Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta - Bota Sot
Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta

Historia

E martë, 13 nëntor 2018

Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta

Nga: Reshat Kripa Më: 1 tetor 2018 Në ora: 22:42
Drita Pelingu

Drita Pelingu, një emër i paharruar për ne. U mbushën pesë vjet që ti je ndarë, motra ime. Ti ike, ike në mes të duartrokitjeve të qindra admiruesve të tu. Ike kur e kishe plotesuar detyrën tënde të një artisteje të madhe të skenës. Ti ike por unë, vëllai yt  i vogël, (eh çfarë them edhe unë, vëllai yt i vogël që po arrin të tetëdhjetretat), dua të shkruaj dy fjalë për ty, për kujtimet e mia. Për ty unë isha gjithmonë  një vëlla i vogël, sikur të isha ende një fëmijë dhe, me të vërtetë, unë mbeta një fëmijë përpara figurës tënde të ndritur.

Duartrokitjet që të përcollën për në banesën e fundit më sillinin para syve ato që  ushtonin në skenat shqiptare kur interpretoje rolet e Irës, Klariçes, Luiza Milerit, Gertrudës, Kornelias, Budes, Mukadesit, Hallës dhe mbi të gjitha atë të Zojcikës rol që e kishe mbi gjithë të tjerët. Këto duartrokitje ishin shpërblimi që admiruesit e tu të shumtë të jepnin në çastin e përcjelljes tënde për në mbretërinë e përjetëshme.

Në çastin e duartrokitjeve të admiruesve para syve më dilte jeta ime. Më dilnin ato vite të fëminisë sime të herëshme kur ti, ende e re, deklamoje para nesh skena nga dramaturgjia botërore. Ati ynë, kur të dëgjonte, thoshte se ti do të bëheshe një njeri i madh dhe, me të vërtetë, ti u bëre e madhe. 

U linde më 4 dhjetor 1926 në Vlorë. Shkollën fillores  e kreve në shkollën italiane në qytetin e lindjes. Si të gjithë motrat dhe vëllezërit ishe një nxënëse e nivelit të lartë. Për këtë arsye, me mbarimin e shkollës fillore, Gagaj, siç i thërrisnim ne babait tonë, të dërgoi në shkollën normale “ Nana Mbretëreshë “ në Tiranë, të cilën e përfundove në vitin 1944. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, u aktivizove në mitingjet antifashiste që organizoheshin në Tiranë apo në demostratat që zhvilloheshin në qytet. Për njerën nga këto i shkruaje edhe Likës, motrës tonë të madhe, gjë që u bë shkak që ajo të arrestohej dhe të mbahej për tre ditë në burg. Ishte ndërhyrja e gjyshit tonë, një burrë me influencë në qytetin e Vlorës, që bëri të mundur lirimin e saj.

Me mbarimin e luftës fillove të aktivizoheshe fillimisht me grupet amatore të teatrit të kryeqytetit.. Kishe një pasion të veçantë për këtë art. Por këtu ndeshe në rezistencën e familjes. Gagaj, i shtyrë nga mentaliteti që sundonte në atë kohë për teatrin, nuk donte të të lejonte. Por këmbëngulja jote bëri që të mos hiqje dorë nga ky pasion. Në janarin e vitit 1945 fillove studimet në shkollën e dramës për aktrim dhe regjizurë, të cilën e mbarove me sukses. Në fillim të vitit 1946 emërohe aktore profesioniste e Teatrit Popullor në Tiranë
Para syve më del roli yt i parë, ai i Irës në dramën “ Portreti “ të një autori sovjetik. Ira ishte një piktore e re me shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo pikturonte portretin e kunatës por, pasi e punonte, e griste dhe e ripunonte prapë, sepse nuk gjente frymëzimin e duhur për të paraqitur në pikturë karakterisrikat që kishte ajo femër.  Pas këtij roli vazhduan edhe shumë të tjerë, shumica e të cilëve kryesorë si në dramat “Diku në Moskë“, “Gratë gazmore të Uindsorit“, “Mbreti Lir“, “Hamleti“, “Otello“, “Intrigë e dashuri“, “Qeni i kopshtarit“, “Një letër e humbur“, “Arturo Ui“, “Djali plangprishës“, “Rouz” e të tjera. Po ashtu edhe debutimi yt me sukses në shumë drama  shqiptare  që nga  “Halili dhe Hajria“,  “Kur  hidheshin  themelet“, “Profesioni më i vjetër“,  “Streha e të harruarve“ dhe për të përfunduar me “Përjetësisht dashuria”, shkruar enkas për ty dhe vënë në skenë nga regjizori Mihal Luarasi.  

Një kontribut të shquar ti ke dhënë edhe në fushën e regjizurës. Nuk mund të harrohen drama të njohura si “Kënga e mjellmës“, “Kush e solli Doruntinën“, “Hijet“, “Shumë zhurmë për asgjë“, “Korrupsion në pallatin e drejtësisë“. Po ashtu ke vënë në skenë edhe çfaqje teatrale në Shkup dhe në Vlorë. Nuk mund të harrohen interpretimet e tua në filmat “Kur hidheshin themelet“, “Njeriu me top“, “Vajzat me kordele të kuqe“, “Radiostacioni“, “Përtej mureve të gurta“, “Fjalë pa fund“, “Shpresa“ e të tjera. Gjatë karrierës tënde ke punuar me regjizorë të njohur si Pandi Stillu, Sokrat Miho, Esat Oktrova, Piro Mani, Mihal Luarasi apo regjizori i niohur sovjetik Kriçko. Prej më se 20 vjetësh ke qenë pedagoge në Akademinë të Lartë të Arteve. Nga duart e tua kanë dalë një sërë aktorësh të rinj që tashmë janë të afirmuar në skenën shqiptare. Të tillë janë Timo Flloko, Ema Andrea, Hervin Çuli e të tjerë. Të gjitha këto nuk janë pak për të treguar madhështinë e figurës tënde.
Por le të kthehemi tani në marëdhëniet tona familjare. Para syve më dalin ato vite të turbullta, kur unë zgjodha rrugën nëpër gërxhe e shkrepa dhe kur ti ishe gjithmonë pranë meje për te më kthyer përsëri në gjirin e familjes, për të më kthyer përsëri në jetë. Ti nuk kishe mundësi të vije të më takoje, pasi ashtu ishin konditat e kohës, por ti ishe gjithmonë pranë meje. Unë e ndieja praninë tënde. Ishin kohë të vështira. Familja jonë jetonte në kondita të një mbijetese të tmershme. Por mua nuk më mungonte asgjë dhe kjo në saj tënden. Nuk mund t’i harroj kurrë pakot që më dërgoje me prindërit tanë ku në secilën prej tyre do të gjeja shënimin: “vëllait tim të vogël që e dua shumë”.

Vitet rrodhën. Po afrohej koha që të kthehesha në gjirin e familjes. Në një pako që ti kishe dërguar ishte një kostum krejt i ri. Doje që unë të kthehesha si një dhëndër. Në xhepin e xhaketës një fotografi të një fëmije që nuk ishte më shumë se tre vjeç. Nga pas saj një shënim: 

”Po të dërgoj fotografinë e Orës, si top llastiku, që sa herë të të marrë malli ta puthësh e përqafosh”. 
Ishte fotografia e mbesës  time të bukur. Kur e pashë, për herë të parë, më rrodhën disa pika lot nga sytë.
Erdhi, më në fund, dita që do të kthehesha në gjirin e familjes. Isha shumë larg qytetit të lindjes. Nuk mundesha të kthehesha brenda ditës atje. Ku të shkoja? Direkt nga skëtera erdha tek ti. Në hyrje të shtëpisë pashë të nderuarin doktor Kërçikun, në shtëpinë e të cilit banoje, që zbriste shkallët së bashku me zonjën e tij të nderuar.

Më vështroi me habi dhe më pyeti:

Ku shkoni?
Te motra, Drita – iu përgjigja.
Një shkëndijë shkrepi në sytë e doktorit
Drita, Drita. – thërriti dhe u kthye mbrapa – sihariq, sihariq. 
Ti  dole  nga  dhoma  e  habitur  dhe   më  vështrove.  Fillimisht  nuk   më   njohe. Kishim 
pesë vjet pa u parë. Por, kur më pe të veshur me kostumin që më kishe dërguar, lëshove një klithmë dhe më rrëmbeve në krahët e tu duke derdhur lot të nxehtë. Edhe mua më shpëtuan lotët. Atë çast nuk do ta harroj kurrë deri sa të mbyll sytë.

Po si munde t’i bëje gjithë këto për një vëlla rebel që ishte ngritur  kundra  sistemit  në  të cilin jetohej? Sepse në krah kishe një bashkëshort ideal, një luftëtar të vërtetë të lirisë  që kurrë nuk i braktisi parimet fisnike për një Shqipëri demokratike. Ishte pikërisht ky fisnik i rrallë që, megjithë shtrëngesat e kohës së errët, gjente rrugët e duhura për të jetuar pa u përlyer nga intrigat e pështira të kohës. Ai i përkiste atyre burrave që nuk të ndërhyri kurrë në marrëdhëniet e tua familjare, sido që të ishin ato dhe që nuk druhesh të vinte në familjen tonë në një kohë kur atë sistemi e kishte mbuluar me njolla të errëta dhe shumëkush nuk guxonte.

Por ti vuaje, e dashur motër. Vuaje ti, por vuanim edhe ne, pasi ishim pikërisht ne shkaku i vuajtjeve të tua. Ti asnjëherë nuk e shfaqe këtë hidhërim. Duhesh të kalonin dyzet vjet, deri sa të vinte viti 1987 kur shteti shqiptar do të kujtohesh të të jepte titullin “Artiste e Merituar”. Megjithatë unë i falënderoj ata që u bënë shkak që ti të merrje atë titull. Nuk e di se kush janë por, sidoqoftë, i falënderoj. Falënderoj gjithashtu Shoqatën “Ismail Qemali” për titullin me të njejtin emër që të akordoj në vitin 1996, Presidentin Mejdani për titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”, Presidentin Topi për titullin “Nderi i Kombit” dhe Bashkinë e Vlorës për titullin “ Nderi i Qytetit”. Një falënderim të veçantë i drejtoj Bordit Drejtues të Institutit Amerikan  të Biografive për zgjedhjen emrit tënd ndërmjet pesëqind personaliteteve më në zë të botës. Thellësisht faleminderit të gjithëve!
Ti motër, megjithë fatkeqësitë që të ranë përsipër vitet e fundit, nuk u theve asnjë herë. Kishe një ëndërr. Doje t’i jepje fund jetës në skenë dhe ashtu ndodhi. Ti i dhe fund duke interpretuar “Përjetësisht dashuria”, Ishte drama e fundit që interpretove, vetëm disa muaj para se të shuhesh jeta jote.

Ti ike motër, ike nëpërmjet duartrokitjeve. Në homazhet e tua morën pjesë gjithë qytetarët e vendit tënd, pa marrë parasysh nëse ishin të djathtë apo të majtë. Morën pjesë funksionarë të atyre që ishin në opozitë, por morën pjesë gjithashtu edhe të atyre që ishin në pushtet. Kjo sepse ti u përkisje të gjithëve. Sepse ti ëndërroje për një Shqipëri me të vërtetë demokratike ku njeriu të ishte mik me njeriun. A do të bëhet ndonjë herë Shqipëria e tillë? Sa do të dëshiroja! Por, a do të vijë ajo ditë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kush të mundet le të përgjigjet

I paharruar do të mbetet në zemrat tona kujtimi yt!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test