Gëziqi në vitet e luftës nacional-çlirimtare

Historia

Gëziqi në vitet e luftës nacional-çlirimtare

Nga: Gjon Marku Më: 26 tetor 2018 Në ora: 22:00
Gëziqi i Mirditës

Mirditën, 7 Prilli 1939 e gjeti si një nga trevat me nivel të ulët jetese. Banesat prej dërrase, një pjesë e vogël prej muri guri, ishin të papërshtatshme për banim. Një trevë  ku për ndihmë shëndetësore as që bëhej fjalë. Mungesa e mjekut dhe e barnave, - thuhet nëpër relacionet e kohës, - i kanë dhënë shkak përhapjes së sëmundjeve të ndryshme dhe përgjithësisht në këtë drejtim popullsia gjendej në mëshirë të fatit.1

 ....Prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale janë mjaft të ulta dhe në përgjithësi të pamjaftueshme për të jetuar. Ngastrat e tokave bujqësore janë të vogla, të pasistemuara, në jo pak raste pa ujë për vaditje. Mjetet e punës dhe metodat e kultivimit të tokës krejt primitive.

Parmenda e drurit ishte mjeti kryesor i punimit të tokës bujqësore dhe rendimentet e kulturave ishin shumë të ulta.2 Në një kohë që bujqësia përbënte degën kryesore të ekonomisë fshatare mirditorët bridhnin Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Prizrenit për të siguruar bukën e fëmijëve. Këtë gjendje të ekonomisë në trevën tonë e paraqesin edhe relacionet e Prefekturës së Shkodrës drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme ku në mes të tjerash thuhet: Popullsia e shumë viseve të qarkut të kësaj prefekture vuajnë për kafshatën e bukës dhe kanë mbetur pa asnjë mjet gjallnimi.3

Mungesa e bukës vështirësonte gjithnjë e më tepër jetesën në Mirditë, aq më tepër në kushtet kur lufta kishte nisur dhe çmimi i tregut të misrit ishte ngritur.

Kjo prapambetje ekonomike disi e trashëguar shoqërohej edhe me një prapambetje kulturore.

Gëziqi si hallkë e rëndësishme me pozicionin e tij strategjik

Mirdita në përgjithësi dhe Gëziqi në veçanti ishin urat lidhëse në linjën rrugore që vinte nga Tirana në Milot-Rreshen Gëziq-Shpal për të vijuar drejt Kosovës. Kjo rrugë kishte rëndësi të veçantë strategjike për vetë faktin se nëpërmjet saj armiku furnizohej dhe tërhiqej dhe më e rëndësishmja sigurohej një lidhje e ndërlidhje e forcave armike, si njëra nga rrugët kryesore lëvizëse nga Jugu në drejtim të Veriut të Shqipërisë.

Vetë pozicioni strategjik i Mirditës paraqiste interes për të dy palët ndërluftuese. Këtë gjë e dëshmon më së miri urdhëri i Shtabit operativ të divizionit II të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ku në mes të tjerash thuhet: ...Duhet të keni kujdes se Shpali përbën një objekt me rëndësi politiko ushtarake, dhe këtej do të varen të gjitha veprimet e ardhëshme.4

Nga ana tjetër komanda e Korpusit XXI gjerman pas humbjeve të njëpasnjëshme vendos që operacionet do t’i vazhdojë nga grupi i përqëndruar në Rreshen dhe nga grupi tjetër i përqëndruar në Veri të Mirditës.5

Por le të shohim më konkretisht ngjarjen më të rëndësishme të kësaj periudhe në Mirditë, Luftën e Gëziqit.

Pas urdhërit të shtabit të përgjithshëm të U.N.Ç.SH forcat kalojnë Shkumbinin në drejtim të veriut të Shqipërisë. Korpormata i urdhëronte të goditeshin menjëherë forcat armike në Mirditë dhe të arriheshin këto objektiva. Të  rrethohej dhe të asgjësohej baza dhe shtabi i armikut, të çlirohej dhe të vendosej pushteti N.Ç, të mobilizohej populli në rreshtat e ushtrisë.6

Brigadat e divizionit II sulmues do të kryenin luftimet në Mirditë e në Pukë kundër forcave gjermane të vendosura në këto zona dhe përforcimeve që mund të vinin.

Në Mirditë pushtuesit për të mbajtur nën kontroll rrugën Milot-Rrëshen-Shpal-Fushë-Arrëz kishin dislokuar një batalion të divizionit 297 i cili ishte vendosur me forcat e veta në Rrëshen tek Ura e Fanit dhe në Shpal.7

Detyra kryesore ishte të mbanin të çelur këtë rrugë për ta përdorur si rezervë në tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria në drejtim të Kukësit e Prizrenit.

Në gjysmën e parë të tetorit brigadat VI, VII, XXII manovruan brenda zonës së mësymjes për tu rreshtuar në pozicionet përballë dhe gjatë rrugës Rubik-Ura e Fanit-Gëziq-Shpal-Pukë. Ndërkohë nazistët gjermanë dërguan përforcime të shumta në këtë zonë kryesisht në Gëziq dhe në Shpal.8

Brigada VI, pasi çliroi Fanin duke dalë në krahë dhe në shpinë të armikut mbrojti krahët dhe shpinën e forcave të tjera të divizionit II. Me 19 Tetor ato qenë përballë Shpalit të gatshëm për sulm.

Brigada VII del në anën e djathtë të Fanit të Madh në rajonin e Gëziqit e Simonit duke u shtrirë në veri në drejtim të Gjegjanit dhe para fillimit të sulmit, partizanët gjendeshin të vendosur në Gëziq, Kushnen, Kaçinar, Rreshen, Kodër e Buklit.

Me datë 18 Tetor, në vijën e sulmit mbi Shpal arrijnë forcat e brigadës XXII, të cilat vihen në vijën e sulmit Bukël-Kullagji-Letaj-Kamec e në Orosh.

Mbi Shpal u ngarkuan të sulmonin katër batalione; dy batalione të brigadës VI (i pari dhe i pesti) në veri. Batalioni i dytë: Gëziq-Shpal.

Gëziqi në datat 20-26 tetor 1944

Me datë 20 tetor pas një lufte pesë orëshe, partizanët e divizionit të dytë sulmues çliruan Shpalin.9

Forcat gjermane të nisura nga Miloti në drejtim të Shpalit nuk kishin arritur, sepse në Gëziq ishin penguar nga forcat e brigadës VII sulmuese. Në Gëziq autokolona gjermane u sulmua dhe u ndal nga forcat e batalionit të parë të brigadës VII.

Dy kompani të batalionit të tretë që ndodheshin matanë lumit Fanë pasi kaluan, duke u mbajtur në litar, u hodhën menjëherë në sulm mbi armikun dhe e vunë atë në një rreth të plotë. Ata  vepruan së bashku me forcat e brigadës VII e XXII.

Në këto luftime të brigadës së VII ranë në vijën e luftës tre partizanë dhe u plagosën 12 të tjerë.

Në mëngjesin e ditës 21 tetor batalioni i parë dhe i tretë morën urdhër që atë ditë të sulmonin fuqishëm gjermanët tek Ura e Fanit. Në orët e mëngjesit në Qelën e Kishës së Gëziqit po zhvillonte mbledhjen shtabi i batalionit të parë. Artileria gjermane filloi të rrahë me gjyle artilerie Gëziqin,10 i cili po kthehej në shesh lufte.

Në kodrat e Ndërfanës sulmet gjermane qenë edhe më të ashpra, pasi armiku donte me çdo kusht të çante rrethimin e të dilte në shpinë të forcave partizane. Në luftë e sipër vritet partizania Firdete Beqiri. Lufta ishte shumë e ashpër. Po atë ditë në luftimet që arritën kulmin bien në fushën e betejës zv/komandanti i kompanisë së tretë Naim Guri dhe pak më vonë edhe komandanti i kompanisë së tretë Halim Rushiti.11

Komandanti i korpusit XXI të ushtrisë gjermane kishte urdhëruar që të mbahej e hapur rruga Milot-Rreshen-Shpal-Pukë, e cila ishte e vetmja rrugë nëpër të cilën mund të sigurohej tërheqja e forcave armike në drejtim të veriut të Shqipërisë. Prandaj u dërguan menjëherë përfocime, një batalion me 1000 ushtarë, të cilët u përleshën ashpër me 22 tetor në Gëziq i cili gjatë gjithë ditës përjetonte luftime e bombardime të pandërprera..12Po atë ditë tek Ura e Fanit dy batalione të brigadës VII dhe XXII sulmuese vunë nën presion forcat gjermane që gjendeshin atje.

Rreth orës 13 sërish artileria gjermane sulmon Gëziqin, i cili ishte i vetmi vendkalim, ku njëherësh ishin të vendosura edhe shtabet e dy batalioneve. Pastaj forcat gjermane kaluan në një sulm të fuqishëm ku qenë të angazhuara të gjitha forcat e mjetet duke vënë në pararojë mjetet e blinduara.

Me 23 Tetor forcat gjermane u përpoqën sërish të hapin rrugën drejt Shpalit. Ato me të gjitha forcat e mjetet, në krye të të cilëve u vunë vetë oficerët madhorë, nisën sulmin e dytë të tyre mbi Gëziqin e kthyer në një pikë të pakalueshme të ushtrisë naziste në Shpal.

Komandanti i korpusit XXI, që drejtonte operacionet për vendosjen e kontrollit në rrugën Milot-Shpal, nisi nga Miloti në ndihmë të forcave të bllokuara në Gëziq edhe një batalion tjetër prej 1000 ushtarësh të divizionit 297 të ushtrisë gjermane.13

Partizanët të vendosur në pozicione prisnin, ndërsa forcat gjermane, të paraprira nga artileria, po i afroheshin kodrës së Kishës së Gëziqit. Mbi kishë e nën kishë buzë xhadesë asgjë e gjallë nuk dukej mbi sipërfaqen e dheut. Ndërkohë ngjitja e armikut vazhdonte, por po ashtu vazhdonte edhe heshtja e partizanëve. Heshtje të cilën e theu një autoblindë e hedhur në erë, pasi kishte shkelur në zonë të minuar. Pastaj predhat e artilerisë partizane, e cila furishëm godet mbi karvanin armik.

Gjermanët të zënë ngusht filluan të masakrojnë banorët e Gëziqit.

Kulla e Gjet Dodës sulmohet furishëm nga një skuadër e forcave gjermane, të cilës i vihet më pastaj zjarri. Luftimet bëhen gjithnjë e më të rrepta. Skënder Lubonja, komisari i batalionit, jep urdhër që të sulmohet në drejtim të shtëpisë së Gjet Dodës, në të cilën ndodheshin brenda flakëve të zjarrit 6 fëmijë. Në këto luftime ra heroikisht partizani Ibrahim Saliu.

Forcat gjermane tashmë të egërsuara nga humbjet vrasin e djegin gjithçka gjejnë përpara. Ato vrasin në shtëpinë e tij plakun 90 vjeçar Nikoll Vorfi, i cili përpiqet deri në pikën e fundit që të mos e lëshojë kullën e tij.

Parizanët e brigadave që kanë luftuar në Gëziq, janë furnizuar nga banorët e Gëziqit në mes të luftës me bukë e ushqime, megjithëse ishin shumë fukarenj.14

Në luftimet e zhvilluara në kodrën e kishës në Gëziq janë vrarë edhe partizanët Toli Vokopola, Alush Harizi dhe Estref Kokruta.

Në orët e vona të mbasdites, pas luftimesh të përgjakshme, gjatë gjithë ditës pa mundur të çanin rrethimin në drejtim të Shpalit, forcat gjermane tërhiqen poshtë nga Ura e Fanit. Natën e 23 tetorit dhe në mëngjesin e 24 tetorit forcat partizane janë në pritje të sulmit të ri armik në drejtim të Gëziqit.

Në fillim të luftimeve plagoset rëndë Skënder Veleshnja, që pas pak orësh vdes. Luftimet janë shumë të ashpëra në rrëzë të kodrës së Lokajve, po ashtu edhe në kodër të Ndërfanës. Në kodrën e Lokut forcat partizane i thyen keqas forcat kundërshtare, po në luftë e sipër vritet partizani Aleks Kondakçiu, ndërsa në kodrën e Ndërfanës forcat armike përparojnë mjaft. Atje vritet Mrika Bardhi.

Një skuadër gjermane kishte kapur rob 3 fshatarë; Gjergj Bibën, Vorf Prengën, Gjin Pjetrin, dy prej të cilëve i pushkatuan, ndërsa i treti u plagos rëndë.

Lufta në të katër anët e Gëziqit vazhdon me furi. Në këto luftime në afërsi të kodrës së kishës bien në fushën e luftës partizanët Vasil Mehmeti dhe Alush Reshiti. Gjatë luftimeve vritet në kullën e vet Frrok Ndreu, ndërsa në Ndërfanë Margjela e M. Gjonit. Po atë ditë në luftë vriten partizanët Izet Xhelo e Sabri Rroku.

Datë 25 tetor 1944, sulmi i katërt i armikut mbi Gëziq

Binte një shi i hollë e i ftohtë vjeshte. Dy batalione të brigadës VII dhe batalioni i katërt i brigadës XXII janë vënë në frontin e luftës në një hapsirë 2-3 km.

Komanda gjermane nuk mund t’i afronte pozicionet e zjarrit të artilerisë për shkak të goditjeve që jepte artileria partizane tek Ura e Fanit. Qëllimi i forcave partizane ishte copëzimi i trupave gjermane dhe asgjësimi i tyre pjesë-pjesë. Nga gjuajtjet e artilerisë armike predhat godasin kishën.

Lufta u ndez sërish e ashpër. Në këto luftime vritet Dila Vorfi, po ashtu partizani Vangjel Çerepi. Por pika kyçe ku kishte vendosur mitralozin e tij Koli Myzeqari bëri kërdinë në forcat gjermane, të cilat u thyen keqas dhe luftimet filluan të spostoheshin në drejtim të Urës së Fanit, pra në pyjet e Ndërfanës.

Sulmi përfundimtar i armikut dhe shpartallimi i plotë i tij

Me 26 tetor 1944 në luftime u futën batalioni i katërt i brigatës VII sulmuese, i cili po atë datë në bashkëpunim me batalionin e tretë çliruan Rubikun dhe u vunë në ndjekje të armikut në drejtim të Urës së Matit.

Komandanti i njërit prej batalioneve të ushtrisë gjermane që luftoi në Gëziq, duke folur për gjendjen e vështirë që u krijua atje, shkruan se ushtarakët gjermanë tashmë mendojnë se “... asnjëri nuk ka më shpresë të dalë i gjallë nga Shqipëria”.15

Në luftën e Gëziqit ranë në fushën e betejës 22 partizanë dhe konkretisht: Hysen Shabani, Shaban Ramizi, Gani Islami, Fasli Hoxha, Qerim Xheladini, Ahmet Reshiti, Mesut Boko Lapardhaja, Vasil Mehmeti, Bajram Mehmeti, Ajet Kosova, Alush Harizaj, Estref Kokruta, Toli Vokopola, Sabri Rroku, Naim Guri, Firdete Beqiri, Leksi Kondakçi, Skënder Veleshnja, Koli Gjeçi, Izet Xhelo, Gani Çelo, Vangjel Çerepi.16

Po në këtë luftë janë vrarë e masakruar edhe këta banorë të Gëziqit: Frrok Ndre Marku, Gjergj Preng Biba, Gjet Dod Bardhi, Gjela Mark Gjoni, Gjet Dod Prenga, Mara Pjetër Bardhi, Mara Llesh Doda, Mrika Gjet Doda, Llesh Dod Prenga, Ndre Gjok Gjeta, Nikoll Vorf Cara, Preng Dod Bardhi e Vorf Preng Biba.17 U dogjën më shumë se gjysma e shtëpive të banimit së bashku me qelën e kishës së Gëziqit.

Formacionet gjermane lanë në territorin e Mirditës shumw të vrarë,18 në mes të të cilëve edhe komandantin e regjimentit gjerman, si dhe një sasi të madhe armatimi e mjetesh të blinduara.

Lufta e Gëziqit që zgjati 6 ditë, në datat 20-26 tetor të vitit 1944 ishte një nga luftërat më heroike të brigadave VII e XXII sulmuese. Ajo përbën një nga betejat më të përgjakshme që zhvilluan forcat e divizionit II në veri të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat