Kongresi Shqiptar i Elbasanit – Letra e Mit’hat Frashërit dërguar drejtorit të “Journal de Salonique” (5 shator 1909) - Bota Sot
Kongresi Shqiptar i Elbasanit – Letra e Mit’hat Frashërit dërguar drejtorit të “Journal de Salonique” (5 shator 1909)

Historia

Kongresi Shqiptar i Elbasanit – Letra e Mit’hat Frashërit dërguar drejtorit të “Journal de Salonique” (5 shator 1909)

Nga: Aurenc Bebja Më: 1 mars 2018 Në ora: 13:17
Shkrimi

“Journal de Salonique” ka botuar, të enjten e 9 shtatorit 1909, në ballinë, letrën e Mit’hat Frashërit, Nënkryetar i Kongresit gjuhësor shqiptar të Elbasanit, përmbajtjen e të cilës, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Gjatë mëngjesit të sotëm morëm shënimet e para mbi Kongresin Shqiptar të Elbasanit, që i nderuari Mit’hat Bej, Drejtor i Çështjeve Politike, premtoi të shkruante për lexuesit e Journal de Salonique.

Lajmëtari ynë i shtrenjtë na premton gjithashtu dërgimin e përshtypjeve të udhëtimit që ne do të jemi shumë të lumtur t’i botojmë. Ne i shprehim atij mirënjohjen tonë. Kjo është letra e parë e Mit’hat Beut.

“Elbasan, 5 shtator 1909

I dashur Drejtor,

Unë ju premtova se do të ju dërgoi disa shënime në lidhje me Kongresin gjuhësor që shqiptarët po mbajnë aktualisht këtu. Delegatët kanë filluar të arrijnë prej dhjetë ditësh. Pasi u ndalova disa ditë në Janinë, unë arrita në Elbasan një ditë para hapjes së Kongresit.

Kongresi u hap të premten në prani të delegatëve të cilët vinin nga 27 qytete të Shqipërisë veriore dhe jugore. Seanca e parë u hap nën kryesinë e anëtarit më të moshuar. Pas një ceremonie hyjnore, zgjodhëm kryesinë dhe kolegët e mi më nderuan duke më besuar postin e nënkryetarit.

Ju thashë tashmë se Kongresi ynë është thjesht gjuhësor dhe se ne nuk merremi me politikë. Edukim, shkolla, këto janë dy nenet e vetme të programit të seancave tona. Debatet do të kufizohen në këto dy pyetje.

Për të pasur shkolla, duhet që të kemi mësues. Ku t’i gjejmë ? Duke punuar për të ardhmen, ne kemi menduar se gjëja e parë që duhet të bëjmë është formimi i mësuesve. Njëzëri, Kongresi vendosi të krijojë një shkollë normale për të “furnizuar” shkollat fillore.

Falë të diplomuarve që kjo shkollë do të mundësojë gradualisht, numri i shkollave fillore do të rritet. Që të jemi në gjendje të krijojmë edhe në zonat më të largëta e të vogla, do të bëhen më vonë përpjekje për krijimin e një shkolle të dytë normale.

Cili qytet ishte më i përshtatur për të krijuar Normalen e parë ? Një debat i gjatë u zhvillua për këtë çështje. Kongresi, pasi shqyrtoi qendrat e ndryshme shqiptare, u shpreh në favor të Elbasanit, qytet me një popullsi prej 15.000 banorësh, qendër e rëndësishme tregtare dhe vend i qetë.

Seancat e Kongresit do të zgjasin ndoshta deri nga data dhjetë e këtij muaji. Unë do të ju njoftoj për vendimet më të rëndësishme, të cilave do t’u shtoi disa përshtypje nga udhëtimi.”

Mit’hati

(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania): https://www.darsiani.com/la-gazette/kongresi-shqiptar-i-elbasanit-letra-e-mithat-frasherit-derguar-drejtorit-te-journal-de-salonique-5-shator-1909/.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test