Mid' hat Frashëri në Manastir

Historia

Mid' hat Frashëri në Manastir

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 11:48
Mid' hat Frashëri

Një natë vonë teksa po rrija midis librash syri më kapi emrin e Mid'hat Frashërit. U ngrita, e mora në dorë dhe e shpalosa edhe njëherë, pasi kish kohë që s' e kisha rihapur. Artikuj e trajtesa të ndryshme përplot zjarr patriotik të një mendje të ndritur e të kulluar prej eruditi shqiptar dalë jo më kot nga një derë e madhe. Në faqen 240 ndaloj tek shkrimi "Kongresi i Manastirit". Dhe jo pa ndonjë shkak, sepse po afrohej data që shënonte ditën e Kongresit të Manastirit. Në atë kongres ishte i ftuar dhe i pranishëm Mid' hat Frashëri, ky pinjoll i asaj familje unikate shqiptare, që kishte dhënë tri mendje të ndritura për kombin. Ç' do të shkruante për ngjarjen e madhe kulturore kombëtare, ndodhur këtu e 112 vjet më parë ky kalorës i kombit? Duke qenë njëri nga pjesëmarrësit kryesor, madje edhe vetë drejtues i këtij kongresi, vetvetiu të bën që ta lexosh, apo edhe ta rilexosh. E përderisa jemi edhe në prag të datës së këtij kongresi, pse të mos them edhe nja dy fjalë pikërisht si e pa vetë Mid' hati i Frashëllinjëve atë ngjarje. Ja si e fillonte?

"Që në krye të vjeshtës së parë, Klubi "Bashkimi" bënte këtë grishim: "Shoqëria e klubit "Bashkimi" me anë të Pleqësisë së saj, merr nderë t' ju ftojë t' urdhëroni e të ndodhi në Kongresin e Përgjithshëm, i cili do të hapet me 1 të vjeshtës së III-të , ditën e shtunë ,në Manastir, te klubi "Bashkimi", për të përmbyllur grishjen më tutje "...lutemi t' i jepni kësaj çështje rëndësinë që lipset, të nderoni kombin me të ardhurit e zotësisë suaj në këtë kongres (mbledhje) e cila do të mbarojë një punë për lumturinë e lartësinë e gjuhës së kombit shqiptar". Kështu e kishte filluar shkrimin e tij i biri i Abdyl Frashërit, ky gjeni i kombit, jo pse ishte i biri i një atdhetari të madh, por pse emrin e tij e kishte krijuar me punë, mund dhe sakrifica të mëdha. Këtë ftesë ai nuk kishte si ta refuzonte dhe këtij kongresi nuk kishte si t' i mungonte, sepse ai ishte tashmë një autoritet i dëshmuar kulturor dhe kombëtar.

*

Mid' hat Frashëri kishte arritur atë natë vonë,madje në një e gjysmë të natës, sepse rruga nga Janina për në Manastir nuk ishte e shkurtër dhe madje nuk ishte as e lehtë. Por për të qenë aty, ai do të ishte me patjetër.

A kishin pasur apo edhe a kishin shqiptarët alfabete apo abece, siç do të thoshte Mid' hati? Po, madje kishin shumë. "Shqiptarët që kanë qenë kaq shterpë për vepra letrare, kanë qenë shumë pjellorë dhe shumë të zotë për të shpikur abece!" Madje duke u shprehur edhe metaforikisht vazhdonte ai, që i bie se ishte edhe një qortim njëkohësisht: "Edhe kështu dita më ditë po na dilte nga një abece, si kërpudhat pas shiut!" Dhe kishte të drejtë atdhetari ynë i madh, sepse shqiptarët ishin ngatërruar me shumë alfabete: herë kishin përdorur germa latine, herë turke, herë arabe, madje ndonjëherë edhe ndonjë shkronjë e kishin zëvendësuar me ndonjë sllave a greke. Por ja që edhe për shqiptarët të bërë pikë e pesë nëpër alfabete, kishte ardhur koha që të kishin edhe ata një alfabet të njësuar, të cilit do t' i bindeshin dhe do t' i shtroheshin të gjithë sipas një rregulli dhe sipas një marrëveshje. Ndaj kishte ardhur dita dhe kongresi donte të mbyllte mirë e mbarë punën me një alfabet, të cilin do ta përdornin të gjithë, e jo secili autor apo shoqëri kulturore të përdorte një alfabet të vetin, i cili siç akuzonte Mid' hati, ndonëse ishte me shkronja latine "shkronjave u jepte një zë të ri dhe zërat që s' janë në abetaret latine, i bënte me një bashkim shkronjash sipas qejfit të vet". Kjo nuk do të duhej të ndodhte më, sepse të gjithë popujt e qytetëruar rreshtoheshin dhe bindeshin përpara një alfabeti të vetëm, që lexohej dhe kuptohej nga të gjithë.Manastiri tashmë kishte hapur portën dhe zemrën e madhe për t' i pritur burrat e kombit.

Aty po vinin që të merrnin pjesë 32 delegatë dhe ndodhte që një delegat të përfaqësonte edhe dy asociacione kulturore, të dërguar nga 23 qytete, klube a shoqëri të Shqipërisë që punimet e tyre do t' i zhvillonin në nëntë mbledhje. Po cilat vende, shoqëri dhe qytete kishin dërguar përfaqësuesit e tyre? Ishin vetëm disa, pra nuk ishin nga të gjitha trevat shqiptare. Bie fjala, trevat veriore shqiptare dhe veçanërisht Kosova nuk kishin aty asnjë delegat të vetin për të përçuar zërin e tyre, ndonëse ishte i pranishëm Selahedin beu oficer kajmekam nga Prizreni, por ai ishte delegat i Manastirit dhe nga të parët e Xhemijetit "Bashkimi dhe Mbrothësia".

Por le të shënojmë disa nga trevat e të ardhurve siç na e ka sjellë Mid' hati i Abdyl Frashërit: Manastiri, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Kolonja, Shkodra, Konstanca, Bukureshti, Amerika, Leskoviku, Janina,Vlora, Usqynji, Selaniku, Tirana, Sofja, Filinjonjoli, Misiri,Italia, Berati. Po emrat që po e nderonin këtë kongres në këtë të shtunë nëntori kush ishin? Mid' hati shënon këta emra: Selahedin bej, G. Qiriazi,Shefqet Frashëri, G. Cilka,Thoma Abrami, Sami Pojani, Mihal Grameno,Bajo apo Bajram Topulli, Simon Shuteriqi, Dhimitraq Buda, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hil Mosi, Ahile Efdin, Zejnel Leskoviqi, Sotir Peci, Leonidhë Naçi,Hafiz Ibrahim, Emin Bej, Mid' hat bej Frashëri, Refik Toptani, Adam Shkaba, Dhimitri Mole, Feim bej Zavalani, Nyzhet bej Vrioni. Me këta njerëz shqiptarët do ta nisnin rrugën e mbarë të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, e cila do të bëhet pastaj edhe njësia e kombit.

*

Si u zhvilluan punimet? Kishte një rend, kishte një rregull? Doemos!

Në ditën e parë kryetari i klubit "Bashkimi" të Manastirit, Feim bej Zavalani kishte hapur kongresin duke treguar qëllimin e tij, kurse Gjergj Qiriazi kishte lexuar me radhë listën e të pranishmëve, ku pastaj ishin tërhequr në një dhomë dhe me vota të fshehta kishin zgjedhur kryetar Mid' hat bej Frashërin. Në këtë ditë delegatët kishin folur për rëndësinë e një alfabeti unik, ku ishin përmendur edhe alfabetet ekzistuese, me të cilët ishin shkruar libra dhe vepra letrare dhe shkollore. Kush ishin folësit dhe ç' kishin thënë ata? Hil Mosi pasi kishte lexuar ca "tejshkrime" nga shqiptarët e Italisë, prej Bib Dodë Mirditës, Primo Doçit dhe jezuitëve të Shkodrës, e kishte përmbyllur fjalën me pasthirrma entuziaste: "Rroftë Shqipëria,rroftë kombi shqiptar, rroftë liria".Shkrimtari, gjuhëtari dhe prifti Ndre Mjeda si delegat e shoqërisë "Agimi" në Shkodër kishte folur për ngjashmëritë që kanë Alfabeti i Stambollit me atë të "Agimit", sepse:"të dyja kanë një shenjë të vetme për çdo zë". Po dita tjetër si kishte nisur? Ajo kishte nisur me punë.Oratori apo "fjalëtori" Hil Mosi kishte pohuar se " do të bëhet një abece e re, duke bashkuar të tri abecetë që janë sot më të përdorura: të Stambollit, "Agimit" dhe "Bashkimit". Po ç'mendonte Luigj Gurakuqi? Ai mendonte më ndryshe se duke mos dashur të kishte hatërmbetje në punimet e kongresit kishte propozuar një alfabet krejtësisht të ri "për të mos i thyer zemrën e askujt". Kështu secili nga delegatët kishte shprehur një mendim apo kishte përkrahur një alfabet ekzistues. "Fjalëtorët" siç do t' i quante Mid' hati oratorët, flisnin duke shprehur mendimet e tyre të vyera. Ferid bej Ypi kishte pohuar se: "s' është e drejtë t' i themi abece e Frashërit abecesë së Stambollit meqenëse kur u themelua me 1879 në Stamboll Shoqëria e Shkronjave , në atë shoqëri veç Sami bej Frashërit , ishin edhe Vaso Pasha nga Shkodra, Kristoforidhi nga Elbasani , Jani Vreto Postenani, Tahsin Hoxha nga Filati dhe të tjerë zotëri të vlejtur". Me shumë zjarr dhe patos në mbrëmje kishte folur edhe Gjergj Fishta, poeti i madh kombëtar, i cili ndonëse përfaqësonte shoqërinë "Bashkimi" nuk kishte ardhur domosdo që të përkrahte alfabetin e asaj shoqërie. Po vinte dhe dita e tretë ku ishte zgjedhur një komision prej njëmbëdhjetë vetash për t' i dhënë fund çështjes së abecesë. Sipas Mid' hat Frashërit "ja fryt i zgjedhjes": Bajram Topulli, Buda Dhimitraq, Cilka Ligor, Fishta Gjergj, Frashëri Mid' hat, Mjeda Ndre, Nyzhet Vrioni, Peci Sotir, Qiriazi Gjergj, Kolonja Shahin". Në këtë rast meqë Gjergj Fishta kishte marrë 49 vota apo "zëra" siç i quante Mid' hati, nga 52 , u zgjodh kryetar.

Edhe dita e katërtë, e pestë dhe e gjashtë ishin ditët vendimtare të kongresit, ku u përcaktua edhe alfabeti dhe u shënua në verbal. Mid' hat Frashëri do të konstatojë:

"Vendimi i komisionit mbi çështjen e abecesë:

Pasi që u kënduan verbalet e ditëve të tjera e pasi që u pa se puna që kishin bërë ishte mjaft e madhe, por jo aq sa të na kënaqte të gjithëve e t' i shërbente si përparimit të gjuhës dhe të përhapurit të diturisë ndër ne; të shtyrë dhe nga disa shkaqe të përjashtme, u kthyem prapë e me pëlqim të të gjithëve që të merret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece thjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes të shqiptarëve. Mësimi në shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja."

Jepen pastaj të dyja alfabetet e propozuara dhe të miratuara. Edhe Gjergj Fishta kishte dhënë shpjegimin dhe qëndrimin e tij: "abece e Stambollit është e mjaftë për nevojat e kombit, por meqenëse shumë herë për të shtypur libra larg Shqipërisë dhe për të hequr telegraf kemi nevojë për një abece thjesht latine, komisioni u shtrëngua të marrë dy abece si ngjan edhe për alemanët, të cilët kanë abecenë gotike dhe abecenë latine". Kishte edhe një propozim që një kongres tjetër të mbahej në Janinë dhe atë me datë 10 korrik 1910, por që nuk u mbajt asnjëherë.

Pasi ishin paraqitur të dy alfabetet, të gjithë të pranishmit kishin brohoritur:"Rroftë abeceja!"

Po si kishte gdhirë dita e radhës? Dita e tetë kishte gdhirë me këngë trimërie dhe i ngjante një feste që siç thotë Mid' hat Frashëri: "Çeço Topulli dhe Mihal Grameno i kënduan me aq shije dhe me zërin e tyre përzjeheshin edhe ca zëra grash të disa shqiptarkave të ardhura, për të dëgjuar fjalët e delegatëve". Kështu dita kishte ecur mbarë e mirë dhe në mbrëmje klubi i Manastirit kishte shtruar edhe një darkë solemne për shtatëdhjetë vetë ku midis tjerëve ishte edhe Valiu i Manastirit, Hivzi Pasha. Doemos që për këtë vepër madhore të kombit do të ngriteshin edhe dollitë.E Mid' hati vazhdon përsëri: "Fehim bej Zavalani, kryetari i klubit piu i pari për shënden' e gjithë shqiptarëve dhe Mid' hat bej Frashëri, piu jo për trupin, por për mendjen e shqiptarisë, që u jep fuqi dhe zemër gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen".

Erdhi edhe dita e nëntë , si të kishte ardhur nga baladat dhe legjendat shqiptare.Kongresi kishte mbaruar punimet dhe entuziazmi i delegatëve dukej në fytyrat e tyre, sepse vërtetë kishin bërë një punë të vyer për kombin: "Kështu u sos kongresi i Manastirit dhe kështu u ndanë shqiptarët, duke mbajtur në zemër të tyre një kujtim të paharruar nga këto dhjetë ditë të shkuara në një festë, që s' e kishin parë kurrë gjer më sot" perfundon Mid' hat Frashëri. Delegatët ishin kthyer prej nga kishin ardhur të mbushur plot shpresa me mendimin e mirë se kishin bërë një abece shqipe, për t' ua lënë brezave që do të vinin trashëgim. Ishte ky një ogur i mirë për kombin se një ditë po ky Mid' hati i këtij kongresi do të nisej për në Vlorë me një mision tjetër dhe në një Kuvend tjetër edhe më të madh, atë të Vlorës, atë të MEVETËSISË SË SHQIPËRISË!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat