75-vjetori i gjyqit të Nurëmbergut që dënoi krimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Historia

75-vjetori i gjyqit të Nurëmbergut që dënoi krimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 00:08
Nurëmberg

Si sot 75 vite më parë, në Nurëmberg të Gjermanisë, nisi gjyqi ndërkombëtar ndaj krimeve që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një trupë prej nëntë gjyqtarësh nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, e kryesuar nga amerikani Robert Jackson dhe britaniku Sir Hartley Shawcross, dënuan, me seanca që zgjatën rreth një vit, 22 zyrtarë të lartë nazistë për krime lufte dhe përgjegjësi në hapjen e kampeve të përqendrimit.

Me kampet e përqendrimit dhe krimet gjatë luftimeve, nazistët mendohet se shkaktuan një gjenocid prej rreth 11 milionë njerëzve, ku më shumë se gjysma prej tyre ishin hebrenj.

Dënimet që dha i ashtuquajturi gjyqi i Nurëmbergut nisën nga 10 vite e deri në dënim me vdekje.

Mes 22 zyrtarëve të lartë të pushtetit nazist u dënuan gjeneralët Alfred Jodl (dënim me vdekje), Wilhelm Keitel (dënim me vdekje) dhe Karl Dönitz (10 vite burg), një nga drejtuesit e organizatës paraushtarake SS, Ernst Kaltenbrunner (dënim me vdekje), ish-ministri i Jashtëm Joachim von Ribbentrop (dënim me vdekje), dhe ish-ministri i Luftës Albert Speer (20 vite burg), i njohur me nofkën “arkitekti i luftës së Hitlerit”.

Gjyqi i Nurëmbergut nuk mundi të dënonte drejtues më të lartë si Adolf Hitler, i cili kreu vetëvrasje në prill 1945, njësoj sikurse ministri i Propagandës Joseph Goebbels.

Një prej “arkitektëve të Holokaustit” Adolf Eichamann, u arratis nga Gjermania duke u shpërngulur në Argjentinë. Në vitet 60-të agjentura izraelite e gjurmoi dhe mundi ta arrestojë dhe ekstradojë në Tel Aviv, atje ku në vitin 1962 u shpall fajtor për gjenocid dhe u dënua me vdekje.

Gjyqi i Nurëmbergut ripërcaktoi edhe njëherë ligjet ndërkombëtare dhe po kështu ligjet e luftës, pasi për herë të parë u dënuan hapur dhe ashpër përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe gjenocidi ndaj civilëve të pafajshëm.

Ky gjyq ishte një pikë kthese dhe një gur themeltar në ripërcaktimin e vlerave që do të përçonte më pas Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Pas “Nurëmbergut” të tjera gjyqe u mbajtën për personelin mjekësor, shkencor, gjyqësor dhe ekonomik që mbajti në lëvizje makinerinë naziste me krime lufte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat