Histori, çfarë ka ndodhur më 28 janar?

Historia

Histori, çfarë ka ndodhur më 28 janar?

Më: 28 janar 2018 Në ora: 07:23
Ismail Kadare

1888 – Në Dubrovnik, lindi Henrik Bariç – studioi në Graz dhe Vjenë, Austri (si shumë albanologë), dha mësime në universitete të ndryshme si Zagreb, Beograd, Sarajevë, para, gjatë, dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Fusha e tij e studimeve ishte historia e gjuhëve indoevropiane. Shumë energji, Bariç (v. 1957), i kushtoi gjuhës shqipe dhe vendit të saj në familjen indoevropiane. Kur shumica e dijetarëve favorizonin prejardhjen ilirishte të shqipes, Bariç e shihte gjuhën shqipe si të ardhur nga trakishtja, në nivel indoevropian, si më të afërt me frëngjishten, armenishten dhe rumanishten.

1921 – Në Paris, aleatët caktuan shumën që Gjermania duhej të paguante si dëmshpërblim për Luftën e Parë Botërore; 10 miliardë stërlina paguar me këste për një periudhë prej 42 vjetësh. Një vit më vonë, në janar 1922, kjo shumë u pakësua me dy të tretat.

1936 – Në Gjirokastër lindi Ismail Kadare. Fillimisht tërhoqi vëmendjen si poet, por ishin librat në prozë që e bënë të famshëm. “Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim./Këtu ku kam arritur më ftohtë është, më vetmi./E dija këtë, por padurimi i vdekur/Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.” (I.K.) “Gjenerali i ushtrisë se vdekur” (1963), është romani i tij më i njohur, por edhe libri i tij i parë që arriti audiencën ndërkombëtare. Ndër romanet e tjera të Kadaresë që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë është “Kështjella” (1970), me ngjarje në shekullin e 15-të gjatë rezistencës së armatosur të popullit shqiptar kundër osmanëve. E njëjta temë e rezistencës, por në një kontekst politik, rishfaqet tek “Dimri i Madh” (1977), me ngjarjet që pasuan prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961. “Ura me tri harqe” (1978) vendoset në Shqipërinë mesjetare. Veprat e mëvonshme të Kadaresë përfshijnë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981); “Dosja H.” (1990) dhe “Piramida” (1995). Libri “Tri këngë zie për Kosovën” (1999) përbëhet nga tre tregime për një betejë të shekullit të 14-të mes udhëheqësve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane (në Fushë Kosovë). “Lulet e ftohta të marsit” (2000), tregon historinë e një piktori në Shqipërinë pas-komuniste; “Pasardhësi” (2003) shqyrton fatin e një prej pasardhësve imagjinarë të Enver Hoxhës. “Darka e gabuar” (2008) ndjek jetën e dy mjekëve në një seri ngjarjesh të lidhura me hyrjen e trupave naziste në Gjirokastër në vitin 1943. “Romani Kronikë në gur” (1976), është një libër ku Kadare flet më shumë për fëmijërinë e tij, si dhe për qytetin e vet, Gjirokastër. Tek “Eskili, ky humbës i madh” (1988), autori shqyrton afërsitë mes kulturave shqiptare dhe greke nga antikiteti në kohët moderne. Ndërsa në librin “Nga një dhjetor në tjetrin” (1991) Kadare shpreh pikëpamjet e tij mbi politikën shqiptare 1944 – 1990. Prej vitesh kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, Kadare, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, banon në Paris, me Tiranën si destinacion kryesor.

1986 – Anija “Challenger” për vajtje ardhje në hapësirë niset për një mision nga kepi Kanaveral i Floridës; 73 sekonda më pas, anija shpërthen duke vrarë ekuipazhin që përfshinte edhe mësuesen Christa McAuliffe.

1997 – Mikel Koliqi, Kardinali i Shqipërisë, 22 vjet në burgje e 22 të tjera në internim, vdiq në Shkodër. Ai ishte 94 vjeç. Kardinal Koliqi (vëllai i Ernest Koliqit) rifitoi lirinë e tij në vitin 1986, pas 44 vjetësh në burgjet politike dhe fshatrat gulag. Në nëntor 1994, Papa Gjon Pali II, e bëri atë anëtar të Kolegjit Kardinalëve, duke e cilësuar “pastor të guximshëm dhe prift heroik që kishte duruar aq shumë vuajtje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat