Një historik i shkurtër mbi jetën dhe veprat e Konstandinit të Madh - Bota Sot
Një historik i shkurtër mbi jetën dhe veprat e Konstandinit të Madh

Historia

Një historik i shkurtër mbi jetën dhe veprat e Konstandinit të Madh

Nga: Ilir Culaj Më: 6 mars 2018 Në ora: 17:34
Monumenti i Konstandinit të Madh në York të Anglisë

Gëzohesh kur në raftet e biblotekave të vendeve perëndimore gjen sektorë të veçantë kushtuar Kostandinit të Madh, por mërzitesh kur kujton faktin se në vendin tënd dhe populli prej nga ai e kishte origjinën ka shumë që as nuk e njohin se kush ishte?!

Nuk është aspak e lehtë të shkruash për përsonalite historike të rangut botëror, siç është figura e Konstandinit. Megjithatë, i nxitur nga dy arsye kryesore mora guximin të shkruaj disa rreshta për jetën dhe veprën e tij.

Para pak ditësh përkujtuam ditëlindjen e perandorit Konstandin, i cili lindi me 27 shkurt të vitit 273 në qytetin Naissus (Nishi i sotëm). Prandaj, shënimi i këtij përvjetori ishte arsyeja e parë për publikimin e këtij shkrimi.

Arsyeja e dytë, që është më e rëndësishme se ajo e para, ka të bëjë me brengën që institucionet relevante nuk po bëjnë aq sa duhet në vlerësimin dhe mbrojtjen e figurave që përfaqësojnë identitetin tonë. Jemi dëshmitarë se si fyhen dhe përbuzen figura të rëndësishme të popullit tonë dhe askush nuk merret me këtë çështje. Si pasojë e kësaj neglizhence dhe mos-edukimi adekuat, para disa muajsh kur disa studentë të “Universitetit të Prishtinës – Hasan Prishtina”  u pyetën se kush ishte Hasan Prishtina, shumica prej tyre nuk dinin të jepnin përgjigje. Po sikurse ata studentë t’i pyesim se kush ishte Konstandini i Madh?! Por, mos t’u biem në qafë vetëm studentëve, po të njejtën pyetje mund t’ua bëjmë edhe disa politikanëve e “zyrtarëve të lartë” që po na e “ndërtojnë” shtetin dhe përgjigjet mund t’i marrim me mend. E nëse interesohemi se përse nuk kemi ndonjë monument të Konstandinit në vendin tonë, ndoshta mund të marrim përgjigje që mjaftojnë ato që janë në Serbi dhe vende të tjera të Evropës.

Por, pa merak, nëse ne nuk e njohim e njohin të tjerët, bile tentojnë ta përvetësojnë. Kujtojmë që në qytetin e Nishit, ka monument kushtuar perandorit Konstandin, po ashtu edhe aeroporti i qytetit dhe një klub futbollistik mbajnë emrin e tij. Për më tepër, nëpër mediat serbe ka qarkulluar një informacion që  shteti serb ka dhënë rreth 100 milion euro, në mënyrë që Hollywood, sipas romanit “Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit serb Dejan Stojkoviç, të bëjë një film kushtuar perandorit Konstandin ku ai të paraqitej me origjinë serbe. Ani pse dihet botërisht që sllavët filluan të vendosen në Ballkan prej shekullit të VII. Ndërsa neve na mbetet të shpresojmë që ky lajm të mos jetë i vërtetë dhe me hulumtime serioze të demantojmë synimet e ulëta për përvetësim e figurës së tij. Ashtu siç Frang Bardhi me veprën e tij “Apologjia e Skënderbeut” (1636) e pati shkatërruar autorin boshnjak Ivan Tomko Mrnavi?, kur ai kishte tentuar që Skënderbeun ta paraqiste me origjinë sllave.   

Për fund, para se të kalojmë tek pjesa e një historiku të shkurtër për perandorin Konstandin, të kujtojmë se popujt gjithmonë kërkojnë rrënjët, sepse janë ato që i japin jetë lisit, e një nga rrënjët e popullit tonë është edhe Konstandini i Dardanisë. Por natyrisht, duhet ta kuptojmë faktin që ai nuk mund të përzihet me nacionalizmin dhe periudhën kombëtare shqiptare. Por duke e ditur që ai ishte një ilir i fisit të dardanëve, mendoj që kjo figurë aq e shquar duhet të përkujtohet dhe të gëzoj kujdes e respekt të madh nga shqiptarët, pasardhësit e Ilirëve.   

Një historik i shkurtër mbi jetën dhe veprat e Konstandinit të Madh
 
Konstandini u lind me 27 shkurt mes viteve 272-280 në qytetin Naissus (Nish) të Dardanisë. Viti 273 konsiderohet si viti më i besueshëm i lindjes së tij, të cilin e jep autori francez Robert Turcan dhe gjermani Dietmar Kienast Sipas autorit amerikan Noel Lenski, babai i Konstandinit ishte Falvius Konstandinus, një Ilir i lindur në Dardani i cili shërbente në gardën perandorake të perandorit Mark Aurel. Gjatë viteve 305-306 ai do arrinte të bëhej bashkë-perandor, dhe kësisoj t’ia përgadiste terrenin për fron birit të tij. Nëna e Konstandinit quhej Helena, e cila mendohet se kishte ndikim të madh tek biri i saj.
Konstandini përfitoi nga pushteti i babait të tij për t’u ngritur më vonë si një nga perandorët më të famshëm të P. Romake. Por fillimisht ai mori bazat e edukimit, duke mësuar gjuhët e kohës dhe filozofinë. Natyrisht, duke qenë i vetëdishëm se për të arritur qëllimet e tij duhet të ishte po ashtu një ushtarak i zoti, ai mësoi dhe u trajnua shumë edhe në këtë aspekt.

Në kohën e ngritjes intelektuale dhe ushtarake të Konstandinit, P. Romake e sundonin dy perandorë me origjinë nga Iliria : Diokliciani (245-312, i lindur në Dalmaci)[9] dhe Maksimiani (250-310, i lindur në Panoni)[10]. Me 1 mars 293, perandori Maksimian e caktoi Konstandinin si Cezar të tij dhe i dha pushtet për të kontrolluar shumë provinca.Kjo ngjarje ishte një sinjal i qartë që Konstandini kishte nisur rrugëtimin e tij për t’u bërë perandor. Këtë synim, ai do ta arrinte me 25 korrik të vitit 306, kur edhe u shpall perandor. Por, lufta e tij nuk kishte mbaruar sepse ai nuk ishte perandori i vetëm dhe në të njejtën kohë kishte shumë pretendentë të tjerë që luftonin për të marrë drejtimin e perandorisë.

Pas disa fushatave kundër fiseve gjermanike, gjatë vitit 312 Konstandini u kujdes që të eliminonte rivalët politik që ia rrezikonin pushtetin.[13] Kundërshtari i tij kryesor mbetej Licini, i cili kontrollonte Gadishullin Ilirik dhe disa regjione të tjera. Vetëm një vit më vonë, me Ediktin e Milanos të vitit 313[15], Konstandini do bënte veprimin që ndryshoi rrjedhat e historisë botërore. Ky edikt i dha lirinë e veprimtarisë krishterimit që përndjekej deri në atë kohë.

Viti 314 e gjeti P. Romake ende nën udhëheqjen e Konstandinit dhe Licinit, ky i pari kishte vlerësuar që kishte ardhur koha që të ishte i pari, por edhe i vetmi. Vitet 316-324 u karakterizuan me një rivalitet dhe luftë mes dy perandorëve. Në vitin 316, ai i shkaktoi disfatën e parë Licinit në Panoni, pastaj një tjetër në Thraki. Gjatë viteve 317-324, kohë kur ishte në armëpushim me Licinin, ndërmori fushata të shumta ushtarake në kufinjtë kundër barbarëve, duke ju shkaktuar disfata të shumta Me 18 shtator 324, në betejen e Chrysopolisit, Konstandini ia dha goditjen përfundimtare Licinit dhe u bë perandori i vetëm i Perandorisë më të madhe në botë. Atëherë, qetësisht dhe i pa penguar nga askush tjetër, filloi të merrej me organizimin dhe forcimin e Perandorisë, duke ndërmarrë refoma të shumta administrative, monetare etj.

Image
Një ilustrim i qytetit të Konstandinopojës


Për të definuar organizimin, funksionimin dhe dogmat e krishterimit, në vitin 325 ai thirri Koncilin e Nikesë, ku luajti një rol të rëndësishëm në vendimet që u morën aty. Por, vetëm disa vite më vonë, ai do bënte veprimin e tij të dytë që përbënte një ngjarje të rëndësishme botërore. Me 11 maj te vitit 330 ai themeloi qytetin e Konstadinopojës (Stambolli i sotëm), që u bë qendra kryesore e Perandorisë Romake. [19] Me këtë veprim, ai edhe njëherë e konfirmoi se ishte një lider dhe strateg i madh. Pozita gjeo-strategjike e qytetit ishte jashtëzakonisht e favorshme, e cila lejonte një kontroll më të lehtë të lindjes dhe perëndimit.

Vitet e fundit të jetës, perandori i kaloi duke e konsoliduar pushtetin dhe organizimin e brendshëm të Perandorisë. Po ashtu, u kujdes shumë që t’i mbronte territoret nga dyndjet barbare. 

Me 25 korrik të vitit 336 ai festoi 30 vjetorin e shpalljes perandor[20] dhe një vit më pas, u përgadit për një fushatë të re kundër Persëve, të cilën nuk mundi t’a realizonte sepse u sëmurë në muajin prill, ndërsa vdiç me datë 22 maj të vitit 337.
Pas vdekjes së Konstandinit të Madh, drejtimin e perandorisë e morën djemtë e tij : Konstandini II (337-340) , Konstansi I (337-350) dhe Konstandiusi II (337-361).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test