Xhevdet Hoxha - kryetar i rrethit Tropojë: O sot, o kurrë për Kosovën - Bota Sot
Xhevdet Hoxha - kryetar i rrethit Tropojë: O sot, o kurrë për Kosovën

Historia

E hënë, 22 tetor 2018

Xhevdet Hoxha - kryetar i rrethit Tropojë: O sot, o kurrë për Kosovën

Nga: Rexhep Shahu Më: 3 qershor 2018 Në ora: 21:56
Foto arkiv gjatë luftes

Kryetarin e Këshillit të Rrethit të Tropojës, Xhevdet Hoxhën e njoha si njeri mjaft i informuar për çfarë po ndodhte dhe të angazhuar për zgjidhjen e problemeve të transportit dhe strehimit të të ardhurve nga Kosova. Ishte kooperues me organizatat e huaja dhe kompetent në diskutimet që bënte në mbledhjet e shtabit të emergjencës. 

E kam takuar edhe herë të tjera më vonë, gjithmonë njeri serioz, i aftë, kopetent që të ngjall besim. Xhevdet Hoxha ishte një pushtetar i ri shumë idealist dhe ngjallte respekt e besim.

- Z. kryetar, një fluks i madh të ardhurish nga Kosova në këtë javë të parë të qershorit gjendën në Tropojë.

- Me shtimin e numrit të shqiptarëve të Kosovës që vijnë në drejtim të Tropojës, situata është mjaft problematike. Spastrimi etnik i Kosovës është qëllimi të cilit Serbia po i sherbën tash sa kohë. Vëllezërit tanë të Kosovës i gjetën dyert e hapura në Malsinë e Gjakovës. Gjej rastin dhe i falenderoj gjithë malsorët e Tropojës, për mikpritjën që treguan për vëllezrit tanë të anës tjeter të kufirit. Për gadishmërinë që treguan për t'i sistemuar ato në banesat ku jetojnë vetë, për atë që ndanë edhe kafshatën e bukës me ta, që i ndihmuan për të lehtësuar sado pak dhimbjet e tyre të shkaktuara nga lufta që po zhvillohet në Kosove, nga vrasjet e shumta të më të dashurve të tyre, nga represioni që ka ushtruar vazhdimisht Millosheviçi mbi popullsinë etnike shqiptare të Kosovës.

- Z. Kryetar, këtu po shpërndahën ndihma, por a janë të mjaftueshme që kanë ardhë deri tani  për të plotesuar nevojat më emërgjente të fillimit ?

- Nga organizmat nderkombëtare, paraprakisht, na është premtuar shumë. Por në fillim të kësaj levizje, ndihma që na është ofruar ka qënë e pamjaftueshme për t’i pritur këto qytetarë, e për t’i strehuar. Kohët e fundit kanë filluar të vijnë ndihma nga shoqatat jo qeveritare, nga rezerva shtetërore, nga Radio Kontakti, por nuk janë të mjaftueshme për të përballur nevojat që kanë të ardhurit, si për ushqime, medikamente.

- Ç’farë mund të thonit për njerëzit në Kosovë, që t'u lehtësohet dhimbja për ata që kanë mbërritë në rrethin e Tropojës?

- Do t’ju thoja vëllezërve tanë që janë në anën tjetër të kufirit, pra në Kosovë, që për qytetarët që kanë ardhë në Tropojë të mos shqetësohen.  Ato po pritën e po përcillen dhe po ju plotësohen ato kushte që kemi ne edhe për femijët dhe për njerzit tanë. Dyert e familjeve tropojane kanë qenë të hapura për ta. Por duhet t’ju kujtoj dhe t'ju bëj thirje atyre që janë në Kosovë se duhet të insistojnë maksimalisht që mos i lëshojnë trojet etnike. Të bëjnë çmos që mos t’i lëshojnë hapsirë Millosheviçit për të bërë spastrimin etnik të Kosovës. Gjej rastin t‘ju bëj thirrje edhe bashkëkombasve tanë kudo që ndodhën në diasporë, që, o sot o kurrë, të japin ndihmën e tyre të gjithanshme. Sot ka shumë nevojë popullsia shqiptare. O sot o kurrë për çeshtjën kombëtare shqiptare, për këtë çeshtje të pazgjidhur ende. Për çeshtjen tonë që sot ka dalë më në pah ndoshta se kurrë më parë. Kërkohet me insistim një përgatitje e gjithanshme, një koordinim me të gjitha organizmat ndërkombëtare, një koordinim i të gjitha forcave dhe faktorëve shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës. Me qëllim që njëherë e mirë të marrë udhë e zgjidhje çeshtja e pazgjidhur shqiptare. Që shqiptarët të jenë të lirë dhe ta gëzojnë hapsirën e tyre etnike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test