30 Gusht, bota shenoi Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve

Historia

30 Gusht, bota shenoi Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve

Nga: Tepelena - Laureta Roshi Më: 31 gusht 2017 Në ora: 17:41
Tepelenë

TEPELENË : Në Shqipëri, rreth 6,000 vetë humbën jetën gjatë komunizmit, ekzekutuar me apo pa gjyq farse, vdekur në burgje apo nga kushtet çnjerëzore, por varret e tyre nuk shënjoheshin dhe nuk ju tregoheshin familjareve.

AIDSSH ka vendosur që të të promovojë idenë e një memoriali në kampin famëkeq të Tepelenës, ku humbën varret e qindra vetëve, sidomos fëmijë.
Në këtë takim në ish kampin e “Turanit” Tepelenë qytetare te interesuar, te mbijetuar dhe familjare te tyre, shkaun dje për të përkujtuar vite vuajtjesh, jetët e humbura, dhe varre ende të pagjetura të qindra fëmijëve, vdekur nga uria e sëmundjet. 

Me këtë rast dje u prezantua një maket i memorialit, që do të përbëhet nga "Pylli i Fëmijëve" , rindërtimi i një prej barrakave, sipas modelit të vizatuar nga i mbijetuari Lekë Pervizi, si dhe ide të tjera plotësuese. Maketi është i projektuar nga z. Gjon Radovani, familjar i një prej të mbijetuarve si dhe arkitekt me eksperiencë nderkombëtare.
Grupi i punës së AIDSSH kryesohet nga Z. Simon Mirakaj, i mbijetuar i ketij kampi.

Image

Fjala e Zëvendëskryetarit të Prezencës së OSBE-së Robert ëilton më 30 gusht 2017 në ish kampin e internimit të Tepelenës, aktivitet i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit :

Të qenit këtu, në Tepelenë, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, mbart një kuptim të rëndësishëm për mua. Ky ish-kamp internimi ka parë të vërteta të dhimbshme të së shkuarës komuniste të Shqipërisë: shpërnguljet me forcë, internimeve, punës së detyruar, torturave dhe vrasjeve të panumërta.
Zbulimi i të vërtetës është çelësi me të cilin të afërmit e të zhdukurve dhe shoqëria në përgjithësi ta mbyllin përfundimisht këtë kapitull. Familjarët kanë nevojë të dinë të vërtetën që të mbajnë zi, t’i nderojnë dhe t’i kujtojnë të dashurit e tyre në paqe. 

Image

Shoqëria ka nevojë të dëgjojë historitë e të mbijetuarve, që të përfytyrojë dhunimet e tmerrshme që janë kryer gjatë regjimit komunist – dhe të kuptojë se si shqiptarët arrinin të trajtonin vetë shqiptarët në atë mënyrë. Shpërfillja e të vërtetave të rënda të së kaluarës nuk e shëron dhimbjen që ende është e gjallë. Plaga edhe mund të zhduket, por helmi jo. Transformimi i vendeve si kampi i Tepelenës, burgu i Spaçit e të tjerë në vende kujtese është hap i guximshëm. 
Përgëzoj Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, grupet e të mbijetuarve, Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe të gjithë ata që punojnë për menaxhimin e duhur dhe me respekt të trashëgimisë që la diktatura.

Qytetarët kanë nevojë të shohin që autoritetet po punojnë aktivisht për të hedhur dritë mbi krimet e dikurshme, që çështja e të zhdukurve po trajtohet me kujdes dhe me përkushtim. Vetëm kështu, shteti ndërton besimin se situata të tilla nuk kanë për të ndodhur kurrë më.
Prania jonë sot na kujton se ballafaqimi me të shkuarën komuniste duhet të vazhdojë. Ne, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, kemi zhvilluar projektin “Në mbështetje të dialogut kombëtar rreth së shkuarës komuniste”, i cili synon të mbështetë Autoritetin në punën e tij.

Puna e Autoritetit është thelbësore; por duhet kuptuar si punë profesionale dhe serioze, e cila lidhet me menaxhimin e informacionit dhe me mënyrën se si e kupton shoqëria veten; s’ka lidhje me thashethemet, skandalet apo grindjet politike të ditës.

Image

Ne duhet të kuptojmë dhe të përballemi me krimet dhe vuajtjet e brezave para nesh, sepse kështu mbrojmë brezat e ardhshëm nga i njëjti tmerr. Vetëm duke zbardhur një herë e mirë fatin e të zhdukurve, duke mbajtur në zemër kujtimin e tyre me po aq kujdes sa është ruajtur ky vend i tmerrshëm që ne shohim sot, ne mbrojmë të drejtat e familjeve të tyre, si dhe kontribuojmë në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe të një shoqërie të shëndetshme, të hapur e demokratik

Anila Bardhi shkruan në komentin e  saj :” Respekt për përkushtimin por uroj që ky përkushtim të mos mbarojë me një foto dhe artikullin përkatës. Shqipëtarët kanë qenë dhe do mbeten të interrnuar dje nëpër këto kampe , e sot të humbur nëpër botë nëse do të dal ndokush që do ti shërojë plagët e së kaluarës , kush do ti nxjerri të vërtat në shesh kur ky vend vazhdon të qeveriset nga komunistët…??!!”

Mizoritë me fëmijët në kampin e internimit të Tepelenës në vitet 1949 – 1953, ka shkrura Kastriot Dervishi

Nisur nga disa informacione të gabuara e kontradiktore që i janë dhënë kohët e fundit publikut nga institucione shtetërore, në lidhje me njërin prej kampeve tela me gjemba, por shkruaj më poshtë disa të dhëna të përgjithshme.

Internimi në kampe tela me gjemba gjatë diktaturës komuniste është vuajtja e dënimit në periudhën 1945 – 1953 në vende të rrethuar me tela me gjemba. Kampet ishin vende të mbyllura, të ruajtura me policë. Në to u sollën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. Dokumentacioni i trashëguar, sidomos ai vendimmarrës në lidhje me emrat e personave që kanë qenë në këto kampe, për shkak të cilësisë së dobët të administratës së kohës është shumë i pakët. 

Image

Fillimisht u ngritën dy kampe: në Berat për banorët e veriut dhe në Krujë për ata nga jugu. Këto dy kampe funksionuan deri në vitin 1949. Këtë vit u bënë disa riorganizime të kampeve. Të internuarit e Beratit u zhvendosën në Tepelenë dhe Porto Palermo. Në Tepelenë erdhi edhe komandanti që kishte qenë në Berat.

Kampi i Tepelenë u identifikua me dy numra, 4 dhe 6. Ai grumbulloi një numër të madh fëmijësh, duke e bërë regjimin komunist krejt origjinal në krejt Lindjen komuniste, pasi asnjë regjim tjetër nuk kishte treguar këtë egërsi ndaj fëmijëve.

Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit tela me gjemba në fund të vitit 1953. 

Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955. Kampi mbahet mend për trajtimin e keq ndaj të internuarve duke i lënë pa ushqim, duke i përdorur në punë të rënda, duke i lënë të paveshur e në mëshirë të sëmundjeve të shumta.
Duhet shtuar se identifikimi fizik i kampeve të tjera tela me gjemba (Berati, Kamza, Cërriku, etj), apo i kampeve të punës së detyruar të të burgosurve nuk është bërë pothuajse fare. 

Image

Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë:
-Bektash Pogaçe nga Kardhiqi i Gjirokastrës, profesioni bujk, arsimi 4 klasë fillore, në vitet 1949 –1952.
-Haki Ibrahimi nga Dhëmblani i Tepelenës, profesioni marangoz, arsimi 6 klasë, në vitet 1952-1953.

Bashkëlidhur një statistikë e kampeve tela me gjemba gjatë vitit 1950. Mund të vihet re me lehtësi prania e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat