Elez Isufi dhe Blendi Fevziu!

Historia

Elez Isufi dhe Blendi Fevziu!

Nga: Cezar NDREU Më: 23 qershor 2022 Në ora: 09:30
Elez Isufi

Blendi Fevziu, kur ju nuk njihni historinë, pse e shtrembëroni atë me ato gënjeshtrat tuaja bajate?!

Aty pari, dëgjova se ju Blendi Fevziu, keni marrë përsipër të shkruani një libër “tuajin” për ish -Lëvizjen e Marsit, 1922, dhe ku ju me dashje shtrembëroni të vërtetën sikundër ka ndodhur.

Ju nuk jeni i besueshëm, dhe kjo vjen ngaqë vetë ju nuk e dini se ç’ ka ndodhur ose dikush tjetër e ka shkruar librin dhe ju veçse keni vendosur emrin tuaj si autor i libri, siç ju dini të bëni e keni bërë përherë!

Njohuritë tuaja për këtë ngjarje janë “zero me bisht” dhe keqdashëse, sepse ju nuk i bazoheni fakteve !

Ju e para, nuk bëni dot dallimin e Elez Isufit me Cen Elezin, -dhe shkruani se “Cen Elezi ishte ai që drejtonte lëvizjen”,- kur Cen Elezi është i biri i Elez Isufit!!

Ju përpiqeni sa mundeni dhe me djallëzi kërkoni të hidhni baltë mbi ata njerëz që Atdheun e vunë para interesave kombëtare siç qenë Elez Isufi me dibranët e Recit të Dardhës!

Ju shkruani gënjeshtra në librin “tënd” fakte dhe gjëra që nuk janë të vërteta !

E para -Elez Isufi nuk kishte 1000 ndjekës me vehte, por diku te 250 luftëtarë!

E dyta- Meleq Frashëri ishte patriot, por Ati i tij u përplas me forcat dibrane. Ahmet Zogu deri në atë kohë nuk ishte aq i madh sa Ti, Blendi Fevziu me servilizmin tënd kërkon ta nxjerrësh “TË MADH”.

E treta- Famën Ahmet Zogut ia dha pikërisht përplasja me Elez Isufin, pasi Ahmeti asaj kohe ishte veçse një Ministër i Brendshëm!

Kryeministër ishte Xhafer Ypi!

E pesta - Me 10 dhjetor 1921, Elez Isufi me luftëtarët dibranë pa ndihmën as “tuajën” e as të tjetër kujt çliruan Dibrën dhe zonën e vetme të okupuar nga Serbia dhe e përzunë serbin e fundit nga territori i Shqipërisë londineze të 1913 -tës!

Elez Isufi nuk ishte mercenar, as blihej e as shitej!

Elezi pasi e çliroi Peshkopinë nga serbët, nuk kishte interes të sulmonte vetveten!

Shkaku që Elez Isufi erdhi në Tiranë ishte situata korruptive që po shoqëronte shtetin e sa po krijuar shqiptar pas Kongresit të Lushnjës.

Korrupsion sa kishte hedhur rrënjë dhe Elez Isufi nuk pajtohej me ta!

Ish- Opozita e dikurshme e kohës i kërkoi ndihmë me anë të Bajram Curit, Isuf Elezit që t’i bënte presion qeverisë së asaj kohe për korrupsionin që kishte filluar ndër ta.

Dhe Isul Elezi pranoi të bashkëpunojë me opozitën e kohës siç ishin Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Dibra me të tjerë, tek kundërdështonin mënyrën e qeverisjes!

Elez Isufi dhe dibranët vinin nga një luftë e përgjakshme me serbët, vinin nga Lufta e Lane Lurës, të cilën as ti as shokët tënd nuk e përmendni.

Ata kanë pas luftuar heroikisht për gati 4 muaj me serbët në kushte tejet të vështira derisa i mundën në Lane Lurë, dhe erdhi konsulli francez i shoqëruar nga Ahmet Zogu si përkthyes dhe i kërkoi Elez Isufit (konsulli) që të ndërpresë luftimet me serbët pasi tani çështjet janë shtruar në Konferencën Paqes.

Elezi Isufi u indinjua si me francezin dhe me Ahmet Zogun, të cilët kërkuan ndalimin e luftimeve.

Elez Isufi i kërkoi një luftëtari me prurë disa pushkë dhe ata ja prunë, dhe Elezi i tregoi konsullit francez se ato pushkë ishin prodhim francez!

Atëherë Elez Isufi iu drejtua z. Konsull:

“Si more zotni Konsull, me të besu ty, se je për të mirën tonë këtu, kur ju si francezë keni armatosur serbët me armë për me na vra ne?!"

Elezi Isufi nuk i pranoi këshillat e konsullit francez, madje indinjohet edhe me Ahmet Zogun, duke i thënë pse ju u besoni këtyre!

Atëherë Zogu indinjohet gjithashtu dhe Elez Isufi i drejtohet:

“Or Bed -Ti edhe me u bë mbret unë derën nuk ta toki, por edhe me u bo xhip, tek ty nuk bije me mbreh këmesën (sparën)".

(Për vërtetësi të këtyre fjalëve lexo Ismail Strazimirin. Kujtime Historike, si bashkëkohës i Elez Isufit)

Të dy si Elezi Isufi dhe Zogu largohen të indinjuar me njëri-tjetrin.

Le të kthehemi përsëri tek ajo se ç’ke shkruar, ti Blendi Fevziu!

Opozita kishte bërë plane që të kundërshtonte Qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm, pasi ata mendonin se Ministri i Brendshëm 26 vjeçar kishte marrë shumë kompetenca dhe dyshonin në demokracinë e tij.

U krijuan grupe për të kundërshtuar Qeverinë; dhe ata ishin:

Nga Shkodra Luigj Gurakuqi, nga Kosova Bajram Curri, nga Shqipëria e Mesme, Shijak ishte A. Toptani dhe me forca luftëtarësh në Elbasan, Biçaku.

E vërteta është se serbët kishin filtruar në këtë ngjarje pa dijeni të Elez Isufit edhe Halit Lleshin, i cili u stacionua në Elbasan.

Sipas besës që Elezi Isufi i dha mikut të tij të vjetër, Bajram Curri, ai vetë u nis për Tiranë, por jo për të luftuar.

Kur Elez Isufi mbërriti dhe ndali nja dy ditë në Krujë, aty u bashkua edhe Mustafa Kruja si mik!

Kur mbërritën tek ne Ura e Tapizës forcat e Elez Isufit u kundërshtuan me armë pa dijeni, saqë Elezi ishte habitur dhe kërkoi të dinte se kush ishin këta!

Dërgoi të nipin të bisedonte me ata që kishin hapur zjarr, dhe aty Suf Xhelili takon Komandantin Meleq Frashërin, i cili kishte armatimin më të mirë se sa dibranët të cilët kishin veçse nga një pushkë në krahë.

Në bisedë e sipër, Meleq Frashëri me ironi i thotë Sufës se “A me këta “repacakë” do Elez Isufi me marrë Tiranën?

Sufa i kthehet: “Elezi, e as ne nuk kemi ardhë me marrë Tiranën, por me i vu për rrugë të drejtë. Dhe ti or beg, këtyne mos ju shif të veshmen, por shifu synin!”

Sufa kthehet dhe i thotë Elezit se nuk na lenë me hy në Tiranë.

Elez Isufi, i habitur se si është e mundur me m’ndalu mua në vendin tim?!

Atëherë Elezi vendos të kundërshtojë dhe vendimin e Meleq Frashërit dhe fillon përplasja me armë.

Pushka e parë që shkrepi, vritet Meleq Frashëri.

Bilës ka edhe një këngë të asaj kohe për këtë ngjarje;

“Meleq Frashëri “mor’ budall”

Si ke njoh ti Rec e Dardhë,”

Kjo pasi siç thashë më lart, këta ishin përballur me serbët e jo me forca të tilla.

Një shkak tjetër i Lëvizjes së Marsit ishte edhe se Dibra duke qenë nën pushtimin serb, u injorua dhe nuk u përfaqësua në Parlament me deputet.

Njëri nga heronjtë ishte edhe patrioti dibran Ramiz Daci deputet i Dibrës, i cili u rrëmbye nga forcat qeveritare dhe u vra në pabesi rrugës për Tiranë, e vranë në Klos, pasi e kishin të lidhur për duarsh!

Duhet theksuar se asnjëri nga ata që menduan të vinin në Tiranë, askush nuk erdhi përveçse Elez Isufit, i cili i qëndroi besës së dhënë!

Kur u bë plani për të përballuar Lëvizjen, Ministri i dinte të gjithë se kush ishin ata. E vërteta ishte se asnjëri nuk pranonte të dilte kundër Elez Isufit, veçse Meleq Frashëri, doli e tha se i dal unë, prandaj edh në këngë populli e quajti të tillë: “mor’ budall”!

Ju, Blendi, thoni se populli i Tiranës e mbështeste Zogun!

Nuk është e vërtetë!

Tregtarët dhe familjet tiranase mbështetën Elez Isufin për aq sa u bë luftë në Tiranë

Familjet e pasura si Kuqi dhe Petrela ndihmuan me ushqime, dhe këto vunë në dispozicion edhe furrat e bukës për 250 dibranët që kishin ardhur në Tiranë

Me ndërhyrjen e konsullit anglez luftimet u ndërprenë, Elez Isufi kishte humbur shumë të vrarë, por edhe qeveria.

Pas konfliktit Elez Isufi dhe Zogu bënë marrëveshje dhe Elezi u kthye në Dibër, ndërsa Qeveria dënoi dhe vari ata që e ndihmuan Elezin në Tiranë. Ahmet Zogu nuk iu qëndroi fjalëve të marrëveshjes pasi vari disa prej tyre siç ishin Kuqi dhe Ismail Petrela, miq të besës të Elez Isufit.

Ka edhe të tjera fakte historike, por ju Blendi Fevziu, jeni i një anshëm dhe manipuloni me fakte historike!

Çezar NDREU

Qershor 2022

New York

USA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat