Despotati i Artës dhe Janina, “molla e sherrit” mes Gjin Bue Shpatës dhe Krajlit të Serbisë

Historia

Despotati i Artës dhe Janina, “molla e sherrit” mes Gjin Bue Shpatës dhe Krajlit të Serbisë

Nga: Anisa Demiraj Më: 2 mars 2018 Në ora: 19:25
Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij

Historia jonë është e shkruar e zezë mbi të bardhë dhe gjurmët na vijnë deri sot, ndoshta pak të zbehta, por akoma të dukshme. Nëse flasim për fillimet e shtetit të Arbrit, kemi shumë të thëna e të pathëna që presin të dalin në dritë, por dot do të përqendrohemi tek forca e një pjese të Arbërisë, Arbërisë së Poshtme ose e quajtur ndryshe Epirit. Zotërit e Epirit ishin bujarët që deri në fund të jetës luftuan me mish e me shpirt për trojet  që iu përkisnin me të drejtë. Por çfarë ka ndodhur dhe si erdhi deri aty sa u ngrit një vllazëri për mbrojtjen e këtyre trojeve?

Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht në viset e saj perëndimore.

“Traktati i ndarjes së tokave”, i nënshkruar nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut. Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të tyre të quajtur “dukati i Durrësit”.

Por në jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë (Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga Konstandinopoja.

Në këtë mënyrë, menjëherë pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë, Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur. Dokumentet e kohës e quajnë këtë “Despotat i Artës”, sipas kryeqendrës së tij. Në historiografi është bërë zakon të quhet “Despotat i Epirit”. Gjatë historisë së tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij.

Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri, nga gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës, Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi.

Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë, që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.

Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan me statusin e sundimtarit të një province.

Ata e mbanin veten për trashëgimtarë të ligjshëm të fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar kryqtarët nga vendet bizantine.

Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216) ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën frënge të Akesë. Me t’u krijuar një gjendje e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione, iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.

Por historia vazhdon dhe kalon një pjesë shumë të rëndësishme, e cila do të pëprcaktonte më vonë edhe fatin e vetë Epirit dhe tërësisë së tij.

Pas përmbysjes së Perandorisë Serbe, në krahinat e Epirit vazhdoi të qëndronte si sundimtar Simeon Uroshi, vëllai i car Stefan Dushanit, por ky e humbi shpejt kontrollin mbi krahinat e veta. Feudalët serbë, grekë, arbëreshë e vllehë hynë midis tyre në lufta të ashpra të cilat vazhduan disa dhjetra vjet.

Më 1358 feudalët grekë, të dëbuar nga Epiri gjatë sundimit serb të Stefan Dushanit, nën udhëheqjen e Niqiforit, një pasardhës i despotëve të Epirit, u përpoqën të ripushtonin tokat e humbura. Por ata ndeshën tani jo vetëm në kundërshtimin e Stefan Uroshit, por dhe të arbëreshëve.

“Arbëreshët – shkruan kronisti bizantin i kohës, Kantakuzeni, – qenë kundër Niqiforit -. Niqifori donte përmes rivendosjes me përdhunë, t’i kthente feudet në gjendjen që ishin tetë vjet më parë. Porse plasi shpejt një kryengritje e arbëreshëve. Despoti Niqifor me stratiotët e tij grekë dhe me mercenarë turq, u mund në lumin Aheloos (Aspropotam) prej fisnikëve arbëreshë me ushtritë e tyre që lëviznin shpejt dhe ra i vrarë”.

Kjo fitore në të vërtetë forcoi më tepër feudalët arbëreshë se sundimtarët serbë. Nga radhët e bujarëve shqiptarë u shqua Gjin Bua Shpata, zoti i Angjelokastrës në Etoli. Gjin Bue Shpata duke e ndjerë veten të fortë, u shkëput nga vartësia e sundimtarit serb, Thoma Preljuboviçit, i cili zuri vendin e vjehrrit, Simeon Ureshit, që vdiq.

Në fillim, Thoma Preljuboviçi u mundua t’i zhdukte pabesisht me vrasje feudalët arbëreshë, por nuk ia arriti dot qëllimit. Kjo solli afrimin e Gjin Bue Shpatës me Pjetër Loshën, zotin e Artës, dhe luftën, e tyre të përbashkët kundër sundimtarit serb. Më 1373 Pjetër Losha e rrethoi Janinën, qëndrën e Thoma Preljuboviçit, dhe e rrezikoi aq sa ky, per të shpëtuar, i premtoi Loshës miqësinë, birit të tij vajzën e vet për grua dhe një sasi tokash si prikë.

Një vit më vonë Pjetër Losha vdiq. Gjin Bua Shpata gjeti rast dhe bashkoi zotërimet e veta me ato të Pjetër Loshës. Qëndra e kësaj principate u bë Arta. Më vonë Gjin Bua Shpata zgjeroi sundimin në jug deri në gjirin e Korinthit kurse në veri, deri në Gjirokastër, sundimtari i së cilës. Gjin Zenebishi, u fut nën vartësinë e tij.

Forcimi i Gjin Bua Shpatës solli bashkimin kundër tij të feudalëve serbë e grekë, të cilët me ndihmën e forcave napolitane që ishin vendosur në Epir e sulmuan atë, më 1379, në Artë. Gjini i la ushtritë armike të rrethonin kryeqendrën e tij, kurse ai vetë, me një pjesë të forcave arbëreshe qëndroi jashtë.

Rrethimi vazhdoi gjatë, deri sa Gjin Bua Shpata i theu armiqtë shumë keq përpara Artës. Gjin Bua Shpata e vazhdoi luftën kundët despotit serb të Janinës, Thoma Preljuboviçit, i njohur, për mizoritë që kryente ndaj arbëreshëve me mbiemrin Albanokton (vrasës i shqiptarëve). Thomaj, për të shpëtuar nga sulmet e Gjin Bua Shpatës, i dha këtij motrën e vet për grua. Por kryengritjet dhe sulmet e arbëreshëve vazhduan.

Për t’u mbrojtur nga këto sulme, despoti serb thirri ushtritë turke që kishin arritur në atë kohë deri në Thesali. Sulmet e arbëreshëve u ashpërsuan edhe pas vdekjes së Thoma Preljuboviçit, kundër despotit të ri Esau Buondelmonte, i cili mundi të qëndronte në këmbë vetëm me ndihmën e ushtrive turke.

Fitoret e Despotatit të Artës i forcuan edhe më tepër feudalët arbëreshë. Por zhvillimi i mëtejshëm i këtij despotati, sikurse edhe ai i principatave të tjera, u pengua nga turqit të cilët në këtë kohë kishin pushtuar Maqedoninë e Thesalinë dhe filluan të invadonin territoret e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat