Kur veprimi duhej paraprirë fjalës

Historia

Kur veprimi duhej paraprirë fjalës

Nga: Sinan Gashi Më: 16 maj 2022 Në ora: 10:34
Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Pas nëntë vitesh të largimit nga puna, për papërshtatshmëri ideo-politike në arsim, sipas vendimit të Komitetit të LKK-së të Gllogocit, dhe punës së juristit që më ishte caktuar detyrueshëm, Sindikata e Pavarur e Republikës së Kosovës më 1990, më ktheu në vendin e punës, larguar sipas qëndrimeve politike...

Një ditë, përkatësisht më 30 maj 1991, kur po kthehesha në shkollë sa për një vizitë rasti, nga aktiviteti në terren për LDK-në, m’u afruan disa kolegë në hyrje të sallës së mësimdhënësve, duke ma uruar detyrën e drejtorit të shkollës.

Pasi sekretari e hapi zyrën e drejtorit, ma komunikoj vendimin, duke shpjeguar se drejtori i më parmë ka deklaruar se ndjehet keq me shëndet, ka dhënë dorëheqje nga detyra, Këshilli i punëtorëve ka vendosur që ju ta mbani këtë barrë tepër të rëndë për kohën.

Ishte 1 qershori i vitit 1991. koha kur duhej me dinamikë të veçantë përmbyllja e vitit shkollor. Në një anë nuk kishte financim as për mirëmbajtjen e objektit, e po ashtu as për rrogat e mësimdhënësve. E, ajo çka ishte më kulmorja, dhuna e paralajmëruar serbe ndaj personelit arsimor dhe shkollës përgjithësisht. Po atë fund viti shkollor ishte publikuar vendimi i Ministrisë së arsimit të Serbisë për drejtorët që i nënshkruajnë dokumentet (dëftesat, diplomat e nxënësve e çka do tjetër) me vulën Republika e Kosovës, do të burgosen. Tashti paralajmërohej edhe kërcënimi me burg.

U ula në karrigen e drejtorit dhe, i vetëm, nisa të meditoj. Njëherë me shkoi mendja pse ish-drejtori nuk e kishte deklaruar gjendjen më parë, pastaj pse iku kështu pa u përshëndetur dhe dorëzuar detyrën, pastaj për obligimet që kishte secili, i duhej të merrte pushim mjekësor, e tjerë. Pastaj sakrifica e babait tim, mësuesit veteran Islam Gashi, i cili që në ’45 –tën nisi hapjen e shkollave fillore në lokale shtëpishë private pa asnjë inventar elementar, si në fshatin Gllarevë (Klinë), Carravranë (Malishevë), etj. me njëqindenjë mangësi, e unë tashti të mos pranoj përgjegjësitë, a po bën?

Çfarë duhej bërë? Ta pranoj mënyrën e ushtruesit të detyrës, që zgjaste pak muaj, që nuk reflektonte fort zyrtaritet, apo të shpall konkursin për këtë vend udhëheqës.

Urdhërova sekretarin që menjëherë ta shpallë konkursin. Edhe pas shpalljes së rregullt (15 ditor), konkursit të dytë-plotësues (7 ditor) dhe të tretën here-konkurs i jashtëzakonshëm (5 ditor), askush nuk konkurroi për drejtor. Tashti më mbeti mua: o ta bartë këtë barrë aspak të lehtë, o t’ia dorëzojnë çelësat pushtetin të dhunshëm lokal për udhëheqje?. Sido që të ishte, unë kisha obligime më shumë se të tjerët për t’u ballafaquar me sfida, ngase isha udhëheqësi i dytë në degën e LDK-së në Gllogoc, pastaj isha votuar edhe deputet i kësaj zone, që kishte besueshmërinë brenda vetes, pastaj se nuk më ishte shuar ende krenaria brenda vetes që isha shpallur vite më parë Profesori më i mirë i Kosovës.

Tashti edhe zyrtarisht isha emëruar drejtori i shkollës së mesme, që komisarët e kuq i kishin vënë emrin dhe vulën ‘Mareshali Tito’.

Shkolla kishte profile mësimore të përziera, ku shumica ishin të drejtimit të gjimnazit. Gjithsej ishin 1276 nxënës.

Fillimisht vendosa, krye në vete, për një ndryshim sado të vogël, që mendoja se reflekton pozitivisht te nxënësit që dhënësin serb e kishin bashkudhëtar të përditshme, synimi i së cilës ishte zhbërja e kombëtares. Bëra ndërrimin e pamjes së foajeut të shkollës. Aty ishte vendosur busti i Titos në bronz, ndërsa më lart në mur ishin portretet e dukshme të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Titos. Andej, kah hyrja në bibliotekë, ishte sërish një pikturë e madhe e portretit të Titos, e punuar keq, ngase lexohej se ishte bërë pa dëshirën e një piktori me emër kosovar.

Vetes i vura një sërë detyrash.

Urdhërova që të gjitha fotografitë e Titos e tjerë të largohen nga holli, madje edhe nga klasat, si dhe busti i Titos. (Kujtohej edhe më vonë një anekdotë kur punëtori i shërbimit, Adem Hoxha, e mori bustin në duar dhe u nis kah podrumi, duke e vajtuar Titon. ‘A në duart e mija u dorëzove, more i mjerë!).

Aty tashti vendosëm bustin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, punuar në gips, përmase e madhe, punim i Odhise Paskalit, që i ishte dhuruar nga gjimnazi ‘Gjergj Kastrioti - Skënderbeu’ i Durrësit, të cilët ishin vëllazëruar në vitin 1972. Kur ndërroi vala politike dhe sistemi i arsimit në Jugosllavi, shkolla u quajt Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar ‘Mareshali Tito’. Kështu busti i heroit tonë ishte fshehur në një skutë të podrumit të shkollës...

Pas vendosjes së bustit të Skënderbeut, në ballë të foajeut u zëvendësuan fotografitë më të personaliteteve shqiptare, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Jeronim de Rada e Fan S, Noli

Pasi që i propozuam Ministrisë së Arsimit të Kosovës, iu kthye emri i më parmë i shkollës. Ngase shkolla kishte emrin e Gj.K. Skënderbeut, ende pa vendosur Ministria se çfarë do vendosej ballë klasash, porosita portretin e Skënderbeut, punim i piktorit italian Jacopo Bellini (1400-1470), me mjekër të bardhë në ngjyra, me donator mjeshtrin murator Feriz Bytyqi nga Arllati, ndërsa i punoi me format të madh 36 kopje, fotografi Gani Iberdemaj në Prishtinë. Duhej thënë se gjithçka që bëhej ishte e vëzhguar dhe pse ne mundoheshim ta mbanin si sekret.

Kjo pikturë më bëhej se reflekton urtësi e mençuri, e jo seriozitetin e ushtarakut. Ky fundja ishte ent edukativo - arsimor.

Madje, për t’i dhënë pamje edhe më shumë historike, rreth bustit të Skënderbeut, që ishte ngritur në lartësi dy metro e sa në një piedestal dërrase, punuar nga aktivisti Hazir Baliu nga Shtutica, ishte formësuar në punim me tulla siporeks pamja e kalasë së Krujës, skicë projekt i arkitektit |Isuf S. Gashi, e cila u realizua nga profesorët e pikturës, Ylber Haxhiu dhe Nexhmi Bardhi. Në sfond, pas bustin të heroit kombëtar, mbi bedena, ishte vizatuar një flamur kombëtar në valëvitje.

Mbase idealizmi është i mbështjellë me vello naiviteti, por ndjeja një kënaqësi kur, sapo hyja në holl, syri me kënaqej më atë pamje. Atë e shihja se e përjetonin edhe punëtorët dhe nxënësit e shkollës, sa edhe shpesh fotografoheshin para asaj pamje.

Në një shtypshkronjë porosita edhe bexhe me këto shenja të shkollës, në mënyrë që askush i huaj mos mund të na infiltrohej brenda. Secili nxënës dhe profesor gjimnazi, kishte në bexh portretin e Skënderbeut me flamur kombëtar, emrin e mbiemrin e tij. Edhe në fletorët e punës, në stilolapsat dhe fletët e plan-programeve mësimore, ishte simbol llogoja e shtypur e shkollës.

Edhe pse në dukje ishin gjëra formale, ato patën rëndësi emocionale dhe formuan bindje se kishte nisur diçka e mbarë kombëtare, ani pse posa dilnim nga kjo oazë edukimi përplaseshim me pengesa, provokime dhe dhunë nga pushteti i instaluar serb.

Edhe në procesin mësimor kishte ndryshime, si heqja e lëndëve gjuhë serbokroate, marksizëm, pastaj futja e anglishten si lëndë e re, si dhe ajo e Kushtetutës, e cila synonte t’i jepej jehonë Kushtetutës së Kaçanikut, që shpalli Kosovën shtet më vete.

Më lëndën gjuhë e letërsi shqipe, mësohej tashti edhe Gjergj Fishta, bardi shqiptar, që ishte anatemuar për dekada të tëra dhe fyer personaliteti i tij, vetëm pse frymëzonte kombëtarisht rininë shqiptare. Edhe Vinçenc Prenushi, Faik Konica, Ernest Koliqi e të tjerë, kishin zënë vendin në plan-programet shkollore

Mbase fillesat formale ngritin madhështoren e së ardhmes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat