150 vjet nga lindja e Asdrenit

Historia

150 vjet nga lindja e Asdrenit

Më: 11 prill 2022 Në ora: 07:56
Asdreni

Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë tonë me pseudonimin Asdreni, u lind në Drenovë të Korçës më 11 prill 1872.

Qysh herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj.

Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe më 1904 botoi vëllimin me poezi “Rreze dielli”.

Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai hapi një shkollë shqipe në Konstancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë 1912 dhe ku u vendos shpallja e Pavarësisë.

Më 1914, Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjës, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës.

Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Ahmet Zogut.

Me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, por gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit dhe ai u kthye sërish në Rumani.

Asdreni u bë i njohur si publicist, por ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim “Këmbanat e Krujës”.

Himni i Flamurit është himni kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë më 1912. Himni, shkruar nga Asdreni njihet zyrtarisht në Kushtetutën e Shqipërisë si Himni i Flamurit.

Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Asdrenit, sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00 do të mbahet koncerti artistik “Na flet Asdreni”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat