“Kur po ndahej me Pandeli Evangjelin dhe kryeministrin, Mbreti u tha: Unë preferoj vdekjen time dhe fronin, se të tradhtoj vendin e popullin”

Historia

“Kur po ndahej me Pandeli Evangjelin dhe kryeministrin, Mbreti u tha: Unë preferoj vdekjen time dhe fronin, se të tradhtoj vendin e popullin”

Nga: Hysen Selmani Më: 20 prill 2023 Në ora: 08:51
Foto ilustrim

Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

Vijon nga numri i kaluar

Tiranë, më 2 Prill 1939

Ministri i Italisë, i akredituar në Shqipëri, Jakomoni, u kthye nga Roma më datë 3 prill 1939, ku i paraqiti qeverisë shqiptare, kopjen e traktatit e përgatitur në Palazzo Chigi në të cilin, kërkoi të nënshkruhet e të ratifikohet, menjëherë. Këto ngjarje ngjanin, kur Mbreti i Italisë, Viktor Emanuel i III-të, deklaronte botërisht, ekzistencën e miqësisë dhe të relatave të mira, midis Shqipërisë dhe Italisë. Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, për të konsultuar edhe opinionin e popullit, para se të merrte vendimin definitive, ju drejtua Parlamentit, duke qenë se, çështja në substance, kishte një rëndësi jetike për ekzistencën dhe për independencën e shtetit. Parlamenti, i bashkuar unanumikisht me qeverinë, refuzoi kategorikisht kërkesat italiane, pasi ato kërkesa, cënonin independencën e pavarësinë e Shqipërisë.

Në këtë mbledhje, u vendos edhe një komision i përbërë nga të gjitha grupet parlamentare, për t’u paraqitur para Mbretit Zog, për t’i parashtruar vendimin e Parlamentit, që kishte të bënte me mospranimin e kërkesave, që paraqiten nga qeveria italiane.

Komisioni Parlamentar, nën kryesinë e Kryetarit të Parlamentit, Pandeli Evangjeli dhe të kryeministrit, Koço Kotta, menjëherë u pranuan prej Lartmadhërisë së tij Zog i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve. Këta, i parashtruan vendimin e Parlamentit mbi mos pranimin e kërkesave të qeverisë italiane, meqë ato i cënonin independencën e sovranitetit shqiptar.

Mbreti Zog, u gjet plotësisht dakord me mendimin e Parlamentit, bashkë me qeverinë dhe ju tha: “Italia ka vendosur të na mësyjë ushtarakisht. Të gjitha mundimet tona për të eliminuar këtë rrezik, siç e dini kanë vajtur kot. Çdo tentativë që kemi bërë pranë Musolinit, me premtime e garanci, që nuk pajtohen me një sjellje burrërore, janë të gjitha pluhur syve, për të fituar në kohë.

Shtetet ballkanike, si Jugosllavia, Greqi e Turqia, hollësisht i kemi vënë në dijeni mbi qëllimet e Italisë, që po okupon Shqipërinë. Nesër ju vjen radha atyre. Me çiltërsi i vunë në dijeni mbi garancitë që na bënte Italia, se Shqipëria, jo veçse do të mbetej indipendente, por do të krijohej Shqipëria e Madhe ose etnike, ju dhashë të kuptojnë se, kjo gjë do të shndërrojë fare hartën gjeografike të Ballkanit. Por, nuk e çmuan ngaqë frika i bëri të heshtnin.

Gjithashtu, Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ua thashë haptazi se: Italia fashiste okupon Shqipërinë, si kryeurë për kundër Jugosllavisë e Greqisë, në interes të Gjermanisë, që ajo së shpejti, ka për të shpërthyer në një luftë Evropiane. Por, nuk janë të gatshëm e, në vend që të këshillojnë Italinë, na këshillojnë ne, që të rrimë urtë.

Pra, sidoqoftë, ne nuk kemi tjetër rrugë, veç kësaj që po bëjmë. E dimë fare mirë, se forcat e vogla tonat, të pa armatosura, të pa përkrahura prej askujt, qoftë edhe moralisht, nuk kanë për të mundur të ndalojnë, armatat e mëdha të armatosura me armë më moderne dhe 50 herë më i madh se ne. E pra, një gjë është se, ato dy pika gjak të pastër dhe plot patriotizëm të shqiptarit, patjetër kanë për të siguruar, me plot ndershmëri e shkëlqim, independencën dhe pavarësinë të vendit tyre të shenjtë, Shqipërisë, duke tërhequr gjithë admirimin e botës së qytetëruar.

Megjithëkëtë, ne nuk jemi duke i dhënë shkak asnjë keqësimi, përkundrazi, jemi duke i mbuluar shumë cënime, po pa rëndësi. Ne dëshirojmë miqësinë dhe deri në fund, do t’i rrimë besnik aleancës me Italinë dhe dëshirojmë një përmirësim, që varet nga ata”.

Mbreti, pasi mbaroi bisedimin, u ngrit dhe kur u çua e kur po ju jepte dorën, ju tha tekstualisht: “Unë preferoj vdekjen time dhe fronin, se sa të tradhtoj vendin dhe popullin tim shqiptar”, e në këto fjalë, ju shtrëngoj dorën dhe dolën, duke ndaluar kryetarin e Parlamentit, Pandeli Evangjeli dhe kryeministrin, Koço Kotta. Mbreti, me këta të dy, foli gjatë dhe gjerë, mbi disa fjalë që pëshpëriteshin prej disa personave, ministra e deputetë, ku këta thonë se: sjellja e politika e qeverisë kundrejt Italisë, nuk ka qenë e mirë menduar, se lipset për të marrë parasysh, rrethanat në të cilat ndodhemi, që të thurim interesat më të mira të atdheut, etj”.

“Këto biseda, – tha Mbreti – nuk më pëlqejnë. Dëshiroj para se t’i thërras unë, t’i thërrisni ju e të bisedoni me ta, duke i pyetur, se cila do të ishim më me interes, të atdheut. Se për këto, po përpiqemi të dy, po të gjendet ndonjë rrugë sheshimi në interes të vendit. Sa për qeverinë, është krejt e kollajshme, se kjo jep dorëheqjen dhe të marrë fuqinë ajo që të jetë e denjë për rregullimin e rreziqeve që po na turren. Pra, jo vetëm qeveria, poqe se ua merr mëndja dhe ka siguri, edhe unë vetë, për të shpëtuar Shqipërinë, këtë herë të rrezikshme, jam gati të jap dorëheqjen e të proklamoni një regjim të ri, po qe se ju garanton ndokush, shpëtimin e atdheut.

Se unë, duke qenë Mbret i Shqiptarëve, jam betuar që të ruaj interesat e këtij kombi, të pacenueshme, veçanërisht, si bir i këtij kombi që jam. Do të bëj ç’është e mundur, të përpiqem për të sheshuar punët, e me sa kërkon Italia, me të cilat nuk pajtohem, me vetë sundimin e pavarësinë e Shqipërisë, as me ndershmërinë e Kombit. Pra, deri sa unë të jem Mbret i këtij Kombi, kurrë nuk kamë për të pranuar, që të cënohen të drejtat e Independencës së Shqipërisë. As që t’ju vihet njollë shqiptarëve.

Pra, haptazi, duhet të flisni dhe këtë, ta bëni dhe ta bisedoni edhe në parlament, se fjalë nëpër rrugë, nuk dëshirojmë, sot cilido shqiptar, e sidomos deputetët e ministrat, për interesin e atdheut, lipset të shfaqin mendimin e tyre haptazi. Ata nuk i ka penguar askush, e kjo duhet të zgjidhet sa më parë, pasi të bëhen këto bisedime, qeveria le të kërkojë votëbesimin e popullit, mbi veprimet që do të zhvillohen në interes të atdheut”.

Pas këtyre fjalëve dhe bisedimeve, dolën dhe shkuan të dy bashkë, kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli dhe kryeministri, Koço Kotta. Ishte koha e drekës, ndërsa Mbreti, duke u larguar më tha: “Po hipi pak lart, e po të vi kush, mbaje ti këtu e më lajmëro”.

Vërtet, sapo Mbreti shkoj lart, erdhi Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral, Xhemal Aranitasi. Mbreti e dëgjoj që unë po flisja me të dhe erdhi poshtë. E pranoi menjëherë. Ky i fundit, i parashtroi një organikë, ku i thotë se: “Akoma batalionet e Xhandarmërisë, nuk janë paraqituri në vendet e caktuara dhe një pjesë e madhe, e plotësimit të Ushtrisë, nuk kanë marrë fund, nga që nuk kemi vepruar sipas urdhrave, që të dukeshin në lëvizje e mobilizimit. Përveç, bën përjashtim, ai i shkollës së Xhandarmërisë, nën major Murat Bashën”.

Mbreti i mërzitur, thotë: “Ç’janë këto raportime të reja, në kundërshtim me të parat, kur paraqitët planin e rreshtimit?! Jo komandant, – i tha Mbreti – unë bazohem në atë që ju më keni siguruar vetë, nën përgjegjësinë tuaj”.

Mbreti Zog i I-rë, ju kthye Hysen Selmanit, e i tha: “Kolonel, shkoni bashkë me komandant, gjeneral Xhemal Aranitasin, si në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, ashtu dhe në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe i thoni komandantit të Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkut, që brenda 24 orëve, do të vihen 6 batalionet e Xhandarmërisë, sipas planit, e në rast se i nevojiten mjete transporti, t’i jepen sa kompani t’i duhen dhe hetoni mirë e, nuk dua fjalë! Pas kësaj, të vini bashkë të dy, që të më thoni të vërtetën”.

Sa shkuam në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Aranitasi  dhe kolonel Selmani, thirrën komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shatkun. Ai erdhi së bashku me nënkolonel Sami Koka, nënkryetar i Shtatmadhorisë. Në prezencën e komandat Aranitasit dhe të nënkolonel Sami Kokës, kolonel Selmani, i tha komandantit të Xhandarmërisë, këto fjalë: “Zoti kolonel Shatku, ju akoma nuk më keni sjellë, batalionet e Xhandarmërisë, ndër vendet që komanda ka caktuar. E kjo, lipsej që para dhjetë ditëve, të ishte përfunduar, në vendet që janë caktuar. Kjo nuk është aspak e kuptueshme”.

Kolonel Shatku, ju përgjigj: “Zoti kolonel Selmani, jo nuk është e vërtetë, se unë ja kam dorëzuar me shkrim, duke i vënë në dispozicion. Por unë, mjete transporti nuk kam, këto duhet vetë Komanda e Mbrojtjes, t’i transportojë. Janë të gjitha gati:

Batalioni i Shkollës së Xhandarmërisë në Burrel, nën komandën e major Murat Bashës.

Batalioni në Elbasan, nën komandën e major Xhafer Shkëmbit.

Batalioni në Berat, nën komandën e major Mahmut Golemit.

Batalioni në Zerqan, nën komandën e kapiten Xhemal Herrit.

Batalioni në Gjirokastër, nën komandën e major, Gjek Marashit.

Batalioni në Shkodër, nën komandën e major, Llesh Marashit, ja tashmë, po jua dorëzoj”.

Kolonel Selmani, pak i mërzitur, u shpreh: “Nuk kuptoj zoti kolonel, se çdo të thotë, për t’i transportuar me kamionë?! Kurse këto, janë trupa me material të lehtë dhe jo me një largësi të madhe, që mund të kishin marshuar në këmbë. Ata, edhe brenda ditës, arrinin në vendet e caktuara. Kjo, mua më jep të kuptoj, se në mes jush, nuk është një harmoni dhe një besim i sinqertë, pra lipset ta dini, se e gjithë përgjegjësia, varet te të dy, ju komandantët e te Ministri i Brendshëm, që ka për detyrë, të japë të gjithë përkrahjen e nevojshme, që ju do t’i kërkoni.

E sot, ju të dy, jo vetëm që jeni marrë vesh, por në çdo çast, të jeni si dy vëllezër, që Mbreti, ju ka besuar dhe ju ka ngarkuar me dëshirën tuaj, gjithë përgjegjësinë e veprimtarisë. Pra, në rast se keni mosmarrëveshje e mosbesim, unë tani, sa të kthehem në Pallat, kam për t’ja parashtruar Madhërisë së Tij, Mbretit Zog, që, në mes të dy komandantëve, nuk ekziston besimi dhe nuk bashkëpunojnë. Detyra juaj, nuk është një detyrë private, por detyrë e shenjtë e shtetit dhe ju keni përgjegjësi, që nuk falet në asnjë mënyrë, se koha nuk pret. Pasi me këto sjellje, mund të humbasim dhe fjalën e dhënë me kohë, prej Mbretit dhe pranimin prej jush, duke marrë gjithë përgjegjësinë, ju mbi vete. Tani, ju lutem më thoni të vërtetën, se po në këtë ditë, në mbrëmje, unë kam për të ardhur dhe eventualisht, në bazë të urdhrit, mund të vizitoj qendrat e rreshtimit”.

Pas kësaj, ju kthye komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasit, duke i thënë se: “Vendosni në dispozicion disa kamionë, që kanë nevojë, në mënyrë që brenda natës, të transportohen me shpejtësi”. Në këto bisedime, Hysen Selmani shkoi në Pallat. Kur u nis me dal, komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, i tha: “Ju lutem një minut. Kam një fjalë personale me ju që t’ua them”.

“Mirë”, i tha kolonel Selmani dhe u ndal. Hynë në një sallon ku ishin vetëm dhe i tha: “Zoti kolonel Selmani, po ju them si mik dhe në burrërinë tënde, unë jam shumë i tronditur dhe më paraqitet çdo gjë kundër meje, e unë nuk mund të plotësoj asgjë”.

Kur e shikoj, ushtarakut po i shkonin lotët dhe ishte shumë i lodhur dhe i shqetësuar. Kjo sjellje dhe ky qëndrim, e habiti së tepërmi.

Ju kthye dhe i tha: “Nuk ju kuptoj se, ç’doni të thoni që ju kundërshtojnë, kush dhe pse?! Ju komandant duhet të merrni masa, kundër cilitdo qoftë, se unë jam miku yt dhe do t’u jap të gjitha përkrahjet, por duhet të plotësoni detyrën, mos harroni, se e gjithë përgjegjësia, është e juaja. E kjo natyrisht, është shumë e rëndë, kundrejt Mbretit dhe atdheut, është një gjë e pafalshme”.

Dhe u ngrit për të dalë, kur ai i erdhi nga mbrapa, kolonel Sami Koka i tha, që; gjenerali është i sëmurë dhe nuk di se çfarë të bëjë.

Shkova në Pallat, menjëherë hyra te Mbreti dhe i parashtrova të gjitha sa pashë dhe si u vendos, përveç kësaj, përsa më tha komandanti i Mbrojtjes, gjeneral Aranitasi, dhe në fund, nënkolonel Sami Koka, ja parashtrova të gjitha sa u bisedua, dhe si përfundim, Komanda do t’i japë Komandës së Xhandarmërisë, mjetet e transportit, batalioneve dhe se ju thashë, në orët e natës, do të vij plotësimi që u vendos dhe ka mundësi të shkojnë në qendrat, për të vërtetuar arritjet dhe sistemimin e forcave në bazë të planit.

Në këto fjalë, erdhi kryeministri Koço Kotta dhe ministri i Brendshëm, Musa Juka dhe hynë te Mbreti. Unë dola dhe shkova për të parë Madhërinë e saj, Mbretëreshën, se ishte e lodhur, por menjëherë më kthyen se më kërkonte Mbreti. Kur shkova, ai më urdhëroi të qëndroja, ndërsa u ul dhe po bisedonin për situatën e vendit, në këto bisedime, Musai më tha se, kishte qenë në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, e më kanë thënë se, nuk ishe aspak i kënaqur nga veprimet e komandantëve, të cilët, duket se nuk merren vesh njëri me tjetrin. Natyrisht, këtë ua kishte thënë Mbreti.

Unë ju përgjigja: “Po është krejt e natyrshme, se ministri i Brendshëm, i ka të gjitha mjetet, për të diktuar çdo bisedë, por nga kjo përgjegjësi, nuk shpëtoni as ju zoti ministër, se detyra e komandantëve, është e lidhur dhe e përbashkët me ju”.

Por, ministri me këmbëngulje, më tha: “Na thuaj, a nuk janë fjalët që i kam thënë që me kohë unë, bile një ditë, kur ja parashtrova në hollësi Mbretit, ishit edhe zotëria juaj aty, dhe më vonë, ju thashë edhe kryeministrit dhe juve, se asgjë, mos prisni nga Ushtria dhe nga komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral, Xhemal Aranitasi”.

Unë ju përgjigja: “Jo jo zoti ministër, duhet të kuptohemi, se përgjegjësitë, i kemi po të tre të njëjta, e ju më tepër, jo vetëm në sigurimin e qetësisë të vendit, por edhe në harmoni me të dy komandantët, duke ju ndihmuar, si ndër përkrahjet eventuale, që do t’u nevojiten, por edhe për të zgjidhur ndonjë mosmarrëveshje në mes tyre. Ashtu si po më thoni, se këtu lot fati e ndershmëria, e atdheut e jo shaka, për t’i ngatërruar e sa një mungesë e tyre, në detyrën e urdhëruar nga Mbreti, jeni të tre bashkë, pa asnjë ndryshim në përgjegjësi”.

Kur ja thashë këto fjalë, në sy të Mbretit, ministrit të Brendshëm, Musa Jukës, dhe në prezencën e kryeministrit Kotta, i erdhi shumë rëndë, e më tha: “Hysen beg, unë zotërinë tuaj, ju kam mik dhe ju çmoj ndershmërinë dhe burrërinë tuaj, por asnjëri dhe as tjetri, nga ata, nuk meritojnë ta zotërojnë detyrën që ju është ngarkuar, për këtë, ju kam lajmëruar si kryeministrin dhe zotërinë tuaj, pa dashur të mërzis Mbretin, për këto gjëra, e ju nuk morët asnjë masë, deri sa u detyrova të mërzis Madhërinë e tij, Mbretin, të cilat ja kam parashtruar të gjitha”.

Mbreti, shumë i mërzitur, u përgjigj: “I kuptova të gjitha, nuk është një habi, po i gjithë faji është tek ju kolonel, por tani lëre, se koha nuk premton. Siç më thoni, se batalionet e Xhandarmërisë brenda 24 orëve, do të zënë vendet e caktuara, sipas planit të Mbrojtjes Kombëtare, e jam tepër i kënaqur kolonel, në palodhshmërinë e punët tuaj të dukshme.

Pra, ju jeni ndërlidhës në mes meje e qeverisë, dhe komandave të Ushtrisë dhe asaj të Xhandarmërisë, për të vërë të gjitha kontrollet, e për të dhënë urdhra, e plotësimeve të çdo nevoje qoftë dhe në ora 6 të mbrëmjes, të thërrasësh, komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Aranitasin, si dhe komandantin e Xhandarmërisë, kolonel, Shefki Shatkun, dhe këtu, do të jeni dhe ju zoti kryeministër, si dhe ministri i Brendshëm, Juka e kolonel Selmani. Mos harro të thërrasësh, nënkolonel Sami Kokën”.

Pas këtyre bisedimeve, Mbreti pyeti ministrin e Brendshëm, Musa Jukën, mbi ndodhitë e përshtypjet në popull, dhe mbi italianët civilë, që ndodhen në Shqipëri, si tregtarë, etj.

Ministri parashtroi: “Jo, nuk ka ndonjë gjë të re, por si ju kam parashtruar, këto demonstrata, nuk po na lënë të qetë, flasim edhe në prefektura, si në Vlorë e Shkodër, akoma Konsulli Italian, Meloni, bën propagandë të pahijshme në popull, po prefekti, e ndjek me shumë vëmendje, sa që populli, i ka kuptuar, e nuk i afrohet më, por këto dy vende, janë pak më me rendësi se të tjerat.

E sa i përket Ushtrisë, asgjë siç ju kam parashtruar, nuk ka lëvizje. Unë, sipas urdhrit të Madhërisë Suaj, të gjithë prefektëve, u kam dhënë porositë që të jenë në lidhje të ngushtë, me Ushtrinë, e të japim gjithë përkrahjen, por asgjë.

Për sa u përket shokëve, që më parë ishin të shqetësuar se sjelljet e politika e qeverisë, kundrejt Italisë, nuk është e mirë, tani me ngadalë, se pas një pyetje që ju bëri kryetari i Parlamentit, deputetëve, mbi politikën e qeverisë, kundrejt sjelljeve italiane, në këto kohët e fundit, e sidomos brenda kërkesave që janë refuzuar, jo vetëm prej qeverisë, por edhe prej Parlamentit, këtu shihet haptazi, fati i atdheut, pra, cilido shqiptar, e sidomos deputetët, që kanë përgjegjësinë para popullit, më tepër se kushdo tjetër, lipset të shfaqin mendimin e vet, haptazi, se kjo është në interes të atdheut”. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat