Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e krijoi Abedin Dino i Çamërisë - Bota Sot
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e krijoi Abedin Dino i Çamërisë

Historia

E mërkurë, 17 tetor 2018

Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e krijoi Abedin Dino i Çamërisë

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 16:10
Abedin Dino

Abdyl Frashëri ndoqi këshillën e Abedin Dinos nga Preveza, një njohës i mirë i politikave të Perandorisë Osmane.

Nga Arben Llalla

U mbushën 140 vite nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, ku burrat e kombit shqiptar u mblodhën në këtë Lidhje për të marrë vendime të rëndësishme në mbrojtje të trojeve shqiptare. Shkak për krijimin e Lidhjes së Prizrenit u bënë vendimet e Konferencës së Berlinit, ku fuqitë e mëdha të atyre kohëve vendosën që trojet shqiptare të ndaheshim midisGreqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në të vërtetë arkitekti i Lidhjes së Prizrenit është Abedin Dino nga Preveza, një njohës i mirë i politikave të perandorisë Osmane. Ai e këshilloi Abdyl Frashërin për themelimin e Lidhjes dhe ky i fundit ndoqi fjalën e Abedin Dinos.

I këtij mendimi është edhe historiani i njohur Paulin Z. Zefi, i cili shkruan:

“Historiografia shqiptare e përmend rëndom emrin e arkitektit të vërtetë të këtij “Kuvendi Kombëtar”, por ende më keq, duke mos i njohur atributet që i takojnë me shumë të drejtë këtij shqiptari të madh nga treva e bukur e Çamërisë tonë martire. Arkitekti i vërtetë dhe iniciatori i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nuk ishte patrioti Abdyl Frashëri, (deputet i Mizhlisit), por ai u zgjodh si i tillë, pasi ishte thjesht zbatuesi më i denjë i direktivave që mori pikërisht nga; ministri i Jashtëm i Perandorisë Osmane, shqiptari nga Preveza e Çamërisë, patrioti dhe intelektuali i shquar me përmasa europiane, Abedin Pashë Dino (1843-1906), i cili u lind në Prevezë. Abedin Pashë Dino, si njohës shumë i mirë i politikës së jashtme europiane të kohës, e cila bazohej mbi parimin e “vetëvendosjes së popujve”, ju përvesh punës ku nëpërmjet krijimit të kësaj Lidhje Kombëtare, e cila do të sillte edhe njohjen e Çështjes Shqiptare në arenën ndërkombëtare duke luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e tërësisë territoriale të katër vilajeteve shqiptare që në rrethanat e krijuara po shërbenin si plaçkë tregu në pazarin e pisët ndërmjet fuqive të mëdha, popujve shovinistë sllavo-grekë dhe Perandorisë Osmane, e cila duke qenë në grahmat e saj të fundit po dhuronte tokat shqiptare gjatë kësaj tentative të dëshpëruar për të shpëtuar zemrën e këtij shteti despotik të kalbur që nga themelet. Lavdi patriotit Abedin Pashë Dino!”

Duke patur parasysh faktin që Konferenca e Berlinit i nisi punimet më 13 qershor 1878, ndërsa Lidhja më 10 qershor, atëherë logjika e thjeshtë na shpie se përfaqësuesit shqiptarë në Lidhje kishin informacione për vendimet e Konferencës së Berlinit. Por, kush mund të kishte informacione më të sakta për këtë Konferencë? Kuptohet që ai ishte Abedin Dino, i cili qe njeri i afërt dhe i besueshëm në administratën e ngushtë të Sulltanit.

Kur u themelua dega e Lidhjes së Prizreni për të mbrojtur trojet shqiptare të Jugut që u quajt Lidhja e Jugut, Çamëria u zotua se do ofrojë 10 mijë burra me armë, nëse ka nevojë. Një shifër e madhe kjo, nëse bëjmë krahasimet me trevat e tjera shqiptare.

Baza e fundit e Lidhjes së Prizrenit që ra ishte ajo e Prevezës, ku Valiu i Janinës, Asim Pasha thirri për bisedime disa krerë të Lidhjes midis tyre Sulejman Bej Dinon nga Margëlliçi, Mustafa Beun nga Janina e Qazim Bej Preveza, e të tjerë në maj të vitit 1881 dhe i arrestoi me pabesi duke i internuar në Çanak-Kala në Dardanele deri në vitin 1883.

Pra, përse mbahen të fshehta këto fakte dhe shumë fakte të tjera për krenarinë e bijve të Çamërisë? Vallë rastësi? Jo, s’ka rastësi, dua të na zhdukin çdo kujtesë krenarie të Çamërisë dhe bijve të saj që nga koha e lashtë e deri më sot, sepse shqiptarët janë trashëgimtarët e vërtetë të Pirros, Aleksandrit, pasi nëna e tij ishte epirotase, rrjedhimisht çame.

Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, nuk mund të zhbëhet, por do dalë në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për të na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

 
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test