Tahir e Smajl Ali Bicaj - luftëtarë të çështjes kombëtare

Historia

Tahir e Smajl Ali Bicaj - luftëtarë të çështjes kombëtare

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 30 mars 2022 Në ora: 08:44
Smajl Ali Bicaj

Vrella e Istogut, është njëri nga fshatrat më të mëdhenj në Kosovë, në mos më i madhi. Përbërja e popullatës, e parë nga ana fisnore, është heterogjene. Megjithatë, Vrella është e njohur për harmoni ndërnjerëzore. Bukuritë e saj të kompletuara, që ngërthen në vetevete: shtrirja rrënzë Bjeshkëve të Thata, me pishnajën e madhe, sipër - Lugu i Butë; dendësinë e shtëpive, me ngjashmëri të një lagjeje të qytetit; si dhe burimi - fontanë ujore e përjetshme, në krye të fshatit, i cili i jep freski, jetë dhe bukuri mahnitëse.

Në këtë mjedis të mrekullueshëm, u lind dhe u madhua Smajl Ali Bicaj. Ai i përkiste familjes së madhe, të Ramë Ali Bicaj, e njohur si familje e parë e fshatit Vrellë, e zëshme dhe fisnike, e përmendur për mirësi, trimëri dhe fisnikëri. Si e tillë, kjo familje nuk mund të ishte indiferente, përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rreshtimi në këtë luftë, ishte i drejtëpeshuar, me përcaktimin e duhur atdhetar. Mashtrimit të madh të luftës së përbashkët me popujt e Jugosllavisë, kundër pushtuesit, fillimisht, italian, pastaj gjerman, shpejt do "t`i dilte tymi!" Në vlugun e kësaj lufte, shteti Federal jugosllav, krahas armikut pushtues, u përkujdes keqas, për nënshtrimin, dëmtimin dhe ripushtimin e shqiptarëve në Kosovë, Kosovën Lindore, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Në këtë luftë speciale, Jugosllavia aleate besnike e pati edhe Shqipërinë londineze, nën udhëheqjen e filosllavit Enver Hoxha. Kjo e vështirësoi shumë rezistencën e organizuar të Nacionalizmës Shqiptare, përballë bandave çetnike serbo-malazeze, të veshura me uniformën e partizanëve të Marshallit Tito.

Kur flasim për Smajl Ali Bicaj, assesi nuk mund ta ndajmë nga vëllai i tij, Tahir Ali Bicaj. Binomi i Vëllezërve Bicaj, si luftëtarë shumëdimensionalë, për çështjen kombëtare, është domëthënës. Organizatorë për mbrojtjen e shqiptarëve, duke i koordinuar çetat nacionaliste vendore, jo vetëm brenda komunës së Istogut, por, edhe me komunat fqinjë, sepse rezistencën e favorizonin malet dhe bjeshkët e afërta, me shtrirje të gjerë.

Image
Tahir Ali Bicaj

Vëllezërit Bicaj, qysh në organizimin e administratës të Shqipërisë së Bashkuar, ose Shqipëria Etnike, u përkujdesën në përzgjedhjen e kuadrit, sidomos në polici dhe ushtri, për ta konsoliduar këtë Bashkim. Ata, si autoritarë të Familjes së parë në Vrellë, dhe fshatrat përrreth, kërkonin djemë nga familje të traditës atdhetare, për t`u inkuadruar, qoftë në polici, qoftë në ushtri.

Si shembull, po përmend kërkesën që Vëllezërit Tahir e Smajl Bicaj, që i bënë gjyshit tim Smajl Syla - Zeqiraj, për t`ia dhënë një djalë, për shërbimin policor në Skënderaj. Dhe, gjyshi aprovoi pa u mëdyshur, duke ia dhënë djalin e madh, Sadrinë, i cili, më vonë, do të ishte shoqëruesi i parë i udhëheqësit nacionalist drenicar, Mehmet Gradica, ku shërbeu pranë tij, deri në vetëvrasjen e Komandantit trim.

Herën të dytë, Vëllezërit Bicaj, i kërkojnë gjyshit Smajl, një djalë ushtar, për mbrojtjen e Sanxhakut. Dhe, gjyshi qe përgjigjur: "Jo një, po dy djemë i ke ushtarë, nga unë, Sadrinë dhe Rexhepin". Dhe, ashtu ndodhi. Rexhep Smajl Zeqiraj, ishte vetëm 17 vjeçar, ushtar në mbrojtjen e Rozhajës, nën komandën e Bajram Gashit. Në një seminar, të organizuar nga Instituti i Historisë të Kosovës, Prof. Dr. Zekirja Cana, e ka cilësuar Rexhep Smajl Zeqiraj, si dëshmorin më të ri, të Nacionalizmës Shqiptare, të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë.

Për Vëllezërit Tahir dhe Smajl Bicaj, përveç Podgurit me rrethinë, kishin edhe barrën e organizimit të mbrojtjes të Sanxhakut shqiptar, popullata e të cilit ishte e rrezikuar me shfarosje masive. Ata, në bashkëpunim me krerët tjerë të Nacionalizmës rajonale, Mulla Zekë Bërdynaj, Ramë Alija e Bajram Gashi i Uçës, Sadik Rama i Gjergjevikut të Klinës, Miftar Bajraktarin e Llaushës, Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën e Drenicës me shokë si dhe Aqif Blytën, me prijës të tjerë nacionalistë, ishin organizatorë, për mbrojtjen e armatosur të kufirit Verior, me theks të veçantë krahinën e Sanxhakut.

Krejt në përfundim të luftës, qytetarët e komunës të Istogut, u përballën me pushtetin ushtarak lokal. Arrestimet, burgosjet, maltretimet, ekzekutimet pa gjyq, u bënë përditshmëri. Një tjetër Smajl (Bajram Bicaj), por, pjesë e luftës partizane, për ta ndaluar vazhdimin e krimeve zyrtare, kundër shqiptarëve, së bashku me kushëririn e tij, Smajl Ali Bicaj, i ndanë rolet: I pari, në krye të një grupi burrash të armatosur, rrethoi komunën e Istogut, përfshirë këtu edhe administratën ushtarake vendore.

Ndërsa Smajl Ali Bicaj vazhdoi rekrutimin e luftëtarëve, për ta mbështetur rrethimin e qytetit, të gatshëm për t`u përballur edhe me forcat shtesë pushtetare, që mund të vinin nga jashtë Istogut. Pushtetarët, të ndodhur të rrethuar, në pamundësi përballjeje, rrjedhimisht, edhe shpëtimi, u detyruan "t`i ulin armët", të shtrohen në tryezë, për të garantuar, se përndjekja e shqiptarëve, do të pushojë. Dhe, ashtu ndodhi përkohësisht.

Por, sapo pushteti komunist e konsolidoi pushtetin, duke e vënë kriminelin Aleksandër Rankoviç, ministër të Punëve të Brendshme, vazhdoi përndjekjen e nacionalistëve shqiptarë. Madje, edhe vet kryeorganizatori i rrethimit të Istogut, Smajl Bajram Bicaj, do të dënohej me burg, edhe atëherë kur mendohej se çështja e atij rrethimi serioz, kishte kaluar, vjetëruar dhe mbyllur!

Veprimtaria atdhetare e e Vëllezërve Tahir e Smajl Ali Bicaj, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës, nuk mund të kapërdihej, nuk mund të kalonte pa ndëshkimin hakmarrës, karshi tyre, nga pushteti komunist jugosllav. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ata arrestohen, burgosen, dënohen dhe përplasen në burgun-ishull të Golji Otokut në Kroaci. Ky burg, me trajtimin cinik e kriminal, ka qenë dhe mbetet njollë e zezë, në historinë edhe ashtu të zezë, të Federatës artificiale e mujëshore, diktatoriale të Jugosllavisë.

Vëllezërit Bicaj u akuzuan për mospajtim dhe rezistencë të armatosur, kundër bashkim-vëllazërimit të popujve të Federatës jugosllave. Koha e ka dëshmuar, madje, katërcipërisht, se bashkëjetesa e dhunshme, e përgjakshme e kësaj bashkësie, Federate, ishte artificiale e dështake, duke pranuar se rezistenca e Nacionalizmës shqiptare, pjesë aktive e së cilës ishin edhe Vëllezërit Bicaj, ishte e drejtë dhe parimore.

Përgjatë vuajtjes së dënimit në burg, të dy anëtarëve, Familja e madhe Bicaj, u përjashtua, u diferencua, u "leçit", pa të dejtë komunikimi e shoqërimi, me komunitetin vendor dhe me gjerë në Federatë; pa të drejtë vote dhe mohim i të drejtave të tjera të ligjshme, si qytetarë të vendit. Ishte kjo një praktikë e poshtër e kriminale komuniste, me qendër Moskën e Stalinit.

Megjithatë, me lirimin nga burgu, të Vëllezërve Bicaj, pas vuajtjes së dënimit, në njërin nga burgjet më namkëqinj të botës, populli e vrau frikën, vërshuan për t`i vizituar dhe uruar, që arritën ta mbijetojnë golgotën, e quajtur "Golji Otok"! Vendimi i dënimit "në emër të popullit", rezultoi të ishte vendim kundër vullnetit të popullit të Kosovës. Dhe, ky ishte satisfaksioni, ngushëllimi i madh për Vëllezërit Tahir e Smajl Ali Bicaj, Familjen Bicaj, me miq e dashamirë, për Vrellën, Istogun dhe Kosovën mbarë, sepse ishte fitore morale e Nacionalizmës shqiptare.

Smajl Ali Bicaj e kisha bacë dhe mik të mirë. Pavarësisht largësisë në moshë, ai ishte një komunikues modest, i lezetshëm, me disponim të mirë dhe rrezatonte pozitivitet. Baca Smajl ishte një arsimdashës i madh, shumë bashkëkohor për moshën. Emancipimi i tij vinte edhe nga njohja e jetës, e njerëzve, karaktereve dhe përvojës, nga bashkëjetesa e dhunshme, në kushtet e një mjerimi të madh, siç ishte burgu-ishull. Ai ishte energjik, jetëdashës. Shkuarja e hershme në amshim, ishte rrjedhojë e vuajtjeve, sa fizike, aq edhe shpirtërore. Shuarja e hershme la peng shumëçka, por, arsimimi i fëmijëve, ishte realizimi madhor për kohën dhe ngushëllimi i madh i jetës së tij.

Baca Smajl Ali Bicaj, u largua fizikisht nga kjo botë, duke lënë kujtimin e mirë, për veprën jetësore të begatë dhe të madhërishme. Lë ta kujtojmë, me nderim e admiratë, përjetësisht! Krenarë për atë dhe mixhën Tahir, të gjithë ata që i kanë njohur në gjallje të tyre. Dhe, brezat e pastajmë, të cilët kanë rastin e fatin, t`i njohin nga biografitë e shkruara për ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat