Njeriu që deshi të vrasë presidentin amerikan për një femër

Historia

Njeriu që deshi të vrasë presidentin amerikan për një femër

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 17:02
Studenti i dështuar John Hinckley

Studenti i dështuar John Hinckley Jr. (25) kishte tentuar të vrasë presidentin amerikan Ronald Reagan në vitin 1981, por plumbi i atentatorit kaloi për vetëm disa centimetra larg zemrës së tij.

Vetëm dy muaj pasi kishte marrë postin e shefit të shtetit, presidenti Reagan ishte cak i atentatit. Më 30 mars 1981 në Uashington ndaj tij shtiu me armë zjarri John Hinckley Jr, një student i pasionuar pas aktores Jodie Foster dhe tentoi që ta impresionojë me vrasje.

Në fakt, studenti me çrregullime mentale ishte tërësisht i dhënë pas Foster, pasi kishte shikuar filmin 'Taksisti'. Nisi t’i dërgojë letra dashurie dhe këngë në kampus, madje e thërriste edhe në telefon. Foster e kishte refuzuar dhe Hinckleyt i krisi ideja e madhe.

Në këtë mënyrë, ai vendosi të bëjë atentat ndaj Reagan, në mënyrë që të bëhet “figurë historike”. Hinckley priti që Reagan të dilte nga hoteli Hilton në Uashington. Kur presidenti me truproja dhe të tjerët u nis drejt limuzinës, Hinckley arriti deri te presidenti dhe shtiu disa herë.

Me këtë rast u qëllua Reagan, asistenti i tij James Brady dhe dy persona tjerë. Plumbi i atentatorit kaloi vetëm disa centimetra larg zemrës së presidenti dhe i shkaktoi gjakderdhje të brendshme. Reagan fatmirësisht mbeti gjallë dhe pas rikuperimit tha se e fal Hinckleyn.

Për shkak të problemeve mentale, Hinckley u lirua nga akuza për vrasje dhe pas shërimit të gjatë psikiatrik u kthye në shoqëri dhe sot jeton në shtëpi me nënën e tij. Në spitalin shtetëror në Uashington qëndroi për 35 vjet.

John Hinckley Jr sot ka 62 vjeç dhe nuk është i rrezikshëm për  shoqërinë.

Ai duhet t’iu përmbahet kushteve:  Nuk guxon të flasë për media, duhet të punojë tri ditë në javë, nuk guxon të largohet më shumë se 48 kilometra nga shtëpia e nënës së tij dhe 80 km nëse është i shoqëruar nga dy persona, dhe dy herë në muaj duhet të vizitojë psikiatrin. Ronald Reagan ndërroi jetë në vitin 2004, në moshën 93-vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat