Historia e Parashqevi Qiriazit prezantohet në UNESCO

Historia

Historia e Parashqevi Qiriazit prezantohet në UNESCO

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 10:27
Parashqevi Qiriazi

Figura iluministes së shquar shqiptare Parashqevi Qiriazi ka frymëzuar edhe drejtuesit e UNESCO-s për ta përfshirë atë në kalendarin e jubileve të mbështetur nga kjo organizatë për vitin 2020. Pritet që së shpejti Parashqevi Qiriazi të prezantohet në UNESCO.

Në vitin 1919, Qiriazi lundroi nga Nju-Jorku në Francë (për Paris) si delegatja e vetme femër shqiptare në Konferencën e Paqes, kur po rishkruhej harta politike e botës.

Aty, kjo grua 152-centimetra qëndroi dallueshëm, si një Skënderbe në një det burrash politikanë.

Europianët u çuditën se “Shqipëria e prapambetur” (siç pohonin grekët etj) ishte aq e “emancipuar” sa kishte dërguar një përfaqësuese femër të këtij niveli.

Një libër dedikuar historisë së Parashqevi Qiriazi “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” vjen nga shkrimtarja Teuta Toska. Çfarë bëri ajo në kohën e lirë? Me kë shoqërohej? Cili ishte mendimi i saj për politikanët e kohës dhe për burrat në përgjithësi? Këto zbulohen në këtë libër, ku autorja paraqet jo vetëm këto, por edhe zgjidh enigma që as nuk dinim që ekzistonin, lidhur me veprimtarinë politike dhe arsimore të Parashqevisë. Ky libër 500-faqësh, që do të dalë në fund të këtij viti, do të befasojë studiues, do të ndriçojë historinë e Shqipërisë politike në fazat më kritike të fillimit të saj dhe, më e mira, do të frymëzojë çdo femër shqiptare dhe do të sfidojë çdo mashkull shqiptar të qëndrojë sa më tepër si burrë e atdhetar.

Gjithashtu “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve” në Shkup ka pasuruar fondin botues me librin më të ri “Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës”, tërësisht i panjohur për opinionin e gjerë.

Të dy librat janë botuar më rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Parasheqevi Qiriazit.

Ditari i lënë në dorëshkrim nga Qiriazi, dëshmon për punën e palodhshme të kësaj ilumniniste shqiptare, e cila kësaj radhe na paraqitet si dëshmitare e gjallë e një prej ngjarjeve më vendimtare për fatet e popullit shqiptar, siç ishte Konferenca e Versjajës e vitit 1919/20.

Figura emblematike e Parashqevi Qiriazit këtu ndriçohet dhe plotësohet me detaje fare të panjohura, përmes të dhënave autentike që ajo na i prezanton në ditarin e saj dhe ajo përligj zërin më përfaqësues të gruas së shquar shqiptare, e cila, siç mund të shihet nga dëshmitë e ofruara, del të jetë edhe themeluese e diplomacisë shqiptare. Parashqevi Qiriazi ishte delegate e Konferencës së Versajes dhe ditari i saj zbulon dritë-hijet e kësaj konference përmes syrit vëzhgues dhe mjaft aktiv të saj.

Ditari i Parashqevi Qiriazit nuk është thjeshtë kujtim personal i një gruaje që spikati shumë anë të njohura e të panjohura të kësaj Konference, por është edhe fryma dhe konteksti i kohës, të shqiptarëve në raport me Fuqitë e Mëdha, sidomos me SHBA-të, ku shqiptarët, me të drejtë kishin varur të gjitha shpresat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat