Mbreti Zog në Paris në gusht të vitit 1939

Historia

Mbreti Zog në Paris në gusht të vitit 1939

Më: 21 tetor 2018 Në ora: 19:30
Mbreti Zog

Nga Ilir Ikonomi

Kjo video e shkurtër tregon mbretin Zog duke vendosur një kurorë në varrin e Ushtarit të Panjohur nën Harkun e Triumfit në Paris. Data është 21 gusht, 1939.

Videoja është pjesë e dokumentarëve të lajmeve që shfaqeshin në kinematë franceze të kohës dhe deri dje ishte e mbuluar nga pluhuri i historisë.

Zogu arriti në Francë në fillim të gushtit 1939, pas një udhëtimi të gjatë, së pari në Greqi, pastaj në Turqi, Rumani, Poloni, Letoni, Suedi, Norvegji dhe Belgjikë.

Ai u vendos në Chateau de la Maye të Versajës me Mbretëreshën Geraldine, djalin disamuajsh Leka I dhe suitën e tyre.

Një turmë kurreshtarësh është mbledhur pranë Harkut të Triumfit për të parë mbretin shqiptar, largimi i të cilit nga Shqipëria disa muaj më parë kishte bërë bujë në shtypin europian.

Më 7 prill 1939, Shqipëria e Zogut ishte pushtuar nga Italia e Benito Mussolinit me një akt prej gangsteri dhe Europës po i hynin të dridhurat.

Në një plan më personal, Mbreti Zog ishte martuar vetëm një vit më parë me hungarezen Geraldine dhe bebja e çiftit mbretëror shqiptar ishte vetëm dy ditëshe kur ndodhi pushtimi.

Zogu nuk qëndroi shumë në Paris, sepse më 10 maj 1940 Hitleri sulmoi Francën dhe e pushtoi brenda 6 javësh. Familja mbretërore u detyrua të mërgojë në Angli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat