Kongresi i Manastirit 1908 - Udhë e sigurt drejt dijes e prosperitetit

Historia

Kongresi i Manastirit 1908 - Udhë e sigurt drejt dijes e prosperitetit

Nga: Eugen SHEHU Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 15:23
Në mes me nr.1 Kryetari i Kongresit të Manastirit Mit’hat Frashëri

Agu i shekullit të njëzetë,do të shkëndijonte qiellin e madh të aspiratave të lirisë,për kombin shqiptar.Së mbrendshmi,bashkëkombasit e mij e patën kuptuar se askush nuk mund ta hiqte natën e gjatë osmane prej supeve të maleve,veç pushka e libri.Ngase e kuptuan këtë,ngase luftuan kurdoherë nën flamur të këtyre ideve,përpjekjet e shqiptarëve erdhën kurdoherë në rritje.Këto përpjekje,ky vrull,ky patos i zjarrtë,i ngjante atij lumi të madh,të marsur me dhimbjen e popullit i cili nuk derdhej në det,por në zemrën e vet kombit.Që në vitet e para të shekullit që lamë pas,shkëndijet e mësimit e të dashurisë për shkollën shqipe,nisën të kthehen në disa zjarre të vegjël,që një erë e fortë jo vetëm nuk do t’i shuante kurrsesi,por do t’i ndizte akoma më tepër.Por,duhet thënë se këto shkëndije,u dukën së pari,në ato qiej të turbullt,plot vetëtima e gjëmime,të viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Dihet tanimë prej të gjithëve ne,se një prej pikave për autonomi administrative të kësaj lidhjeje,ishte përdorimi i gjuhës shqipe.

Në vitin 1879,në Stamboll u krijua „Shoqëria për të shtypur shkronja Shqipe“ e cila kishte si qëllim kryesor,botimin në gjuhën shqipe të abetareve apo teksteve të tjerë shkollore mbi historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.Në krye të këtij klubi kulturor,dallojmë sidomos vëllezërit Frashëri,Sami dhe Naim të cilët duke paraparë se rilindja e një kombi vjen prej diturie,nuk munguan asnjë moment të sakrifikojnë prej jetës së tyre,edhe në çastet e mbrame,në dobi të shqiptarizmës. Për më tej Sami Frashëri,ky shqiptar erudit,përcaktoi një alfabet të veçantë duke u nisur si nga tradita e lashtë e të folurit shqip,ashtu edhe nga përshtatjet me realitetin gjuhësor të atyre viteve.

Ky alfabet u quajt „Abeceja e Frashërve“ (përndryshe „Abeceja e Stambollit) dhe mbi bazën e tij u ndërtua edhe një abetare e disa libra të tjerë diturie.Po me këtë alfabet,shoqëria e lartëpërmendur e cila më pas u quajt „Dituria“,botoi edhe gazetën e vet „Drita“.Nën titullin domethënës të kësaj gazete,u botuan mjaft artikuj,të cilët në vetvehte ishin manifeste të shpirtit të madh të popullit tonë,në aspiratën e lartë për pavarsi e liri të plotë.Po ky alfabet,u përdor jo vetëm në Stamboll,por edhe në mjaft treva shqiptare,madje edhe në disa koloni të shqiptarëve në Sofje,Bukuresht etj.Kjo abece,njëkohësisht përdorej prej Durrësi,në Dibër e Prizëren.Ngase pozita e Portës së Lartë,u trondit rëndë në vitet 70 të të shekullit 19-të,fillimisht,Sulltani pati disa tendenca përkrahjeje të lëvizjes shqiptare për gjuhën e tyre.Por këto tendenca ishin kurdoherë si mburoje e mendimit që me autonominë e tyre kulturore,shqiptarët të mund të luftonin dominimet greke dhe serbe në Ballkan,dominime të cilat,i prishnin mjaft punë Portës së Lartë.Përndryshe,atëherë kur Porta e Lartë i forcoi pozitat,pas viteve 1880,ajo u vërsul me zjarr dhe hekur për të shpërndarë Lidhjen Shqiptare të Prizërenit e më tej,për të mbytur çdo klithmë që vinte për abecenë shqiptare.Përkitazi me këtë, studiuesi ynë i shquar Stavro Skendi shkruan tekstualisht ; „Sulltani ishte në parim,kundër çdo lëvizjeje kombëtare të shqiptarëve,sidomos kundër lëvizjeve të myslimanëve të cilët përbënin shumicën e kombit shqiptar.Interesi i Perandorisë e shtynte Sulltanin,t’u impononte myslimanëve, një arësim turk ose arab,pa marrë parasysh kombësinë e tyre.Duhej të krijohej me këtë mënyrë,një frymë e vetme feje si edhe gjuhe shtetërore,për të ndërtuar një murë që të ndante myslimanët nga të krishterët.Prishja e këtij muri që ndante shqiptarët,do të sillte pasoja kërcënonjëse për autoritetin e tij,veçanërisht kur rrymat kombëtare të popullsive të mbajtura tok nga feja e përbashkët dhe nga gjuha turqishte,do të shtoheshin në gjirin e Perandorisë“.(S.Skendi,Historia e abecesë shqipe,“Albania“ vëllimi i parë në mërgim , viti 1962 , faqe 360).

Pra, abeceja shqipe ishte vënë midis disa zjarreve,ende pa lindur mirë akoma.Turqia prej së largu,por edhe fqinjët shekullorë,i trembeshin lidhjes së saj,rritjes dhe zhvillimit,sikundër nata i trembet një mëngjezi të bukur që don të linde.Kësisoj çështja e alfabetit të gjuhës shqipe,virej në radhët e para të detyrave,jo vetëm për gjuhtarët, por për krejt atdhetarët shqiptarë.Në sfond të ngjarjeve kulmore të fillimit të shekullit të njëzet,alfabeti i gjuhës shqipe,do të potencohej sidomos prej një mendimi unanim të atdhetarëve shqiptarë se ai do të vlente për bashkim të tyre,për zgjim të vetëdijes.E fjetur prej natës së gjatë osmane,kjo vetëdije kërkonte zgjimin e ringjalljes,përmes aktit të madh të bashkimit.S’është aspak e vërtetë ajo çka deri më sot,nxënësit shqiptarë,mësojnë ende në shkolla,se gjoja shqiptarët,shkonin drejt vitit 1912 „gjoksbashkuar“. E vërteta është se ata shekuj të gjatë të padijes,pos të tjerave,suallën përçarje të madhe ndër shqiptarët.Kjo e keqe,deri më sot,është parë tek Turqia,sikur ajo të ishte fole e krejt antishqiptarizmës.Por mendimi im është se duhet parë ma në gjërësi e thellësi,marëdhëniet më fqinjët tanë.Dihet tashmë se në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë,kisha ortodokse serbe u ishte kundërvënë me forcë kishave katolike shqiptare. Ashtu sikundër dihet se patriotët e mëdhenj shqiptarë,ata që luftuan për gjuhën dhe shkollën shqipe u persekutuan deri në djegje e varje prej Patriarkanës greke të Stambollit.Në fundshekullin e kaluar,më saktësisht në vitin 1878,sipas statistikave të kohës,në trevat e Gjirokastrës, Beratit,Tepelenës dhe Himarës,kishte pos disa shkollave turke,edhe 163 shkolla greke ku qindra djem e vajza shqiptare në pamundësi të mësonin abecenë e tyre,merrnin njohuritë e greqishtes. Sigurisht,nuk mund të mos përmendet në këtë rrafsh,veprimtaria shumdimensionale e atdhetarëve tanë.E para shkollë shqipe, e çelur në Korçë,më 1887,dëshmoi se vetëdija nacionale shqiptare po rritej.Tek e mbramja,prej bijve të shqipes ish kuptuar,se liria do të vinte kurdoherë përmes krismave të pushkës dhe abecesë të mësuar prej gjeneratave të reja.Por edhe kjo shkollë (së bashku me disa të tjera) u mbyllën në fillim të shekullit të njëzetë.Madje për ironi të fatit,drejtorin e shkollës shqipe të Korçës,Nuçi Naçin, e arrestuan autoritetet turke vendore,nën akuzën „si pjesmarrës të një organizate të fshehtë shqiptare“ (Arkivi i Institutit të Historisë,Promemorja e Konsullit Kral mbi Shqipërinë nga viti 1901-1904).

Kësisoj për të mbëritur deri në janarin e vitit 1908,kur prej Fuqive të mëdha evropiane,u lëshua në tryezat diplomatike „Çështja Maqedone“.Pa dashur të kem një refleksion mbi këtë çështje,une vetëm mund të pohoj me gojën e plotë se servirja e asaj duhet kuptuar vetëm në aspektin se si mund të coptoheshin trojet shqiptare.Si reagim i menjëhershëm i „Çështjes Maqedone“,lindën komitetet e fshehta shqiptare.Të kryesuara prej Komitetit të Manastirit,këto komitete të cilat u emërtuan „Për lirinë e Shqipërisë“,u kthyen në çerdhet e para të lëvizjeve mbarëkombëtare shqiptare prej nga do të kalohej në kryengritjen madhore të armatosur.Më pas,në ngjarjet e qershor-korrikut të vitit 1908 shqiptarët me mijëra përkrahën lëvizjen e Turqve të Rinj,duke menduar se në hapsirat e reja politike të krijuara,mundësitë e tyre për bashkim e mbrothësi do të ishin më të mëdha. Por edhe me të kuptuar qëllimet e vërteta të turqve të rinj,atdhetarët e vërtetë shqiptarë ngarendën të bashkojnë kombin e vet në die e mendime duke formuar klube e shoqëri të ndryshme atdhetare.Kështu,në fundin e korrikut të vitit 1908 në Manastir u formua Klubi „Bashkimi“ i cili u pasua prej klubeve të tjerë,me të njejtat qëllime,në Elbasan,Korçë,Shkup dhe Selanik.Natyrisht,kohë më pas,këto klube u formuan edhenë „Strugë, Ohër ,Dibër, Tetovë ,Vuçitërn ,Delvinë, Gjirokastër ,Filat ,Follorinë, Pogon,Konicë,Negovan,Be llkamen, Berat,Durrës e gjetkë,“(Arkivi Qendror i shtetit,Fondi klubi „Dituria“ds.1,fl 14).

Duke qenë e kahershme,dëshira e atdhetarëve shqiptarë për çeljen e shkollave në gjuhën amtare,menjëherë sapo klubet tubuan rreth vehtes mijëra shqiptarë,u vendos të hapeshin sërish shkollat.Kështu,të dhënat dokumentare,flasin për ate,se në shtatorin e vitit 1908,në qytetin e Elbasanit,u çel e para shkollë shqipe dhe abetarja e përdorur aty u suall prej Stambolli.Ajo ishte abetarja e rilindësit të madh Sami Frashëri.Përpjekjet e patriotëve korçarë,bënë që po në këtë muaj,të çelen dy shkollat shqipe në Korçë të mbyllura prej turqve,vite më parë.Në shkollat fillore të Tiranës,gjithashtu u lejua mësimi i shqipes,ndërsa në qytetin e Beratit,me kulturë mbi 2400 vjeçare,ky eviniment u përcuall me një manifestim mbarë popullorë.Mbi 2000 vetë,prindër të moshuar,të rinj të reja,përcuallën fëmijët e tyre të vegjël për në shkollat e para shqipe. Sipas informacionit të kosullit frances në Manastir në vjeshtën e vitit 1908,me gjithë ndërhyrjet e mëdha të pushtetit turk,atdhetarët shqiptarë mundën të fusnin gjuhën shqipe,në gjimnazin shtetëror të Manastirit.Të parat shkolla shqipe,lulëzuan në vjeshtën e vitit 1908,edhe në Kosovë,Maqedoninë Shqiptare e Çamëri,duke paralajmëruar kësisoj se pas kësaj vjeshte do të vinte pranvera e madhe e abecesë.Është pikërisht ky truall i shëndetshëm i cili priste farën për t’u mbjellë,alfabetin e gjuhës shqipe.Dhe fati e desh që edhe kësaj radhe,pararoja e atdhetarëve shqiptarë të jetonte e punonte në Manastir.Pikërisht klubi „Bashkimi“ i Manastirit,ishte ai që prej disa muajsh kishte vendosur lidhje me patriotët shqiptarë e katër vilajeteve duke potencuar idenë për unifikimin sa ma të shpejtë të alfabetit të shqipes.Në një udhëzim të tij,dërguar klubeve në krejt trevat shqiptare,thuhej shprehimisht ;“Alafabeti unik,provon se kombi ynë është bërë një si komb... ai do të na ndihmojë edhe për përparimin e vendit tonë në fushën ekonomike,politike...(Arkivi Qendror i Shtetit fondi klubi „Përparimi“ dosja 1 fleta 24 ).

Anipse në kushtet gjysëm ilegale,pa mjete financiare dhe mes një varfërie të thellë,mjaft prej klubeve apo rretheve patriotike të kohës iu përgjigjën menjëherë kërkesës së klubit të Manastirit.Ata parashihnin tek „Bashkimi“ i Manastirit,krahun e fuqishëm që do të shërbente si shtizë flamuri, e atij flamuri që thërriste të gjithë shqiptarët,nën himnin madhështorë për abecenë e tyre.Ngase këto përgjigje ishin tepër të sakta dhe të zjarrta,përfaqësia e klubit „Bashkimi“ në Manastir,vendosi që pas datës 10 nëntor 1908,në qytetin e tyre,të nis punimet ky Kongres për njësimin e alfabetit.

Në mëngjezin e 14 nëntorit të vitit 1908,mijëra qytetarë të Manastirit,dulën nëpër rrugët e qytetit historik duke brohoritur për Kongresin.Delegatëve iu bë një nderim i veçantë duke i përshëndetur ata nxehtësisht,në sheshin përpara hotelit „Liria“,hotel në të cilin u mbajt edhe kongresi.Disa fjalë të ngrohta e tepër të sinqerta të Fehmi Bej Zavallanit,elektrizuan krejt mjedisin dhe mbrenda pak minutash,Manastiri jetonte një prej ditëve më të mëdha në historinë e vet.Ajo çka vlen të mos harrohet,është fakti se për të uruar kongresistët shqiptarë,kishin ardhur pos të tjerave edhe sllavomaqedonas,grekë ,turq,vllehë etj.Në Kongresin e Manastirit me të drejtë vote mirnin pjesë këta delegatë :

Sotir Peci – Drejtor i gazetës „Kombi“ (Boston),i deleguar nga kolonitë shqiptare të Amerikës dhe të Bukureshtit me 4 vota .

Fehmi Bej Zavallani – pronar,drejtor i gazetës „Bashkimi i Kombit“ (Manastir) dhe kryetar i klubit „Bashkimi“ i Manastirit i deleguar nga kolonia shqiptare e Egjyptit me 2 vota.

Gjergj Qirijazi – nënkryetar i klubit „Bashkimi“ i Manastirit përfaqsues i Shoqërisë Publike Britanike në Manastir dhe përkthyes i konsullatës austro-hungareze,i deleguar nga klubi „Bashkimi“ i Manastirit me 1 votë.

Selahedin Beu – nëpunës,i deleguar nga klubi „Bashkimi“ i Manastirit me 1 votë.

Ndre Mjeda – klerik , i deleguar nga shoqëria „Agimi“ i Shkodrës me 1 votë.

Mati Logoreci – klerik i deleguar nga shoqëria „Agimi“ i Shkodrës me 1 votë.

Gjergj Fishta – klerik,i deleguar prej shoqërisë „Bashkimi“ i Shkodrës,me 2 vota.

Hil Mosi – profesor, i deleguar nga shoqëria „Gegënia“ e Shkodrës me 2 vota.

Luigj Gurakuqi – profesor,i deleguar nga arbëreshët e Sicilisë me 2 vota.

Mid’hat Frashëri – përkthyes diplomatik në Selanik,i deleguar nga klubet e Selanikut dhe të Janinës me 4 vota.

Mihail Grameno – arsimtar,i deleguar nga shoqëria muzikore „Liria“ e Korçës me 2 vota.

Shefqet Frashëri – pronar,i deleguar nga klubi i Korçës me 1 votë

Thoma Abrami – sekretar,i deleguar nga klubi i Korçës me 1 votë.

Sami Pojani – profesor,drejtor i gazetës „Korça“,i deleguar nga shkolla Amerikane (Shkolla e Vajzave) në Korçës me 1 votë.

Gligor Cilka – klerik,protestant,i deleguar nga shkolla Amerikane(Shkolla e Vajzave) në Korçë me 1 votë.

Nikolla Kaçori – Klerik,i deleguar nga klubi i Durrësit me 2 vota.

Refik bej Toptani – pronar,i deleguar prej klubit të Tiranës me 2 vota.

Dhimitër Buda – faramcist, ideleguar nga klubi i Elbasanit me 1 votë.

Simeon Shuteriqi – arsimtar,i deleguar nga klubi i Elbasanit me 1 votë.

Azis Berzishta – nëpunës, i deleguar nga klubi i Starovës me 1 votë.

Nyz’het Bej Vrioni – pronar,deputet në parlamentin e Perandorisë Osmane,i deleguar nga klubi i Beratit me 2 vota.

Bajo Topulli – profesor, i deleguar nga klubi i Gjirokastrës me 1 votë.

Rauf Beu – pronar,rentier,i deleguar nga klubi i Gjirokastrës me 1 votë.

Leonidh Naçi – drejtor i shkollës,i deleguar nga klubi i Vlorës me 2 vota.

Shahin Kolonja – drejtor i gazetës „Drita“ e Sofjes,i deleguar nga klubi i Kolonjës me 2 vota.

Zejnel Glina – pronar,i deleguar nga klubi i Leskovikut me 2 vota.

Adham Shkaba – kafexhi,i deleguar nga shoqëria e Sofjes me 2 vota.

Dhimitri Mole – gjelltar,i deleguar nga klubi i Filibesë (Filipoli) me 2 vota.

Ahil Efthimiu – inxhinjer , i deleguar nga klubi i Konstancës me 2 vota.

Afez Ibrahim Efendiu – nëpunës,i deleguar nga klubi i Shkupit me 1 votë.

Emin Beu – nëpunës,i deleguar nga klubi i Shkupit me 1 votë

Sulejman Efendiu – nëpunës, i deleguar nga klubi i Starovës me 1 votë.

( „Dituria“ nr.3 , mot i parë , Selanik 1909 , faqe 39 ).

Menjëherë pas ceremonisë dhe fjalëve përshëndetëse,u zgjodh Kryesia e Kongresit të Alfabetit e cila do të përgjigjej për ecurinë e tij.Në detyrën e Kryetarit të kryesisë udhëheqëse,u votua dhe fitoi me shumicë votash,Mid’hat Frashëri,ndërsa nënkryetarë,Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirjazi.E vërteta është se Mid’hat Frashëri,asokohe ishte vetëm 28 vjeçar por veprimtaria e tij në dobi të lëvizjes kombëtare,ishte tejet e madhe Emri i tij,prej kohësh pat kapërcyer Stambollin (ku jetonte) dhe po zinte vend në mjaft vatra shqiptare.

Në dy ditët e para,Kongresi pati diskutime e debate mjaft të gjata.Duke qenë se deri asaj kohe,ishin përdorur disa alfabete të gjata.Duke qenë se deri asaj kohe,ishin përdorur disa alfabete,sejcili pjesmarës nisi të mbroje njërin apo tjetrin alfabet,nisur jo nga dëshira,më tepër se nga kushtet e vendeve që përfaqsonin.Kjo është më se e natyrshme,po të kem parasysh se disa prej këtyre delegatëve,u takonin religjioneve të ndryshme fetare,ndaj kishin edhe kufizimet fetare brenda kërkesave të tyre.Duke parë se diskutimet ishin të pafund,dhe punimet e Kongresit mund të mos nxirnin gjë në shesh,atëherë,me të drejtë,nga kryesia e Kongresit u hodh ideja e zgjidhjes me vota,të një komisioni i cili kishte të drejtë të hartonte alfabetin.Mendimi u miratua dhe delegatët zgjodhën në këtë komision atdhetarët e shquar si Mid’hat Frashëri,Ndre Mjeda,Luigj Gurakuqi,Bajo Topulli, Sotir Peci,Gjergj Qirijazi,Shahin Kolonja,Dhimitër Buda,Gligor Cilka dhe Nyz’et Vrijoni.Kryetar i këtij komisioni u zgjodh Gjergj Fishta. Komisionit të Alfabetit iu dha kompetencë e plotë e mandej prej të gjithë kongresistëve u deklaruan se ky alfabet do të përdorej në çdo rast,në çdo trevë,pa iu friguar as religjioneve fetare.Por dihet tanimë se edhe ky komision nuk e kishte të lehtë punën e tij. Deri asaj kohe,pothuaj të gjitha votimet e shkollat shqipe vërtiteshin rreth 3 alfabeteve,atij të Stambollit (përndryshe të Frashërve) të klubeve „Bashkimi dhe „Agimi“.Vështirë,të vireshin në kandarin e kohës,përparsitë e njërit apo mangësitë e tjetrit,ngase atdhetarët shqiptarë,patën investuar në ato alfabete e libra,me shumë dashuri për dije se sa para.Edhe diçka tjetër.Rrethet kulturore e patriotike shqiptare,me të mësuar për krijimin e komisionit të aflabetit,me letra e telegrame të ngrohta,ngarendën kush e kush më parë,të mbrojnë alfabetet e trevave të tyre (pa e parë kuptohet) problemin në thelsinë e vet.Pas debateve tepër konstruktive u artikulua nevoja e përdorimit njëherësh të dy alfabeteve,si atij të Stambollit edhe atij latin.Me këtë mendim u pajtua shumica e këtij komisioni,duke parë kushtet dhe rethanat nëpër të cilat kalonte udha e jonë e dijes.Kështu,ky komision,unanimisht,vendosi që alfabetet e Stambollit dhe ai latin,do të ishin të vetmit që do të përdoreshin nëpërshkolla,detyrimisht,për t’u njehsuar me të pastajmen në një alfabet të vetëm.

„Mid’hat Frashëri ia paraqiti Kongresit vendimin e komisionit.Pastaj At Fishta,si kryetar i komisionit të abecesë,dhe arsyet dhe spjegimet për këtë vendim.Ai tha se dhe vetëm abeceja e Stambollit do të mjaftonte t’u përgjigjej nevojave të kombit shqiptar,por për shtypjen e librave jashtë dhe për telegrafe,ishte e nevojshme një abece thjesht latine e mbylli bisedën duke zënë në gojë gjermanët që përdorin dy abece,ate Gofike dhe Latine.Vendimi i Komisionit të abecesë u pranua nga Kongresi“.(S.Skendi,Historia e abecesë „Albania“ nr 1,viti 1961,faqe 366).

Për shumë kohë në historiografinë tonë,ka egzistuar mendimi se funksionimi i njëhershëm i dy alfabeteve nuk mund të ishte një zgjidhje ideale.Të tjerë,historianë mendojnë se po.Unë mund të them pa droje se bëje pjesë në grupin e dytë dhe kam menduar kaherë se një zgjidhje tjetër zor se mund të gjendej,pos ate rreth burrash të mençur të Shqipërisë.Po ti hedhim një sy përfaqsuesve të Kongresit të Manastirit,unë them se ata nga çfardo pikpamje,kanë qenë dhe mbeten ajka e mendimit përparimtar të asaj kohe.Krejt vizionarë,ata pranuan abecenë e Stambollit,jo pse ate e pat nxjerrë në dritë Sami Frashëri,por ngase një veprimtari e tërë kombëtare,me tendenca të thekshme liridashëse,ishte përcjellë përmes botimeve në këtë alfabet.Ai alfabet donin apo s’donin kongresistët e Manastirit,pat hyrë nëpërmjet abetareve të para,në çdo vatër të toskërisë e për më tej ishte ngulitur në gjeneratat e reja të çamërisë mbi të cilën pak vite më pas do të pllakoste tragjedia e madhe.E kaluara e këtij alfabeti ndoshta jo shumë largët,fliste për faktin që ai mundi të përshtatet të përshtatet e të asimilohet prej mijëra shqiptarëve ç’prej gjirit të Artës e deri në Mirditë e Mat.Por unë mendoj se kongresistët e Manastirit duke lënë të lirë ushtrimin e dy alfabeteve lanë gjithashtu të hapura udhët e bashkimit të shqiptarëve,nën idealet e shqpitarisë.Vetëdija nacionale e jonë,fitoi shumë më tepër se ç’humbi (nëse ka patur humbje...) Pikërisht,duke lënë përdorimin e dy alfabeteve njëherësh.Për më tej,ashtu siç mund të ridhnin ngjarjet,arsyeja që alfabeti latin u pranua prej të gjithëve,është kurdoherë një shkak më tepër për të besuar se sytë dhe mendja e atdhetarëve tanë me ate fillim të trazuar shekulli,ishin kurdohere të drejtuar nga perëndimi.Ata i pat lodhur e vrarë shpirtërisht zumtia aziatike pesë shekullore. E ndjej të domosdoshme të sjell në këto faqe,disa emocione të ditëve të Kongresit,sipas shtypit shqiptar të kohës.

„Mbledhja e shtatë,të premten“ Pas dreke,me nëntë,salla e klubit ish plot shqiptarë... I pari folës këtë ditë,që Haxhi Fildan Efendiu që bëri fjalë për lirinë,për despotizëm,për njerinë,për vetëdijen dhe për bashkime... Folës i dytë u bë zoti Fishta që bëri fjalë për nevojën e mësimit dhe të shkollave shqipe duke thënë se se çdo baba dhe çdo nënë e ka detyrë të dërgoi në shkollë djemtë e tyre dhe të mos i lënë me padije.Në fund Fazli Pashë Tirana këndoj një fjalë në gjuhë turqisht për shqiptarët,për xhemijetin dhe turqit e rinj.Kjo ditë e shkëlqyer u mbush me këngë trimërie që Çeço Topulli e Mihail Gramenoja kënduan me aq shije dhe në zë të cilëve përziheshin dhe ca zëra grash të disa shqiptarkave t’ardhura për të dëgjuar flalët e delegatëve.Mbramnet,klubi i Manastirit dha nji darkë shtatdhjetë vetash që përmblodhi gjithë delegatët dhe shqiptarët e Manastirit në tryezë ishte edhe Valiu i Manastirit Hivzi Pasha.Fehmi Bej Zavallani,kryetar i klubit,piu i pari për shenden e gjithë shqiptarvet dhe Mid’hat Bej Frashëri,piu jo për trupne,por për mendjen e shqiptarsisë q’u ep fuqi dhe zemre,gjithë shqiptarëvet kudo që ndodhen.Pas darke Atë Fishta mbajti një fjalë të bukur...

Ditë e fundit.9 vjeshtë e tretë, edjele.

Delegatëtkëtë mëngjes u mblodhëne dhe kuvenduan për dy gjëra.E para,u vendos që klubetë dhe shoqëritë që janë në Shqipëri të shkruajnë tek Klubi i manastirit për çdo gjë të vlejtur q’u shkon në mendje dhe klubi i Manastirit të ketë për detyrë të bëje në muaj nga një raport dhe ta dërgojë në tërë klubet dhe shoqëritë... Këtë mbrëmje delegatët dhanë një darkë për plesinë e Klubit të Manastirit dhe për shqiptarët që ndodheshin aty.Në tryezë u rrëfye gjithë gaz i një mbledhjeje kombiare,të tillë mbledhje që ish si çap i parë që bente kombi shqiptar drejt bashkimit dhe qytetarisë.Dhe u bënë lutje që,sikundrë që ishin të mbledhurë dhe të bashkuar në këtë mesalle,ashtu dhe gjithnjë të kenë dhe mendjetë dhe zemratë të bashkuara për të punuar për të mirën e mëmëdheut... „ ( Gazeta „Liria“ ,e shtunë 8 , vjeshtë e tretë , 1908).

Për hir të së vërtetës,duhet thënë se gjatë ditëve të zhvillimit të Kongresit të Manastirit,pati midis delegatëve edhe debate nëse do të mund të dilte ky kuvend jasht suazës së alfabetit apo jo.Disa atdhetarë menduan që gjithshka të përmblidhej rreth alfabetit,ndërsa të tjerë nuk vonuan të kryejnë takime me antarët e Komiteteve të mfshehta të Manastirit e rrethinave.Por pamvarsisht nga debatet e shprehura,realisht në ditët e mbrojtjes të Kongresit të Manastirit,u shtruan në diskutime të veçanta edhe mjaftë situata që lidheshin drejtëpërsëdrejti me fatet e shqiptarëve.Krejt këto takime të delegatëve me kongresistët përparimtarë e demokratë,zhvilloheshin në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, njërit prej atdhetarëve të shquar shqiptarë,në rrafsh të alfabetit e gjuhës shqipe. Sipas të dhënave që jap lidhur me këto takime,konsulli italian i asaj kohe,në Manastir,çështjet që zënin në këto takime të fshahta,ishin :

Qëndrimi ndaj qeverisë osmane dhe mos besimi ndaj turqve të rinj,si dhe dënimi ndërhyrjes së shteteve të huaja në punët e mbrendshme shqiptare.

Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe gjuhës shqipe.

Zhvillimi i kulturës dhe arësimit në viset shqiptare,duke shpallur gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore ndërsa gjuha turke do të mësohej vetëm nga viti i katërt si gjuhë e dytë.

Shqiptarët ta kryejnë shërbimin ushtarak në vendet ku shërbimi me fjalë do të zgjase 2-2.5 vjet.

Në viset shqiptare të emertohet nënpunës shqiptarë.

Zhvillimi i marëdhënieve kapitaliste,hapja dhe shfrytëzimi i minierave si edhe ndërtimi i hekurudhave në këto vise të bëhet nga sipërmarrës shqiptarë.

Kufizimi i depërtimit të kapitalit të huaj,në ekonomi,në viset shqiptare me qëllim që të ndalohet ekspansioni ekonomik i shteteve imperialiste,që t’i jepet mundësia borgjezisë shqiptare për të shtënë në dorë tregun dhe ekonominë e vendit.

Burimet e derisotme arkivore,dëshmojnë për faktin se në thelb,këto kërkesa u miratuan prej kongresitëve ashtu si kundër edhe ato të përdorimit të alfabeteve.Për më tej,ishin këto kërkesa që u paraqitën në parlamentin turk,prej deputetëve shqiptarë,natyrisht në formë më të gjërë sipas kushteve të reja.Parë në këtë rrafsh,shtëpia e Gjergj Qiriazit u kthye në një „sallë“ tjetër kuvendi,idetë dhe mendimet e së cilës u përcuallën në krejt trevat shqiptare duke reformuar në kohra tepër të errëta.Lëvizjet madhore të shqiptarëve në vitet 1910-1912 tek e mbramja rrëfyen se në themel të programeve e betejave të zhvilluara,patën pikërisht këto die të athdhetarëve të Manastirit,të tubuar në Kongresin e abecesë shqiptare.Fakti është që sa herë kujtohen ditët e këtij kongresi,natyrshëm vinë ndërmend edhe përpjekjet autonomiste të athdetarëve tanë për të mos e ndarë pushkën nga pena për asnjë çast.

Lidhur me Kongresin e Manastirit,është shkruar diku se pati edhe atdhetarë që nisur prej qëndrimeve të hapura pro-turke,iu kundërvunë me forcë këtij kuvendi,apo më keq,se gjoja nuk muarën pjesë fare.Shtypi shqiptar i asaj kohe provon gjithsesi pjesmarrjen e tyre dhe nuk shprehet për kundërvënie të hapura,por sigurisht për debate që vijnë natyrshëm po të kemi parasysh pozitat dhe ofiqet e tyre në Portën e Lartë. Thellë në labirintet e ideve të tij,Kongresi i Manastirit gjallojnë idetë kulmore të vetë popullit tonë.Fati i tij është i lidhur ç’prej vitesh me fatin e abecesë të vet dhe këtë aliazh magjik,jetojnë mijëra vepra të ndritura trimërie,të atyre trimave që mbetën në udhën e dijes.

Se çfar gjurme të lavdishme,kanë lënë ato ditë të largëta të nëntorit të vitit 1908,në Manastir, e provojnë edhe realitetet e sotme.Udha e gjatë e dijes është mbushur në vite me gjurmë gjaku dhe prej rrjedhave të tij gurgullon dhimbja e madhe e abecesë sonë.

Bern-Zvicër

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat