Një natë lufte në truallin stërgjyshor...

Historia

Një natë lufte në truallin stërgjyshor...

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 1 mars 2017 Në ora: 15:34
Ali Geci, rrëfen për barbarit që u bënë mbi kullën e tyre gjatë tri periudhave historike

Nga kulla e Ali Gecit kanë dalë shumë gjenerata, emra të mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare, që kanë rezistua, jo vetëm në Kosovës, por edhe në trojet etnike stërgjyshore. Kjo traditë është bartur deri në brezat e sotëm. Burrat e mirënjohur të kësaj familjeje, si pjesëmarrës aktivë të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të luftës përgjithmonë do të mbesin në kujtesë  e shqiptarëve.

Fshati Llukë e Poshtëm në komunën e Deçanit, me më se njëqind shtëpi dhe me mbi një mijë banorë, gjatë viteve të pasluftës ka dhënë  kontribut të madh në tejkalimin e shumë brengave të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën e fshatit dhe me shërimin e plagëve të luftës së fundit, me ndërtimin e shtëpive dhe kullave të reja të stilit më bashkëkohor të cilat tri periudha heroikisht u qëndruan barbarive të pushtuesve shekullor. Qytetarët e vyeshëm të  fshatit Llukë të Poshtëm punuan dhe po punojnë shumë për transformimin e plotë të këtij lokaliteti, duke ndërtuar shtëpi të reja, duke asfaltuar rrugët, duke ndërtuar shkollën moderne dhe shumë objekte të tjera.

Kulla që tri periudha heroikisht u qëndruan barbarive të pushtuesve shekullorë ...

Kulla e Ali Ramë Gecit, e  njohur si “kulla e  fshatit Llukë e Poshtme,  gjatë historisë së popullit shqiptar ishte vatër kryesore e rezistencës, e vendimeve historike për popullin shqiptar, simbol i qëndresës, i mikpritjes, i burrërisë, i besës, i zbatimit në jetë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Aty u mbajtën tubime të krerëve të Lëvizjes kombëtare shqiptare e partiake, u zgjodhën mosmarrëveshje ndërmjet fiseve e individëve dhe shumë çështje të tjera në dobi të mbrojtjes së trojeve tona stërgjyshore nga pushtuesit shekullor turq e sllavë.

Kjo kullë, e ndërtuar në  shekullin XVIII, bën pjesë në tipin e kullave më të vjetra të Rrafshit të Dukagjinit. Është e njohur si seli e tubimeve dhe strehë burrave të Lëvizjes kombëtare shqiptare, si janë: Mic Sokoli, Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, Binak Alia e shumë të tjera. Për këtë arsye ajo gjithmonë ishte në shënjestër të armikut për ta rrënuar ose për ta bastisur. Për herë të parë u dogj në vitin 1908, herën e dytë në vitin 1913, të tretën në vitin 1925, ndërsa herën e fundit më 1998-99. Kjo kullë jo vetëm që ka rëndësi arkitektonike, por ka edhe rëndësi historike. Nga kjo kullë kanë dalë shumë gjenerata që janë emra të spikatur të mbrojtjes së çështjes kombëtare shqiptare,  që në vazhdimësi kanë luftuar, jo vetëm në territorin e Kosovës, por edhe në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe ka dhënë tre dëshmorë. Kjo traditë është bartur deri në brezat e sotëm. Burrat e mirënjohur të kësaj familjeje, si pjesëmarrës aktivë të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të luftës së fundit, për të mirë përgjithmonë do të mbesin në kujtesë të gjithë shqiptarëve të trojeve etnike. Ata ishin aktivistë e luftëtarë të devotshëm të çështjes shqiptare dhe burra të  besës.              

Kjo kulle që ka rëndësi arkitektonike, por ka edhe  historike katër herë u  dogj nga dora e pushtuesve shekullor

Ndaj familjes Gecaj, anëtarë i shtabit dhe epror i lartë i UÇK-se për Rrafshin e Dukagjinit dhe veprimtar aktiv i LDK-së forcat hegjemoniste serbe vazhdimisht bënë terror  të paparë: duke vrarë, duke rrahur  publikisht, burgosur, mohuar të drejtën për arsim, atë kulturore, ekonomike e  politike. Prandaj familja Gecaj gjithnjë bëri rezistencës,  kërkoi të drejta për popullin shqiptar edhe me anë të organizimit  të demonstratave. E gjithë kjo veprimtari e  brezave të kryefamiljarëve të familjes Gecaj dekada me radhë u konkretizua në odën  e kullës-muze e cila ishte dhe mbetet edhe sot simbol i qëndresës e mbijetesës, i mikpritjes, i burrërisë, i besës dhe i nderit shqiptar.                              

Gjatë vizitës sonë takuam dhe bisedës që zhvilluam me Ali Gecin,  pinjoll i kësaj familjeje, pjesëmarrës i shumë betejave e marsheve, anëta i shtabit dhe epror i lartë i UÇK-se i Zonës së  Tretë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Rrafshin e Dukagjnit.  Ai, me shumë shokë të tij, në vitet e nëntëdhjeta ishte aktivist aktiv i organizimit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me të madhin Ibrahim Rugova. Me shpërthimin e luftës së fundit çlirimtare Aliu, me shumë shokë të rezistencës,  u bashkohet radhëve të UÇK-së, ku me sukses, me besnikëri e me përgjegjësi, i kreu detyrat rreth organizimit politik e ushtarak të rezistencës shqiptare në rajonin e tij. Ata kësaj radhe e lutem që për gazetën tone të na rrëfejë për ngjarjet më karakteristike nga lufta e fundit. 

-Mirë më kujtohet, -na tha ai, -një natë lufte në Rrafshin e Dukagjinit shkova në truallin tim të boshatisur. Çdo gjë e kishte pushtuar heshtja e vetmia. Pasi hyra në kullë, u ngjita në katin e tretë.  Në heshtje vazhdimisht më silleshin vërdallë ngjarjet që kishin ndodhur, që po ndodhnin edhe tani. Kjo ishte oda e stërgjyshërve, e gjyshërve dhe babait tim. Rreth oxhakut plak e pashë se vajguri në fund të llambës me besnikërinë priste për t’u shndërruar në dritë, si feniksi. Atë natë kjo fuqishëm kumboi në dritaren  e zemrës sime. Pashë se kapakët e dollapëve të odës  ishin të hapur  nga boshllëku i vetmisë. Dërrasat e tavanit i kishte mbuluar rrjeti i merimangave të vetmisë. Tirqit e bardhë të zhgunit me gajtanë të zinj, të varur në një baski, me ca shtresa pluhuri, kishte filluar për t’i brejtur tenja, ma shtonin nostalgjinë. Këta ishin tirqit e një burri që kishte vdekur në vitet e nëntëdhjeta, akoma pa i mbushur të tetëdhjetat, ishin tirqit e një burri shumë të respektuar, i cili  gjatë dallgëve të furishme të historisë nuk ishte gjunjëzuar asnjëherë gjatë gjithë kohës së tij.

Takimi dhe ndarja - macja e zezë me faqe të bardhë ...

Burrat e rezistencës të familjes Gecaj të fshatit Llukë të Poshtëm gjatë dallgëve të lustrave të furishme të historisë asnjëherë nuk u gjunjëzuan,  por luftuan kundër pushtueseve shekullorë. Babai i tij u vra në Luftën e Parë Botërore duke mbrojtur Shqipërinë në Qafë të Morinës, në vitin 1913, kurse axha i tij ishte vrarë  duke mbrojtur Plavën e Gucinë                                                                        

Gjatë  kohës  së regjimit të Aleksandër Rankoviqit, protagonisti i lartcekur i këtij rrëfimi ishte dënuar me vdekje,  kurse si familje  ishin përjashtuar pesëmbëdhjetë vjet me radhë. Kjo vragë i përcolli katër gjenerata paraardhësit e gjurmëve të atyre tirqve që rrinin varur. Bie fjala, më dhjetë e njëmbëdhjetë  tetor të vitit 1983, djali i madh në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dënohet me dymbëdhjetë  vjet burg, si personalitet i rrezikshëm për Serbinë, kurse djali i dytë,  i protagonistit në fjalë, bie dëshmorë në luftën e fundit të UÇK-së,  në betejën  e fshatit Pozhar, më 28 mars të vitit 1999, në cilësinë e  komandantit për moral të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”,.

Pra, këta tirqit  ndryshe nuk mund të dukeshin, vetëm si një emblemë me një ndjenjë përgjegjësie. Shikimi i drejtuar tirqve  të babit tim pas shumë vuajtjesh e peripecish, në ato rrethana prapë mu duk se më thanë diçka, ma lanë një porosi. Mu shfaq një ndjenjë e bashkëfshatarit tim që e pati thënë para se të shpërthejë lufta, në një takim ose më mirë të them, në një log burrash: “Kur të shkoj në kullë, dëshiroj aromën e atyre tirqve ta ndiej, aromë njeriu”, i cili jep një kuptim të thellë e domethënës mendimit dhe përgjegjësisë së mëtutjeshme. Në ballë të odës më erdhi një surprizë tjetër mbi plisin e bardhë dhe shaminë e zezë: Ishin ngulur ca shigjeta armiku. Shoka e tirqve, qe dikur shkëlqente si ylberi pas shirave që bien, kishte mbetur e stepur para murit zvarrë.  Tani vinte erë shkrumbi, tani ishte demoluar  edhe  kjo kullë, e cila edhe gjate tri periudhave historike të shkuara gjatë shekujve, ishte djegur dhe rrënuar, por tani jo si herëve të tjera. U ula në një kënd të fundit, në fund, në trapazan, i mallëngjyer për një çast, duke qarë si fëmijë, u ula në fund të fundit, sepse edhe vetë kisha ardhur në fund.                                                                          

“Në ballë të odës së burrave më erdhi një surprizë tjetër mbi plisin e bardhë dhe shaminë e zezë”...

 

Nga molisja dhe mërzia u zgjova dhe fshatit tim  pash më pash i rashë. Duke i numëruar thëngjijtë e zjarrit, e pashë se gjysma  e fshatit im ishte tërësisht ishte bërë shkruam e hi. U ktheva në kullën e vendlindjes, u ula mbi dërrasën e trapazanit, theva shpirtin tim për t’iu nënshtruar muzgut të natës dhe për të bërë gjumin në një vetmi  të plotë. Porsa ra muzgu  i asaj nate, paksa i lodhur, ne krahun e majtë u mbështeta e më dorën  e djathtë afrova armën skaj vetës, sepse çdo gjë ishte vetmuar dhe para se të më rrëmbejë kllapa e gjumit, mendova se fshati dhe hapësira rreth e për qark ishte pa njerëz. I vetmuar, natës dhe gjumit nuk i zihej besë. Para se të mbështetesha, ndeza një qiri dhe ja kalla duhanit, duke shikuar mbi rafte kavallin e  metaltë përplot me vrima që dikur i mëshonte im vëlla Elezi e tani varri i tij s’ishte me larg se dyqind metra ne breg të lajthisë, akoma pa i dalë bari. Thashë  me vetën time, - na tha në vazhdim të rrëfimit Ali Geci, -se vetëm dëshmorët po i mbesin besnik këtij trualli e ne të tjerët s’e dimë si  po na vjen puna. Tani NATO-ja dhe UÇK-ja ishin duke ia përfunduar luftës. Prita mos po vijnë shokët e luftës për t’u takuar para muzgut, kur e patëm lënë takimin, te varri i Elezit: kushëriri i parë, Jahë Geci, djemtë e hallës, Hysen dhe Haxhi Memaj dhe dy djemtë e motrave, Demë Luli e Fadil Aliu, pastaj Ilir Tahirsylaj, shok i pandarë i luftës e shokë të  tjerë. Kisha disa shokë të tjerë si Çaush  Qelaj, Riza Tolaj, Deli Lekaj, Muhamet Lekaj, Brahim Ukaj, Burim Ukaj, Naser Lekaj e të tjerë, që kishim mbetur për t’u takuar të nesërmen. E, thashë  vetës sime, se pa lidhje u ndamë. Pakëz i zëmëruar, edhe pse vetë isha ndarë nga ata që ta shihnim kullën e vendlindjes përsëri, andaj  pëshpërita në heshtje dhe thashë në vetën time: kështu e kemi të ndarë edhe atdheun, sikurse edhe ne jemi të ndarë. Sikundër cigaren e duhanit. Ashtu të mbështetur nisi të më zinte gjumi, kurse dera papritmazi nisi të lëvizë më një krismë të lehtë. Mu shfaqë një mace e zezë, e cila hyri brenda…

Macja ishte shumë guximtare. Mu afrua sikur të ishte e mallëngjyer. Ma fërkonte trupin tim , edhe pse e kam siklet. Më njërën dorë nisa ta ledhatoj, nuk mu kujtua se kjo mace a ka qenë jona pra luftës… Macja e zezë më shoqëronte gjithnjë. M’u largua prapë  gjumi. Më shoqëronte hija e zbehtë e qiriut mes katër mureve të odës së moçme. Një parandjenjë më erdhi vërdallë, si tregimet e vjetra në mitologjinë e lashtë, kur macja e zezë më doli shumë besnike: roja më besnike e truallit, edhe pse ishte mace ajo më shoqëronte. Këtë mace të zezë e kishte ligështuar vetmia, e kishte molisur mërzia. U gëzova dhe ia nisa një bisede më macen e zezë, e cila tani ishte me faqe të bardhë. Hapa çantën, ku e mbaja municionin dhe hoqa ca gjëra ushqimore, edhe pse për vete më grat i kisha. Ia qita. Prapë thashë me vetën time: tregimet e mitologjisë portretizojnë djallin, por gjërat që shtizohen dhe shtiren nëpër kohë lufte,  mbeten pa vlerë. Vetëm njeriu prej njeriut ruhet dhe ka frikë. E pra, ekzistojnë vetëm ushtritë armike ose ushtritë  që luftojnë dhe mbrojnë lirinë. 

Vetëm dëshmorët po i mbesin besnik këtij trualli e ne të tjerët s’e dimë si  po na vjen puna ...

Në mes dy  fshatrave. Zhebeli të ri dhe atij të vjetrit, diku atypari shtrihej mesi i Dushkajës se lashtë. Aty në një kodrinë,. karshi dy vargmaleve, për herë të parë e takova Sadri Zenelin nga Jablanica e Dushkajës, - tha bashkëbiseduesi im Ali Geci. - Ishte pasdite e muajit nëntor. Toka mbulohej nga jorgani i bardhë i dëborës. Ishte luftë. Sadriu ishte rreth të pesëdhjetave. Unë grindesha rrugës, e cila shpinte në drejtim të fshatit Jablanicë, në shtabin e UÇK-së, ndërsa Sadriu vinte nga ana jugore, që të kalojë një natë te familja e Maliçëve të fshatit Zhebel, se edhe në kohë lufte njerëzit rrinin dhe shkëmbenin vizita, madje për mrekulli, nëpër zonat ku i mbulonte UÇK-ja. Këtë takim nuk mund ta quaj si rastësi, sepse pikërisht këtu ishte logu i luftëtarëve të lirisë. Disa hapa para se të takoheshim, u përshëndetëm me “Tungjatjeta” sipas traditës sonë kombëtare. Atëherë Ali Geci tha me vete: “athua kush na qenka ky rilindës, kjo figurë e aftë me tipare të rralla burrërie, që në shikim të parë edhe pse njeriu s’e njeh njeriun pa ngrënë një thes kripë me të, e ndoshta edhe nuk e njeh kurrë. Ishte ai, i madhërishmi, Sadri Zeneli. Buzagaz ma zgjati dorën. I mbërthyer në armë. Lehtas ma vuri dorën mbi shpatulla, e me tha: Vëllaçko, të shkoftë pushka  mbarë e të punoftë fati! Nuk ka forcë rrënjët tona të na i shkulë. Të përshëndes, e do të shihemi prapë e do të  bisedojmë,  përfundoi ai duke u zhdjergur rrëpirës tatëpjetë. U nisa me vegimet që mu krijuan aty, duke thënë me vete: “Gjithë ky burrë i botës shqiptare me këtë mjekër të gjatë, që në fytyrën  e tij shndriste si bilur, e me atë shtat të hedhur, ma solli para figurën e Adem Jasharit”.

 “Të punoftë pushka, e paralel me te edhe fati” ...

“ Tungjatjeta”  sipas traditës kombëtare. Pas përshëndetës me këtë burrë komandanti Ali Geci i tha vetvetes: Athua kush qenka ky rilindas, kjo figurë e aftë me tipar burrëria, i cili në shikim të parë edhe pse njeriu pa e gëlltit një thes me krip nuk e njeh – ishte ai luftëtari Sadri Zeneli i cili në ndarje me tha: “Të punoftë pushka, e paralel me te edhe fati ...

Qysh me nëntë mars të vitit 1993, kur hordhitë barbare serbe bënin përpjekje për të hy në fshatin e tij të lindjes, Sadri Zeneli, e detyroi komandantin e policisë serbe t’i vejë majat kah i kishte pasur thembrat, krejtësisht të turpëruar. Pikëtakimi i parë me Sadriun, në jetën time ishte ky na tha në vazhdim Ali Geci, ndërsa ndarja e fundit, tani me dëshmorin e atdheut, ishte te Lisi i fshatit  Dashinovc ku ai kishte ardhur për të vizituar frontin e luftës dhe për të na dhënë mbështetje. Ngase ne fshatin Jablanicë ishte koordinator i strukturës ushtarako civile. Atë ditë ishte me Ismet Maliçin dhe me sa më duket vëllain Xhevatin e shokë të tjerë, ndërsa unë isha me shokë në misionin tim, e lufta kishte marruar përmasa të gjëra. Ishte fillimi i prillit i të vitit 1999. Ai ishte kthyer për fshatin Jablanicë, pasi kishte dëgjuar, se forca të mëdha ushtarake kishin depërtuar në brendi të fshatit të tij.  Ai atëherë, ra pas një përpjekje titanike, për ta ujitur këtë tokë me gjak të njomë, për t’ju bërë krah Myrtë Zenelit e dëshmorëve të tjerë në botën e amshuar, për t’u bërë gur themel e kullës me bedena, pranë memorialit të dëshmorëve, që qëndron si kala, në fshatin Jablanicës e heronjve - bashkoi ideali, na bashkoi vdekja.

Një ditë ora e trojeve tona stërgjyshore e pyeste natyrën, pasi që po e dëgjonte buzë shkëmbit një pëshpëritje të shoqëruar me dënesje hidhërimi. Të shtatë lëkurat i ndërrova  si gjarpri e bolla këtyre shkrepave të malësisë. Po, po të shtatë lëkurat i ndërrova e i ndërruan edhe ata që qëndruan përballë rrebeshesh e përkrah nesh, përgjigjej ora. Por mos harro se tërë jetën bashkë kemi qëndruar, e unë nën sqetullat tua çdo here jam strehuar si flatrat nder sqetullat e dragoi. Nuk më lidhi krajli i Miskovit e as mbreti i Stambollit e sot donë të më lidhë shoka e djepit tim. Sapo më me plakë mërzia tani s’na ka mbetur gjë tjetër, veç së bashku do ta mësyjmë  Shpellën  e Dragobisë. Atje do ta fortifikojmë forcën, atje do ta organizojmë vdekjen si i ka hije së bashku me djemtë e Mulosmanajve, Oruqhasajve, të Zagajve e Dallapajve, të Nikajve e Currajve e të Berishës së Mërturit. Ishte Mars i Thyer i viteve njëzet e pesta.                                                                            

Përmes krismave të pushkës dëgjoheshin vetëm klithjet  e Skifterit më këngën  e lirisë...

Kur rrallë kush mund ta mundë turrecin e kësaj stine, vetëm ai që mban dy fije bari në gojë apo dy lugë turpi në gji. Si në legjendat e moçme, vetëm tytat e pushkëve i numëronin pigmentet e njëri-tjetrit. Tani më ishte ngushtuar rrethi në fushëbetejë e djerrinë e në brigjet e Malësisë së Veriut. Thembrat e Akilit shkrinin dhjam për gjurmë, e për çdo kënd hidhej nga një shami e shenjë fitoreje që dorasi mos ta zërë gjaku. Shkrumbi në çdo buzë pranvere kishte zënë një gisht trashësie  e larat e botës e mashtronin tokën. Ca bukëpërmbysësh e mashtronin fisin, ndërsa mbi qiellin e vrenjtur të çmendura ecnin retë e çasteve mizore. Tanimë ishin syrgjynosur kujtimet. Dylbitë ne çdo kënd i zinin përtej e vdekjes, horizontet për Grykë të Matinës e formonin ushtrinë e ca rënkime dëgjoheshin. Një malësor e vajtonte si krimbi në lis për heronjtë, bijtë e vegjëlisë. Nganjëherë fitohej bindja që të përpinte nata prej çasti në një çast, prej një gryke në një grykë shikimet flisnin për rrënjët e truallit dialektin më të mirë, edhe pse ishin rrënuar objektivat e Revolucionit të Qershorit, edhe pse Shën Naumi ishte dhuruar Jugosllavisë, demokratët e vendit merrnin fryme për zgrip. Tani ujku kishte zënë pozitën, kishte fituar monarkia  e udhëheqësit më ballorë kishin marrë rrugët e mërgimit. : Noli, Gurakuqi, Prishtina e shumë të tjerë. Mercenarët, formonin togje për të zënë pusitë. Më të famshmit më zë si  Canbeg Kryeziu, Et’hem Tota e Kadri Mehmeti. Rrallë kush mund t’i përballonte këtij trendi shpirtëror nga i imagjinuari ligj. Çdo pëllëmbë toke frymonte shtetrrethim. Drama fillonte mbi tragjedinë, pritnin dhi e cjapin, qetë e  zgjedhës, vargonjtë e ogiçët e tubës në Gjarpër të Krasniqes i likuidonin krerët e lëvizjes  Zeqir Halilin e Bajram Monin të Bujanit , në Malësi, Vranine, Hoxhe Zogun e Xhelosh Ramën , ndërsa e vritnin edhe klerikun atdhetarin e shquar, Sheh Imam Jahjanë e Çajes; e burgosnin Hasan Ferrin me shokë dhe Prek Calin e Vërmoshit me trimat e Plavës dhe Gucisë, më vone likuidonin edhe krye kaçaku kosovarë Qorr Ilaz Reçakun, pastaj kishin filluar të burgosnin edhe oficerët e rendit dhe oborrit mbretërorë, si kosovarin Lan Selimin e fshatit Llukë të Poshtëm në komunën e Deçanit së bashku më Tugj Miftarin dhe të birin e mitur të moshës pesë vjeçare, Markun, në kalanë e Gjirokastrës, Bajraktarit të Nikajt e të Merturit. Ndërsa pas vuajtjes së dënimit ua vunë plumbat pas shpine. Ora e truallit rrufeshëm qëndronte në Shpellë të Dragobisë përballë bjeshkë të Zvojit gjëmonte gasterrja shytë. Përmes krismave të pushkës dëgjoheshin vetëm klithjet  e Skifterit më këngën  e lirisë. Qëndro Shpellë e Dragobisë, qëndro, pëshpëriste ora e truallit, me ty i rrita rrudhat e pleqërisë përballë  dyqind e pesëdhjetë  xhandarëve të mbretit  Zog ajkës  trimërisë. Sali Manin, Adem Bajramin, Avdi Bajramin, Nimon Sylën, Avdullah Sylën, Ali Nimonin, Fazli Ahmetin e Maxhun Nimonin, në gjysmështizë përfundoi episodi. Ora e truallit përballë atij shpati, përballë atij gjahu, ra dëshmor te dera e shpellës, thuajse po vështronte hijen  e malit dhe shtatë xhandarët e kapterin e shitur nga dredhat e ti. Ora e truallit luftoi vetë i nënti, vetë mbeti i vrarë dhe kundërshtar, pra shtatë xhandar e një kapter. Kështu pra, na përcolli vdekja, kështu na ndau ideali, kortezhet u bënë pikë e pesë, gjakimet bashkim, të Shpella e Dragobisë na i bashkoi vdekja.

Gjeopolitika e luftës dhe e Atdheut ...

Burri i mirënjohur i familjes të rezistencës shqiptare Ali Geci përpos detyrave të mëdha  që i kreu  me sukses bashkë me anëtaret e familjes së tij gjatë tri dekadave të fundit në organizimin e jetës politike dhe ushtarake të rezistencës shqiptare në Kosovë kundër pushtuesve shekullor. Ai është  marrë dhe tani merret me poezi dhe me prozë. Ka botua në mjetet e informimit në Kosovës poezi. Është përfaqësuar edhe në dy përmbledhje të grup-autoresh në veprat “ Hënë e djegur në heshtje” dhe “Fjalë e gurë”. Ky poet i vyeshëm në vitet e pas luftës ka botua librin e tij të parë poetik, me titullin “Eshke e ndezur mbi Shkëlzen”. Të shkruash për këto poezi nuk ke se si të mos qëmtosh edhe anën e brendshme të figurës njerëzore të poetit:  i ardhur nga një familje  atdhetare me tradita etnike, bujari e trimëri, duke qenë edhe vetë veprimtar i shumë organizmave politik e luftarak i lirisë në luftën e UÇK-së. Atëherë nuk kanë se si poezia dhe jeta, kënga dhe atdheu të mos behën një. Pra këto shtysa- burimesh, fryma liridashëse, luftarake, trashëgimia e shqiptarizmit familjar dhe e atij të përbashkët, do t’i shërbejnë si kika dritash e udhë rrëfime në shtigjet e jetës, luftë e ekzistencë ku më së miri shihet në rrëfimet e tija të lartë shënuara.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat