Kur harrohet historia kombëtare

Historia

Kur harrohet historia kombëtare

Nga: Gëzim Muçolli Më: 16 tetor 2020 Në ora: 17:26
Gëzim Muçolli

Sot është 15 tetor 2020 dhe kaloi gjithë dita e askujt nuk iu  kujtua se sa e rëndësishme për historinë tonë është kjo ditë.

Ne jemi të bindur se kemi historianë të mirë e të lavdëruar po edhe nga ata që kritikohen pse nuk janë historianë kombëtarë po internacionalistë.

Kemi përditë e më shumë edhe studiues me diplomë baçelor, master, me specializime, magjistratura e doktoratura , po jo rrallë duket se kujtesa nuk iu funksionon. Nuk kanë asnjë detyrë shtëpie, përpos ndonjërit që ka detyra partie aty ku militon duke e vlerësuar vetveten me kulturë akademike.

Kalendari historik i atyre që nuk janë historianë, por e duan historinë e popullit shqiptar thotë se para 108 vitesh me 15 tetor 1912 Serbia e filloi luftën e saj për pushtimin e Shqipërisë me parullën se po e çlironin "Serbinë e vjetër" dhe Maqedoninë.

Caku i parë ishte Kosova dhe ushtria e Serbisë me formacionet çetnike filluan sulmin kundër karaullës mbi fshatin Dumnicë e Llapit dhe kundër karaullës në fshtin Miroc.

70.000 mijë ushtarë dhe 96 topa  kishte grumbulluar përgjatë kufirit me Llapin,Armata e III e Serbisë kundër 16-18.000 forcave turke që kishin me veti 18 topa. Pjesa më e madhe e këtyre trupave që ishin vënë përballë ushtrisë serbe ishte koncentruar në kufirin verilindor  dhe përbëhej nga 2000 ushtarë turq dhe 12.000 ushtarë  "arnautë" (siq i quanin turqit dhe serbët shqiptarët atëhere).

Edhe pse kishin epërsi në njerëz dhe artileri, ushtria e Serbisë zhvilloi luftime të përgjakshme dhe pati humbje të mëdha. Edhe sot historianët serbë si ushtarakët e atëhershëm serbë fajin ua lënë shqiptarëve që sipas tyre ishin tepër të motivuar për luftë dhe për ta mbrojtur jo Turqinë por kufirin e Shqipërisë.

Ndoshta dikush nesër do të shkruajë se si një shqiptar i Llapit me 16 tetor 1912 e vrau komandantin çetnik Millan Popoviç i cili kur i pa ushtarët e Llapit që i kishin lidhur në tytat e pushkëve të tyre  mahramat e bardha me të cilat mbështillnin plisin , duke menduar se ishin dorëzuar iu kërkoi ti dorëzonin armët. Por edhe ai që iu printe llapjanëve i kërkoi njëkohësisht Popoviçit që serbët ti dorëzojnë armët dhe kështu ndodhi kthesa e madhe me luftë fyt a fyt për jetë a vdekje ku u vranë rreth 160 ushtarë serb dhe ra përtokë morali luftarak dhe guximi për të luftuar atë ditë saqë Serbisë iu desht të dërgonte përforcime të mëdha.

Beteja e lavdishme për mbrojtjen e kufirit në frontin verilindor të gjatë 15 kilometra zgjati nga 15 deri me 19 tetor 1912.

Serbët e thyen frontin dhe marshuan duke djegur fshatra e qytete dhe ranë njëra pas tjetrës Prishtina, Prizreni, Shkupi, Kumanova e u pushtua pjesa më e madhe e Shqipërisë.

Shtrohet pyetja , se a do të ishte ngritur flamuri kuqezi në Vlorë me 28 nëntor 1912 pasi që ushtria serbe pas masakrave në trojet veriore shqiptare , zbriti në Durrës me 25 nëntor  dhe sikur mos të kishin qenë ato katër ditë të lavdisë, gjakut e të heroizmit në betejën te fshati Miroc i Podjevës, që Serbisë i dogji aq shumë mashtimi me mahramat e bardha , saqë edhe sot ai vend quhet "Prevare" (Prevara-mashtrim serbisht), kushedi se si do të kishin ecur rrjedhat e historisë sonë.

Besoj fort se është detyrë e të gjithë neve që ti kujtojmë ato ditë të sakrificës mbinjerzore të mbrojtësve të kufirit në fushëbetejën e përgjakshme të Llapit nga 15 deri me 19 tetor 1912.

Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës ua kanë borgj kujtesën dhe duhet ngritur një muze dhe një memorial kushtuar këtyre faqeve të heroizmit historik shqiptar.

Lavdi përjetë trimave dhe herojve të betejës së Prevares

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat