Grekët e donin Manastirin e Boboshticës varrezë të ushtarëve pa mbaruar ende lufta italo-greke? - Bota Sot
Grekët e donin Manastirin e Boboshticës varrezë të ushtarëve pa mbaruar ende lufta italo-greke?

Historia

E enjte, 18 tetor 2018

Grekët e donin Manastirin e Boboshticës varrezë të ushtarëve pa mbaruar ende lufta italo-greke?

Nga: Arben Llalla Më: 19 janar 2018 Në ora: 15:41
Boboshticë

Greqia ka projektet e saj afatgjata për të ndërtuar historinë e së ardhmes, të ngritur mbi gënjeshtrën që jugu i Shqipërisë dikur i përkiste asaj, ndaj duhet t’i rikthehet një ditë. Për mos të harruar asnjëherë Greqia ëndrrën e Megalo Idesë të projektuar që më 1844 nga vllehu Joanis Koletis, në betimin ushtarak grek janë futur edhe vargjet: “Kam një motër të vërtetë, atë e quajnë Veriu i Epirit, Unë i përkasë ushtrisë së lavdishme greke, në agim do shkojë pa urdhër për të luftuar, për ta bashkuar Korçën me Greqinë. Atje,ku ka varre të ushtarit grek është tokë greke.”

Prandaj, çdo varrezë e ushtarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941 ndërtohet në vende të shenjta që i përkasin shqiptarëve, të cilat më vonë do të quhen tokë greke, manastire dhe kisha greke.

Greqia ndërtoi varrezën e ushtarëve të saj, pikërisht në kishën e Shën Kollit të Grykës së Këlcyrës. Kjo ka qenë pronë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nuk dihet përse i është marrë KOASH dhe i dhënë Greqisë për ushtarët e saj, pra nuk i përket më shqiptarëve, por ka “ndërruar” pronar dhe destinacion. Të moshuarit në Këlcyrë thonë se kur kalonin automjetet aty pranë e përshëndesnin me bori vendin e shenjtë, të tjerë grekë ndalen për t’u lutur. Dikur aty, fëmijët e zonës kalonin pushimet në kampe verore në Manastir, por sot kemi gjithë ato gropa të hapura e varre të zbrazura dhe kuti metalike me eshtra që mbushin kishën.

Image

Vendi tjetër i shenjtë për ortodoksit shqiptar është Manastiri i Boboshticës në Korçë, ku grekët kanë ndërtuar varrezën e ushtarëve të tyre, pikërisht tek vendi i Manastirit të Fjetjes Hyjlindëse. Ky Manastir ishte piketuar për t’u bërë qendër greke qysh në luftën italo-greke më 1940. Në këtë fshat, jo rastësisht u vendos edhe shtabi qendror i ushtrisë greke për Qarkun e Korçës, ku përfshihej edhe Pogradeci. Në shkurt të 1941 Boboshticën e vizitoi komandanti i përgjithshëm i ushtrisë greke, Aleksandros Papagosi, cili u bë kryeministër i Greqisë më 1951-1955. Pra, Greqia ka projektuar shumë vjet më parë ndërtimin e një varreze të madhe për ushtarët e saj të vrarë më 1940-1941 edhe në Manastirin i Boboshticës. Fshati Boboshticë ka patur 13 kisha dhe 3 Manastire, ka qenë e banuar gjithnjë nga bullgarë, shqiptarë dhe vllehë, por asnjëherë nga grekë apo grekfolës. Gjuha e kishës deri në shpalljen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka qenë si kudo greqishtja, por banorët kanë folur shqip dhe bullgarisht.

Pyetja që duhet bërë sot është: A mund të sqarojë kush opinionin publik, se cili është pronari i varrezave greke të Këlcyrës dhe vendi i Manastirit të Fjetjes Hyjlindëse sot? A është akoma KOASH-i që i administron pronat e Bashkësisë Ortodokse në Shqipërisë, në rastin në fjalë është bërë shpronësimi? Nëse është shpronësuar e ka shitur apo ia ka dhuruar pronën Greqisë? Në të dyja rastet me ç’të drejtë e ka bërë këtë dhe me vendim të cilit organ apo autoriteti kishtar? Por, edhe nëse e ka akoma si pronë, kush ua jep këtë të drejtë të tjetërsimit arbitrar të pronave kishtare, Sinodit, apo Kryepeshkopit që janë kujdestarë të përkohshëm të KOASH-it dhe do të zëvendësohen nga të tjerë, siç na mëson historia kishtare?

Kjo do të jetë sërish paradoksale, nëse është akoma KOASH-i pronar. Ç’punë ka dhe mbi cilën traditë, një kishë ortodokse e pavarur mund të administrojë apo mirëmbajë një varrezë ushtarake të një vendi tjetër?

E keqja më e vogël do të ishte që të ishte ndërtuar vetëm një mauzoleum përkujtimor, në pronë të blerë ligjërisht dhe jo një truall kishtar (nëse është falur trualli kishtar), sepse tashmë këto troje konsiderohen të humbura dhe të pushtuara, pa të drejtë rikthimi. Këto ngjarje kërkojnë hetim dhe sqarim, si nga organet tona kompetente, pasi ne nuk mund të lëmë askënd që trashëgiminë tonë kombëtare kulturore të na e kalojnë tek një komb tjetër, si dhe nga brenda Bashkësisë ortodoksët shqiptarë duhet të kërkojnë llogari për rrëmbimin e pronave të blera me gjakun e të parëve tanë.

 

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test