Gjurmët historike të qytetërimit dhe ruajtja e traditës së krishterë në veshjen tradicionale të popullatës shqiptare në rajonin e Medvegjës (2)

Historia

Gjurmët historike të qytetërimit dhe ruajtja e traditës së krishterë në veshjen tradicionale të popullatës shqiptare në rajonin e Medvegjës (2)

Nga: Qazim Namani Më: 14 prill 2022 Në ora: 21:20
Kryqi i zbuluar në Kërshevicë afër Bujanocit dhe kryqi i zbuluar në qytetin e mbretit afër Medvegjës, fotot janë marrë nga interneti

Gërmimet arkeologjike, në lokalitetin arkeologjik afër Lebanës, mes Medvegjës dhe Leskocit, kanë sjellë rezultate arkeologjike, me zbulimin e dhjetë bazilikave[1] të krishterimit të hershëm, të cilat flasin për banorët shumë fetar të këtij qyteti, që mendohet se kemi të bëjmë me një seli ipeshkëvnore.[2]

Monogrami i Justinianit i zbuluar në bazilikën me transept, është në gjuhën latine e jo greke. Edhe mbishkrimet tjera të kësaj kohe të gjetura në qytetin e Nishit, por edhe në qytete të tjera për rreth, flasin se në regjionin e qytetit afër Lebanës, si gjuhë të liturgjisë fetare e kishin gjuhën latine.[3]

Justiniana Prima përmendet për herë të fundit në vitin 602 e. re në “Miracula S. Demetri II” duke folur për ngjarjet e vitit 618 si qytete të rrethuara prej fiseve barbare Avaro-Sllave përmenden Nishi dhe Sordika, për Justiniana Primen disa mendojnë se në këtë kohë gjendej nën okupimin bullgar, ndërsa të tjerët mendojnë se e kishin shkatërruar sllavët.[4]

Përkundër këtyre mendimeve të kundërta dhe mospajtimeve, është për të cekur se në koncilin e VII ekumenik, që është mbajtur në Nice në vitin 787, i cili trajtonte problemin e ikonave në mesin e ipeshkëve që kishin lindur, ishin rritur dhe edukuar në këtë herzë, merr pjesë edhe ipeshkvi i Dardanisë.

Rëndësinë që e kishte pasur Justiniana Prima, por edhe qytete të tjera në trevën veri-lindore të Dardanisë antike, e dëshmojnë edhe numri i madh i kishave dhe simboleve të krishterimit që u zbuluan gjatë gërmimeve arkeologjike.

Image
Kryqi i zbuluar në Kërshevicë afër Bujanocit dhe kryqi i zbuluar në qytetin e mbretit afër Medvegjës, fotot janë marrë nga interneti

Sipas Konstantin Profirogentit banorët në trevën e Dardanisë në këtë kohë ishin të krishterë, disa nga misionarët e kishës romake këtë shënim të këtij autori bizantin e vejnë në dyshim, kurse të tjerët e pranojnë si të saktë. Leoni i III (717-741) në kohën e krizës, lëvizjes ikonoklaste në vitin 727 vendos publikisht të deklarohet kundër ikonave, i cili ia nënshtron patriarkanes së Kostandinopojës, Sicilisë e Kalabrisë si dhe provincat tjera që kishin qenë nën juridiksionin apostolik të Selanikut, ku ndër to ishte edhe Justiniana prima.[1]

Pas shismëz së madhe të vitit 1054, arsyet e ndryshimit të besimeve fetare tek shqiptarët bëheshin me qëllim të ruajtjes së identitetit gjuhësor e kombëtar. Në shekullin e XIII dhe XIV, derisa feudalët rasian përdornin ortodoksinë për të sllavizuar pjesët veriore të shqiptarëve, por për ti bërë ballë presionit, pjesa më e madhe e popullsisë kaloi në ritin perëndimor të besimit katolik latin. Kishat latine të popullatës ilire u lidhën me kryepeshkopatën e Tivarit, me të vetmin qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar e gjuhësor. Kjo dukuri e njëjtë ndodhi edhe në Vilajetin Vëlk të Dardanisë dhe në Maqedoninë veriore. Sidomos në shekullin e XIV, kur u shtuan presionet gjatë sundimit nëntë vjeçar të Dushanit, kur nën presionin e madh të kishës ortodokse për konvertim në ritin lindor, arbëroret braktisën ritin lindor dhe kaluan në ritin katolik, duke ruajtur kështu identitetin etnik.

Nga presionet e Dushanit në Rasi, popullata dardane që ishte jashtë kufijve administrativ të Rasisë, e kishte pranuar ritin perëndimor katolik dhe ishin ofruar me peshkopatën e Tivarit, Kotorit, Raguzës dhe Vatikanin. Kjo dëshmohet edhe në qytetin e Artanës, Prishtinës, Kushumlisë, Prokuplës, Leskocit, Medvegjës, Vrajës, Nishit e shumë vendbanime tjera dardane të cilat në atë kohë ishin në kuadër të Vilajetit Vëlk, ishin jashtë kufijve të Rasisë, andaj rasianët kurrë nuk e kishin shtrirë ndikimin e tyre politik, kishtar dhe administrativ në këto qytete dardane.

Për të dëshmuar se rasianët kurrë nuk e kishin pasur nën sundimin e tyre, pjesën e Dardanisë, prej Lipjanit e deri në qytetin e Nishit po ofrojmë disa të dhëna për shekullin e XIV, për Prishtinën si qytetin e parë afër kufirit të Rasisë mesjetare. Nga burimet historike kuptojmë se kufiri në mes të Rasisë dhe Vilajetit Vëlk ishte diku mes Lipjanit dhe Prishtinës.

Në shekullin e XIV, Vilajeti Vëlk ishte një principatë, që ishte në shërbim të Bizantit e të cilën e udhëhiqte Princ Lazëri. Princ Lazëri kurrë nuk e kishte arritur kurorën mbretërore, pra ishte nën varësinë e Bizantit.[2]

Në një dokument të lëshuar nga Prishtina në vitin 1325, ju kërkohet tagri i Shën Mitrit dubrovnikasve.[3]

Për Prishtinën ka shkruar edhe perandori bizantin Johan Kontaguzeni në vitin 1342, i cili në atë kohë ka dhënë disa të dhëna të rëndësishme për lokalitetin.[4]

Sipas shkrimeve të Johan Kontakuzenit thuhet se në Prishtinë ka pasur pallat me oda të mëdha, për tubime shtetërore, për procese gjyqësore, për solemnitete dhe gostitje.[5] Prishtina e kishte edhe kalanë, të cilën Sulltan Mutati I, gjatë rrethimit të qytetit në vitin 1389 e kishte rrënuar.[6] Pranë kalasë së Prishtinës sulltan Bajaziti, mbi themelet e kishës katolike e filloi ndërtimin e xhamisë së parë në Prishtinë.

Për zhvillimin e Prishtinës flasin edhe faktet e vendosjes së tregtarëve të huaj edhe nga Dubrovniku në vitin 1387. Po këtë vit qytetari nga Dubrovniku, Marko Zvizdic, i cili jetonte në Artanë, me vullnetin e tij me 9 nëntor 1387 ka dhënë 5 dukatë për mirëmbajtjen e kishës së Shën Marisë në Prishtinë. Kjo tregon se Prishtina ishte qendër e zhvilluar tregtare edhe para betejës së Kosovës.[7] Përveç kishës së Zojës Mëri, në vitin 1421 në regjistra të këshillit të vogël raguzan, përmendet edhe një kishë tjetër pa emër.[8]

Në Prishtinë në vitin 1426 e kishte edhe konsullatën dubrovnikase.[9] Në Prishtinë, në shekujt XIV dhe XV, vepronin një numër i madh i tregtarëve dubrovnikas, të cilët bënin tregti me qytetet më të zhvilluara në rajon.[10]

Në shekullin e XV, Balshajt e shtrijnë sundimin e tyre, në Prishtinë, Artanë e disa vendbanime tjera dardane në rrethinën e Artanës.

Sipas literaturës serbe të publikuar, që është mbështetur te burimet latine, kuptojmë se gjatë kësaj periudhe në Rasi, dhe në Vilajetin e Brankovicit, me shumicë ishte popullata arbërore.[11]Duke u bazuar nga këto burime historike të kohës, sot nuk ka kurrfarë baze shkencore që këto territore të quhen sllave apo edhe më keq shtet serbë mesjetar.

Image
Literatura serbe

Fasimile nga libri i Konstantin Jiricekut dhe Jovan Radonicit, ku dëshmohet se gjatë shekullit XV, dominonin shqiptarët

Në librin "Novo Brdo" të botuar në vitin 2004 në Beograd, në gjuhën serbe dhe angleze nga grup autorësh, shkruan për Gjon Progonin, thuhet se ishte argjendari më i njohur që kishte bashkëpunim me Dubrovnikun, por emri i tij shkruhet si Jovan Progonoviq, ndërsa për Martin Segonin shkruan se kishte lidhje me shqiptarët sepse kishte njohuri për historinë shqiptare[12].

Nga kjo kuptojmë se ky nuk është shkrimi i parë në historiografinë serbe që tentohet të bëhet falsifikimi i emrave të tyre ose të përvetësohen personalitetet shqiptare që lanë emër në historiografinë botërore.

Artana (Novobërda) në burimet latine përmendet si qytet që jetuan saksonët të cilët qytetin e quanin Nyeberghe. Katolikët këtu kishin shumë kisha.[13]Qyteti i Artanës gjatë mesjetës ishte komunë katolike latine..

Kronisti osman Evlija Çelebiu gjatë udhëtimeve të tij nëpër trevat shqiptare në mesin e shekullit XVII, ka lënë disa të dhëna me interes për vendbanimet dhe popullatën shqiptare në Kosovë. Çelebiu kur e përshkruan rrjedhën e Lumit Gnalab (Lab) thotë se rridhte prej Albanie dhe përmes qytetit të Mitrovicës derdhej në Lumin Morava.[14]

Image
Faksimile nga libri i Evlija Çelebiut, ku dëshmohet se treva e llapit dhe malësia e Artanës, në shekullin XVII ishin të banuara me shqiptar, dhe kjo malësi quhej Albani

Sipas regjistrimit turk në fund të shekullit XVI, në 10 lagjet e Artanës u regjistruan 142 shtëpi të krishtera, Olga Zirojevic thekson se numri i lagjeve të krishtera në Artanë në fund të shek. XVI ishte 43, kur tani jetonin edhe hebrenjtë. Komuna katolike e Artanës pësoi rënie në shekullin XVII, kështu më 1651 kishte gjithsej 18 shtëpi me 70 frymë. Në Artanë në vitin 1664/5 u regjistruan 9 shtëpi hebrenjsh. [15].

Johan Georg von Hahn, i vizitoi viset shqiptare prej Leskoci e deri në Prishtinë, ai qëndroi edhe në Medvegjë. Hahn në shkrimet e tij duke e cituar edhe udhëpërshkruesin francez Ami Buen, e përcakton qarkun e rajonit e trevave shqiptare të Galabit, brenda këtyre qyteteve Vrajë, Gjilan, Artanë, Prishtinë, Kratovë, Kurshumli, Prokuple, e Medvegjë.

Hahn, banorët e këtyre viseve i quajnë arnaut, dhe i dallon prej malësorëve të Alpeve shqiptare. Po ashtu Hahn thotë se toka në të cilën jetojnë sot arnautët në këto vise, ka qenë pjesë integrale e Dardanisë së Vjetër. Këta arnaut (shqiptar) quhen Lapë-Galapë, dhe janë më të egërit nga të gjithë populli shqiptar, por në Shqipëri nuk i njohin shumë ata. Fisi kryesor i tyre quhet Gulab, që ky emër na i rikujton Galabrët, një fis i dardanëve.[16]

Mita Rakiç, në librin e tij, “Iz nove Serbije”, shkruan se në qytetin e Kushumlisë më parë kishte qenë një kishë latine.[17] Mita Rakiçi bazohet në të dhënat e Georg von Hanit andaj edhe shkruan se duke filluar në male që fillojnë prej Lebane e në përgjithësi në Malësinë e Gollakut, jetojnë shqiptarët e egër. Në këto male jetojnë shqiptarët etnikisht të pastër, dhe këto anë ishin të pakalueshme për udhëtar të huaj, por dhe për turqit që niseshin prej Leskocit. Hahn, i cili prej Leskoci u nisë për të shkuar në Medvegjë, u detyrua që të kthehet prapë në Leskocë shkruan Mita Rakiç.[18]

Mita Rakiç shqiptarët e kësaj treve i quante të pastër, duke i veçuar gratë, fëmijët, veshjen e kësaj ane, dhe maramat rreth kokës.[19] Nga ky burim kuptojmë për veshjen dhe pastërtinë e familjeve shqiptare të kësaj ane.

Shqiptarët e këtyre anëve dinë për rrugë dhe për kisha të vjetra.[20] Në fshatin Siarinë gjenerali K.S. Protic, e merr nga një shqiptar një Pitos për ta dërguar në Muzeun e Beogradit.[21] Pra siç shihet në këto shkrime gjejmë të dhëna për gjurmët etnografike dhe arkeologjike të kësaj treve. Fshati Siarinë ka gjurmë arkeologjike, pranë banjës së sotme është Gradina e fshatit, pastaj aty afër është edhe “Quka e Dukatit”. Duke u bazuar në gjurmët arkeologjike dhe ujërat termale, si vendbanim i vetëm me gejzer, dhe toponimeve për rreth, mund të shprehim mendimin se qytetin e vjetër të Galabërve dardan Aria ta kërkojmë në Siarinën e sotme.

Rafuna, një fshat që deri në krizën lindore ishte i banuar me shqiptarë etnik, më parë ishte quajtur Tumarce[22], emër ky që rridhte prej varrezave tumulave dardane.

Në kohën kur Mita Rakiç e vizitoi fshatin Rafunë ai e kishte vizituar edhe kishën e fshatit me popullatë shqiptare. Për kishën shqiptare në Rafunë, Rakiç nga shoqëruesit e tij e kishte kuptuar se para 20 viteve kishte qenë e tëra, dhe quhej “Tumaracka”, duke e kuptuar se Rafuna më parë është quajtur “Tumarce”. Rakiçit si duket nuk i pëlqen ti quaj kisha shqiptare andaj edhe shkruan se këto kisha i përvetësuan shqiptarët, por ai nuk kishte njohuri se deri në mesin e shekullit XIX shqiptarët e asaj ane ishin të krishterë dhe se kishat ishin të shqiptarëve.

Sa i përket emrit të fshatit Rafunë, po ashtu Rakiç nuk ka njohuri se në këtë fshat dhe fshatra tjera të kësaj ane kishte disa varreza të tumulave për të cilat ka shkruar edhe arkeologu serbë Milutin Garashanin, i cili për to thotë se padyshim ishin varreza dardane (Për tumat në rajonin e Medvegjës, shkruan edhe Zef Mirdita i cili e citon Garashaninin).

Nga këto të dhëna kuptojmë se fshatrat shqiptare të këtij rajoni deri në vitin 1878 ishin me popullatë autoktone dardane dhe trashëgimi kulturore të pastër shqiptare.

Image
Faksimile nga libri i Mita Rakiçit për tumat dhe emrin e mëhershëm të fshatit Rafunë

Johan George von Hahn, në vitin 1854, e ka shkruar edhe "Librin nga Beogradi deri në Selanik", në këtë libër e përshkruan takimin me shqiptarët e Medvegjës, konkretisht shkruan për fshatin Dediq në të cilin kishte vallëzuar me gratë shqiptare, të cilat ende nuk ishin konvertuar në fenë myslimane dhe i përshkruan jashtëzakonisht mirë, të bukura, dhe mbi të gjitha të mençura!

Image
Simbole të krishterimit në veshjen e grave shqiptare në trevën e Medvegjës
Image

Johan Georg von Hanin, gjatë udhëtimit prej Leskoci e deri në Artanë e shoqëroi Ramadani aga nga fshati Bucë, ai qëndroi disa javë në lagjen Dediq të Medvegjës.

Hahn kur shkruan traditat shqiptare gjatë qëndrimit të tij në fshatin Dediç, pa dyshim se, pastërtia, bukuria, ushqimi tradicional dhe veshja origjinale e femrës dardane të asaj treve, e shtyjnë që të shkruaj përshtypjet e tij.

Sa i përket fshatit Dediç, që njëkohësisht është paralagje e vjetër e Medvegjës së sotme, ka shënime edhe nga autorët rusë e sllav që vërshuan pas Hahnit në ato treva me qëllim dhe objektiva të qarta shkencore, ndryshimet e toponimisë, përvetësimit të objekteve të kultit dhe zhvillimit të propagandës pansllaviste në ato vise. Në burimet e shkruara serbe të autorit Mil. J. Nikolajeviç, e gjejmë se lagjja Dediç, por edhe Medvegja e sotme më parë është quajtur Deva,[23]emërtim ky i periudhës romake, i ruajtur me shekuj te popullata autoktone dardane. Emri Deva ka kuptimin për vendbanime romake të fortifikuara, ku edhe sot i gjejmë dy kështjella romake në Rumaninë e sotme, ndërsa në sanxhakun e Nishit ishin po ashtu dy fortifikime me këtë emër. Pra shihet qartë se për ti dhënë etimologji sllave toponimeve, emërtimi i vjetër Deva është shndërruar në Deda.

Image
Faksimile nga libri i mil. J. Nikolajevicit, për emrin e vjetër të Medvegjës, që para shekullit XIX quhej Deva

Hahn duke i përshkruar këto anë të banuara me shqiptare etnik ndër të tjera ka shkruar se ishin në Albani (Shqipëri). [24]

Image
Dëshmi nga libri i Dragolub Trajkovicit, cili sipas shkrimeve të Johan George von Hahhn, qyteti i Leskocit në vitin 1854, konsiderohej se ishte në trevat shqiptare, Albani ( Shqipëri)

Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvesuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, më qëllim të falsifikimit të historisë së tyre u dëmtuan.

Këtë e dëshmojnë edhe disa autor serbë, të cilët kanë lënë shënime për kishën shqiptare në qytetin e Leskocit. Ata shkruajnë për ndërhyrjen në freskat e kishës së Leskocit që ishte konservuar në vitin 1693, kur të gjitha freskat, mbishkrimet dhe fotografitë u ndryshuan në vitin 1902 dhe rreth vitit 1930, nga padituria për mos kuptimin e tekstit origjinal. Krejt këto kishin ndodhur pasi që këto punë u lanë në dorë të një të riu rusë shkruajnë serbët.[25]

Image
Dëshmi të shkruara nga autorët serbë, ndërhyrjet e rusëve për të falsifikuar kishën shqiptare në Leskocë

Nga kjo e dhënë kuptojmë se rusët që nga mesi i shekullit XVII, veprimin e tyre e kishin shndërruar në platformë politike dhe ushtarake, që të zhdukin çdo gjurmë të shqiptarëve në trevat ilire. Shërbimet sekrete ruse gjatë gjithë kësaj kohe punuan për formimin e shteteve sllave dhe shtetin grek në tokat ilire.

Gjurmët e këtij qytetërimi të lashtë, të krijuar nga popullata autoktone dardane, nuk mund ti mohoj askush, sepse kjo traditë e artit popullore lidhet ngushte me të kaluarën dhe qytetërimin dardan të kësaj treve.

Image
Simbole të krishterimit të qëndisura te veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës, Foto 1dhe 2. Këmisha e punuar nga Qamile Zeka (1948), nga fshati Banja e Vjetër

Nëse i analizojmë pa njëanshmëri e xhelozi dhe me vëmendje veshjet e popujve gjatë shekullit XIX në gadishullin tonë, mund të vij në përfundim se veshja e popullatës shqiptare në zonën e Medvegjës, ju ka përballuar më së miri, në ruajtjen e artit para krishterimit e atij pas krishterimit, krahas me popujt dhe trevat tjera, përgjatë sundimit pesëqind vjeçar, pa u ndikuar nga kultura orientale osmane, dhe ajo sllave.

Në viset perëndimore të gadishullit tonë, ku pushtimi osman ishte dukshëm më pak i shtrirë në kohë dhe hapësirë, i la gjurmët e veta të ndikimit në veshje gjatë shekullit XIX, në disa vise të Hercegovinës, Bosnjë dhe Malin e Zi, më shumë se sa në disa zona të banuara me popullatë shqiptare. Arsyet përse në ato vise perëndimore gjejmë më shume elemente etnografike orientale në veshjen e popullatës gjatë shekullit XIX, mendoj se është edhe zhvillimi teknologjik, kohë kjo kur makina e zëvendësoi punimin me dorë të artit tradicional. Veshjet popullore që punoheshin gjatë shekullit XIX, në Malin e Zi, Bosnjë e disa vise të Hercegovinës, edhe pse punoheshin më shumë me makinë, prapë ndikimi i politikës dhe fryma e pushtetit osman me seli në Sarajevë, kishte ndikuar që të aplikohen elemente etnografike osmane. Derisa në viset e përmendura më lartë, gjatë shekullit XVIII e XIX, me shumicë bartej në kokë, kapela me ngjyrë të kuqe (Fesi), te popullata shqiptare me shumicë bartej Plisi i bardhë.

Image
Shamitë dhe shivet me kryq, që barten te gratë e rajonit të Medvegjës

Popullata shqiptare e fshatrave në rrethinën e Medvegjës, gjatë shekullit të XIX, përjetoi kriza të rënda politike dhe ekonomike, para dhe sidomos pas luftërave për pushtimin e atyre viseve nga Serbia e Bullgaria, por prapë ruajti traditën shekullore për punimin e veshjeve popullore.

Image
Shive me kryq, të punuara nga gratë e Medvegjës

Kjo zanë etnografike, deri në mesin e shekullit XIX, e kishte një popullatë autoktone dardane. Në këto fshatra jetonin popullatë e pastër shqiptare, që me xhelozi dhe fanatizëm e mbronin kulturën, gjuhën, artin dhe doket e tyre nga ndikimi osman dhe kultura orientale.

Image

Simbole pagane dhe florale të qëndisura te veshja e grave në rajonin e Medvegjës. Foto 1. Këmisha e punuar nga Qamile Zeka (1948) nga fshati Banja e Vjetër, Foto 2. Këmisha e punuar nga Aza Ferati (1946) nga Banja e Sjarinës

Mbrojtja e këtyre viseve dhe kulturës së lashtë popullore, këta shqiptar i bënte të rrezikshëm për të huajt, prandaj edhe Johan Georg von Hahn, kur i vizitoi këto fshatra shqiptare, banorët e këtyre viseve i quajti të egër, sepse pa lejen e tyre, dhe përcjelljen e shqiptarëve, të huajt nga qytetet e afërta të huajt nuk mund të lëviznin lirshëm nëpër fshatrat e tyre.

Nga udhëpërshkrimet e studiuesve të huaj kuptojmë se edhe vet zyrtarët osman, nuk mund ti shkelnin lirshëm këto male, në përjashtim të ekspeditave ushtarake dhe armë nga ushtria osmane. Pozita gjeografike, që karakterizohet me kodrina të shpeshta dhe me lugina të shumta e bënin këtë relief të përshtatshëm për mbrojtje të këtyre fshatrave nga sulmet me armë që përdoreshin para shekullit të XIX. Në periudhat e më vonshme këto troje shqiptare u pushtuan nga pamundësia për tu mbrojtur nga ushtritë pushtuese që ishin të pajisura me armë artilerie.

Këto rrethana ndikuan që veshja e kësaj treve ti ruaj të gjitha tiparet e një veshje autoktone, burimore që lidhet me vet historinë mijëravjeçare antike e mesjetare.

veshje etnografike shqiptare fillojë ti humbë disa tipare autoktone, vetëm pas krizës lindore dhe vendosjes së kufijve të ri shtetëror serbo-osman për mes kësaj malësie. Është me interes të dihet se pas vitit 1880, në veshjet shqiptare të kësaj treve ndikojë shumë pushteti osman për të futë elemente kulturore orientale. Këtë e dëshmojnë edhe hulumtimet në terren, ku i vërejmë të dukshme këto ndikime. Në këtë periudhë vendosja e kufirit nëpër majat më të larta të maleve, sipas rrjedhave të ujërave, ndikoj që gjysma e familjeve të fshatit të mbesin brenda kufijve të Serbisë, ndërsa gjysma tjetër të mbesin brenda kufijve të P. Osmane. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat