun. Kaosi u shtua edhe më shumë pas dëbimit të Esad Pashës. Pas marrjes së Tiranës, rebelimi u zgjerua edhe në vise të tjera. Në fillim të qershorit rebelët morën Krujën e më pas Kavajën. Më 15 qershor ata sulmuan Durrësin, por pa sukses. Durrësi u mbrojt mirë nga forcat qeveritare të kryesuara nga Gjon Markagjoni, malësorët e Isa Boletinit dhe vullnetarët durrësakë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi.  Veç problemeve të shumta me kufijtë dhe qetësinë e vendit, para qeverisë së Princ Vidit doli problemi i trazirave të brendshme të paparashikuara. Forcat rebele me në krye Qamil Haxhi Fezën pretendonin vendosjen e një princi turk dhe rikthimin e vendit nën autoritetin sulltanor. Sllogani i tyre “Dum Babën” ishte sa paradoksal aq edhe i rrezikshëm për situatën e vështirë që po kalonte vendi dhe kërcënonte të ardhmen e shtetit shqiptar.

Ndërkaq lajmi u përhap se rebelët do sulmonin Lushnjën. Marrja e Lushnjës ishte e domosdoshme pasi Lushnja ishte pika më e rëndësishme strategjike për të penguar avancimin e rebelëve në drejtim të Beratit, Fierit e më gjerë.   Më 11 qershor  të vitit 1914 në mbështetje të forcave vendasve, në qytetin e Lushnjës erdhën forca nga Berati e Mallakastra me në krye komandantin Azis Pashë Vrionin, Sheh Çorogjafa, Baba Hasan Kremenari dhe Halim Hekali. Numëroheshin plot 700 forca të armatosura.  Këto forca kishin marrë urdhër të prerë “që Lushnja të mos binte në dorë të rebelëve”. Vetë Lushnja numëronte një fuqi të konsiderueshme diku tek 180 forca  ku bënin pjesë figura më të shquara atdhetare si Ikonom Kozma Dhima, Taullah Sinani, Mahmut Kurti, Çel Rushit, Qamil Nezha, Musa Shehu,  Hamit Xheka e shumë të tjerë. 

Sipas Ahmet Shehut: “Fuqitë u shpërndanë kështu, një pjesë u vendos tek “kodra e Kalasë” (sot kodra e Blerimit) një pjesë u vendosë tek “kodra e Harburit” (edhe sot mban të njëjtin vendemërtim), një pjesë u vendos “tek kodra ku ndodhen rrënojat e Kishës së Madhe të Kuqe” (sot njihet si kodra e Vainit) një pjesë tjetër e forcave u vendos sipër “hanit të Kalifasë” (sot është kodra që ndan Lushnjën me Karbunarën) dhe një pjesë u vendosën në fushë të hapur në “Pazare” (sot lagjja Saravë pranë kishës katolike)”.    Gojarisht thuhet që brenda në qytet tek “Ura e Madhe e Përroit” u ngritën disa barrikada. (edhe në ditën e sotme kjo urë njihet si vendemërtim “Ura e Madhe e Përroit”. 

Çdo njësi ishte e pozicionuar në vendin e duhur, pritej vetëm ardhja rebelëve. Ndërkaq urdhri ishte: “Me të parë forcat rebele të qëllohej në drejtim të tyre”. Por çuditërisht forcat rebele nuk erdhën ? Sipas dëshmive forcat rebele ishin vendosur në të djathtë të lumit Shkumbin në gjendje gatishmërie. Kjo situatë e pritjes krijoi një gjendje ankthi të banorët e pa mbrojtur. Tek tuk dëgjoje psherëtima: Po vijnë, po vijnë ? Ku ndodhen? Sa janë? Eh o zot! Pritja rezultoi të ishte e gjatë (gjashtë ditë) e në sfond nuk po dukej këmbë forcash rebele.

Më 16 qershor 1914, Aziz Pashë Vrioni urdhëroi forcat qeveritare të mblidheshin në teqenë e Karbunarës, arsyeja nuk u shpjegua.  Në këtë moment nisën të përhapeshin thashetheme se këtu po vinte era “tradhti”?

“Pak orë më vonë në teqe mbërriti edhe vetë Aziz Pasha Vrioni bashkë me autoritetet e Lushnjës. Ai nuk preferoj të fliste drejtpërdrejt me forcat qeveritare por nëpërmjet njeriut të tij të besuar Mahmut Kurti.  Të gjetur aty, Ikonom Kozma Dhima bashkë me Halim Hekalin kërkuan shpjegime për veprimet e Aziz Pashë Vrionit si dhe urdhrin për tërheqje dhe lënie të pozicioneve. Aziz Pasha, nëpërmjet Mahmut Kurtit  u ktheu përgjigje ‘se fuqitë tona do kalojnë për tej lumit [Seman N.F] për arsye se nuk mund të përballojmë fuqitë e rebelëve’. Ndërkaq Halim Hekali kërkoi që në bisedime të ishte prezent edhe vetë Aziz Pasha. Por ky i fundit refuzoi të vinte, ai kishte frikën e ndonjë hakmarrje të mundshme dhe nuk pranoj të dilte nga teqeja. Ky veprim i Aziz Pashë Vrionit u interpretua si tradhti që nënkuptonte se rebelët do merrnin Lushnjën pa luftuar dhe pa derdhur gjak. Në revoltim e sipër një pjesëtar i forcave vullnetare kapet me rojen e Aziz Pashë Vrionit dhe siç shkruan Ahmet Shehu “për pak sa nuk u bë gjakderdhje” dhe “ për të shuar gjakrat ndërhynë në mes Baba Hasani Kremenari i cili me butësi dhe urtësi mënjanoi gjakderdhjen”.

Në mesnatë [kur të gjithë ishin rehatuar] forcat e Aziz Vrionit morën urdhër për tu tërhequr nga Karbunara duke lënë në mëshirë të fatit forcat qeveritare të Lushnjës. Në orën pesë të mëngjesit të datës 17 maj forcat rebele ju drejtuan qytetit të Lushnjës.  Pavarësisht kërkesës së rebelëve për tu dorëzuar, forcat qeveritare të Lushnjës nuk u dorëzuan dhe preferuan të luftonin ndonëse ishin te pakët në numër. Pas disa orë luftimesh që la edhe shumë të vrarë nga të dyja palët, rebelët arritën të merrnin edhe qytetin e Lushnjës. Ata morë gjithashtu edhe të gjithë armatimin që kishte lënë forcat qeveritare.

Sipas dokumenteve arkivore “Aziz Pashë Vrioni pasi shpërndau forcën qeveritare u kthye në Fier për t’u strehuar tek kushëriri i tij Omer Pashë Vrioni”.  Sipas Ahmet Shehut: “Rebelët me tu futur në qytet formuan Këshillën Administrative dhe caktuan Kryetar Sulejman Arapin një njeri me influencë të gjerë në qytet, i cili mbante titulli Myderriz (Profesor). Emri i Sulejman Arapit gjendet në dy telegramet e Shpalljes së Pavarësisë së Lushnjës më 27 Nëntor 1912. Ndërkaq rebelët caktuan Komandat të vendit Nebi Balin edhe ky njeri me influencë në zonën e Darsisë”. 

Sipas revistës “Zëri i  Shqipërisë”: “Rebelët porsa hynë në Lushnjë, zbritën flamurin shkabëtor dhe gritnë flamurin e Turqisë dhe pasi u siguruan se Myzeqeja mbeti në duart e tyre, sakaq nisnë të ndjekin dhe të mundojnë shqiptarët atdhetarë. Tërë shkollat sa qenë në Myzeqe i prishnë, duke djegur tërë librat shqipë si dhe çdo shenjë atdhetarizme që gjendej nëpër shkolla. Mësuesit vojtnë shumë nga rebelët u burgosnë dhe u munduan si Krishti, duke dashur t’i frikësojnë që paskëtaj ata të mos guxojnë të thonë se janë shqiptar”

Pas disfatës së Lushnjës qeveria organizoi forcat për të mbrojtur Fierin dhe Beratin. Në krye të tyre vendosi komandant të Përgjithshëm Besim Kokën. Komandant të tjerë në varësi të Besim Kokës ishin: Hysni Toska, Bektash Cakrani, dhe Zija bej Bubullima (Zija Mullaj është vëllai i Qemal Mullajt firmëtarë i Pavarësisë. Zija Mullai ka qenë delegat i Lushnjës në Kuvendin e Sinjës në vitin 1912).   Forcat rebelë që tani kërcënonin marrjen e Fierit kontrollonin bregun e djathtë të lumit Seman dhe kishin djegur të gjitha lundrat e kalimit me përjashtim të lundrave të Libofshës dhe [të Kallmit]. Sipas planit të komandës së forcave qeveritare Hysni Toska do kalonte lumin në Mbrostar e do sulmonte forcat rebele përgjatë fshatrave Kallm dhe Imshtë. Ndërsa Bektash Cakrani do sulmonte në krahun e kundërt në perëndim dhe do dilte në Libofshë e do të zinte Manastirin e Ardenicës. Forcat qeveritare kishin në përdorim 2 topa njëri nën komandën e oficerit holandez De Jung, i cili u vendos fillimisht në hyrjen veriore të Fierit për të goditur rebelët në Mbrostar ku do të kalonte lumin Hysni Toska dhe tjetri i komanduar nga oficeri Bauer u vendos në fushën e Petovës për të mbrojtur krahët e Bektash Cakranit. Bashkë me forcat të Hysni Toskës e të Bektash Cakranit do të sulmonin edhe forcat e Vlorës me në krye Zija bej Bubullima (Mullaj).

Sipas Ahmet Shehut: “Forcat rebele formuan disa çeta të vogla për të luftuar me fuqitë qeveritare në rast se këto do sulmonin në mënyrë të papritur. Në Karbunarë u formua çeta e Arif Mezinit, ky i fundit mbante ende lidhjet me qeverinë e ligjshme dhe  pasi u këshillua edhe me shokët e tij në Karbunarë, mori përsipër që bashkë me çetën e Karbunarës të shkonte në mbrojtje të lundrave në fshatin Kallm, gjoja për të mos lejuar fuqitë qeveritare të futeshin në Lushnje. Me të vajtur tek lundrat në fshatin Kallm në mënyrë të fshehtë e që mos të diktohej nga forcat rebele takohet me Llanë Toskën që ishte përtej lumit Seman. Pas takimit, Arif Mezini dha urdhër që forcat rebele të komanduara prej tij të tërhiqeshin në drejtim të Karbunarës ndërkohë edhe forcat e Libofshës që ishin ende të lidhura me forcat qeveritare vepruan po ashtu njëlloj duke u larguar nga lundrat e vendosura në fshatin Mbrostar”. 

Sipas Nuri Plakut “ Hysni Toska nuk gjeti asnjë varkë për të kaluar lumin Seman dhe [u detyrua] të vazhdonte  përgjatë bregut me synimin për të kaluar në urën e Kuçit dhe mas andej të merrte fshatin Kosovë. Ndërkohë nga Libofsha, Bektash Cakrani nuk sulmoi se ishte prerë ndërlidhja dhe i trembej zjarrit të topit. Gjithsesi të nesërmen  forcat e Bektash Cakranit morën e Ardenicën ndërsa forcat e Vlorës nuk hasën në vështirësi dhe e kaluan lumin në Mbrostar me dy varka të reja. 

Sipas Hajredin bej Cakranit: “[Pasi] u poqmë me Hysni Aganë [Hysni Toska], po më Lushnjë ishte pisk, se nuk kish ku bëje istikam [pozicionim] a pusi, po ne e bëjmë, komandant Beso Koka, ishte për pritë në Seman. Për [të vazhduar] në Lushnjë e kundërshtova unë.... Po prapë lumi ishte pengim, si do që njerst [njerëzit] e Hysni Agait të mbanin të djathtën e Semanit, si tha Beso Koka. Ne na mbeteshin çifligjet e mia e të Sulo Beut, më krah të jashtëm të Petoshanjt [Petovë] e u ngjatëm gjer te qafa e Ardenicës, ku më komandë do ish Bektash e Sulo beut me njerëz e do ti binim Mbrostarit. Gjëja më e keqe në luftëra, që e kemi bërë e kënduar nëpër akademi më Stamboll e më çdo vend, është nata, ndaj duhet të dihen që ditën istikamet [pozicionimet] e armikut, vëndet nga do bëjnë udhë, pa ta qëlloç armiknë. Armiknë them unë po ata ishin mizëri. Qeveria kish pru dhe dy topa hollandie dhe duhej të mbrohej krahu i Bektashit e i Sulo Beut doemos në krah të Ardenicës. Gjenerali hollandie me gjithë njerëz mbeti në Fier dhe u futë më prapa në luftime, se luajnë Bektash beu e Sulo beu për të zënë istikame[pozicione] të reja. Nata është e ligë dhe për një tjatër gjë, se nuk mirr vesh dotë, si e qysh janë puntë, kush sulmon e kush sprapset dhe vrite me të tutë!. Të dërgoç njeri me kartë, as që bëhet llaf, po tjetër mënyrë nuk kish. Të dy topat hollandie nuk pushuan gjithë ditën e gjithë natën, po për istikamin e Bektash e Sulo beut skisha haber, se armiqtë u shtynë shumë me atë krah. Po pa zbardhur dërgova njërin  për të marrë vesh Hysni Again me tim vëlla Bektashin se mos ishin vrarë, mos o zot, ishte gjëja më kollaj, nashti që luftonim dhe nga krau i udhës së Tregishtes (emër i vjetër i Libofshës). Nuk i dëgjuam më as topat që qëllojnë, po njeriu që dërgova erdhi pa gojë, se topçinjtë më kish dërguar kartë, se Zija Mullaj me vlonjatë të na vijë neve dhe ai duke qenë më thellë e më afër me armik, ishte e sishte me sahat. Si do që topat kishin pushuar armiqtë si të regjur me këto punë u futën thellë se Hysni Agai luajti pozicion dhe kaptoi lumin se duaj ti vij në ndihmë Bektashit. Arritën deri tek ne dhe nëpër natë me rroba të zeza nukë i sheh as shejtani e lëshuan një kalë përmes kallamishteve që e quajim ndonjë nga ata. Batareja sja priti bataresë dhe kafsha e varfër e pagoi jet a mot. Ata luajin shumë nëpër natë, thua se njih vëndë dhe neve nuk e pushuam batarenë, po as ata, që si duket duajnë të marrin pozicionin tonë e ti kenë kollaj përsi, pas kurrizit atë të vend pozicionin e parë. Po ne nuk lajmin dhe i qëllojnë nëpër natë, si do që ngjateshin të na mirr krahtë. Si ngecën në këto pozicione ata si nuk i zinte gjumi, na e punuan mbëshyeras prapa kurrizit. Këtë kur e morëm vesh na ra pika, po nashti nuk tërhiqte dotë e të vejë me skelë të Semanit, që herë bëhet uratë e herë “nëmë”.

(“Nëmë” me sa duket bëhet fjalë për furnizimin e kryengritësve në trevat e Fierit e Mallakastrës me armë nga Italia: ‘një sasi armësh dhe municionesh luftarake që ishin destinuar për forcat kryengritëse, po shkarkohen në një vend të quajtur Seman, në bregun shqiptar mes Durrësit dhe Vlorës. Gjithashtu informohet se anija që po i shkarkonte ato mbante flamurin italian’).

“Me të nesërmen ndihma e vlonjateve u sos te unë, kaptuam lumin dhe u shtymë për në Ardenicë, që deri atëherë nuk i dinim ata ishin të gjallë apo jo. Topat filluan përsëri të qëllojnë po më rrallë pasi morëm vesh vetëm njëri qëllonte, por ne na duhej të luftonim gjithë ditën për pozicione të reja. Vapa po vapë dhe kunupet nuk i vij më hesap njeri, po duke u shtyrë muarrëm vesh nga njerëz se ishte zgjatur vija e luftës dhe me të tjerë. I dhashë karar dhe pa u gdhirë mirë, ngava kalin tokë me njerëzit për tek Bektash beu dhe e gjej me Nuredin bej Vlorën, Duk aga Rushiti, Tafil Agai nga Oshtima e Seit Efendiu Vlora. U thashë se sa do të mbaheshin e këjo do varej nashti nga numëri i fuqisë së armikut dhe koha që do mësyjë. Pa e rrahur me top vende të mos qasen kjo punë u pa. I kisha rënë më të, se si do që nuk mbahej mend sa ditë e net luftuam aty, kur na vjen haberi që Tafil Again e tjerë i kishin vrarë. Ish çarë gardhi ynë që luftohej tutje ku hynë armiqtë, si do që ishin shqiptarë e ishin rebeluar me e pa të drejtë. Se të mbledhësh gjithfarë atë farë mileti e t’i çosh më luftë. Pa dhe të vdesin, këjo dëftoi që  Turqia ishte një nëmë që nuk na shqitej kollaj.

Sipas dëshmive të mbledhura në fshatin Krutje nga historiani Kliti Nushi thuhet: “se luftimet  vazhduan për pese ditë kundër forcave esadiste, të cilat kudo që shkelnin plaçkitnin dhe digjnin.  Për të ndaluar një përparim të tyre, forcat e armatosura qeveritare që numëronin 200 vetë pasi kishin kaluar Semanin në vaun e Imshtës u përqendruan në fushën e Krutjes. Pikërisht këtu u ndeshën në mënyrë të befasishme me forcat rebele që vinin nga Lushnja dhe Karbunara. Qysh në fillim të luftës komandanti i forcave të Vlorës, Zija Mullaj plagoset dhe largohet për në fshatin Krutje, ndërsa esadistët që kishin superioritet në numër sa trefishi i [forcave qeveritare] vazhduan sulmin, në këtë moment në ndihmë të forcave qeveritare u bashkuan edhe shumë fshatarë të zonës të cilët luftuan trimërisht për plot pesë ditë rresht. Nga beteja e përgjakshme u vranë mjaft njerëz, në fushë të Regjishtes madje trupat e tyre qëndruan pa u varrosur për ditë të tëra”.    

Rebelët pas disfatës bënë një tërheqje taktike dhe ju drejtuan me shpejtësi Karbunarës dhe Lushnjës. Sipas gazetës “Populli” duke përfituar nga kaosi i krijuar “ca nga këta të poshtrit [pra pjesëtar të pa disiplinuar të forcave qeveritare] zunë të bëjnë një mijë të këqija mbi ca njerëz të pafajshëm nga populli i Lushnjës. Çnuk bën këta? Rrahnë, dogjnë, vodhnë, grabitnë dhe sado që i këshilluan të heqin dorë nga këto poshtësira, po as nuk na dëgjuan fare. Me një vend ku ishim në darkë 300 shpirt në mëngjes do të ishin 100 se posa gdhihej ditë këta 200, çdukeshin nga syri për të mbushur barkun me thela e xhepin me të holla”. 

Sipas Ahmet Shehut “Kur trupat qeveritare iu afruan Lushnjës, disa fuqi rebele që ndodheshin në Karbunarë të cilët ishin nga Darsia e Peqinit u kapën dhe u çarmatosën. Ata kërkuan të shkonin në shtëpitë e tyre, më vonë u lanë të lirë të ktheheshin. Ndërkohë autoritetet rebele të Lushnjës, vajtën në Karbunarë për të vëzhguar situatën, por aty ata u rrethuan dhe i zuri paniku. Rebelët kërkuan mëshirë dhe ju lutën forcave qeveritare që të mos i vrisnin por t’i lejonin që të vendoseshin në oborrin e teqesë në Karbunarës deri në një vendim të dytë për t’u larguar në shtëpitë e tyre. Me tu përhapur lajmi, i gjithë populli i Karbunarës u mblodh tek xhamia e fshatit dhe tek minareja (dhe aty nën sherefe) pasi hoqën flamurin e rebelëve rivendosën FLAMURIN KUQ E ZI”. “Një gëzim i madhë pushtoj zemrat e të gjithë pranishme dhe kudo nisën këngë atdhetare”. 

Ndërkaq forcave qeveritare që tani po qëndronin në fushë të hapur pranë fshatit Kadiaj, Sheh Ibrahim Karbunara dhe të tjerë atdhetarët vendas i kërkua që të niseshin sa më parë për në Karbunarë dhe në Lushnje, pasi të dyja ishin të boshatisura nga forcat rebele. Çuditërisht forcat qeveritare të kryesuara nga Komandanti i Përgjithshëm Besim Koka jo vetëm që nuk vajtën në Lushnjë dhe Karbunarë, përkundrazi urdhëroi forcat qeveritare që të grumbulloheshin në kodrat e fshatit Kashtëbardhë, (e cila është katër kilometra në lindje të fshatit Kadiaj) dhe të bëheshin gati për të hapur zjarr. [Mendojmë se vendosja e tyre në Kashtëbardhë kishte si synim bashkimin e forcave qeveritare të komanduara nga Hysni Toska që vinte nga zona e Kosovës dhe së bashku ato do sulmonin forcat rebele në Lushnjë dhe në Karbunarë]. Siç pohon Ahmet Shehu i cili ishte dëshmitar okular i ngjarjeve “ato pak forca rebele që ishin në Karbunarë dhe Lushnjë u çarmatosën dhe u dorëzuan në teqenë e Karbunarës”, [por Besim Koka duket nga vendimi që mori se ai nuk i besonte vendasve ndoshta dyshonte për një kurth. Pavarësisht përpjekjeve të Sheh Ibrahimin Karbunarës për ta bindur se forcat rebele janë dorëzuar dhe se i gjithë populli është duke ju pritur me gëzim të madhë përpara xhamisë]. Besim Koka urdhëroj që Karbunara dhe Mortajasi (sot fshati Mollas)  të bombardoheshin menjëherë.

Siç tregon Ahmet Shehu “në Karbunarë ranë shumë mortaja dhe pa arsye, ndërkaq njerëzit nuk po u besonin syve që forcat qeveritare po sulmonin fshatin e tyre ndërkohë që nuk kishte rebelë. Nga ky bombardim u dogj shtëpia e Banush Gorovellit. Disa ushtarë të forcave qeveritare u drejtuan për të djegur shtëpinë  e Ram Hakës dhe të nipërve të vij. Me të parë ushtarët qeveritarë Ram Haka hapi zjarr duke lënë të plagosur një ushtarë ndërsa të tjerët ikën me të shpejtë. Në këtë situatë të pa kuptimtë banorët e Karbunarës morën armët dhe sulmuan forcat qeveritare duke dhe i zmbrapsur ato  në jug. Ndërkaq pjesa më e madhe e tyre iku përtej lumit Seman”. 

Ndërkohë duke përfituar nga situata e krijuar, forcat rebele që ishin vetëm 2 orë larg u nisën menjëherë nga Peqini, për të kapur Lushnjën dhe Karbunarën. Dhe pas tri orësh forcat rebele të kryesuara nga Komandanti Selim Rrogozhina, morën pa asnjë rezistencë  Lushnjën dhe Karbunarën ndërsa një forcë e konsiderueshme e tyre e nisëm në drejtim të manastir të Ardenicës ku ishte vendosur një kontingjent forcash pro qeveritare synimi i rebelëve ishte marrja e pozicioneve strategjikë dhe pushtimin e Fierit. 

Ndërkohë Hysni Toska [që tani ndodhej midis fshatrave Hingë dhe Kuç]  duke parë shpartallimin e forcave qeveritare hyri në luftim me forcat rebele... Në këtë mënyrë ai u vu përballë zjarrit të fuqishëm të rebelëve të cilët ju derdhën atij me forca të shumëfishuara. ‘Allafranga në ora më 8 të mëngjesit, pamë nga krahu i djathtë se po bëhet një luftë e rreptë e po digjen fshatra’ shkruante gazeta “Populli”. ‘Mësuam që Hysni Toska ka kapëtuar lumin [Seman] e po përparojnë drejt Kosovës. Në vend që të kishin duruar gjer sa të zinte Hysniu Kosovën, komandanti dha urdhër që të përçapojmë e të zijëm qafat që kishim përpara. Ky sulm i shkaktoi Hysni Toskës shumë humbje në njerëz. Aty u vranë shtatë djem: tre nga Hekali dy nga Rromësi, një nga Siqeca dhe një nga Mërgëlliçi. Nga tre të vrarët hekalas, sy ishin Riza Musa Hekali dhe Godo Halim Hekali nipërit e Rrapo Hekalit. Ndërsa i vrari nga Margëlliçi quhej Shaqir Hoxha. Gjithashtu u plagos Mete Drenia.

 Sipas Sejfi Vllahmasit “Fuqitë vullnetare të Mallakastrës e të Vlorës, të komanduara nga majori Besim Koka, duke patur për krah të djathtë Hysni Toskën e në krah të majtë Bektash Cakranin në Manastirin e Ardenicës, po bëheshin gati për tu futur në Lushnjë.. Bektash Cakrani qëndroi në vend dhe nuk përparoi ndërsa Hysni Toska luftoi trimërisht duke lënë mjaft të vrarë, midis të cilëve Riza dhe Godo Hekalin që të dy nipërit e Rrapo Hekalit.  Pas humbjes së luftimeve me rebelët, Bektash Cakrani u tërhoq në qytetin e Fierit ndërsa Hysni Toska u vendos në Dumre dhe u përpoq të binde sa më shumë njerëz se atdheu ishte në rrezik dhe duhet të bashkoheshin me forcat qeveritare. Pavarësisht këmbënguljes së tij ai u detyrua të shkonte në Berat, qytet të cilin rebelët ja kishin vënë syrin. Më 13 korrik 1914, Berati kaloj në duart e tyre po në këtë ditë me shumë dredhi u morë edhe qyteti i Fierit.  Tashmë nën pushtetin  rebelëve bënin pjesë qytetet Durrësi, Shijaku, Tirana, Elbasani, Kavaja, Peqini, Lushnja, Fieri, Berati. Duke përfituar nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi për shkak të rebelimit në Shqipërinë e Mesme, forcat vorio-epirote sulmuan dhe pushtuan Kolonjën, Korçën dhe Tepelenën.  Në fund të gushtit rebelët u përgatitën të sulmonin Vlorën, por banorët duke dashur të shmangnin luftën e dorëzuan qytetin vetë, me kusht që flamuri shqiptar të mos prekej. Më 1 shtator rebelët hynë në qytet. 

Më 5 shtator, dy ditë pas largimit të Princit Vidit nga Shqipëria, rebelët hynë në Durrës dhe ngritën flamurin turk. Drejtuesit e rebelëve dërguan një delegacion në Stamboll për t'i paraqitur qeverisë turke kërkesën për bashkimin e Shqipërisë me Turqinë dhe për të marrë udhëzime.  Më 2 tetor kthehet në Shqipëri Esat Pashë Toptani,  i cili pak më parë, kishte firmosur një marrëveshje me kryeministrin serb Nikolla Pashiç me të cilën i premtonte Serbisë ankesimin e Shqipërisë Veriore dhe Lindore, si shpërblim Serbia e ndihmoi me mercenarë dhe me të holla. Në Durrës Esat Pasha shpalli veten kryetar të Qeverisë së Shqipërisë së Mesme. Me anë të grupimeve proturke të kryengritjes e zgjeroi pushtetin në Shqipërinë e Mesme. Ai u premtoi kryengritësve se do t'i shpronësonte bejlerët. Pas hyrjes së Perandorisë Osmane në luftë në anën e fuqive të Boshtit, marrëdhëniet e Esat Pashës me rebelët u përkeqësuan. Esati i cili ishte i lidhur me fuqitë e Antantës ndërmori veprime kundër rebelëve proturq kurse këta filluan ta luftonin Esat Pashën si tradhtar të otomanizmit dhe pronar të madh tokash.

 [Deri këtu mbaron akti i parë i rebelëve, tani del në skenë Haxhi Qamili i cili vihet në krye të rebelëve.  Esadi bllokohet në Durrës ndërsa forcat rebele nisën për në Ndroq ku dogjën shtëpinë e Mustafa Ndroqit dhe disa të tjerëve, mandej filluan të shpërndanin tokën e Toptanasve, tokën e bejlerëve të Shijakut  dhe të Ndroqit. Tokën ai jua jepte bujqve që nuk kishin tokë]. 

Sipas Ahmet Shehut, “në këtë kohë në Lushnje emërohet Nënprefekt Elmaz Meçe ndërsa komandant xhandarmërie u caktua Alush Pepa nga Kosova e Madhe (i cili ishte me profesion hoxhë). Vendimi i parë që mori administrata ishte lirimi i të gjithë burgosurve politikë nga burgu i Peqinit, atdhetarë të shquar si: Sheh Ibrahim Karbunara, Qamil Nezha, Nebi Sefa dhe Hamit Xhaka. Për të mos mjaftuar me shkatërrimet dhe djegiet e banesave në Lushnjë mbërritën edhe shumë banorë të ardhur nga viset e jugore të Shqipërisë si Skrapari, Përmeti, Kolonja, Tepelena etj. Këtyre të shkretëve,  forcat pushtuese greke u kishin djegur shtëpitë dhe i kishin dëbuar ndërsa të mirat personale ua kishin sekuestruar. Administrata e Lushnjës për të mos lënë që të ndodhte një tjetër zi e bukës si ajo e vitit 1908, vendosi që për çdo familje të punësonte nga 1 person në punët e administratës në mënyrë që këta të fundit të mund të siguronin bukë për familjet e tyre.  Ndonëse ishte një vendim i guximshëm dhe që zbuste disi varfërinë që po kalonte vendi, ky nuk u pëlqye nga krerët e forcave rebele të vendosura në Lushnjë. Ata provokuan një mbledhje në kishën e Shën Mërisë së Bishqethmit. Rebelët kërkuan që Elmaz Meçe  dhe Alush Pepa të shkarkoheshin menjëherë. Pas shumë bisedimesh, Elmaz Meçe dhe Alush Pepa u shkarkuan nga detyra dhe u zëvendësuan nga njerëz të tyre. Gjithashtu u hoqën edhe dy delegatët e Lushnjës që qëndronin në Tiranë (Rexhep Efendi dhe Vasil Gjeçi). Por autoritetet e Lushnjës e refuzuan vendimin e kishës së Bishqethmit dhe për të zgjidhur këtë konflikt kërkuan ardhjen e një komisioni të posaçëm nga Kavaja. Ky komision përbëhej nga Sheh Hamiti, Must Cara dhe Bajram Xhani. Pasi dëgjuan akuzat e ndërsjellët vendosën lënien në detyrë të Nënprefektit dhe Komandantit të Xhandarmërisë, pasi akuzat nuk qëndronin dhe se ata ishin përpjekur për të bërë më të mirën. E ndërsa Esadi vazhdonte të mbahej i rrethuar në Durrës,  serbët sulmojnë Qafë Thanën dhe kapërcejnë kufirin shqiptar. Këtu mbaron akti i dytë i rebelëve.  Edhe pas protestave të qeverisë së Tiranes dhe refuzimit të akuzave serbe se në Shqipëri fshiheshin agjente austriak, më 2 qershor ushtritë serbe filluan marshimin kundër Shqipërisë. Justikimin e pushtimit te Shqiperise, serbet e formuluan se ata po vinin ne Shqiperi vetëm sa të largonin nga pushteti “ata të huaj që punonin për llogari të Turqisë dhe Austrisë”. Pas qëndresave të ndryshme që shqiptaret iu bënë serbëve në Qukës, Elbasan, Qafë Kërrabë etj, ushtritë moderne serbe arritën që të avanconin në Tiranë. Pasiqë i liruan rrugën Esad Pashës nga Durrësi, ato iu drejtuan Tiranës më 13 qershor 1915, ku pas disa luftimesh dhe kërcënimi për të masakruar të gjithë fshatin e Sharrës, arritën që të bëjnë Haxhi Qamilin që të dorëzohet. Haxhi Qamili së bashku me 40 kryengritës të tjerë shqiptare u dërguan në Durrës, ku Xhelal Zogu i dënoi me vdekje. Me ekzekutimin e Haxhi Qamilit nga serbët dhe kuislingët e tyre shqipfolës, kryengritja anti-koloniale kombëtare shqiptare morri fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat