Rrëfimi ekskluziv i pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare

Historia

Rrëfimi ekskluziv i pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare

Nga: Aurenc Bebja (Francë) Më: 20 tetor 2020 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

“La Croix” ka botuar, të martën e 7 janarit 1958, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me rrëfimin e pilotit të avionit britanik “Skymaster” pas uljes së detyruar në tokën shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Piloti i “Skymaster-it” i ndaluar në Tiranë : “Ne u trajtuam mirë nga policët shqiptarë”

Image

Avioni britanik, i ndaluar që prej 31 dhjetorit nga autoritetet shqiptare, mbërriti në fushën e aviacionit të Hurn-it, afër Bournemouth-it, pas një ndalese të shkurtër në Brindizi, për t’u furnizuar me karburant.

Skymaster-i, tha piloti, duhet të kishte fluturuar në mes të korridorit ajror që ndan Shqipërinë dhe Greqinë. Por, për shkak të motit të keq, avioni devijoi trajektoren e tij rreth 12 kilometra. Pastaj u shfaqën dy Mig-ë (avionë rusë), duke më bërë të qartë se ata donin që unë të zbarkoja (ulesha), gjë që bëra.

Besoj, vazhdoi piloti-kapiten Kozubski, se ishin policë ata që më morën në pyetje. U shpjegova që moti i keq më kishte devijuar itinerarin. Marrja në pyetje zgjati rreth shtatë orë ditën e parë dhe vazhdoi të nesërmen. Por policët kanë qenë gjithmonë të sjellshëm dhe miqësorë dhe më dhanë cigare angleze. Ekuipazhi u dërgua në një hotel ku ruhej nga policia civile, por u trajtua shumë mirë.

Para se të niseshim, shtoi kapiteni, ne ngritëm reciprokisht dolli për shëndetin tonë. Nuk kishte asnjë inat. Shqiptarët kishin bërë vetëm detyrën e tyre.

A do të jetë incidenti një pretekst për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike ?

Qeveria britanike po pret një raport të hollësishëm nga ekipi i Skymaster-it para se të vendosë nëse një veprim diplomatik është i nevojshëm.

Vëzhguesit diplomatikë pyesin nëse incidenti do të rezultojë në një rifillim të marrëdhënieve diplomatike midis Anglisë dhe Shqipërisë, të ndërprera që nga lufta. Që prej dy vitesh, Shqipëria ka hedhur në heshtje hapat për një rifillim të tillë. Londra mendon se Shqipëria duhet së pari të paguajë 800.000 paund dëmshpërblim ndaj Britanisë së Madhe si rrjedhojë e vendimit të gjykatës ndërkombëtare për humbjen e dy shkatërruesve (anijeve) anglezë në ujërat shqiptare në 1946.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat