Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet

Historia

Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet

Nga: Bedri TAHIRI Më: 22 janar 2018 Në ora: 20:31
Shaban, Adem e Hamëz Jashari

Lugetërve dhe djajve zakonisht u pëlqen terri i zi. Ashtu i kanë veprimet, të zeza e kobta­re. Të tillë janë edhe cerberët e përtej Tunës. Natë skëte­rrore ishte edhe kur u futën në Ballkanin e përgjumur dhe ashtu ngelën sot e kësaj dite, futana. Çdo gjë e ka­në të katranosur. Mendojnë zi e bëjnë zi. Nga errë­sira erdhën e në errësirë mbetën. U pëlqen terri, se ash­tu e kanë zemrën, ashtu e kanë shpirtin. Ai u ndihmon për të bërë krime e për t’i fshehur ato. Këtë mje­shtëri e trashëguan nga të parët, që çdo sulm makabër ta bëjnë natën, nëpër terr, si bufat e verbër.

Edhe më 22 janar 1998 vepruan kështu. Natë pa hë­në ishte kur hijenat tinëzare, duke i lëpirë buzët, për­vidheshin drejt Prekazit të Poshtëm. Shkonin për t’i zbatuar planet kobzeza, që vite e vite ishin ela­bo­ruar nëpër kancelaritë makabre të soldateskës serbe. Në shënjestër familja patriotike e burrit të paepur, e njeriut liridashës, Shaban Murat Jashari. Po të njëjtit edhe shtatë vjet më parë kishin provuar ta gjunjëzonin këtë vigan, por ishin ndarë keq. Me gjithë rrënjët të zhduket kjo familje kryengritëse, që të marrin më­sim të tjerët!- u kishin thënë nga lart, dhe urdhri du­hej zba­tuar. Të mallkuarit hapëronin fshehurazi, duke iu afruar shtëpive para agimit.

Papritmas, nata ishte bërë ditë nga flaka. Mortajat, mitralozat e bombat vollën zjarr përnjëherësh. Toka u dridh, por themelet e bedenat e kullës s’u tundën dot. Predhat plasën kudo, në oborr, në ahur, në shkallë. Breshëritë e plumbave vërshuan nëpër dyer e dritare. Kudo rrëmujë marramendëse. Mungesa e rrymës e bë­­n­te të veten. Furia e zallahisë çmendurake qe e shkur­tër. Shpejt u shua, se sharra hasi në gozhdë. Hesapi i bërë pa hanxhinë doli ters e i pafrytshëm. Bumerangu vrastar u kthye së prapthi. Dyert e oborrit ishin të vo­gla për t’i zënë hijenat, që përplaseshin përnjëherësh, duke ikur...

-Dy duar për një krye, kanë thënë të moçmit,- nis rrëfimin qetë-qetë plaku Shaban Jashari. Na sulmuan keq qafirat, fill pas syfyrit. I vetmuar në odë, veç me dy nipat e rinj, Fitimin dhe Besimin, e ashtu si për­gju­mur, në fillim sikur u hutova. Kur u turrën barba­rët për të hyrë brenda, filluam të mbrohemi. E ku të shko­nim përtej shtëpisë sonë? Fill m’u kujtua amaneti i Ah­met Delisë, se si mbrohet nderi familjar dhe pragu i shtëpisë. Dhe qëndruam sa mundëm. Tridhjetë anëtarë s’mund t’i lija në duart e kriminelëve. Kisha përvojë të hidhur edhe nga 30 dhjetori 1991. Ta mbrosh vatrën stërgjyshore është detyrë morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet. Ky është edhe amanet i brezave, që s’guxon të shkilet,- përfundon ai.

Përjashta kudo gjurmë barbarie e vandalizmi. Ku­l­me të shembura, mure të rrënuara, armë të mbetura, predha mortajash të pashkrehura, bagëti të vrara. Qe­ni i shtëpisë po jepte shpirt. Skena rrëqethëse, që të ngje­thnin mishtë. Të mpleksur me rrëfimet e përje­tuesve të kataklizmës së llahtarshme, veçan me ato të vaj­zave trimëresha, Ilirianës dhe Selvetes, që të plagosura lëngonin në shtrat, krijoheshin pamje kulmore të një shfrimi shtazarak, asi çfarë di të bëjë vetëm mizoria serbe.

-Atë natë nuk qëllova në shtëpi,- rrëfen Adem Ja­shari. Isha te dajtë, në Llaushë. Që në krismën e parë, e kam ditur se na kishin sulmuar. Me ca shokë e kemi ndezur veturën dhe kemi nxituar. Por, kur arritëm kë­tu, babai me të tjerët ua kishin thyer turinjtë. Veç Hamza nuk na la se deshëm t’iu hymë brenda e t’i ngrisim në ajër me gjithë fabrikë. Nuk do ta kenë të gjatë as aty...

Ngjitemi përpjetë kodrës, nëpër gjurmët e turpit të tyre. Në të zbritur, nga Klina e Poshtme, njolla të fre­skëta gjaku. Aty ishte vrarë i pafajshmi, Hysen Man­xholli nga Mikushnica, tek po shkonte në punë për t’ua siguruar kafshatën e hidhur kalamajve të shumtë. Pas mossuksesit, bishat zemërake ishin tërhequr në strofkën e tyre të maskuar, tej telave xhembaçë, dhe prej andej kishin shfryrë dufin në viktimën e gjorë. Ç’veprim qyqar e ç’sadizëm shfrenues kishin bërë?

Poshtë, në lagjen Jasharaj, lëvizje të pandërprera nje­rëzish. Vizitorë të shumtë në Tempullin e qëndre­sës, si në muzeun historik. Nga Drenica e nga mbarë Ko­sova. Vazhdimisht hynin e dilnin nëpër oborr dhe nëpër shtëpitë e dëmtuara. Vendësit, të gjithë në këm­bë, prisnin e përcillnin pa pushim. Të rinjtë punonin, ca ngji­snin xhama, ca meremetonin dyer e dritare të demo­luara, ca ndërronin tjegulla të thyra e ca të tjerë ndre­qnin shkallët dhe muret e rrënuara.

-Fort mirë e dimë se familja jonë kaherë është në shënjestër të pushtetit shovinist serb. Mirëpo, jemi be­­tuar që të mos luajmë nga trojet tona. Ademin e kanë dënuar në mungesë, por atdhedashurinë nuk ia ka­në zbehur fare. Përkundrazi, veçsa ia kanë sforcuar. Ca fjalë të pakripë, që po i vijnë përanash, po e rën­do­jnë më shumë se sa sulmet e armikut. Edhe Azem Galica i urrente shumë hafijet dhe kukudhat, andaj i qeronte pamëshirshëm. Por, nejse, koha do t’i sqarojë të gjitha. Së shpejti populli do ta ndajë shapin nga sheqeri. Kryesorja, puna po ecën mbarë, armët e liri­së po dëgjohen kudo. E unë mendoj se rrugë tjetër nuk ka për të arritur te liria,- flet Hamza rrjedhshëm e qetë, si të mos kishte ngjarë asgjë...

-Unë atë natë, fill pas syfyrit, u ngjita në dhomën time, në shtëpinë tjetër,- vazhdon ai pas pak. As dy minuta s’kanë kaluar e pushkët krisën. Selvetja ime dhe Iliriana e Rifatit janë ngjitur lart dhe më kanë ndi­hmuar për t’i zmbrapsur çetnikët, që mësynë nga ana e epërme. Babai nuk e kishte dëgjuar fare pushkën ti­me, torturat policore të vitit 1991 ia shurdhuan veshin e majtë dhe në mëngjes më tha si me tallje: Ku je ore Hamzë, mos ta hëngri pula kapsollin, që nuk ia shkre­pe hiq! Unë qesha pa i thënë gjë...

-Fabrikën e kemi shumë afër,- flet sërish ai, pasi do­lëm në lëmë. Unë, që kam punuar aty, e di fort mi­rë çka fshihet brenda saj. Fundja, ajo është fabrikë e karakterit ushtarak. Ai pirgu atje,- tregon me gisht, është i lartë 36 metra dhe përbrenda i ka shkallët që çojnë lart. Ja edhe syri i tij. Në të kanë vendosur ka­me­ra e mjete përgjimi. Edhe brenda na shohin. Por, pavarësisht nga të gjitha, ne do t’i presim këtu, gjallë apo vdekur, përfundon ai me një zë burrëror.

Dhe nuk ndalet, por më përcjell larg e larg. Sa i la­k­­moja këtij burri mentar e trim. Pedant në veshje, në sjellje e në bisedë. Rrobat laroshe të UÇK-së i shko­nin fort bukur atij trupi gjimnastik. Revolja në brez dhe bombat përreth ia shtonin madhështinë. Hero mi­tik më dukej tek ecte përkrah meje. Shpirtin e tij lirida­shës e njihja edhe më herët, por ndryshe, përmes kën­gës dhe çiftelisë. Sa ëmbël e sa me afsh u këndonte Azem e Shotë Galicës, Hasan Prishtinës e Bajram Cu­rrit, Oso Kukës e Isë Boletinit, Zhujë Selmanit e Lec Gradicës... Ca pushtetarë puthadorës e shikonin vën­gër dhe bënin plane për kurthe e ndërskamca. Lexo­nte shumë dhe e njihte fort mirë historinë kombëtare. Në çantën e tij ushtarake, krahas të tjerave, kishte edhe libra. Mendja duhet t’i prijë trimërisë se nuk kanë thënë kot të diturit. Një trimëri me njëqind mjeshtëri,- i këshillonte ai vazhdimisht edhe shokët...

Prekaz, 25 janar 1998

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat