Zanfir Kryeziu: Fadil Hoxha me partizanë e masakroi familjen tonë

Historia

Zanfir Kryeziu: Fadil Hoxha me partizanë e masakroi familjen tonë

Më: 26 mars 2023 Në ora: 16:11
Zanifir Kryeziu

“Levizja Kryeziu ishte lëvizje nacionaliste antifashiste në Kosovë e Shqipërinë e veriut, gjatë viteve 1940-44, në të cilën ishin vëllezërit nga Gjakova Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qëllimi i saj strategjik ishte organizimi i lëvizjes antifashiste, çlirimi nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu e kishin kuptuar se zgjidhja e problemit kombëtar mund të bëhej vetëm me mbështetjen e Britanisë së Madhe.

Vëllezërit Kryeziu si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe e kishin kuptuar që në fillim se rruga me e mundshme për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi perëndimore siç ishte Britania e Madhe. Për këtë qëllim Gani e Said Kryeziu hynë në lidhje bashkëpunimi me njerëzit e drejtorisë së operacioneve të posaçme të Britanisë së Madhe”, shkruana ndër të tjera Dodë Progni.

“Në mbrëmjen e 28 dhjetorit 1944, njëzetë e gjashtë shqiptarë, të prerë në besë e të pa armatosur, pasi u morën nga kullat e Sulejman Kryeziut, u dërguan në kodrat e Hereҫit, komuna e Deҫanit. Ishin 22 bashkëluftëtarët e Gani Kryeziut dhe simpatizantë, miq e përkrahës të tij që u vranë e u masakruan në mënyrë ç’njerëzore”.

Pasi ekzekutoret u kishin hequr rrobat të arrestuarve, dhe vënë nën torturën e temperaturës së ultë të asaj mbrëmje dhjetori, që kishte zbritur në rreth -15 gradë, filluan t’i godasin me kazma e lopata. Thyerja e duarve, këmbëve, dhe therja me bajoneta, ishte kënaqësi e këtyre xhelatëve të etur për të parë sa më shumë plagë e gjak në trupin e shqiptarëve (D.P).

... Mbi tokën e ngrirë e të përgjakur të kodrës së Hereçit kishin mbetur të vdekur: Hasan Kryeziu e Xhevat Kryeziu nga Gjakova.-Selim Malë Dula nga Paci i Bytyçit.- Brahim Musli Demaliaj nga Vladi.- Shaban Sadik Saraçini nga Berisha.- Shpend Zeqir Prëndgjoni bashkë me të birin Sali Shpend Prëndgjoni nga Zherka, Ukë Arif Prëndgjoni e Imer Halil Prëndgjoni, po nga Zherka.- Metë Rexhë Saraçini, Col Isuf Koka,-Sadri Dash Gjonpapaj nga Berisha. Sali Shpend Mujaj nga Paci. Musë Avdyl Neza nga Leniqi. Musë Zenel Ahmetaj, Ali Miftar Zhuta nga Kepeneku. Rame Osmani, Shpend Halili, Mehmet Musa nga Gashi.- Zmajl Sadik Koka nga Berisha.- Rexhë Mehmeti nga Paci. Mehmet Ali Mehmetaj nga Vladi. Zenel Miftar Zhuta dhe Shaban Ali Bajrami nga Kepeneku.

Këta burra ishin luftëtarë të shquar, krenaria e forcave të Lëvizjes Kryeziut, të dalluar ndër beteja kundër nazistëve, dhe jo viktima që u flijuan për interesat e ngushta të tyre apo të Kryezinjëve, as aventurierë e mercenarë të shitur për para, siç u cilësuan nga propaganda komuniste gjatë 45 vjetëve. Këta u martirizuan për Kosovën e Shqipërinë e lirë e demokratike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, vazhdon Dodë Progni.

Kur flasim për autorësinë e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare në eleminimin e Kryezinjve dhe lëvizjes së tyre antifashiste, nuk mundë të anashkalohet roli tejet negativ që luajtën udhëheqësit komunistë të Kosovës në realizimin e kësaj vepre kriminale dhe antikombëtare. Kur ishte puna për t’ju kundërvëne Kryezinjëve dhe lëvizjes së tyre antifashiste, ata u treguan përherë të gatshëm për tu shërbye me shume zell si udhëheqjes komuniste shqiptare ashtu edhe asaj jugosllave.

Ish anëtarët e shtabit të Kosmetit dhe të Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën si, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ymer Pula, Ali Shukria etj.të cilët, ashtu si gjatë luftës, dhe pas saj, kur kishin zënë pozita të rëndësishme drejtuese në partinë dhe shtetin komunist në Kosovë e Jugosllavi, asnjëherë nuk e pushuan luftën kundër Kryezinjve dhe familjes së tyre.

Sikur nuk mjaftonte masakrimi i 22 burrave, partizanët e Fadil Hoxhës pastaj e konfiskuan pasurinë e familjes, na dëbuan nga pronat. Edhe sot Komuna e Gjakovës, Ambulanca e Qytetit dhe disa objekte janë prona të familjes Kryeziu, që nuk na i kanë kthyer gjakovarët.

Pjesa e mbetur e familjes e Kryeziu iku në Pejë që të ishin sa më larg syve të Fadil Hoxhës. UDB-ja e Fadil hoxhës me emigrantë nga Shqipëria ma vranë babanë në rrojtore të qytetit të Pejës. Babai ishte profesor në gjimnazi dhe sekretar shkolle.

Familja Kryeziu është familja më e vjetër aristokratike dhe ndër më të pasurat në Rrafshin e Dukagjinit. Për herë të parë përmenden pas vitit 1390. Ishin aristokraci vendi, ushtarakë, prijës lufte, morën pjesë në luftërat kundër perandorisë turke, morën pjesë në çlirimin e Shkupit, ishin pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, kontribuoi në ndërtimin e kishës katolike në Gjakovë etj.

Nuk e di kush është Fahri Xharra, as çfarë prejardhje a nga ka ardhur familja e tij, por është e turpshme si mund ta lavdëroj Fadil Hoxhën, vrasësin e familjes sime. Athua e di ai sa shumë na lëndon kur del në mbrojtje të një vrasësi të paskrupullte? Athua e di në çfarë ujërash ka rënë?

Unë jam gjakovar, por me vjen ndotë nga një grusht gjakovarësh që e mbrojnë edhe sot e kësaj dite “heroin e Jugosllavisë socialiste”, që e përgjaku Kosovën. I kam kuptuar dikur gjakovarët e mi, por nuk i kam arsyetuar kur e mbronin Fadil Hoxhën: Ia kishin frikën, kishin interes, donin të bënin karrierë, merrnin banesa e prona shteti, apo ruheshin që të mos binin në sy të keq. Por sot nuk i kuptoj dhe nuk i arsyetoj. Kujt ia kanë frikën?

Në mjediset tjera të Kosovës neve gjakovarëve shpesh na urrejnë, sepse na ngatërrojnë me Fadil Hoxhën e klikën komuniste vrastare. Pak kush e di që Gjakova pas luftës ka kaluar keq nga klyshet e Fadil Hoxhës, në veçanti i kanë vrarë e torturuar katundarët dhe shqiptarët katolikë të rrethit të Gjakovës. Madje rekrutimet për masakrën e Tivarit janë bërë kryekëput nga rrethi i Gjakovës.

Kam edhe shumë gjëra për të thënë, sepse Fadil Hoha ma ka nxirë fëmijërinë e rininë, kam jetuar pa baba e pa gjysh, pa farefis të babës dhe në farefisin e nënës, mu si Rugova që shokët e serbët e Fadil hoxhës ia vranë babanë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat