Dr. Ibrahim Rugova, Vizita e parë në SHBA

Historia

Dr. Ibrahim Rugova, Vizita e parë në SHBA

Nga: Nga Tonin Mirakaj Më: 10 tetor 2017 Në ora: 20:27
Vizita e parë në SHBA e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova

28 vjet më parë, pikërisht me datën 4 Tetor 1989, në ora 5 të mbrëmjes, i ndieri Dr. Ibrahim Rugova i shoqëruar nga prof. Engjell Sedaj, mbërritën në Kennedy aeroport, në NewYork, me linjën ajrore Jugosllave “Jat”, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, për të qenë folës në Seminarin përkujtimor që ishte organizuar me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdani.

Për arsye sigurie, nuk ishte lajmëruar komuniteti për ardhjen e musafëve nga Kosova. Faktor tjetër ishte se komisioni përgatitor  i Seminarit nuk kishte konfirmim të sigurt për ardhjen e tyre, nga se komunikimet në atë kohë nuk ishin të lehta, nga situata e tensionuar politike në Kosovë.

Në aeroport për ti pritur, pa qenë të sigurtë për ardhjen e tyre, kishin dal meshtarët e Kishës të përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe kryetari i komisionit përgatitor të Seminarit Tonin Mirakaj.Linja ajrore nuk jepte asnjë informatë për ardhjen e tyre, pra duhej të prisnim apo dalin me turmën e pasagjereve nga “costums control”. I pari qe i njohu nga larg, në fund të turmës ishte Dom Rroku. Erdhën u dëgjuar zëri i tij! Gëzim për ne që prisnim e natyrisht gëzim për profesorët, që më në fund arritën në Amerikë, për herë të parë!

Mbas përshëndetjeve, profesorët u interesuan për organizimin e Seminarit, vendin ku do të mbahet si edhe a kishin mbërrijë folësit e tjerë At Danieli, profesorët Pipa dhe Camaj? I njoftuam se vendi është “Fordham University”, dhe salla e Seminarit ka vend për më se njëmijë persona. Profesor Sedaj tha: Njëmijë persona nuk mund ti mbledhim në Prishtinë, e ju mendoni se do ti mblidhni ne NewYork? I njoftuan se At Danieli dhe profesor Pipa kishin mbërritur, dhe se Camaj nuk ka mund me ardhë, por ka dërguar ligjëratën e tij. Mbas këtyre bisedave u drejtuam tek makinat , nder to, ishte dhe një limuzinë e dërguar nga familja Biberaj, dhe u nisëm për në Beekman Toëers në 49th rruge, avenyja e parë në Manhattan, ku ishte rezervuar një suite për  Rugova dhe Sedaj.

Kujtoj se nga dritaret e suitës shihej për bukuri ndërtesa e OKB, e cila me pamjen e saj i mahniti profesorët. Dr. Rugova, mbasi ndezi një cigare“Marlboro”,e thithi 2-3 herë tha: Këtë ndërtesë, e kemi pa në fotografi, tani po e shohim nga afër, dhe vazhdoi: Aty në një të ardhme, ndoshta jo të largët do të zgjidhet problemi i Kosovës!

Mbas një pushimi të shkurtër në hotel, të gjithë u nisëm për në banesën e shkruesit të këtyre rreshtave, në Fifth Avenue në Manhattan, ku kaluam një darkë të këndshme me mysafirët, klerikët dhe disa anëtar të komisionit përgatitor të  Seminarit.

Të nesërmen, profesorët vizituan Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” ku u pritën me shumë kënaqësi nga administratori Dom Rrok Mirdita, ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, djakon Marash Shkreli, kryetari i komisionit përgatitor të seminarit e të tjerë, ku u bisedue mbi gjendjen e komunitetit, mbi qendrat fetare si edhe organizatën Pan-Shqiptare“Vatra”.Gjatë bisedave,  Rugova shprehi disa herë, konsideratën e tij për Federatën Vatra:- Ruajeni Vatrën se u duhet shqiptarëve tha në një bisedë mbi këtë organizatë famëmadhe!

Lajmi se mbërritën profesorët nga Kosova u përhap shpejt, kryesisht me telefon, nga se në atë kohë nuk kishte e-mail, cell phones, face book e të tjera mjete komunikimi të shpejtë. Për të lajmëruar aktivitete të ndryshme në komunitet kishte disa radio emisione në gjuhën Shqipe që transmetoheshin njëherë në javë. Këto ishin “Zëri i Atdheut” me folës Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj, “Zëri shqiptarëve të lirë” me folës Nehat Bakalli dhe Ramadan Turdiu dhe “Revista radiofonike e shqiptarve të Amerikës” që drejtohej nga Zef Camaj. Këto radio e dhanë njoftimin se ku dhe kur mbahej seminari, si dhe njoftuan ardhjen e profesorëve.

Me ardhjen e profesor Ibrahim Rugovës dhe profesor Engjëll Sedaj, u plotësua programi me folës që në atë kohë ishin personalitete më të shquara të fesë, kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Ishte e  qartë për komisionin përgatitor, se mysafirët kosovar duhej ti ruanim me shumë kujdes nga rryma të ndryshme politike që përbënin komunitetin tonë, prandaj me dëshirën e tyre takime individuale u kufizuan, u njoftua disa si: Imam Isa Hoxha, Prof. Sami Repishti, vëllezërit Bytyçi, At Daniel Gjeçaj, profesor Arshi Pipa dhe anëtarët e komisionit. I pyetur për situatën në Kosovë, Rugova u përgjigj shkurt: Kemi ardhë të ftuar nga Kisha Katolike për të përkujtuar një klerik dhe shkrimtar që ka vdekur 300 vjet më parë. Do kthehemi me datën 14 tetor në Kosovë. Nuk kemi ndërmend të përzihemi në punë të tjera!

Dita e dytë u kaluar në shëtitje në Manhattan, dhe në mbrëmje u shtrua darkë në “Amici Restaurant”, ku morën pjesë klerikët, profesorët dhe anëtarë të komisionit, si dhe Agim Fetahu, ish gazetar i “Rilindjes” në Kosovë.

Ditën e Seminarit, në ora 10 të mëngjesit, salla e Universitetit u gjet e mbushur plot me bashkatdhetarë, shumë të ardhur nga NY, NJ dhe CT.

Pas lutjes fetare dhe himneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, kryetari i komisionit paraqiti drejtuesin e Seminarit të Përndershmin Dom Rrok Mirdita. Ky, mbas një përshëndetje të shkurtë, paraqiti audiencës folësit me radhë sipas programit. Kur u përmend emri i Ibrahim Rugovës, salla ushtoj nga duartrokitje frenetike për disa minuta. Ky rast bëri të qartë se Rugova kishte mbështetje nga shqiptarët e Amerikës.

Në program, ishte i treti, mbas At Danielit dhe profesor Pipës. Ndërsa flisnin këta të dy, Rugova kërkoj letër, ku përgatiti përshëndetjen e tij përpara temës së përgatitur që ishte: “Historia Shqiptare në veprën e Bogdanit”.

Pritja që ju bë diferent prej të tjerëve, mund ti sillte rrezik mbas kthimit në Kosovë, prandaj më shumë kujdes, përgatiti “përshëndetjen që vijon”:

Zonja dhe zotërinj të nderuar!

Më lejoni që në fillim të përshëndes kishën katolike shqiptare të NewYork-ut, që mori këtë hap të shënoj me këtë Seminar 300 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falënderojmë nga zemra për ftesën, që na të dy studiues nga Kosova të japim ndihmesën tonë në këtë drejtim.

Po ashtu më lejoni të them edhe dy a tri fjalë të tjera. Nisma e kishës katolike shqiptare të shënoj këtë jubile, është një nismë e mirë, që të filloj një traditë bashkëpunimi midis shqiptarëve në SH.B.A. dhe shqiptarëve në Jugosllavi. Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur vazhdon traditën e Vatrës shqiptare të Bostonit, e cila me decenie veproj në planin kulturor e kombëtar.

Shqiptarët, duhet dhe mund të bashkëpunojnë dhe njihen më shumë ndërveti kudo qofshin në  botë, duke u lidhur me trojet autoktone dhe pa marrë parasysh  sistemet ku jetojnë si edhe bindjet e tyre politike, konfensionale e sociale, ashtu si e kërkon bota e sotme. Shqiptarët sot, kanë nisur të hapin më shumë dialogun midis tyre dhe me të tjerët, sepse kështu do të forcojnë identitetin e tyre dhe do të shpejtojnë inkuadrimin e tyre si subjekt, në proceset e botës moderne.

Kolegu Sedaj dhe unë, ju përshëndesim të gjithëve, që keni gjetur kohë të jemi së bashku, për të nderuar këtë fytyrë të madhe të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.

Pas përshëndetjes së duartrokitur, Rugova paraqiti temën e seminarit.

Seminari pati sukses shumë më të madh si ishte paraparë nga organizuesit.           

Pjesëmarrja e më shumë se 1000 bashkatdhetarëve, i dha përmasa të një veprimtarie masive kulturore kombëtare. Shtypi i mërgatës, radio, e paraqitën me madhështi suksesin. “Atdheu” botoi një artikull nga Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj me titull: ”Madhështia e një Seminari”. Radiot komentuan edhe mbi rëndësinë e ardhjes së profesorëve kosovarë në Amerikë. Është fakt se profesor Ibrahim Rugova u inkuraju nga pritja që ju bë, për aktivitete diplomatike dhe politike, që ndërmori mbas kthimit në Kosovë, të cilat më pas sollën rezultate me përmasa historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Në mbrëmjen e datës 7 tetor, komisioni i seminarit shtroi darke në nder të ligjëruesve, në Eastëood Manor, ku pati një pjesëmarrje prej më se 700 persona. Në darkë fjalimet u kufizuan me përshëndetje të shkurta, dhe paraqitje të mysafireve të nderit. Gjatë darkës pati një program të pasur argëtues. Rozofati, luajti vallen e “Rugovës”, që u pëlqeu shumë mysafirëve.

Darka u kryesua nga kryetari i komisionit.

Profesorët nga Kosova udhëtuan në Washington DC, të shoqëruar nga anëtari i komisionit Simon Simolacaj. Atje kaluan dy ditë te miku i tyre Fran Shkreli dhe familja e tij. U takuan me Elez Biberaj. Frani dhe Elezi ishin zyrtarë të departamentit të shtetit, me detyra në VOA. Mbas kthimit nga Washingtoni, koha u kaluar në shëtitje në NewYork, në shoqërinë e një grupi të vogël miqsh, kryesisht Dom Rroku, Dom Pjetër Popaj, Djakon Marash Shkreli, anëtaret e komisionit dhe vëllezërit Bytyqi.

Ditën e fundit të vizitës tyre në Amerikë, ndërsa po përgatiteshin për udhëtim, Rugova dhe Sedaj kërkuan me i dërgua në një dyqan, ku mund të blinin ndonjë dhuratë për bashkëshortet e tyre.

Kërkuan ti shoqëroj bashkëshortja ime Miliana,e cila kishte filluar të përgatisë drekën. Lëre drekën kur të kthehemi, tha Rugova. Në atë kohë në banesën tonë erdhi Sabit Bytyqi.I treguam për kërkesën e mysafirëve.-Shkoni,- tha Sabiti, drekën e përgatis unë! Kënaqësi për të gjithë. Ashtu u bë. Vendosëm me shku në Stern’s Dept. Store, në Rt 4, NewJersey, ku kishin mundësi me ble gjërat që dëshironin, me ndihmën e Milianës. Ndërsa po kalonin urën për në NewJersey, Rugova pyeti: Si quhet kjo urë? Kjo është “George Washington Bridge”, u përgjigjëm. George Washington përsëriti ai…. Per një George ka nevojë Kosova! Të gjithë qeshëm.Ndoshta nuk na shkoi në mend se George Washington i Kosovës ishte aty, me ne, IBRAHIM RUGOVA!

Mbasi i blenë gjërat që dëshironin, u kthyem. Sabiti kishte përgatitë drekën, sigurisht në mënyrë profesionale, ashtu si në restaurantin e tij “Minetta”.Mbas dreke, u nisëm për në Kennedy aeroport.Aty kishin dalë me i përcjellë mysafirët, klerikët Dom Rrok Mirdita, Dom Pjeter Popaj, djakon Marash Shkreli, të gjithë anëtarët e komisionit të Seminarit Imzot Pjetër Bogdanit, Zef Camaj e ndonjë tjetër. Profesor Ibrahim Rugova u kthye i bindur se Kosova ka miq në Amerikë. Kjo u provua nga ngjarje që pasuan deri në pavarësinë e Kosovës.

Scarsdale, 15/Shtator/2017

Image
Washington DC
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat